Pas Luftës së Dytë Botërore, një motivacion i trefishtë çoi në krijimin e institucioneve evropiane: rithemelimi i vlerave evropiane (të thyera gjatë dy luftërave botërore); rindërtimi material i Evropës së shkatërruar nga lufta, dhe mbrojtja kolektive përballë rreziqeve të jashtme.
Në mars të vitit 1947, Franca dhe Britania e Madhe do të nënshkruanin Traktatin e Dunkerkut, që parashikonte asistencë ushtarake, në rast agresioni, apo kërcënimi për agresion (nga ana e Gjermanisë kryesisht). Fillimi i Luftës së Ftohtë, do t’i detyronte ministrat e punëve të Jashtme të këtyre vendeve, Zhorzh Bido dhe Ernest Bevin, t’i kërkonin mbështetje ushtarake Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila do të mbështeste dhe do të nxiste iniciativën evropiane në këtë drejtim. Kështu në Bruksel, më 17 mars 1948, pas grushtit të Pragës, Franca dhe Britania e Madhe së bashku me vendet e Beneluksit, do të nënshkruanin Traktatin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, sociale dhe kulturore dhe të mbrojtjes të përbashkët legjitime. Në këtë mënyrë, përmes këtij traktati, u mundësua themelimi i Unionit Perëndimor në të cilin përfshiheshin, si pjesë të bashkëpunimit civil, por edhe pjesë të bashkëpunimit ushtarak.
Në nenin 4 të tij, theksohej klauzola e mbrojtjes kolektive legjitime, mes së cilës parashikohej ndërhyrja automatike ushtarake.
Më 23 tetor të vitit 1954, përmes Marrëveshjeve të Parisit, Unionin Perëndimor bëhet Unioni i Evropës Perëndimore, rezultat që erdhi pas dështimit francez në votimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes, duke përfshirë gjithashtu edhe anëtarë të tjerë, si Italia dhe Republika Federale Gjermane. Klauzola automatike e ndërhyrjes ushtarake, u rimor në nenin 5 pa asnjë ndryshim.
Unioni i Evropës Perëndimore, do të bënte të mundur edhe riarmatosjen e Republikës Federale Gjermane, nën kontrollin e vendeve të tjera anëtare (RFGJ bëhet anëtare e NATO-s, në maj të vitit 1955). Në vitet në vijim, UEP do të jepte kontributin e tij për thellimin dhe zhvillimin e integrimit evropian, duke lehtësuar integrimin e RFGJ-së, duke krijuar një klimë besimi mes vendeve për sa i përkiste kontrollit të armatimeve, dhe duke favorizuar dialogun me Britaninë e Madhe, para hyrjes së saj, në vitin 1973.
Pas një periudhe avancimi të lehtë gjatë viteve 1984-1989, UEP do të rikthehej në aktualitet me rihapjen e debatit mbi sigurinë evropiane.
Më 27 tetor 1984, shtetet miratojnë Deklaratën e Romës, që përfshinte si objektiva: përcaktimin e identitetit të sigurisë evropiane dhe harmonizimin progresiv të politikave të mbrojtjes së vendeve anëtare.
Në vitin 1987, në Hagë, Këshilli i UEP-së, do të miratonte një platformë, mbi interesat evropianë në fushën e sigurisë ku përfshiheshin orientimet e mëdha të aktivitetit të tij. Por, një lloj dobësie e qartë në administrimin e krizave të UEP-së gjatë viteve ’90, do të bënte që shtylla e tretë e BE-së, të merrte në strukturat e saj, dimensionin e sigurisë evropiane. Këshilli Evropian i Këlnit, në qershor të vitit 1999, krijon CSDP, që përfshinte funksionet dhe kompetencat e UEP-së, që do të ishin të nevojshme për BE-në, në pranimin e përgjegjësive të reja. Por se, tek krijimi i PESD-së, nuk u transferuan as neni 5 i Traktatit të Brukselit dhe as neni 9 (raporti mbi kontrollin e armatimeve), duke transferuar shumë pak prej kompetencave të UEP-së.
Por, do të ishte Traktati i Lisbonës, ai që do të parashikonte ma pas, një klauzolë të asistencës së përbashkët, në rast agresioni ushtarak.
Shndërrimi i të Butëve
Pikërisht, nën hapësirën që do të krijonte Traktati i Lisbonës, vjen edhe iniciativa e fundit në fushën e mbrojtjes, e miratuar gjatë Samitit së fundit të krerëve më të lartë të vendeve evropiane, krijimi i bashkëpunimit të përhershëm të strukturuar.
