Turqia, shumë shpejt në BE  

Saimir Lleshi

Ndodhi shumë shpejt. Transformim, që shokoi. Erdogani, armiku, autoritari, demagogu dhe shkelësi i të drejtave themelore, u prit me madhështi në Bruksel. Krerët e tre institucioneve më të larta të Unionit, u përkulën me dinjitetin, që kërkon respekti dhe nderimi përpara fuqisë së një “Sulltani”. Asnjë fjalë. Askush nuk guxoi. As kreu i Parlamentit Evropian. As kreu i KE-së, Junker. Madje edhe qeveria e Brukselit hyri në konflikt me median vendase se, dikush guxoi ta pyeste tek hipte në makinë se, pse gazetari Muhamed Rasul ishte ende në burg. Por, çfarë po ndodh me Unionin dhe a do të shndërrohet Turqia shumë shpejt, në anëtarin e 29 të BE-së ?

Kthesa e menjëhershme e Unionit në marrëdhënie me Turqinë, nxit disa reflektime, që shkojnë sa ndaj kontekstit të krizës së refugjatëve, sa ndaj rëndësisë së vlerësimit apo të zhvlerësimit të krizave të jashtme, por edhe në mos konsiderimin e peshës reale politike të aleatëve apo partnerëve të ndryshëm rajonalë.

Së pari, duhet theksuar se vetëm kur flukset e refugjatëve filluan penetrimin e lartë në territorin evropian, BE filloi reagimin e menjëhershëm duke u përpjekur për të zgjidhur fenomenin. Vëmendja ndaj Turqisë u rrit, kur u konstatua se flukset e larta po penetronin edhe nga kufiri perëndimor i saj. Unioni sa për shkak të ngarkesës në politikën e brendshme të tij dhe krizave të ndryshme, u gjet tërësisht i papërgatitur përballë krizës së refugjatëve.

Së dyti, duhet theksuar se vlerësimi i Unionit ndaj krizës në Siri, nuk ka pasur përmasat e një veprimi prioritar në fushën e politikës së jashtme. Vlerësim, që impononte zhvendosjen në axhendën dytësore, për shkak të një sërë krizash të tjera, që goditën nga brenda Unionin, si kriza ekonomike, dosja greke, dosja britanike, si edhe fuqizimet e ekstremeve politike sa majtas apo djathtas. Në deklaratën e saj, menjëherë pas përfundimit të Samitit të krerëve të shteteve në Bruksel, që përmbylli marrëveshjen me Turqinë, kancelaria gjermane Merkel tek konfirmoi shumën financiare që pritej t’i akordohej Turqisë, ritheksoi dy-tre herë se “Turqia është lënë e vetme dhe se fatura e saj e shpenzimit mbi këtë krizë, është shtatë miliardë euro”. Por, kjo deklaratë shfaq një tjetër problematikë, pasi lënia vetëm e Turqisë në një moment krize rajonale, shfaq sa zhvlerësimin por edhe mosangazhimin e duhur të Unionit në politikën e jashtme, për mbështetje të një aktori të rëndësishëm rajonal. Mbështetje e një karakteri më se të nevojshëm jo vetëm në terma moralë, por mbi të gjitha në terma institucionalë dhe financiarë. Aq më tepër, ky veprim merr një vlerë të konsiderueshme, kur paraprakisht njihen pozicionimet përplasëse dhe refuzuese të vendeve anëtare ndaj çështjes së imigracionit dhe të refugjatëve. Në rast se, vlerësimi ndaj krizës së refugjatëve dhe vëmendja ndaj Turqisë do të ishte e një niveli të duhur që prej fillimit të saj, Unioni nuk do të pozicionohej në një situatë emergjente bashkëpunimi, duke shpërfillur sa vlerat dhe parimet e identitetit të tij, por edhe vlerat që mbartin politikat e zgjerimit dhe të aderimit në vetvete.

Së treti, nuk duhet harruar se, vetëm pak para se flukset e refugjatëve, që kalonin nga territori turk t’i drejtoheshin Unionit, marrëdhënia e BE-së me Turqinë ishte në përplasje të fortë. Përplasje, që shkaktoheshin sa nga acarimet e njërës palë mbi përkeqësimin e të drejtave themelore, të sundimit të ligjit dhe zbehjen e vijave ndarëse të pushteteve, por edhe nga nervozizmi i pritjes së gjatë nga pala tjetër dhe lodhjes nga bllokimet e vazhdueshme të negociatave për arsye, që tejkalonin kriteret tashmë të përcaktuara të Kopenhagenit për anëtarësim. Këto përplasje janë shoqëruar me një retorikë të fortë politike nga të dy palët. Nga reagimet e Unionit, spikasnin deklaratat e palës gjermane, që pa asnjë ekuivok përsërisnin pas çdo lëvizje të Erdogan se, Turqia nuk mund të jetë anëtar i ardhshëm i BE-së. Por, edhe retorika e vazhdueshme e Erdogan ndaj Unionit, ka qenë e fortë, shpërfillëse dhe injoruese ndaj gjuhës imponuese të Brukselit, duke e konsideruar atë si ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Turqisë. Kjo marrëdhënie e tendosur me Turqinë, vazhdonte edhe përgjatë kohës që Turqia përballonte dhe menaxhonte e vetme në territorin e saj, flukset e vazhdueshme të refugjatëve, që i iknin zonave të konfliktit. Element, që tregon mungesen e duhur të vëmendjes ndaj aktorëve të rëndësishëm rajonalë, që pavarësisht problemeve në politikën e brendshme, janë të pozicionuar në frontin e parë të përballimit të krizave rajonale.

