Politikat e zgjerimit të BE-së, pësuan një lloj ndryshimi pas anëtarësimit në bllok të vendeve të ish Lindjes. Zgjerimi do të ndiqte pas kësaj etape një lloj perspektive individuale, ku çdo vend do të shpërblehej sipas meritave përkatëse drejt progresit. Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor, do të njihte suksesin e tij pas anëtarësimit të Kroacisë, por edhe me hapjen e negociatave për aderim me Serbinë dhe Malin e Zi. Të dy këto vende pas marrjes së statusit të vendit kandidat kanë arritur të çelin negociatat në një afat kohor të shkurtër, Serbia brenda një viti dhe Mali i Zi për dy vjet.
Interesant nga një këndvështrim analitik, shfaqet niveli i plotësimit të reformave të kërkuara nga BE, që çuan në hapjen e shpejtë të negociatave. Eksperienca serbe për specifikën historike-politike që e karakterizon, ngjall kërshëri vëzhgimi jo vetëm për plotësimin në kohë të kërkesave reformuese, por edhe për mbajtjen e ritmit të reformave dhe pas hapjes së negociatave, me avancimin në përthithjen graduale të legjislacionit të BE-së.
Kriteret e kërkuara për çelje negociatash
Hapja e negociatave me Serbinë u krye pas progres raportit të pranverës, i cili përmblidhte periudhën 5-mujore që prej 11 dhjetorit 2012 deri në 15 prill 2013. Fokusi kryesor ishte në prioritetin kyç, përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën i shtrirë në dy plane: rezultatet e arritura në dialogun e fundit dhe zbatimin aktual të marrëveshjeve tashmë të arritura përgjatë 2011-2012.
Reformat e tjera të kërkuara preknin sferën e sundimit të ligjit, gjyqësorin, politikat anti-korrupsion, luftë ndaj krimit të organizuar, pavarësi të institucioneve kyçe, lirinë e medias, politika anti-diskriminuese, mbrojtjen e minoriteteve dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Përmirësimi i Marrëdhënieve me Kosovën
Një nga çështjet më delikate dhe e kërkuar me insistim nga BE, prekte fushën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Një platformë e konceptuar si një proces gradual duke avancuar nga çështja më e thjeshtë drejt çështjeve më të komplikuara. Suksesi serb për arritjen e marrëveshjes impresionoi politikat e BE-së, pasi nuk mendohej se kjo mund të arrihej duke marrë parasysh ardhjen në pushtet të forcave nacionaliste. Por, si faza e parë e dialogut dhe faza e dytë njohën arritje konkrete mes dy palëve duke bërë të mundur avancimin më tej drejt BE-së. Faza e parë njohu avancim për sa i përket çështjeve më të lehta ( zbatimi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit, mbledhja e taksave doganore, krijimi i Fondit për Zhvillimin e Kosovës së Veriut, regjimi i udhëtimit me karta ID, marrëveshja e vulave doganore, marrëveshja e kadastrave, marrëveshja e pranimit të diplomave universitare, angazhimi për bashkëpunim me EULEX, marrëveshja mbi ruajtjen e pasurisë fetare dhe kulturore). Edhe faza e dytë, me fokus në Kosovën e veriut, një çështje delikate dhe komplekse, u vlerësua si e suksesshme pavarësisht vështirësive që krijonte sfondi i vështirë politik (krijimin e një Bashkësie të Komunitetit serb në Kosovë, që do të funksionojnë nën kuadrin ligjor ekzistues të Kosovës, me një rol përfaqësues në qeverinë qendrore). Angazhimi në marrëveshje se palët nuk do të pengojnë, ose të inkurajojnë të tjerët të pengojnë progresin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së, (pika 14) vlerësohet si një nga arritjet më të rëndësishme, që më vonë diplomaci të caktuara si ajo britanike kanë kërkuar edhe cilësimin e karakterit juridik të kësaj pike, si tejet e rëndësishme për avancim drejt BE-së.