Projekti i ri, synon një bashkëpunim në fushën ushtarake, deri më tani aspak të imagjinueshëm, por që do të vijë në një platformë, po njësoj si edhe krijimi i Eurogrupit. Bëhet fjalë për të përforcuar dhe për të koordinuar kapacitete ushtarake të shteteve anëtare, për të përafruar ushtritë, për t’i pajisur më mirë me synim angazhimin e tyre në terren, jashtë territorit evropian, në operacionet evropiane të mbajtjes së paqes, të administrimit të krizave, të formimeve ushtarake, të luftës kundër terrorizmit, etj. Praktikisht, drejtuesit e vendeve evropiane, kanë rënë dakord të nisin bashkëpunimin e përhershëm të strukturuar. Mekanizmi pritet të plotësojë iniciativa të tjera në proces, siç janë: financimet për zhvillimin e prototipave të armatimit, një financim të përbashkët të grupimeve taktike evropiane, si edhe një seli të përgjithshëm komandimi në Bruksel.
Të 28 vendet, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për nevojën e nisjes së këtij bashkëpunimi, mbi baza vullnetare, që duhet të jetë “përfshirës dhe ambicioz”. Bashkëpunimi në Klubin evropian të mbrojtjes, duket se do të marrë formën e një liste “kriteresh dhe angazhimesh”, që vendet anëtare duhet të plotësojnë, në mënyrë që të bëhen pjesë e këtij mekanizmi. “Përfshirja”, nuk mund të mos nënkuptojë logjikën e hapjes ndaj të gjithëve pa asnjë përjashtim, por duket se “ambicia” do të shërbejë si frenuese e mundësisë reale, që mund të ketë një vend, pa anashkaluar këtu listën e kritereve, që i shtohet “ambicies” në parim.
Gjithsesi, krijimi i këtij bashkëpunimi, do të mundësohet mes një votimi me shumicë të cilësuar të vendeve anëtare dhe do të kryhet në momentin që do të jetë pranuar lista e “kritereve dhe e angazhimeve detyruese”.
Aksi drejtues i BE-së, Francë-Gjermani, janë të vendosur në avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të Evropës së Mbrojtjes. Veçantia lidhet me kthesën e fortë gjermane dhe ndryshimin e qasjes së saj në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Vetëm para dy ditësh, Presidenti i sapo zgjedhur francez Emanuel Makro, do të theksonte në një intervistë për rrjetin e gazetave evropiane se, kancelarja gjermane Merkel ka bërë që gjërat të lëvizin në mënyrë të thelluar:
“Ajo i është rikthyer tabuve thellësisht të trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania, do të shpenzojë më shumë se, sa Franca në fushën e mbrojtjes, në vitet në vijim. Kush do ta besonte, këtë ?!”
Do të ishte vitit 1954, atëherë kur do të shfaqej ideja fillestare për bashkimin e ushtrive evropiane, me projektin për krijimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes. Por, se federalistët evropianë, që kërkonin bashkimin e ushtrive evropiane, e patën të pamundur të realizonin me sukses këtë iniciativë, sa për hir të faktit se subjekti ishte shumë i ndjeshëm, tek popullata e gjerë, vetëm disa vite pas pasojave të rënda të një lufte të përgjakshme, që kishte përfshirë kontinentin, por edhe për hir të një nevoje për të avancuar të bashkuar më shumë në sferën ekonomike dhe duke ia lënë vendin gradualisht planeve për krijimin e sigurisë dhe të mbrojtjes së përbashkët.
Por se, tashmë me një sërë ndryshimesh të rrethanave gjeopolitike, ka ardhur koha që opinioni publik evropian të sigurohet se Evropa është aty, qartazi e angazhuar për t’i mbrojtur ata. Ndërsa pjesa tjetër e botës, duke përfshirë edhe “trazuesit e përkohshëm” të aleancave të vjetra tradicionale, duhet të kuptojnë se, evropianët nuk janë thjesht të Butë, por se reflektimi, halli dhe nevoja historike për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe të paqes, i ka shndërruar në të Butë dhe të Urtë. Duke dhënë shembullin historik se Pushteti i Butë, ka jo vetëm fuqinë të konsolidojë Paqen në kontinent, por se ka një fuqi të jashtëzakonshme për të Joshur ndërkombëtarisht. Si ? Duke e shndërruar luftën fizike mes njerëzve, në luftë mes idesh, parimesh dhe konceptesh. Siç edhe Zhozef Nai, zhvilluesi i konceptit të Pushtetit të Butë në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpjegon tek “Mënyrat për sukses në botën politike”, se është pikërisht Joshja që është gjithnjë më efikase se, sa Dhuna, dhe se shumë vlera si demokracia, të drejtat e njeriut dhe liria individuale, kanë fuqinë të jenë thellësisht joshëse.
Im.Ta.
DITA
