Alarmi i vënë nga organizatat e ruajtjes së të drejtave të njeriut, mbi tragjeditë në dyert e Evropës, nuk i parapriu dot fatkeqësive të radhës. Numri i viktimave është veçse në rritje. Por, duket se përtej deklaratave tashmë rutinë, mbi keqardhjen e thellë dhe të vazhdueshme, që ndjejnë institucionet e larta evropiane mbi tragjeditë njerëzore në portat e saj, duket se po kalohet në një plan-veprimi konkret. Ç’përfshin ai, dhe a po synohet krijimi i një modeli evropian “Green Card” i stilit amerikan, për t’i dhënë një shans imigrimit të rregullt ?
Pas tragjedisë së radhës në brigjet e Mesdheut, reagime të menjëhershme kanë ardhur nga Komisioni Evropian, Parlamenti, si edhe nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së.
Komisioni Evropian, teksa ka deklaruar detyrimin moral dhe humanitar të Unionit për të vepruar, thekson se, aktualisht është në një proces konsultimi me Shtetet Anëtare, me Agjencitë Evropiane, si edhe me organizatat ndërkombëtare, me synim përgatitjen e Strategjisë së Migrimit Evropian. Strategji, e cila pritet të adoptohet nga Komisioni në mes të muajit maj. KE, synon një përqasje gjithëpërfshirëse për një menaxhim më të mirë të migracionit në të gjithë aspektet e tij.
Por, tek shikohet përcaktimi i luftës ndaj fenomenit vërehet një shmangie nga problemi akut, i operacioneve të shpëtimit. Apo të paktën një reflektim, ndaj mbylljes së operacioneve Mare Nostrum, që gjithsesi janë konsideruar si “ sukses i madh humanitar” nga UNHCR. Fokusi, nëpërmjet deklaratës së KE-së, shkon drejt problemeve të brendshme, që vijnë nga vendet e treta. Pra, sulmi në rrënjë i fenomenit, thekson si shkaqe luftën dhe konfliktet në këto zona, varfërinë, si edhe faktin që autoritetet vendase, nuk marrin masa për të parandaluar këto emigrime.
Teksa këto probleme dhe trajtimet e tyre janë afatgjate në kohë dhe jo pak të komplikuara, për momentin nuk ka një reflektim të shprehur mbi rikthimin e operacioneve të shpëtimit, që kërkojnë buxhet të lartë për të funksionuar.
Në të njëjtën logjikë, duket se shkon dhe reflektimi i prezantuar nga Shefja e Lartë e Diplomacisë Evropiane, italiania Federika Mogerini. Ndonëse, thekson se kjo situatë është e papranueshme për Unionin, i cili është ndërtuar në principet e solidaritetit, respektit për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit mbi të gjitha, ajo deklaroi se, ndërsa kjo çështje është futur për diskutim në axhendën e Këshillit të Punëve të Jashtme, që po zhvillohet sot në Luksemburg, fokusi është në prezantimin e një sërë propozimesh për Libinë, si një nga rrugët e trafikimit ilegal të imigrantëve. Paralelisht ajo ka theksuar se, fenomeni duhet luftuar në rrënjë, në paqëndrueshmërinë e një zone, që vetëm zgjerohet, nga Iraku në Libi.
Ndërsa kreu i PE-së, Schulz, gjatë deklaratës së tij, tërhoqi vëmendjen mbi disa domosdoshmëri, që ngjallin interes.
Së pari, ai u fokusua mbi nevojën e një strategjie të imigracionit të ligjshëm. Duke sjellë në plan krahasues, modelin e imigracionit amerikan, nëpërmjet Kartës Jeshile “Green Card”, kreu i PE-së, theksoi se vërtet kjo nuk është një garanci, por imigracioni në SHBA, të paktën ka një shans. Duke kërkuar në këtë mënyrë, që edhe Evropa t’i ofrojë një shans imigrimit të rregullt.
Interesante është edhe vendosja e theksit mbi nevojën e një mbrojtje të përkohshme ndaj refugjatëve dhe azilit politik. Duke ofruar shembullin e viteve ’80 me refugjatët libianë, që pas pak kohësh u rikthyen sërish në vendin e tyre për ta rindërtuar atë, të krijohet mundësi e tillë edhe për refugjatët sirianë. Pra, ideja është krijimi i një mbrojtje ligjore të përkohshme ndaj refugjatëve, në kohë konflikti apo krize në një vend të caktuar.