Sundimi i ligjit dhe reforma në gjyqësor
Me një korrupsion të lartë në fushën e gjyqësorit dhe me një besim jashtëzakonisht të ulët të publikut ndaj sistemit gjyqësor, Serbia duhej të përballej me nisjen e sfidës për reformimin e saj. Sipas Komisionit Europian, një sërë reformash legjislative janë adoptuar në dhjetor 2012. Tre ndryshime të rëndësishme janë miratuar në Kodin Penal: dënimi i akteve që simulojnë dhe thjeshtëzojnë kërkesat e azilit në një vend të huaj, heqja e dënimeve mbi shpifjen paralelisht me heqjen e dënimeve mbi “komentet publike të paautorizuara mbi çështjet gjyqësore” dhe njohja si rrethanë rënduese e disa krimeve të rënda “të urrejtjes” të motivuara nga origjina etnike, feja ose orientimi seksual. Akuza mbi “abuzimin me pushtetin” u riformulua gjithashtu për të përfshirë në të edhe rastin e operatorëve privatë.
Sukses njohën edhe reformat në sistemin e drejtësisë. Këto reforma e ekspozuan qeverinë serbe përballë sfidës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të korrikut 2012, mbi anulimin e mos rinovimit të mandatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, çka çoi në zgjidhjen e menjëhershme të problemit për integrimin e rreth 800 gjyqtarëve (1/3 e tyre në total). Kjo situatë solli edhe hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, që garantonte ndryshime strukturore dhe të qëndrueshme në kohë për një sistem gjyqësor të paanshëm, të pavarur dhe efikas.
Një tjetër strategji për periudhën 2013-2018, e hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike, synonte përballjen me problemet e dala nga aplikimi i strategjisë së 2006, si edhe fokusimin rreth principeve kryesore të pavarësisë, paanshmërisë dhe cilësisë së drejtësisë si edhe kompetencave, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të aparatit të drejtësisë. Kjo strategji, synonte gjithashtu përforcimin e Këshillit Suprem të Gjyqtarëve dhe Këshillin Suprem të Prokurorëve, si edhe zgjidhjen e problemit të mungesës së pavarësisë reale të gjyqësorit.
Reformimi vazhdon edhe nëpërmjet dy procedurave të tjera konsultuese me fokus, efikasitetin e përgjegjshmërisë së aparatit gjyqësor (kodi deontologjik). Ato lidhen me Këshillin Suprem të Prokurorëve dhe Këshillin Suprem të Gjykatësve.
Një sërë ligjesh kanë hyrë në fuqi me synim përmirësimin e efikasitetit të gjyqësorit dhe për aplikimin e standardeve ndërkombëtare në gjykatat kombëtare. Akademia e Magjistraturës ka përzgjedhur një gjeneratë të re studentësh duke krijuar mundësinë gjithashtu edhe për një varietet programesh trajnuese për gjyqtarët, prokurorët, stafin juridik dhe avokatët. Kodi i ri i Procedurës Civile, i cili ka hyrë në fuqi në shkurt 2012 synon gjithashtu rritjen e efikasitetit në çështjet e procedurës civile që përbëjnë 2/3 e të gjithë çështjeve në gjykatat serbe.
Lufta kundër korrupsionit
Në luftën e saj ndaj korrupsionit, sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, Serbia ka avancuar duke hapur një sërë çështjesh hetimore, që prekin shtresat e korrupsionit në nivele të larta politike, kryesisht mbi çështjet e privatizimeve problematike. Ndërsa në luftën kundër krimit të organizuar Serbia konsiderohet se ka përparuar dhe se koordinimi dhe bashkëpunimi operacional mes shërbimeve ligj-zbatuese është i kënaqshëm.
Serbia ka miratuar një Projekt-Strategji për periudhën 2013-2018 në luftën kundër korrupsionit. Synimi është nga njëra anë adoptimi i një përqasje strukturore, trajtimi i çështjeve të mirëqeverisjes, pavarësisë së institucioneve, auditit të brendshëm dhe të jashtëm, ruajtja e denoncuesve të abuzimit dhe nga ana tjetër adoptimi i një përqasje sektoriale, duke luftuar korrupsionin në sektorë të ndjeshëm si urbanizmi dhe rregullimi i territoreve, drejtësia, policia, edukimi dhe shëndetësia. Punimet përgatitore për një plan veprimi pritet të fillojnë pas konsultimit publik mbi projekt strategjinë.
