Ushtria evropiane një “Mision i pamundur”

redaktor

Deklarata e fundit e kreut të Komisionit Evropian Junker, mbi domosdoshmërinë e krijimit të ushtrisë evropiane, nuk është risi. Debate dhe përpjekje të shumta kanë shoqëruar në kohë idenë se, Unioni duhet të kalojë gradualisht nga “soft power”“hard power”. Me 28 shtete anëtare, që ruajnë tërësisht eksluzivitetin mbi ushtritë kombëtare, avancimi drejt një integrimi më të thelluar në fushën e mbrojtjes ekspozohet si problematik. Por, nën ç’kontekst vjen deklarata e Junker dhe pse flitet gjerësisht se, tashmë ka “marrë fund” CSDP (Siguria e Përbashkët dhe Politika e Mbrojtjes) ?

Deklarata e fundit e kreut të KE-së, Junker nuk duhet marrë e shkëputur nga tërësia e konteksteve të zhvillimeve, që prekin fushën e Politikës së Sigurisë dhe të Mbrojtjes së Përbashkët të Unionit. Konflikti në Ukrainë dhe konfirmimi se, Rusia tashmë ka dalë nga platforma e partneritetit duke shkaktuar tension të vazhdueshëm dhe rritur klimën e pasigurisë në rajon dhe nga ana tjetër, situata në Lindjen e Mesme, terrorizmi dhe elementët e pasigurisë që lidhen me të, kanë rikthyer sërish vëmendjen drejt fuqisë dhe forcës së munguar ushtarake të Unionit.

Fuqi e pashfrytëzuar

Kuadri i Politikave të Jashtme të Sigurisë nën CFSP, që u fuqizua në përmbajtje edhe me politikat e mbrojtjes CSDP, i mundësoi Unionit nisjen e operacioneve civile dhe ushtarake në botë, që prej vitit 2003. Por, roli i tij u reduktua brenda një kornize tejet civile, me grupet e luftimit që funksionojnë vetëm për administrimin dhe menaxhimin e krizave. Me kalimin e kohës profili i tij filloi të kritikohej, si i varur nga NATO dhe në përgjithësi tërësisht refuzues për të ndërmarrë një luftë.

Ky funksion gjerësisht civil i CSDP-së, vlerësohet se, fsheh mungesën e plotë të vullnetit për një reflektim gjeopolitik dhe gjeoekonomik, mbi rolin e një fuqie evropiane.

Duke mos ekzistuar vullneti i përbashkët politik, as Traktati i Lisbonës, nuk arriti të ndërhyjë në thelbin politik të këtij funksionimi. Konsensusi ndërmjet vendeve anëtare, ka qenë për mos prekje të kësaj pike. Ky thelb politik, ka të bëjë me krijimin e një mekanizmi unifikues, i cili do të bënte të mundur, bashkimin efektiv të qëndrimit të vendeve anëtare, në një pozicionim të vetëm.

Historiku i krizave dhe konflikteve, ka treguar se, preferencat kombëtare kanë përparësi ndaj atyre evropiane. Gjithsesi, Traktati i Lisbonës mundësoi, krijimin e disa mekanizmave për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes si: krijimi i postit të Presidentit të Këshillit; Zyra e Përfaqësuesit së Lartë të BE-së dhe Zyra e Shërbimit Diplomatik Evropian. Por, duket se edhe krijimi i këtyre posteve, nuk po influencon aspak në qëllimin e tyre krijues.

“Fundi” i CSDP

Me atë çka ndodhi në Libi (2011) u konsiderua gjerësisht se CSDP kishte “marrë fund”. Teksa planifikohej ndërhyrja ushtarake në Libi, Bashkimi Evropian u ekspozua sërish i përçarë.

Ndërsa SHBA, kishte deklaruar se kërkonte një rol të kufizuar në ndërhyrje, Franca shfaqi hapur vullnetin për ndërhyrjen ushtarake në Libi dhe kërkonte ngritjen e një komande të përbashkët ushtarake me Britaninë e Madhe, për drejtimin e të gjithë operacioneve ushtarake.

Por, Britania e Madhe, refuzoi.

Nga ana tjetër edhe Gjermania nuk mbështeste aspak ndërhyrjen ushtarake, pasi ishte kundër një misioni ushtarak të iniciuar nga Unioni. Situatë, që detyroi NATO-n më 31 mars 2011, të ndërmerrte e vetme komandën e të gjithë operacioneve.

