Redaksionale Dita
Ka ende shumë pikëpyetje mbi atë që ndodhi në 21 janar. Dhe një proces gjyqësor aktual që po degjeneron, ku vrasësit po lirohen dhe viktimat po burgosen nuk do t’ia japë Shqipërisë këto përgjigje. Një proces i ardhshëm, i drejtë dhe i paanshëm, i atillë që do kthejë qetësinë e drejtësisë në zemrat e familjarëve të viktimave dhe në zemrat tona, do jetë i nevojshëm.
Do jetë një rrugë e gjatë, por kur ka qenë i shkurtër dhe i lehtë triumfi i drejtësisë?
Mund të niset që tani diçka: duke denoncuar ata njerëz të ligj që u bënë krah e pushtetit vrasës pas 21 janarit.
DITA është një gazetë e re. Por siç ka bërë premtimin publik në numrin e saj të parë, do flasë pa arra në gojë. Sidomos për plagë të tilla në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare si 21 janari. Ne do veçojmë diçka që ka të bëjë pikërisht me komunitetin e gazetarëve. Me këtë komunitet të zhytur në të njëjtën kënetë ku deri tani kemi pranuar të jetojmë të gjithë.
Publiku e mban mend fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë disa orë pas vrasjeve të tmerrshme poshtë dritareve të zyrës së tij. Një pjesë po e risjellim në këtë botim të sotëm. Foli për “vrasje nga afër me pistoleta” dhe për “pistoleta –çadër dhe thika me helm”. Në “vrasjet nga afër” i dolën krah një apo dy mjekë, të cilët paturpësisht pohuan të njëjtën gjë. Kjo u rrëzua më pas, kur dolën videot e vrasjeve dhe pushteti ndërroi versionin e tij.
Një pikëpyetje mbeti mbi akuzat e çuditshme për “pistoleta-çadër” dhe “thika me helm”. Pavarësisht absurditetit të tyre, për këtë është hartuar një dokumentacion.
Pjesë të një dëshmie që përfshihet, ka siguruar DITA, javët e fundit. Nga dëshmia rezulton një situatë që duhet të turpërojë komunitetin e medias shqiptare dhe duhet ta bëjë atë të pastrojë veten dhe të reflektojë. Autori i “informacionit në fjalë” për “egzistencën e këtyre armëve” në turmën e protestuesve të 21 janarit është një gazetar.
Një gazetar emri i të cilit është në autorësinë e një raporti të hartuar në qeveri dhe i cili i ka shkuar më pas Shërbimit Informativ shoqëruar me “hetoni, ja ku janë dëshmitë”. Fjalitë e Berishës për “çadra-pistoletë” mbështeten pikërisht tek ky raport dhe akuzat e tij për Shërbimin Informativ mbështeten pikërisht te mosmarrja parasysh e këtij farë raporti.
Rezultuan gënjeshtra të gjitha, por është e turpshme që individë të tillë të rekrutuar për turpe të tilla vazhdojnë të punojnë në median shqiptare. Për ironi të fatit, personi në fjalë punon aktualisht në një nga redaksitë ish-opozitare të medias së vendit. Ka tentuar të punësohet më përpara në të paktën dy redaksi të tjera me të njëjtin profil dhe e ka bërë pikërisht pas 21 janarit.
Është e kotë t’ia shkruajmë emrin. Kjo hë për hë, nuk do ndryshonte asgjë në një Shqipëri të kapur kaq ngushtë nga e keqja. Nuk na mbetet veçse të themi: TURP!
Lajmi i botuar sot në DITA print:
Personi i raportit për “çadrat-pistoletë” në 21 janar është… gazetar
Për akuzat e Berishës mbrëmjen e 21 janarit pas vrasjes së 4 protestuesve antiqeveritarë përpara Kryeministrisë, ka patur një raport referues, hartuar nga një person, i cili aktualisht punon si gazetar aktiv.
Ky raportim ka qenë edhe shkak përplasjeje mes Berishës dhe SHISH-it, shoqëruar me kërkesën me shkrim ndaj institucionit që raportimi në fjalë të merret urgjentisht në konsideratë. Më pas, përplasja ka vijuar me akuzat që janë treguar të pazotë të provojnë përmbajtjen e këtij raportimi.
Mbrëmjen e 21 janarit pas vrasjeve dhe terrorit që pasoi në Tiranë, kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp deklaroi ndër të tjera:
“Disponohen të dhëna të plota mbi armë të sofistikuara, cadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, thika me helm, që do përdoreshin në stadet e caktuara të këtij grushti shteti, të kësaj përpjekjeje të turpshme për të marrrë pushtetin me dhunë. Disponojmë të dhëna se grupe pesëshe u stërviten ditë të tëra për marshimin…dhe se ky puc u financua me të paktën 2 mln dollarë .. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave , theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura…”.
Versioni “vrasjet nga afër” megjithë mbështetjen që mori nga sy mjekë të Spitalit Ushtarak rezultoi gënjeshtër. Ai ra shpejt nga publikimi i pamjeve filmike të vrasjes së Myrtaj e më pas nga hetimi.
Të dhënat e pjesës së parë të deklaratës janë referuar nga një gazetar. Emri i tij gjendet në këmbimin Qeveri-SHISH.
Për ironi të fatit.ai u punësua pak pas 21.janarit në një nga mediat që mbajtën qëndrimin më kritik me 21 janarin, në gazetën Shekulli, nga ku pas daljes së dokumentit të sipërcituar, u largua.
Botuar sot në DITA