Masakra që pushtoi Charlie-n, rinxjerr sërish në skenë fenomenin e terrorizmit islamik dhe radikalizmin e të rinjve myslimanë në qendër të Europës. Një radikalizëm, që është konfirmuar se ndodh në mesin e saj, në gjirin e shkollave, të universiteteve të klubeve sportive dhe të çdo ambienti, që frekuentohet gjerësisht nga të rinjtë. Po ku shtrihen rrënjët e këtij fenomeni dhe përse flitet për një axhendë të fshehtë të Arabisë Saudite dhe rolin e saj të lartë në sponsorizimin e një sistemi edukues, që radikalizon ekstremisht të rinjtë?
Ku ndodh radikalizmi dhe kategoritë e shënjestruara
Shumica e radikalizmit sipas ekspertëve, kryhet mbi bazën e një kriteri, që është mosha e re dhe ndodh në një sërë kanalesh të ndryshme. Në sistemin arsimor, shkolla, universitete, ambientet sportive, klubet e fitnesit, etj. Një pjesë e mirë e saj, zhvillohet gjithashtu në rrugë. Ndërsa universitetet janë vendi ku të rinjtë hyjnë në kontakt me studentët tashmë të radikalizuar, ku fenomeni merr formën e një zinxhiri të vazhdueshëm. Ky radikalizëm merr gjithashtu trajta ekstreme, në rast se këto të rinj përfundojnë të arrestuar. Në burgjet europiane, sipas kreut të antiterrorit në BE, Gilles De Kerchove, në vend të një riedukimi, të rinjtë dalin me një formësim ekstremist radikal.
Por, elementi që tërheq vëmendje është fakti se, nuk është domosdoshmërish kategoria e njerëzve të varfër, që ndjehen të përjashtuar nga shoqëria, në pamundësi integrimi, që kanë më tepër tendencë të radikalizohen, sipas një logjike të përgjithshme. Faktet tregojnë se, është një kontingjent njerëzish të shkolluar dhe të mirë integruar në shoqërinë europiane, apo të vendit përkatës. Rasti i sulmeve terroriste në Londër në vitin 2005, ekspozoi profile njerëzish të integruar në shoqëri. Njëri prej tyre punonte në sistemin arsimor dhe ishte i integruar në të gjitha fushat. Dhe pikërisht ky person ishte i radikalizuar. Dhe raste të tilla, sipas specialistëve, janë të përhapur gjerësisht.
Fenomeni që vlerësohet se ndikon në radikalizmin e kësaj kategorie sipas ekspertëve, përbëhet nga momente të veçanta dhe delikate në jetën e njeriut, siç njihen gjerësisht, krizat personale, krizat e identitetit, krizat sociale, kulturore, familjare, të jetës në çift, etj. Janë momente të dobëta që shfaqin një predispozitë të caktuar tërheqje ndaj radikalizmit. I njëjti fenomen vërehet edhe në sektet ekstremiste kristiane.
Gjithsesi bëhet fjalë për një minoritet, pasi radikalizimi në përgjithësi, sipas ekspertëve të fushës të anti-terrorit, përfshin 10-15% e të rinjve myslimanë në Europë.
Axhenda e fshehtë e Arabisë Saudite
Por, kush është roli dhe axhenda që i atribuohet Arabisë Saudite, nga shërbimet inteligjente të këtyre vendeve? Përse flitet për një “Aleat-Armik” të Perëndimit?
Në fakt, panaroma historike të kthen mbrapa ndër vite. Franca, Belgjika, Holanda dhe Gjermania, kanë komunitete të mëdha myslimane në territoret e tyre. Por, ka një dallim, pasi ndryshe nga Franca, e cila ka pasur koloni në vendet myslimane si Algjeri, Marok, Tunizi, vendet e tjera si Belgjikë, Holandë dhe Gjermani nuk kanë pasur koloni në këto vende. Shumica e myslimanëve në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani, kanë ardhur përgjatë viteve ’60-’70 kur Europa kishte nevojë për krah pune, në mënyrë që të ndërtonte infrastrukturën e saj të re.
Por, teksa ky fenomen ishte një fenomen i ri dhe i konsideruar si i përkohshëm, autoritet e këtyre vendeve u përballën me një problematikë, në momentin që ky kontingjent punëtorësh kërkonin të qëndronin në vend. Ekzistonte një vizion politik jo shumë i qartë, se si të menaxhohej kjo situatë. Në tentativa dhe përpjekje që t’i jepnin një zgjidhje, këto vende marrin garanci nga Arabia Saudite, se ajo do të bënte përpjekje serioze në lidhje me këtë çështje. Dhe është pikërisht ky momenti, ku fillojnë investimet e mëdha, si në sistemin edukues dhe arsimor po ashtu edhe fetar në gjuhën arabe. Ky konsiderohet edhe momenti ku fillon edhe aplikimi i një axhende të fshehtë, mbi radikalizmin e njerëzve.
