Turqia duhet për kohë të vështira

redaktor

Siç edhe pritej, mbledhja e krerëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare në Bruksel, po e orienton sërish Unionin drejt përforcimit të marrëveshjes aktuale me Turqinë, mbi zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. Përplasjet e forta, që ekzistojnë tashmë mes vendeve të ndryshme anëtare, kanë ngushtuar hapësirat për fleksibilitet dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët. Vetëm pak para mbledhjes së Këshillit Evropian, Austria e cila kishte shfaqur deri më tani një nivel shumë të lartë solidariteti, duke vepruar në të njëjtat linja si fqinji i saj Gjermania, u distancua duke deklaruar kufizim të pranimit të numrit të refugjatëve (jo më shumë se 80 në ditë).

Një veprim që ka shkaktuar nervozizëm në BE, i vlerësuar tërësisht në thyerje të normave evropiane dhe ndërkombëtare, por mbi të gjitha një mesazh i padëshiruar në një moment delikat, ku drejtuesit evropianë përpiqen të imponohen për zgjidhje të përbashkët, duke përjashtuar zgjidhjet në forma të njëanshme kombëtare.

Teksa Austria distancohet, edhe Franca nuk shfaqet shumë e angazhuar, duke krijuar një terren veprimi të izoluar për Gjermaninë dhe politikën e solidaritetit ekstrem, që po ndjek kancelarja gjermane Merkel. Distancim, që vërehet edhe tek vendet nordike.

Ndërkohë blloku i vendeve të ish-Lindjes komuniste, jo vetëm që ka krijuar konturet e një ndasie të qartë ideologjike kundër bashkëpunimit, angazhimit dhe shfaqjes së solidaritetit në kohë krize, por po përpiqet që të rrisë fuqinë imponuese të planeve apo projekteve, që skicon në Samite paralelë.

Tashmë është shndërruar në normë, që përpara çdo Samiti Evropian, të mblidhet edhe një mini-Samit i V4-s (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia), ku katër vendet dalin me një qëndrim të unifikuar. Por, përtej unifikimit të qëndrimit vërehet edhe një tendencë për të imponuar plane, skicime, apo projekte në nivel evropian. Samiti i fundit i Pragës, përtej përforcimit të idesë të refuzimit kategorik të pritjes së refugjatëve, apo shpërndarjes së caktuar të kuotave, prezantoi edhe një plan “B”. Sipas këtij plani, në rast se marrëveshja me Turqinë nuk rezulton efikase në bllokimin e flukseve të refugjatëve dhe paralelisht nuk ka progres në ruajtjen e kufijve të jashtëm të Unionit, atëherë duhet që Greqia të izolohet duke u lënë jashtë hapësirës Shengen, duke u përforcuar njëkohësisht kufiri i ri i jashtëm i Unionit. Pra, nëse Greqia izolohet sipas këtij plani që kërkon V4, Bullgaria dhe Maqedonia do të duhen të përforcojnë kufijtë e tyre. Jo rastësisht, gjatë hartimit dhe propozimit të këtij plani në Samitin e Pragës, ishin të ftuar edhe dy kryeministrat e Bullgarisë dhe të Maqedonisë. Gjithashtu jo rastësisht kemi edhe alternativat me plane rezervë, që ofrohen nga V4 dhe që duket sikur konkurrojnë apo ofrohen në kundërpeshë të planeve që harton bërthama e vendeve krijuese të Unionit, me planin “B” të krijimit të një mini-Shengen. Plan, që sigurisht vinte si kundërgoditje e politikave bllokuese bashkëpunuese të V4-s.

Tek këto samite të V4 kanë filluar të mbahen në forma paralele, “konkurruese” vihet re që përpara mbledhjes së Samitit të Këshillit të Evropës, ku familjet e mëdha politike mblidhen për të unifikuar qëndrimet e tyre, anëtarët sllovakë apo hungarezë të familjes së majtë apo të djathtë, nuk i frekuentojnë këto mbledhje. Pa anashkaluar faktin se, vetëm një ditë para mbajtjes së Këshillit Evropian lideri hungarez Viktor Orban, takohet me Vladimir Putin në Moskë.

Ambicia e V4-s për të rritur rolin dhe peshën diplomatike në orientimin evropian, duket sikur krijon një përplasje të fortë me politikat, që vijnë nga diplomacia e Berlinit dhe mbrohen nga krerët e institucioneve kryesore të Brukselit. Të paktën për sa kohë që kancelarja gjermane Merkel dhe krerët e institucioneve kryesorë të Brukselit, do të mbrojnë  dhe do të insistojnë si në zbatimin e angazhimeve të marra për shpërndarjen e 160 mijë refugjatëve të dakorduar paraprakisht, por edhe kundërshtinë e planit “B” për izolimin e Greqisë. Edhe Komisioni Evropian nëpërmjet zëdhënësit të tij konfirmoi jo më larg se këtë të hënë, se është tërësisht kundër zërave në rritje se Greqia duhet të izolohet, duke theksuar se: “Përgjigja evropiane ndaj krizës së refugjatëve duhet të jetë një përgjigje e të 28-ve, me Greqinë dhe jo kundër Greqisë”. Njëkohësisht teksa Greqia duhet të plotësojë rreth 50 kushte të imponuara nga Unioni, skenarët për izolimin e Greqisë janë të përjashtuar.

Në këtë përçarje dhe mungesë të plotë solidariteti, i vetmi opsion duket platforma me tre akse, që kancelarja gjermane po mbështet, e orientuar ndaj luftimit të fenomenit në rrënjë (konfliktet, luftërat,etj), përforcim i kufijve të jashtëm të Unionit (sidomos kufiri Turqi- Greqi) dhe arritja e një marrëveshje politike për të bërë operacional sistemin e trupave evropiane për ruajtjen kufitare tokësore dhe detare, si edhe administrimi i flukseve të refugjatëve (pranim, regjistrim, menaxhim, etj)

Çka kërkohet për momentin është një zbatim efikas i Plan Veprimit BE-Turqi, frenim i flukseve të refugjatëve drejt Unionit dhe integrim i tyre në territorin turk. Në muajin mars pritet organizimi i një tjetër samiti me Turqinë. Duket se përgjatë muajve në vijim do të ketë një përqendrim në realizimin e objektivit apo ambicies, që tashmë është profilizuar nën presidencën holandeze të BE-së, mbi një marrëveshje të dytë me Turqinë, ose një zgjatim i marrëveshjes së parë, që është nënshkruar mes palëve. Synimi, bllokim sa më efikas i flukseve të refugjatëve në Turqi, kthimi mbrapsht në Turqi, i atyre që arrijnë të penetrojnë në tokën greke, si edhe marrje e caktuar kuotash refugjatësh në nivel evropian, çdo vit nga Turqia./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Me turqit, betejat nuk janë të lehta! 

Turqia shumë shpejt në BE

Tango e zjarrtë me Turqinë  

Kyçini brenda deri sa të gjejnë një zgjidhje 

Votimi i ligjit të turpit 

Zhvatja e të dërrmuarve

 

 

Share This Article