Tango e zjarrtë me Turqinë

redaktor

Një dridhje beli, kërcim alla-turk apo një tango dyshe, stil kontinental mes pasionit dhe zemëratës?! Objektivi është shumë i rëndësishëm. Përdredhjet politike janë vlerë e shtuar në fushën e politikbërjes dhe nuk duhen parë si shpërfillje vlerash, parimesh apo orientimesh. Porta e Turqisë drejt Evropës duhet mbyllur përfundimisht. Janë dy milionë sirianë, me aspiratën për të lënë territorin turk. Evropa është parajsa e kërkuar. Çelësin e ka Erdogan. Si ta bindim ? Me dridhje beli apo joshje në një tango pasioni ?

Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, u mblodhën dje në Këshillin Evropian në Bruksel me një axhendë, ku spikaste zgjidhja e krizës së refugjatëve. Që prej tre javësh Komisioni Evropian ishte në negocime të vazhdueshme me autoritetet turke për të gjetur një zgjidhje në lidhje me fluksin e vazhdueshëm të refugjatëve, që lënë territoret e konflikteve, hyjnë në territorin turk dhe që andej i drejtohen territorit evropian. Negocime, që po kryheshin në bazë të kontureve të një plan-veprimi të përbashkët, të propozuar nga Unioni.

Turqia prej vitesh, ka marrë trajtat e një kandidature të përjetshme, që has në një rezistencë të fortë për avancim të mëtejshëm në BE. Shtete anëtare të Unionit, janë shndërruar vazhdimisht në bllokada të rëndësishme, duke paralizuar perspektivën evropiane të Turqisë. Me ardhjen në pushtet të Erdogan, marrëdhëniet BE-Turqi kanë njohur përplasje të forta, sa për shkak të autoritarizmit gjithmonë e në rritje të Erdogan, të përkeqësimit të lirive dhe të drejtave themelore, demokracisë dhe sundimit të ligjit, por edhe për shkak të mbisundimit të idesë nga vende kyçe të Unionit, që preferojnë më tepër një marrëdhënie në terma partneriteti të privilegjuar me Turqinë se sa, shndërrimin e saj në një vend anëtar me të drejta të plota.

Por, Turqia është vetëm dy javë larg zgjedhje të përgjithshme. Me një logjikë motivuese të padiskutueshme, lideri turk, duhet t’i përkthejë këto negocime me Unionin, në terma të ndjeshëm përfitimi politik. Sa për arsye të mirëfillta elektorale dhe për të tërhequr vëmendjen e një opinioni publik turk, tejet të lodhur nga pritja e anëtarësimit, por edhe në kuadrin e një krenarie të profilizuar tashmë, që karakterizon qasjen e tij politike, në suazat e një aktori të padiskutueshëm rajonal. Në këtë kuadër, kërkesat turke i kapërcyen objektivat financiarë, duke u përqendruar kryesisht në avancimin e dosjes turke të anëtarësimit në BE, në liberalizimin e shpejtë të vizave, si edhe në konsiderimin e Turqisë  nga BE, si një vend i sigurt origjine.

Negociatat paraprake të kryera mes BE dhe Turqisë, pritej të finalizoheshin nga mbledhja e djeshme e Këshillit Evropian. Por, çfarë u arrit përfundimisht ?

Në daljen e tyre publike, pak pas mesnate, kreu i Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kreu i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker, konfirmuan suksesin e arritjes së negociatave me Turqinë. Sukses që në logjikën e vendeve anëtare të Unionit, përkthehet në arritjen e objektivit për sigurimin e kufijve të jashtëm të Unionit, pra në rastin konkret me Turqinë, qëndrimin apo bllokimin e refugjatëve sirianë në Turqi dhe pengimin e tyre për të udhëtuar në BE. Në këtë kuadër, Turqia do të ndihmohet financiarisht me rreth 3 miliardë euro, për përballimin e flukseve të refugjatëve, integrimin e tyre në tregun e punës vendas, si edhe në lidhje me modalitete të tjera të rëndësishme, si shkollimi i fëmijëve apo integrimi i thelluar i tyre, në mënyrë që të pamundësohet ideja për të lënë Turqinë.

Procesi i negociatave u vendos të “rifillojë në mënyrë energjike” duke nënkuptuar hapjen e kapitujve të tjerë të negociatave. Më  i preferuari për Unionin, duket se është kapitulli mbi Politikat Ekonomike dhe Çështjet Monetare, ndonëse për autoritetet turke ka më shumë rëndësi hapja e kapitujve si ai mbi drejtësinë, gjyqësorin apo energjinë.

