‘Të pabindurit’ e karantinës, si do veprohet me 6500 gjobat në fuqi për këmbësorët?

Ornela

Gjobitja e këmbësorëve për shkeljen e Aktit Normativ të qeverisë mbi kufizimin e liri-daljes gjatë pandemisë, krijoi perceptimin se është vepruar me dy standarde. Nga 13518 gjoba, 6500 janë ende në fuqi dhe numri i atyre që e kanë shlyer, është i papërfillshëm. Të gjobiturit refuzojnë të paguajnë penalitetin prej 10 mijë lekësh, sepse e konsiderojnë të padrejtë. Nga ana tjetër organizmat për të drejtat e njeriut ngrenë alarmin se ky “komunitet” i cili me gjasa është prekur edhe nga kriza financiare mund të rrezikojë burgun.

“Le të startojnë të gjithë të barabartë, fazën e dytë të luftës!”- deklaroi kryeministri Rama në llogarinë e tij në Facebook në datën 17 prill, duke njoftuar faljen e gjobave të vendosura nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që thyen masat e karantinës.

Nga 16 marsi deri në 17 prill llogariten 7107 gjoba për këmbësorë që u kapën jashtë banesave dhe në shkelje të orarit për kufizimin e lëvizjeve. Akti Normativ i datës 16 mars 2020 parashikon gjobë në masën 10 mijë lekë dhe bllokim automjeti deri në tre muaj, për individët që nuk e zbatojnë urdhërin e dhënë nga organet kompetente për ndalimin e lëvizjes. Nga të dhënat zyrtare rezulton se së bashku me gjobat e falura, deri ditën kur u hoq kufizimi i liri-daljes u gjobitën në total 13518 qytetarë. Përveç shifrës së bërë publike për të gjobiturit si këmbësorë dhe të cilëve iu zeruan gjobat, rezulton se rreth 6500 shtetas vazhdojnë të kenë në ngarkim masat administrative me vlerën e 10 mijë lekëve, në vazhdën e luftës me “armikun të padukshëm” ku të gjithë konsiderohen të barabartë.

Markel Sotiri, 20 vjeç, është një prej qytetarëve që u gjobit pak ditë pas faljes së gjobave, ndërsa kishte dalë me biçikletë. Emri i tij rezulton në listën e gjatë të atyre qytetarëve që nëse nuk e paguajnë, ose nëse nuk i drejtohen gjykatës Administrative, emrat do t’u shpërndahen pikave kufitare si debitorë./tch

o.j/dita

Share This Article