Të gjithë të kontrolluar për më shumë siguri !

redaktor

Të gjithë kompanitë ajrore tashmë do të jenë të detyruara, t’iu dorëzojnë vendeve të BE-së, të gjithë të dhënat e pasagjerëve ajrorë, që do të kryejnë fluturime nga vendet e treta në BE. Direktiva e shumë debatuar për grumbullimin në masë të të gjithë të dhënave të pasagjerëve ajrorë, PNR, u miratua të enjten e kaluar (14.04.2016) në Parlamentin Evropian. Ajo parashikon shtrirjen e grumbullimit të këtyre të dhënave edhe në fluturimet ajrore brenda BE-së. Kompanitë ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe agjentët e tyre, do të jenë të detyruar të depozitojnë të gjithë të dhënat që lidhen me klientët e tyre, në rast të kundërt do të përballen me sanksione, deri financiare.

Pas pesë vite hezitim, stepje, kundërshtime dhe refuzime direktiva PNR u miratua. Në thelb ajo synon parandalimin dhe detektimin e akteve terroriste dhe formave të rënda të kriminalitetit, në kuadrin e krimit të organizuar*.

Kjo direktivë kishte pesë vite që haste në rezistencë, kryesisht nga Parlamenti Evropian, pasi një sërë opinionesh dhe vlerësimesh shfaqnin nga njëra anë problematikën, që mbarte grumbullimi në masë i të dhënave të të gjithë pasagjerëve ajrorë. Grumbullim pa përzgjedhje, duke cenuar një sërë të drejtash themelore, si e drejta për privatësi, e drejta për tu prezumuar i pafajshëm. Kjo në logjikën se, këto pasagjerë, qoftë qytetarë të BE apo jo, nuk janë të dyshuar për ndonjë krim, as nuk janë subjekt i një hetimi kriminal, apo i një mase sigurie. Arsyeja e vetme që të dhënat e tyre i transmetohen autoriteteve qeveritare, agjencive të përforcimit të ligjit duke u shpërndarë edhe tek palët e treta të interesuara, është vetëm fakti se, ato kanë rezervuar një fluturim.

Por, nga ana tjetër, problematika shtrihej tek fakti se sa efikasitet mund të ketë miratimi i kësaj direktive?! Sepse, shtysa kryesore për ta miratuar në mënyrë urgjente, si një zgjidhje për problemin, shtohej pas çdo sulmi terrorist, si ai i Francës dhe i Belgjikës. Por, ndërkohë specialistët shfaqnin hezitim për efikasitetin e saj, pasi teksa kërkohet grumbullimi në masë i të dhënave dhe profilizimi i tyre, shumica e terroristëve që kanë kryer aktet e fundit, jo vetëm kanë qenë të njohur, pra shtetas të këtyre vendeve, por edhe të skeduar nga shërbimet e inteligjencës, apo edhe ato të policisë.

Gjithsesi, direktiva u miratua dhe imponon krijimin e regjistrave kombëtarë, në vendet anëtare të BE-së, ku do të figurojnë  një sërë të dhënash, të mbledhura nga agjencitë e udhëtimeve, për fluturimet nga jashtë BE-së, por edhe brenda vendeve të BE-së.

Pra, të dhënat PNR, do të konsistojnë mbi informacionet përkatëse që lidhen me rezervimin dhe itinerarin e udhëtimit të pasagjerëve, në mënyrë që t’i lejojnë autoriteteve kompetente të identifikojnë pasagjerët ajrorë që shfaqin një kërcënim për sigurinë e brendshme.

Konkretisht, do të figurojnë në këtë regjistër të grumbulluar me një afat pesë vjeçar, një sërë të dhënash: emri i personit dhe i personave që udhëtojnë me të; adresa dhe të dhënat e tjera si, numri i telefonit, adresa e emailit; informacion i detajuar mbi mënyrën e pagesës; duke përfshirë adresën e faturimit, data e rezervimit/ dërgimi i biletës, data e parashikuar për udhëtim, statusi i udhëtarit, pra konfirmimi i biletës, regjistrimi, mungesa e prezantimit si edhe pasagjerët e minutës së fundit, që nuk kanë kryer rezervim paraprak; i gjithë itinerari i përshkruar; informacionet mbi “udhëtarët e shpeshtë” (që janë të abonuar dhe dosjet e tyre kanë të dhëna më në detaje); të dhënat në biletë; çmimi i biletës dhe vendi në avion; çdo informacion që lidhet me bagazhet; dhe informacioni, që zotërojnë agjencitë e udhëtimit dhe agjentët e udhëtimit. Si edhe çdo lloj informacioni që gjendet në dosjen API ( numri, lloji, dorëzimi dhe data e skadimit të çdo dokumenti të identitetit,  kombësia, emri i familjes, mbiemri, seksi, data e lindjes, kompania ajrore, numri i fluturimit, data e nisjes, data e mbërritjes, aeroporti i nisjes, aeroporti i mbërritjes, ora e nisjes dhe e mbërritjes). Duke përfshirë në këtë liste edhe të gjithë historikun e  ndryshimit të këtyre të dhënave.

