Rusia ka kohë që është shndërruar në një problem për Bashkimin Evropian. Fushata dezinformimi, sulme kibernetike dhe ndërhyrje politike të vazhdueshme në territorin e Unionit, me synim dobësimin dhe përçarjen e tij. E njëjta strategji po ndiqet edhe në vendet e fqinjësisë së Unionit, që synojnë një përqasje ndaj projektit evropian, si edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Samiti i fundit mes krerëve të shteteve të Unionit, nuk arriti të vendosë mbi shtyrjen e sanksioneve, apo vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ndërkohë, Spanja është vënë në fokusin e BE, pasi lejonte furnizimin me karburant të luftë-anijeve ruse, që niseshin më pas drejt territorit sirian. Furnizim, që kryhej nga territoret spanjolle në brigjet e Afrikës së Veriut, në portin e Seutës.
Teksa nga njëra anë, Spanja lejonte furnizimin e luftë-anijeve ruse në territoret e saj, të dyshuara se niseshin më pas drejt Sirisë, për të marrë pjesë në fushatën e goditjeve ajrore, (e nisur kjo nga Rusia që nga viti i kaluar në mbështetje të presidentit të vendit Bashar al Asad), nga ana tjetër, Spanja vend anëtar i BE-së, ishte palë nënshkruese në Samitin e zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, ku nënshkruante draft-deklaratën, që dënonte: “Sulmet nga regjimi sirian dhe aleatët e tij, mbi civilët në Alepo, kryesisht Rusinë.” Presionet e Unionit dhe NATO-s, mbi Spanjën, rezultuan me një tërheqje të politikës spanjolle, ku nga njëra anë i kërkoheshin Rusisë qartësime mbi këto informacione dhe nga ana tjetër u deklarua anulimi i furnizimeve.
Por, terreni spanjoll për hir të pozicionit të tij të rëndësishëm gjeografik, sjell një panoramë interesante të influencave të fuqive të ndryshme dhe mënyrës së ndikimit të tyre, në momente të veçanta historike. Momente, që ringjallen dhe rikthehen në forma të zbehta, mes pozicionimit aktual perëndimor të Spanjës dhe luhatjes pro interesave ruse, ku kjo e fundit ka zhvilluar në hapësirën evropiane, forma të sofistikuara të mënyrës së ndikimit, të penetrimit dhe të joshjes financiare.
Spanja, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e historianëve të komunikimit, pasi ka qenë një nga vendet, që u shndërrua në terrenin më të fuqishëm të propagandës, gjatë Luftës së Parë Botërore. E pozicionuar si vend neutral në konflikt, Spanja u shndërrua në arenën ku të gjitha palët ushtruan strategjitë e tyre të propagandës më të sofistikuara, për të bindur atë të pozicionohej në përputhje me interesat e tyre.
Gjermania kishte si synim kryesor, që Spanja të mos dilte nga pozicioni i saj i neutralitetit. Arsyeja lidhej me faktin se neutraliteti, do t’i mundësonte Berlinit të siguronte hyrjen në Mesdheun Perëndimor, dhe të garantonte zonat neutrale në territoret dhe ujërat e Spanjës, që ishin të një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh pozicionin e rëndësishëm strategjik të Spanjës, mes dy kontinenteve dhe dy deteve. Teksa lufta vazhdonte dhe presioni i aleatëve mbi Spanjën po intensifikohej, objektivi më specifik gjerman, do të ishte të parandalonte çdo prirje të tepruar të neutralitetit, që favorizonte aleatët. Për të arritur këto objektiva, Gjermania zbatoi një platformë strategjike, që përfshinte dy elementë: propagandën dhe ofertat joshëse politike. Një sërë mekanizmash do të viheshin në përdorim, në funksion të propagandës në Spanjë, duke nisur nga roli në rritje i shërbimeve diplomatike, i shtypit, i gazetarëve, i publicistëve profesionalë, i politikanëve, si edhe roli shumë i veçantë ndikues dhe propagandues i kinematografisë. Nga ana tjetër, propaganda do të shoqërohej me oferta politike, mbi hedhjen e ideve për zgjerim të influencës gjeostrategjike të Spanjës, nëpërmjet aneksimit të Portit të Tangiers (Marok), kontroll mbi Marokun, dhe mandat joshës mbi Portugalinë, në formën e një Unioni apo të një Bashkimi.