Por, ky ishte një moment, ku edhe mund të ndryshonte përqasja e Unionit përballë krizave dhe ndërhyrjeve në to. Nëse Franca do të kishte bindur Britaninë për të drejtuar së bashku gjithë operacionet ushtarake, me SHBA-në, e cila do të kishte një rol të kufizuar, mbase sot do të flisnim për kthesën e madhe të Unionit në zgjidhjen e krizave në dyert e saj, në mënyrë të pavarur nga SHBA.

Sigurisht, që edhe ky moment si, edhe në rastet e tjera të ndërhyrjeve kushtëzohej nga një sërë faktorësh, tërësisht të brendshëm kombëtarë, që edhe kësaj herë dominuan mbi interesat e Unionit.

Perceptimi kombëtar dhe evropian

Nga njëra anë, kemi vullnetin e munguar politik të shteteve në vazhdimësi, për të pasur një pozicion të unifikuar në zgjidhjet e krizave apo ndërhyrjeve ushtarake. Nga ana tjetër kemi edhe mekanizmat e krijuar në kohë, për të thjeshtësuar këtë skemë veprimi, të cilët vlerësohen se, nuk kanë ndikuar në nivelin, që tashmë pritej.

Teksa, kreu i KE-së, rinxjerr sërish në skenë temën e shumëpërfolur mbi ushtrinë e nevojshme evropiane, e rëndësishme është të vëzhgohet edhe perceptimi i publikut, në lidhje me sigurinë dhe rreziqet.

Pra, çfarë percepton publiku evropian në lidhje me rreziqet apo problemet kryesore në vend, apo në tërësi në BE.

Nëse i referohemi Eurobarometrit të fundit (EB82 vjeshtë 2014) në lidhje me opinionin publik evropian, vërejmë se perceptimi mbi rrezikun apo sigurinë është i largët.

Vëmendja e publikut evropian është e përqendruar në çështje, që prekin kryesisht situatën ekonomike dhe papunësinë.

Në nivel kombëtar, pra, se cilat janë dy problemet më të rëndësishme me të cilat duhet përballur vendi, vendin e parë e zë papunësia me 45%, vendin e dytë situata ekonomike me 24%, dhe vendin e tretë imigracioni me 18%. Shqetësimi ndaj sigurisë apo terrorizmit, renditet diku nga fundi vetëm me 6%.

Ndërsa të pyetur në lidhje, me dy problemet më të rëndësishme me të cilët duhet të përballet aktualisht BE, për publikun evropian vendin e parë e zë sërish situata ekonomike me 33% dhe në vendin e dytë renditet papunësia me 29%. Ndërsa terrorizmi renditet në vendin e katërt, me vetëm 24%.

Por, perceptimi i opinionit publik në lidhje me sigurinë dhe rreziqet që lidhen me të duhet të jenë të një shkalle të lartë, që të motivojnë edhe vendimmarrjen politike në sferat përkatëse. Për sa kohë, perceptimi është i ulët edhe motivacioni politik do të jetë i zbehtë, duke zvarritur logjikisht edhe procesin e vendimmarrjes politike.

Krijimi i një ushtrie evropiane është i rëndësishëm, për sa kohë politikisht kërkohet një influencë ndërkombëtare dhe një diplomaci efektive dhe e suksesshme. Nevojshmëria për fuqizimin e Unionit në lidhje me çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes figuron gjithashtu të jetë një prej orientimeve në udhëzimet politike të kreut të KE-së, Junker që prej emërimit të tij. Nga ana tjetër, presioni në rritje ndaj financave publike në të gjithë shtetet anëtare, ka bërë që buxheti i mbrojtjes të reduktohet nga viti në vit. Kjo ka bërë që kosto e dublimit të forcave ushtarake, të konsiderohet e lartë. Një bashkëpunim në kombinimin e kapaciteteve ushtarake dhe të mbrojtjes, në nivel evropian, sipas studimeve paraprake (e konfirmuar edhe nga KE) konsiderohet të çojë në një kursim prej 120 miliardë euro në vit. Por, sigurisht që kjo është e pamjaftueshme, për të bindur shtetet anëtare se, duhet të lëshojnë tërësisht kompetencat kombëtare në fushën e mbrojtjes. Nuk duhet nënvlerësuar as perceptimi i opinionit publik në lidhje me shkallën e ulët të rrezikshmërisë si ndaj sigurisë, por edhe ndaj terrorizmit. Samiti i Këshillit Europian, që do të zhvillohet në qershor, do të trajtojë ndër të tjera edhe këtë çështje. Deri atëherë, ndoshta jo shumë gjëra do të kenë ndryshuar./im.ta/

 

 

 

Share This Article