Ka pasur ditë që ndritën nga hareja,
dhe që me pikëllim i kujtojmë,
tani s’ka më fillime të reja,
disa vdesin-por të tjerë jetojnë!
Tani ka vetëm burra të mërzitur,
që kthejnë kokën nga rrugët ku kanë shkuar,
po kohë e trishtimit nuk erdhi papritur,
shënja pa fund na kanë lajmëruar!
Tani fundi i fundit po vjen për çdo gjë,
pa zhurmë e bujë mbyllen llogaritë,
kitara e shpirtit s’nxjerr më asnjë zë,
një rutinë vrastare tani është çdo ditë!
Zjarri i jetës po djeg dhe drurët e fundit,
në anë të vatrës s’ka më dru të tjera,
njeriu i kërrusur prej lodhjes dhe mundit,
kupton hatanë që la pas pranvera!
Nuk ka për të ditë me yrish,
në këtë stinë dimri të acartë,
me mijëra nga ne tash janë në finish,
e mijëra të tjerë janë ende në start!
Nuk ka pas finishit fillime të reja,
neve ikim-po të tjerë vazhdojnë,
ndaj nuk mbaron asnjëherë beteja,
e jetës së pasosur që jetojmë!
Kur shkon dikush-ti mendon në heshtje,
dhe ndihesh mirë që s’ishe ti ai,
po vdekja pa mëshirë na mbyt me rreshje,
dhe kthehet-edhe kthehet përsëri!
Po njeriu kurrë nuk e ndal përpjekjen,
don t’i vidhet gjithnjë asaj ore,
ndaj gjer më sot e ka mundur vdekjen,
e gjithë jeta. Jeta njerëzore!
Rilindja është vërtet një mrekulli,
një mrekulli e jetës njerëzore,
vërtetë vdekja kthehet përsëri,
po prapë jeta është triumfatore!
Unë jam një natyrë entuziaste,
dhe pse sot shkruaj vargje pikëllimi,
dhe pse jetoj fiks në këto çaste,
ditë të ftohta dhe të zeza dimri!
Para syve jetën shoh të shembur,
shoh si ka sosur gjithë epopeja,
veç për një gjë vdekja më ka trembur,
se s’ka mbrapa saj fillime të reja!
Kjo bie ndesh me të gjithë besimin,
dhe Zotin që shpesh nuk e kuptojmë,
po unë e shoh në ecje njerëzimin,
se ikin shumë-po dhe më shumë vazhdojnë!
A.DUKA