Në lidhje me liberalizimin e vizave, aktualisht Turqia është në një proces plotësimi kriteresh, ku vlerësimi i radhës nga Komisioni, pritet të jetë në pranverë të vitit 2016. Sipas Junker, marrëveshja e liberalizimit të vizave me Turqinë do të përshpejtohet, por kjo nuk nënkupton se kriteret do të anashkalohen, pasi ato duhen plotësuar. Në këtë kuadër, nuk do të ketë kritere shtesë për t’u plotësuar përtej atyre ekzistuese. Gjithsesi, Këshilli i djeshëm Evropian arriti të hapë dritën jeshile mbi lehtësinë në shqyrtimin e vizave për studentët dhe njerëzit e botës së biznesit në Turqi, por me kushtëzime teknike, mbi baza konkrete dhe të qarta, mbi sigurinë e pajisjes me vizë të personave të sipërpërmendur.

Por, a mund të konsiderohet Turqia siç edhe autoritet e saj zyrtare kërkojnë, shpalljen si vend i sigurt origjine ? Nëse arsyetojmë nën logjikën tashmë të ofruar nga Unioni, se një vend kandidat, që aspiron të anëtarësohet në BE, nuk mund të jetë vend i pasigurt origjine, ky argument merr një vlerë të rëndësishme. Por, kjo vlerë nuk mund të jetë e qëndrueshme për sa kohë në të gjithë komunikimet, që Unioni ka adresuar si në raporte të veçantë, në rezoluta parlamentare, por edhe në progres raportet e fund vitit ndaj Turqisë, kritikat janë shumë të forta për shkelje të rënda të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Edhe Gjermania ka lëshuar terren në këtë kuadër. Një lëshim terreni që duket se gjen ekuilibrim, nëpërmjet argumentit të ofruar nga kancelaria Merkel pak pas përfundimit të Këshillit se, “çdo rast do të shqyrtohet individualisht”, çka nënkupton se edhe kur një vend është shpallur vend i sigurt origjine, rastet shqyrtohen individualisht dhe akordimi i azilit nuk pengohet. 

Arritja e marrëveshjes me Turqinë, është shumë e rëndësishme për Unionin. Ajo bën të mundur kontroll të përforcuar të kufirit me Turqinë, qëndrimin në Turqi të 2 milionë refugjatëve sirianë, që aktualisht gjenden në territorin turk, integrimin e tyre në vend, duke bllokuar përfundimisht mundësinë, që ato të hyjnë apo të penetrojnë në territorin evropian. Në një këndvështrim praktik, ajo mund të shikohet si zgjidhje e përkohshme e situatës mbi krizën e refugjatëve, pasi zgjidhja reale e saj kërkon veprim të koordinuar politik evropian, në kuadrin e një ndërveprimi global mbi shkaqet në terrenin e krizave.

Në një këndvështrim të pastër moral, ajo ngre pikëpyetje, që shtrihen drejt një bllokade fizike apo nëpërkëmbje të së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimit për strehim të personave, që i ikin luftës, konfliktit, apo persekutimit. Këto pikëpyetje shkojnë edhe ndaj rolit dhe mandatit të agjencisë së ruajtjes së kufijve, Frontex që tashmë do të pajiset me kompetenca shtesë, për të rikthyer me iniciativën e vet personale, të gjithë individët që klasifikohen si migrantë të parregullt.

Kompromisi me Turqinë u krye. BE e zgjidhi përkohësisht problemin. Lideri turk do të hyjë në këto zgjedhje me kapital politik të përforcuar, me imazhin e një politikani të fortë, që ofron zgjidhje rajonale, ndihmon perspektivën evropiane të vendit, lehtëson regjimin e vizave dhe çon drejt kuadratit të një vendi të sigurt, sundimin e demokracisë dhe të ligjit. Problemi politik u zgjidh. Ai moral jo. Parimet dhe vlerat, po vërtiten. Njësoj si refugjatët, që i ikin zonave të konflikteve. Liria, demokracia dhe barazia u konfirmuan sërish se, janë të negociueshme, të rishikueshme dhe me një karakter fin, por elastik dhe të përpunueshëm./im.ta/

 

Share This Article