Përveç Gjermanisë, do të ishin edhe vendet aleate, që do të kërkonin të influenconin sa qëndrimin në neutralitet të Spanjës, por edhe daljen nga ky pozicion. Francezët, kërkonin që Spanja neutrale të pozicionohej pro Francës, pasi kjo do të bënte të mundur krijimin e një muri mbrojtës në prapavijë, me pjesëmarrjen e vullnetarëve katalonjas. Një model i konsideruar sa logjik, por edhe historik. Për këto arsye, propaganda e Francës në Spanjë, do të spikaste nëpërmjet përdorimit të një sërë mekanizmave, që nga shtypi dhe lidhjet me liberal-republikanët, kinematografia dhe filmat që shfaqeshin pro rolit dhe rëndësisë së aleatëve, por edhe influenca që ushtrohej nga kultura franceze me një sërë shkollash, gjimnazesh dhe institucioneve të ndryshme, që ekzistonin në atë kohë.
Britania e Madhe, kishte gjithashtu një interes të lartë që Spanja të ruante pozicionin e saj
të neutralitetit, pasi në këtë mënyrë do të kishte mundësi të përdorte ujërat dhe infrastrukturën spanjolle, si kalimet në ngushticën e Gjibraltarit, por edhe në skajet e saj, si ishujt Kanarie dhe Belerike. Për britanikët, do të ishte më e vështirë influenca, duke përdorur terrenin e propagandës, pasi në këndvështrimin e historianëve, forma monarkike e politikës britanike, vinte kundër preferencës liberal-republikane të spanjollëve. Gjithsesi, një sërë instrumentesh u përdorën për kryerjen e kësaj propagande, kryesisht shtypi si edhe kinematografia.
Në këtë terren spanjoll, kaq të lakmuar nga të gjitha palët, nuk do të mungonte as influenca e propagandës amerikane. Me synim, që të kishte bashkëpunimin e Spanjës në përpjekjet e luftës që po kryheshin në Amerikën e Veriut, propaganda amerikane do të kishte një qasje të stilit idealist, duke demonstruar idenë e vlerave demokratike që mbarte Amerika. Propagandë, që u ushtrua kryesisht nëpërmjet kinematografisë dhe një sërë filmash që shfaqeshin në këtë kuadër, duke mos prekur temën e luftës, por duke nxjerrë në pah virtytet e shoqërisë amerikane dhe parimet e mira dhe të drejta, që përfaqësonte SHBA.
Sigurisht që Spanja, nuk do të dilte nga pozicionimi i saj i neutralitetit, pasi presionet e forta që ushtronin aleatët, nënkuptonin edhe rrezikun e një kundërsulmi ushtarak, që mund të kryhej. Por, në kontekstin aktual dhe të marrëdhënieve të saj shumë të mira, sa me Perëndimin, por edhe me Rusinë, (të përforcuara këto që në periudhën e Zapateros) Spanja tërheq sërish vëmendjen pasi, duhet t’i përmbahet linjave politike të Unionit, që bien ndesh me ato të Rusisë. Një pozicionim jo edhe aq i favorshëm për Spanjën, në kuptimin e pragmatizmit të saj politik. Gjithsesi, një pragmatizëm, që vlen të rishqyrtohet, nën prizmin e reflektimit, nëse duhet lënë Rusia të shndërrohet në një prioritet, teksa për të në fund të fundit, nuk je veçse një opsion.
Im.Ta.
DITA