Ndër të tjera informacione të detajuara do të grumbullohen edhe mbi minorenët e pashoqëruar, deri në moshën 18-vjeç, si emri, seksi, mosha, gjuhët që ai flet, emri dhe të dhënat e të rriturit, që e shoqëron në nisje, si edhe emri dhe të dhënat e të rriturit, që e pret në mbërritje, por edhe lidhja, që ai ka me minorenin, si edhe agjenti prezent në nisje dhe në mbërritje.

Në këtë listë grumbullimi të dhënash, sipas direktivës, nuk duhet të figurojnë të dhëna që bazohen mbi origjinën racore apo etnike, bindjen dhe opinionet politike apo çdo lloj opinioni tjetër, përkatësia në një sindikatë, të dhëna mbi shëndetin, jetën seksuale dhe orientimin seksual të personave.

Por, në rast se konstatohet se një, apo, disa prej këtyre të dhënave transmetohet (!), atëherë autoriteti përkatës, ka detyrimin t’i fshijë këto të dhëna!

Grumbullimi i të dhënave lejon mundësinë për shkëmbimin e tyre mes vendeve anëtare, me Europolin, si edhe me vendet e treta. Shtetet anëtare duhet të përcaktojnë gjithashtu sanksionet deri edhe financiare ndaj agjencive, që refuzojnë bashkëpunimin në dorëzimin e të dhënave, apo nuk respektojnë formën e formularit ku duhet të figurojnë të dhënat e mbledhura. Direktiva parashikon gjithashtu dorëzimin e këtyre të dhënave, në bazë të kërkesave specifike edhe ndaj vendeve të treta, si edhe kalimin e këtyre të dhënave nga një vend i tretë, në një vend tjetër të tretë, në bazë të ligjeve ekzistuese në fuqi. Procesi nuk është automatik, pra shkëmbimi i të dhënave është në bazë të një vullneti të lirë mes shteteve. A do të bashkëpunojnë shtetet në shkëmbimin e dosjeve të tyre, me vendet e tjera, për sa kohë direktiva nuk i detyron ?! Kjo duket se do të jetë edhe problematika kryesore, pasi ngjarjet e fundit të Parisit dhe Belgjikës, ekspozuan pikërisht këtë problematikë, mos shkëmbim të dhënash mes shërbimeve sekrete dhe atyre policore.

Specialistët e fushës, si edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë kohë që kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me miratimin e kësaj direktive. Kjo pasi, në vend të ligjeve që lejojnë grumbullimin në masë të të dhënave dhe profilizimin e të gjithë pasagjerëve, duhet që të krijohen programe specifike për inkuadrimin e subjekteve të dyshuara. Logjikë operimi më efikase dhe produktive. Mbikëqyrësi Evropian për Ruajtjen e të dhënave Giovanni Buttarreli, ka paralajmëruar me kohë mbi rrezikun, që krijon kjo hapësirë, pasi sipas tij : “..qëllimi kryesor i skemës, nuk është kontrolli i kufirit tradicional, por shërbimet sekrete dhe arrestimi i personave, që nuk janë të dyshuar përpara se krimi të jetë kryer..(…) zhvillimi i një sistemi të tillë ngre çështje serioze të transparencës dhe proporcionalitetit, dhe se mund të çojë në një lëvizje drejt një shoqërie të mbikëqyrur”./im.ta/ DITA

 

* Parandalimi dhe zbulimi i krimeve në fushën e krimit të organizuar, përfshin një listë me 26 vepra penale: Pjesëmarrje në organizatë kriminale; Trafikim i qenieve njerëzore; Shfrytëzim seksual i fëmijëve dhe pornografia e fëmijëve; Trafikim i drogave dhe substancave psikotrope; Trafikim armësh, municionesh dhe eksplozivësh; Korrupsioni; Mashtrimi, duke përfshirë edhe mashtrimin që cenon interesat financiare të Unionit; Pastrim i produkteve të krimit dhe falsifikimi i monedhës; Kriminaliteti kompjuterik; Shkeljet e rënda ndaj mjedisit, duke përfshirë edhe trafikimin e specieve dhe kafshëve të rrezikuara dhe trafikimin e llojeve dhe specieve bimore të rrezikuara; Ndihma në hyrje dhe në qëndrimin e parregullt; Vrasje dhe plagosje e rëndë; Trafikim organesh; Grabitje, dhe pengmarrje; Vjedhje e organizuar apo vjedhje me armë; Trafikim i të mirave kulturore, duke përfshirë veprat e artit dhe të antikitetit; Falsifikimi dhe pirateria e produkteve; Falsifikimi i dokumenteve administrative dhe trafikimi i tyre; Trafikim i substancave hormonale dhe faktorëve të tjerë të rritjes; Trafikim i fushës nukleare dhe radioaktive; Përdhunimi; Shkelje të rënda, që lidhen me Gjykatën Penale Ndërkombëtare; Rrëmbim avioni apo anije; Sabotimi; Trafikim i automjeteve të vjedhura; Spiunazhi industrial.

Share This Article