Zmbrapsja në përqindje, mbështetje dhe pushtet e liderit të Turqisë, Erdogan krijon optimizëm për një përafrim me BE-në. Retorika e ashpër që Erdogan kishte filluar të përdorte ndaj Unionit, në vazhdën e një filozofie për mos lejim të “ndërhyrjeve” në politikën e brendshme, po kryhej teksa autoritarizmi i tij njihte veçse rritje. Por, a do të shërbejë rezultati demokratik i këtyre zgjedhjeve, për t’i dhënë një impuls të ri kandidaturës turke në BE ?
Kandidatura turke ka lënë tashmë gjurmët e saj në historinë e procesit të zgjerimit të BE-së. Gjurmë të cilat më tepër se, sa vullnetin apo mungesën e përkohshme të tij nga ana e Turqisë, për të arritur atë çka kërkohet në nivel evropian, shprehin frikën reale të aksit kryesor Paris-Berlin. Frikë, e cila vlerësohet gjerësisht, se bazohet tek fuqia demografike e Turqisë që sigurisht do të interferojë në ekuilibrat, lojën dhe peshën politike të Unionit. Ky faktor kryesor stepje, apo frenimi ka ushqyer në formë dhe në thelb edhe debatet e tjera akademike, politike, kulturore dhe fetare në lidhje me anëtarësimin turk në BE. Alternativa, që i është propozuar në kohë Turqisë, nga ky aks, është ajo e një Partneriteti të Privilegjuar, me bashkëpunim të zgjeruar në të gjitha fushat, por që përjashtonte në vetvete anëtarësimin në BE. Por, refuzimi i Ankarasë, ka detyruar Unionin ta “arkivojë” përkohësisht alternativën e dëshiruar, duke iu rikthyer sërish etapave të anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE.
Autoritarizmi në rritje i Erdogan, përkeqësimi i ndjeshëm i lirive dhe të drejtave themelore, korrupsioni në gjyqësor, dhuna policore, etj, kishin shkaktuar një reagim evropian gjithnjë e në rritje kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. Por, teksa barriera Erdogan po zbehet, a do të shërbejë demokracia dhe niveli i lartë i ndërgjegjësimit të qytetarëve turq në këto zgjedhje, si një impuls i nevojshëm për avancimin e mëtejshëm të kandidaturës turke ?
Teksa pritet një reagim më i përgjithshëm nga Unioni, pas leximit të konkluzioneve paraprake të raportit të ODHIR dhe OSBE-së, si vëzhgues të këtyre zgjedhjeve, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federika Mogerini dhe Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit Johanes Hahn, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë, fillimisht, theksohet vlera e rëndësishme e demokracisë turke, me pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime (86%) e konsideruar, si rekord. Po në këtë optikë, është gjykuar gjithashtu si pozitiv edhe përfaqësimi i të gjithë partive të rëndësishme, në parlamentin e ri të Turqisë. Deklarata mbyllet me pritjen për një bashkëpunim të ngushtë me parlamentin dhe qeverinë e re, si edhe me konfirmimin se, periudha në vijim ofron mundësi për fuqizim të mëtejshëm të marrëdhënies BE-Turqi dhe përparim në zgjerimin e bashkëpunimit në të gjithë fushat.
Ndonëse mund të konsiderohet një deklaratë e tipit rutinë standard, në pritje të një deklarate më të zgjeruar, elementi që tërheq vëmendjen është se, duket sikur po shfaqen shenjat e një zhbllokimi politik, që po i hapin rrugën apo perspektivën një bashkëpunimi më të ngushtë Turqi-BE, por pa specifikuar diçka më konkretisht.
Idetë tashmë janë hedhur nga ish-parlamentarë evropianë (Lagendijk). Meqenëse vlerësimi mbi demokracinë e qytetarëve turq të shprehur në këto zgjedhje është tejet i lartë dhe pozitiv, mund të hapet Kapitulli mbi Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit. Impuls, që mund të gjenerojë një ripërtëritje të marrëdhënieve BE-Turqi.
Por, logjika detyrimisht të ofron dhe një anë tjetër reflektimi të nevojshëm. “Barriera” Erdogan, që po shndërrohej gradualisht në simbolin e papërsëritshëm të një përplasje alla Yeşilçam me BE-në, nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Marrëdhëniet e Erdogan me Unionin janë konsideruar shumë pozitive deri në vitin 2010. Turqia ka pasur një marrëdhënie tepër të vlerësuar jo vetëm me Unionin, por edhe me fqinjët e tij. Ky pozitivitet politik, ka marrë nota vlerësuese, jo vetëm përballë reformave, por edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbështetjen e rëndësishme ndaj demokracisë. Pra, kandidatura turke mund të kishte avancuar edhe më parë. Por, bllokimi i radhës në vitin 2009 erdhi nga Qipro greke, pra nga një vend anëtar i Unionit, sigurisht edhe me mbështetjen e politikës zyrtare të Athinës. Çka më tepër se, ekspozim i problematikave dypalëshe me fqinjët, rithekson problematikën e njohur tashmë të Unionit, që lejon vendet anëtare të saj të zgjidhin problemet kombëtare në kurriz të politikave të zgjerimit, në dëm të perspektivave integruese dhe bashkëpunuese.
Turqia, nuk ka hequr dorë kurrë nga dëshira për të qenë pjesë e Unionit. Kjo dëshirë përcillet edhe në forma akademike apo analitike të sferës turke mbi perspektivën e domosdoshme të Turqisë në BE. Anëtar i rëndësishëm i NATO-s, faktor strategjik në marrëdhëniet e diplomacisë së Perëndimit me Lindjen e Mesme, me një vëmendje gjithnjë e në rritje për shkak të rolit dhe pozicionit gjeografik me vendet në konflikt në kufirin e saj lindor, kandidatura turke vlerësohet si tejet e rëndësishme dhe domosdoshmërish e nevojshme për politikat e ekonomisë, sigurisë dhe të diplomacisë. Ndoshta është koha për një rivlerësim të reflektimit frenues. Për Unionin, ajo nuk mund të jetë veçse një vlerë e shtuar, në dinamikën e politikave të tij./im.ta/
Shkrime të tjera mbi këtë temë:
Evropa thirrje për demokraci Turqisë
Erdogan, i vë kufirin te thana BE-së
Gjermani: “Turqia e Erdoganit nuk ka vend në Evropë”
Zgjerimi, BE-Turqi gjysëm shekull negocimesh