Përmirësimi i klimës së biznesit
Vëmendje tërheq edhe përmirësimi i klimës së biznesit nëpërmjet miratimit të një sërë ligjesh. Një ligj i ri mbi prokurimet u aprovua, i cili synon harmonizimin e legjislacionit serb me legjislacionin e BE-së dhe përmirëson në mënyrë të përgjithshme efikasitetin e procedurave të prokurimeve publike, kryesisht nëpërmjet centralizimit të këtyre tregjeve. Një sërë rregullash të tjera janë miratuar për parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit, çka përkthehet në procedura prokurimesh publike më transparente dhe efikase dhe duke mundësuar një konkurrencë në rritje. Qeveria ka marra masa të tjera me synim përmirësimin e mjedisit të ndërmarrjeve, kryesisht me heqjen e më shumë se 130 taksave parafiskale, që rëndonin mbi aktivitetin ekonomik, modifikimin e ligjit mbi TVA-në dhe adoptimin e një ligji që kufizon afatin e rregullimit të gjendjeve të shumave monetare kesh. Reforma e ndërmarrjeve kolektive nisi në dhjetor 2012. Ndërsa modifikimet e ligjit mbi tregtinë e brendshme, të adoptuara në janar 2013, synojnë zvogëlimin e pengesave për futjen në treg të tregtarëve, që tregtojnë me pakicë.
Arritja e objektivit thelbësor, përmirësimit afatgjatë të marrëdhënieve të saj me Kosovën dhe nisja e reformave të kërkuara në fushat kryesore, që lidhen me shtetin e së drejtës dhe në veçanti me sistemin gjyqësor, me politikat antikorrupsion, pavarësinë e institucioneve kyçe, ruajtjen e minoriteteve dhe përmirësimin klimës së biznesit, i mundësoi Serbisë çeljen e negociatave për aderim në BE. Ndonëse reformat vlerësohen se janë në përpunim e sipër me planet e tyre për t’u konkretizuar, sidomos ato në fushën e gjyqësorit, vullneti reformues me plan veprimesh konkrete, vlerësohet se përgatitën terrenin serb përballë detyrimeve, që lidheshin me hapjen e negociatave për aderim.
Konkluzion
Qeveria serbe synon një anëtarësim të mundshëm të Serbisë në BE pas 4-5 vitesh, pra diku rreth vitit 2020. Por, duket se pavarësisht avancimit serb dhe vullnetit për reforma, çështja delikate e Kosovës do të vazhdojë të krijojë përplasjet e saj përballë mosnjohjes serbe. Çështja mbi Kosovën është integruar në Kapitullin 35. Diplomacia e Berlinit, insiston në mbajtjen e presionit diplomatik mbi Serbinë në lidhje me angazhimin e saj përballë normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, duke insistuar që marrëdhëniet me Kosovën të jenë të integruara edhe në kapitujt e tjerë legjislativë, jo vetëm në kapitullin 35. Insistimi diplomatik për inkuadrim juridik të kësaj pike vjen dhe nga diplomacia britanike, finlandeze dhe ajo holandeze. Insistimi synon të krijojë një mundësi bllokimi total në procesin e negociatave me Serbinë, nëse ajo nuk respekton angazhimet e saj përballë Kosovës. Nga ana tjetër 5 shtetet e BE-së, që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundër faktit që Marrëveshja Beograd-Prishtinë të shndërrohet në një marrëveshje detyruese. Këtij pozicioni i bashkëngjitet dhe diplomacia suedeze. Franca gjithashtu shprehet kundër mundësisë për vendosje të Serbisë në këtë pozicion shtrëngues dhe detyrues, pasi ajo tashmë, sipas Francës ka dhënë prova mbi angazhimin e saj në këtë proces.
Por, opsioni i diplomacisë britanike shfaqet juridikisht më logjik dhe funksional, për sa i përket perspektivës aderuese të dy vendeve në BE. Ky opsion synon nënshkrimin e një marrëveshje të ngjashme si ajo mes dy Gjermanive të nënshkruar më 21 dhjetor 1972. Pra, zhvillim marrëdhëniesh normale të fqinjësisë së mirë, respektim reciprok, pacenueshmëri kufijsh, respektim integriteti territorial dhe mos pengim të shtetit tjetër në planin ndërkombëtar. Nëse shkohet drejt këtij opsioni mund të evitohen përsëritjet e fenomenit qipriot, ku një shtet anëtar mund të bllokojë aderimin e një shteti tjetër në BE. Vendet e Ballkanit perëndimor, ekspozohen si mbartëse të kësaj filozofie problematike./im.ta/