Pra, përgjatë 25-30 viteve, me ndihmën e autoriteteve të këtyre vendeve, filloi “imponimi” i një Islami, i cili konsiderohet si radikal. Ajo çka u konstatua pas vrasjes në Holandë të Theo Van Gogh, nga një islamist ekstremist në vitin 2003, sipas ekspertëve, ishte tronditëse,. Teksa inteligjenca holandeze filloi monitorimin e klerikëve myslimanë, rezultoi se 60-70% e tyre, e kishin të pamundur të flisnin dhe të kuptonin holandisht. Pra, qartësisht, ato nuk shërbenin aspak si një faktor integrimi. E kishin të pamundur. Ato nuk kuptonin dot shoqërinë ku jetonin dhe ku ndjekësit e tyre fetarë jetonin. Nuk mund t’i ndihmonin besimtarët me këshilla të vlefshme, sepse nuk dinin. Dhe për më tepër, shumica e klerikëve vinin nga Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit, me asnjë njohje mbi gjuhën e vendit, me asnjë njohje mbi shoqërinë dhe funksionimin e saj.
Nga ana tjetër teksa, në gjirin e këtyre shoqërive po ndodhnin këto ndryshime kaq të mëdha dhe me kosto tejet të lartë, shoqëria perëndimore nuk ishte aspak e fokusuar në këtë zhvillime. Kjo është pohuar dhe nga krerët e shërbimit inteligjent francez, që kanë konfirmuar se e gjithë vëmendja e shërbimeve sekrete, inteligjencës së këtyre vendeve ishte e fokusuar te Lufta e Ftohtë dhe armiku i tyre Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi. Pra, interesi ndaj axhendës së dyfishtë të Arabisë Saudite dhe monitorimit të saj ishte tejet i ulët. Ishte konstatuar se diçka po ndodhte, por ishte ende në nivele të paekspozuara.
Nga ana tjetër, inteligjenca dhe siguria belge ka paralajmëruar vazhdimisht mbi kërcënimin që Arabia Saudite po paraqiste kundrejt imponimit të ideologjive ekstreme në Europë. Në Belgjikë, ky shërbim ka paralajmëruar gjithashtu autoritetet shtetërore, mbi rrezikun e lartë të shkollave ku mësohet gjuha arabe, si dhe versioni radikal i religjionit islamik. Këto shkolla janë të financuara nga Arabia Saudite prej dekadash dhe të krijuara në sistem, sipas ligjit përkatës në këtë fushë. Nga kontingjenti i këtyre nxënësve kryhet edhe rekrutimi i mëtejshëm për ndjekjen e studimeve universitare në këtë fushë, në mënyrë që të vazhdojë shpërndarja “profesionale” e versionit radikal të islamit.
Është tejet interesant dhe dyzimi logjik i një “Aleati-Armik”. Arabia Saudite konsiderohet aleat i Perëndimit, ka qenë kundër komunizmit dhe Bashkimit Sovjetik, kundër Iranit, etj. Por, sigurisht që ajo konsiderohet edhe armike, për sa i përket axhendave të fshehta me rrezikshmëri të lartë që përfaqëson. Specialistë të inteligjencës franceze e shpjegojnë këtë dyzim në një logjikë paralele, me tendencën e dyfishtë që ekziston gjithashtu në mes të familjes mbretërore në Arabinë Saudite, ku njëri krah është pro bashkëpunimit me Perëndimin dhe modernizmin e Arabisë Saudite, dhe nga ana tjetër kemi krahun e princërve të tjerë, që kërkojnë t’u qëndrohet besnikërisht besimeve dhe politikave të tyre.
Ndalesat Europiane dhe ekstremizmi i situatës
Një debat ka përfshirë vazhdimisht shoqëritë evropiane, mbi ndalimin e akteve që konsiderohen, se shkelin të drejtat e njeriut, konkretisht të gruas si edhe përbëjnë rrezik në terma të sigurisë. Ndalimi i perçes tërësore, ose Burkës, që mbulon edhe pjesën e fytyrës, në disa prej vendeve evropiane, apo ligji mbi ndalimin e ndërtimit të xhamive, janë pjesë e këtij debati.
Por, a shërbejnë këto ndalesa apo akte ndalimi, për të frymëzuar më tej radikalizimin e këtij kontingjenti? Është shumë e rëndësishme optika e ekspertëve në këtë fushë, të cilët vlerësojnë se, është e vërtetë që këto elementë kanë një dozë ndikimi, por nuk duhet harruar, sipas tyre, një fakt i thjeshtë, që këto shërbejnë vetëm si pretekste. Historia ka treguar, se nëse nuk do të jetë preteksti i ndalimit të perçes, do të jete preteksti mbi detyrimin që fëmijët në shkolla të mos hanë ushqimin perëndimor, por vetëm ushqimin “Hallal”, ose do jetë preteksti që vajzat dhe djemtë të mos përzihen në të njëjtin ambient shkollor, apo çfarëdolloj preteksti tjetër.
Rasti i fundit, i një prej terroristëve, që kreu masakrën ndaj “Charlie” është demonstrues i kësaj problematike. I portretizuar si një besimtar jo i devotshëm, por me hope, pretekstin e kishte gjetur tek lufta e amerikanëve në Irak dhe trajtimin e të burgosurve në burgun Abu Grahib. Kush kërkon arsye për radikalizëm, mund t’i gjejë ato ngado. Këto arsye mund të shërbejnë si motiv për kryerjen e akteve ekstremiste, por nuk janë veçse pretendime fallco të kryera në emër të një religjioni. Logjika e ka të pamundur të besojë në një Zot krejtësisht të çmendur! /im.ta/
