Spanja po përgatitet të festojë Ditën Kombëtare në mesin e krizës së thellë politike të shkaktuar nga referendumi i Katalonjës për pavarësi.
Përmes një ceremonie festive në Madrid do të zhvillohen dhe parada, në të cilat do të marrin pjesë si kryeministri i vendit Mariano Rajoy ashtu edhe Mbreti Felipe.
Ky show publik i bashkimit vjen një ditë pasi kryeministri Mariano Rajoy tha në parlament se vendi po përballet me kërcënimin më të rëndë ndaj demokracisë së tij 40 vjeçare, dhe i dha 5 ditë kohë liderit katalanas Carles Puigdemont për të sqaruar nëse e shpalli mëvetësinë apo jo.
Nëse deri të hënën ai konfirmon shkëputjen nga shteti spanjoll, atëherë do t’i jepen tre ditë të tjera kohë për ta tërhequr deklaratën.
Në të kundërt nëse lideri katalanas nuk tërhiqet, Madridi do të aktivizojë nenin 155 të Kushtetutës, i cili e lejon të pezullojë rajonin e pasur dhe të vendosë mbi të sundim direkt.
“Ka një nevojë urgjente për t’i dhënë fund situatës në Katalonjë e për të rikthyer sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin e kjo duhet bërë sa më shpejt. I takon liderit katalanas që të rikthejë normalitetin kushtetutes”, tha Rajoy.
Të tjera organizime festive janë planifikuar të ndodhin në të gjithë vendin në shenjë të Ditës Kombëtare të Spanjës. Ndryshimi i vetëm është që këtë vit keto festime vijnë në mesin e trazirave që shkaktoi referendumi katalanas i 1 tetorit, i shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetutese e Spanjës.