Së fundmi, theksi u vendos tek pabarazia në shpërndarjen e imigrantëve, pra të lidhet ligji për imigracionin me një shpërndarje nëpërmjet një sistemi të drejtë dhe të përshtatshëm, në 28 vendet e Unionit, pasi Unioni ka 28 anëtarë, ndërkohë që mbingarkesa është vetëm ndaj 3 vendeve të BE-së.
Në fakt, në lidhje me krijimin e një shansi për imigracion të rregullt, pra të një sistemi siç funksion aktualisht në SHBA, Evropa është përpjekur ta bëjë nëpërmjet Kartës Blu, “Blue Card”, e cila është projektuar për të thithur elitën e shkolluar, ndryshe nga sistemi i Kartës Jeshile, që nuk e kufizon këtë aplikim. Karta Blu, i mundëson personave të kualifikuar apo shumë të kualifikuar, të aplikojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, duke i mundësuar kushte punësimi dhe sistem pagese të njëjtë me kombasit e vendit përkatës; lëvizje të lirë në zonën Shengen; një sërë të drejtash socio-ekonomike; mundësi për ribashkim familjar, si edhe perspektivë për qëndrim të përhershëm.
Ndonëse, reagimet pas tragjedive janë të fuqishme, në parim, shkuarja drejt një zgjidhje konkrete efikase, kërkon kohë. Sidomos platforma, që prezantohet mbi luftën në rrënjë të fenomenit, ndonëse është më se i nevojshëm, është një projekt, që nuk ofron zgjidhje të menjëhershme. Kjo platformë e ka të pamundur të shpëtojë anijen e radhës, që mund të tentojë të hyjë sot apo nesër në tokën evropiane. Ajo që vlerësohet se, është më e rëndësishme në këtë kuadër, ka të bëjë me dakordësinë e vendeve anëtare, për të shkuar drejt një opsioni për rikthimin e operacioneve efikase të shpëtimit, ndonëse kërkojnë një buxhet të lartë. Mare Nostrum, i cili kërkonte një buxhet prej 9 milionë eurosh në muaj, u zëvendësua me Triton, që shpenzimet e çojnë në vetëm 3 milionë euro në muaj. Gjithsesi, ky buxhet vlerësohet nga vetë specialistët e fushës, se është më i ulët se buxheti, që akordohet në fusha të tjera.
I rëndësishëm është edhe prezantimi i zgjidhjeve, që vijnë nga Parlamenti Evropian. Krijimi i një sistemi imigrimi të rregullt, si ai i stilit amerikan me Kartën Jeshile, mund të shërbejë si një mjet frenimi i imigracionit të parregullt dhe ta kanalizojë atë në rrugën ligjore dhe drejt një shansi konkret për punësim. Edhe hapësira e domosdoshme për një mbrojtje të përkohshme ndaj refugjatëve, që iu ikin zonave të konfliktit apo krizave, si edhe shpërndarja e drejtë e imigrantëve në të 28 vendet e BE-së, duke i lehtësuar barrën tre vendeve hyrëse, janë opsione të cilat jo vetëm që renditen kah vlerave, tashmë taban i shpallur i Unionit, por mund të ndihmojnë edhe në zgjidhje më efikase ndaj problemit. Dhe reagimi i sapo ardhur, nga kreu i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, shkon gjithashtu në përplasje me zgjidhjet tashmë të ofruara për luftimin e fenomenit në rrënjë. Ai i konsideron të papranueshme ato, duke kërkuar ndër të tjera zgjidhje të menjëhershme, efikase, për të shpëtuar njerëzit në nevojë. Mbledhja e jashtëzakonshme e thirrur prej tij këtë të enjte, pritet të ofrojë më shumë në këtë drejtim. Përgjatë saj, pritet edhe të konkludohet mbi vendimet e marra nga mbledhja e përbashkët e Ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të BE-së, ndër to edhe vendimi mbi fuqizimin e Triton dhe Poseidon./im.ta/