Anëtarësim i shpejtë ?!

Marrëveshja e kryer me Turqinë, përveç lehtësimit që mund të krijohet në fushën e liberalizimit të vizave, sigurisht brenda një kuadrati kriteresh, synon edhe hapjen e kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit. Ndonëse në një proces negociatash prej një dekade, aktualisht Turqia nga 35 kapituj, ka arritur të hapë 14, ku vetëm njëri prej tyre është tashmë i mbyllur. Që prej vitit 2013, Turqia ka hapur vetëm një kapitull. Kapitujt në tërësi janë pjesa apo trupa legjislative e Unionit, që duhet të adoptohen nga vendet kandidate dhe hapja dhe mbyllja e tyre kërkon një votim në unanimitet. Çka vështirëson procesin, pasi ambiciet e vendeve anëtare, ngrenë bllokada duke ushtruar presion për zgjidhjen e problemeve dypalëshe, që dalin nga korniza e kritereve të anëtarësimit. Përgjatë kësaj dekade, Turqia është bllokuar në procesin e negociatave sa nga Qipro, Greqia, Franca por edhe Gjermania.

Marrëveshja e fundit me Unionin premton për Turqinë hapjen e një tjetër kapitulli (17) si edhe perspektivën për hapjen e dy të tjerëve (23-24). Ndonëse kjo ofertë shënoi sërish një instrumentalizim të politikave të zgjerimit, a mund të flasim për një riekulibrim strategjik të Unionit në terma të realpolitikës, apo kjo e fundit do të shërbejë sërish, në një moment të dytë, si shkak për rikthimin e bllokimit ? Pra, a është e sinqertë përqasja e përshpejtuar strategjike ndaj Turqisë ?

Unioni me veprimet, marrëveshjet, ofertat, vizitat e larta diplomatike në kohë fushate, mos publikimin e raport-progresit, sigurisht që ka rolin e tij, jo pak të rëndësishëm, në fuqizimin dhe fitoren e një force shumë të kontestuar prej tij, vetëm pak muaj më përpara. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Turqi, në një reagim të përbashkët Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogerini, vlerësuan pjesëmarrjen e lartë në votime, që riafirmon sipas tyre, “angazhimin e fortë të popullit turk, ndaj proceseve demokratike”. Duke deklaruar gjithashtu se: “BE do të punojë së bashku me qeverinë e ardhshme për të përmirësuar më tej partneritetin BE-Turqi dhe për të çuar përpara bashkëpunimin tonë në të gjithë fushat për të mirën e të gjithë qytetarëve”. 

Ka një logjikë, që nuk mund të mohojë se, pavarësisht lëvizjeve me karakter strategjik, Unioni nuk mund të dëshironte një fitore absolute të një force, që jo vetëm mund të komplikojë më tej marrëdhënien me të, duke e kushtëzuar në terma të skajshëm përfitimi praktik, por mund të detyrojë edhe rrëshqitje të mëtejshëm të pozicionimeve aspak të parashikueshme deri më tani.  E njëjta logjikë shkon gjithashtu drejt faktit, se zbehja e një force të vetme dhe dalja në një koalicion qeveritar, do të zbuste termat e marrëdhënies me Brukselin, duke e bërë më të kuptueshme dhe më elastike situatën në ndërveprim.

Në deklaratat e dy krerëve të institucioneve, bie në sy termi “partneriteti BE-Turqi” . Ndonëse duket si frazë e zakonshme, e zgjedhur rastësisht, pa asnjë nënkuptim, ajo rikthen në vëmendje ofertat e njohura për mos anëtarësim të Turqisë në BE dhe favorizimin e një marrëdhënie “partneriteti” sigurisht, në një kuptim të privilegjuar.

Turqia nuk pritet të bëhet së shpejti anëtar i 29 i BE-së, por domosdoshmëria për të bashkëpunuar me të, ka shënuar një nga kthesat më të forta në marrëdhëniet e Unionit me Ankaranë. Ndonëse kancelaria gjermane Merkel një kundërshtuese e anëtarësimit të Turqisë në BE, përmbys qasjen e saj politike, duke e afruar më tej Turqinë me Unionin, kjo duhet kuptuar sa me domosdoshmërinë për gjetjen e një zgjidhje, qoftë edhe e përkohshme, por edhe si pasojë e presioneve të brendshme në politikën gjermane dhe pozicionimet e tyre në ndasi përballë kësaj krize. A mund të jetë e sinqertë kjo përqasje e përshpejtuar ndaj Turqisë ? Sigurisht që logjika e fakteve, e refuzon këtë argument. Kjo marrëdhënie pritet të jetë e kondicionuar deri me zbehjen, apo mbylljen e kësaj krize. Dhe shuarja e kësaj krize, sigurisht që do të rikthejë Unionin në pozicionimin e tij klasik të bllokadave të vazhdueshme kombëtare dhe ngecjes së procesit të negociatave si, edhe rikthimin e ofertave për partneritet të privilegjuar. Procesi i anëtarësimit kërkon unanimitet dhe Gjermania ndonëse e pozicionuar përkohësisht me oferta bujare, jo vetëm që e ka të pamundur të imponojë votën e 27 vendeve të tjera anëtare, por ndoshta nuk mund të ketë as vullnetin e dëshiruar për të realizuar këtë gjë./im.ta/

 

Share This Article