Votimi i ligjit të turpit 

redaktor
Migrants enter a train to Copenhagen, Denmark, on November 12, 2015 at the railway station in Flensburg, northern Germany, where refugees in transit wait to continue their trip through Europe. Sweden reinstated border controls in a bid to gain control over the massive influx of migrants arriving in the country, without blocking the steady flow of asylum seekers. AFP PHOTO / DPA / CARSTEN REHDER +++ GERMANY OUT +++ (Photo credit should read CARSTEN REHDER/AFP/Getty Images)

Disa objekte me vlerë emocionale nuk do të sekuestrohen. Por, kush do të vendosë se ç’vlerë emocionale ato kanë? Një polic i thjeshtë kufitar, disa policë, apo një njësi e veçantë policore? Do kryejnë kurse specializimi për vlerësimin e objekteve me vlerë emocionale të njerëzve, që i ikin luftës? Si do ta vlerësojnë vlerën emocionale të parave të marra borxh, për t’i ikur tmerrit?! Apo edhe këtë vlerë emocionale do ta menaxhojnë në perfeksion autoritetet policore?! Ajo që po ndodh në Danimarkë ka tronditur jo pak. Situata, që rikthejnë vëmendjen në periudhat më të errëta të historisë.

Erozioni i të drejtave të njeriut, ndaj fluksit të refugjatëve në mjaft vende të Unionit Evropian dhe vendeve kandidate të tij, po njeh veçse thellim. Dhjetëra raste abuzimi të dokumentuara, rrahje policore, dhunime, keqtrajtime fëmijësh, përbaltje politike dhe mediatike, përbuzje, përçmim, grabitje sendesh me vlerë dhe shumash financiare, apo së fundmi edhe sekuestrime të inkuadruara ligjërisht. Një sjellje, që në mënyrë të pashmangshme mund të ngrejë ironikisht një pyetje therëse në mendjen e tyre, nëse mbytja në një det të qetë, do të ishte më e paqtë dhe më dinjitoze ?!

Me tone shumë të ashpra, do të reagonte dje në Parlamentin Evropian, në Komisionin e Lirive Civile, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme edhe eurodeputeti belg, ish Ministri i Jashtëm i Belgjikës Lui Mishel, tek e konsideroi si debatin e turpit, debat fantazmë dhe shembullin më skandaloz të çnderimit të Parlamentit Evropian, seancën e organizuar në Komisionin e Lirive Civile nga hungarezja Kinga Gal e të djathtës konservatore, duke iu drejtuar ndër të tjera se: “Ju nuk doni që të flitet për Hungarinë, nuk doni që të flitet për Poloninë, dhe nuk doni të flitet as për këtë sot, se nuk ndjeheni aspak mirë….ajo që ju organizuat nuk ishte një debat demokratik, duhet t’ju vijë turp për këtë !”

Çfarë po ndodh me Evropën ?

Kriza e refugjatëve që prej nisjes së saj, i ka pozicionuar vendet në tre kampe: kampi i vendeve me vullnet politik të qartë për zgjidhjen e problemit ku kryeson Gjermania, Austria, Suedia, Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu; kampi i vendeve refuzuese, ndër to më të spikaturit Hungaria, Polonia, Sllovakia, dhe Çekia, si edhe kampi i vendeve, që janë të luhatura si Greqia apo Italia, pra që edhe shfaqin vullnet dhe angazhim politik, por edhe nuk i përgjigjen këtij vullneti politik, në forma të pritshme teknikisht. Pra, ajo që realisht kërkohet në këto momente kryesisht ndaj Greqisë, është thjesht regjistrim i të gjithë refugjatëve që hyjnë në territorin e saj, në mënyrë që pasi të bëhet ky regjistrim, regjistri i të dhënave të përcillet për të menaxhuar shpërndarjen e mëtejshme të tyre, sipas angazhimit fillimisht vullnetar të vendeve. Por, duke dështuar që në Greqi, apo Itali regjistrimi i plotë i këtij fluksi dhe duke u lënë të lirë për në destinacionin që ato kërkojnë, vendet e tjera të BE-së në pamundësi të dhënies drejtim të kësaj situate ngritën barrierat e kontrollit kufitar, për menaxhimin e këtij fluksi. Dhe këtu nuk flitet për barrierat e turpit që ngriti Hungaria, duke mos lejuar askënd të kalonte, por për kontrollet kufitare që aktualisht janë në fuqi në vende të tjera, duke përfshirë edhe Gjermaninë, që po mbart fluksin më të lartë të tyre. Vetëm disa ditë më parë, Greqia konfirmoi se, janë blerë pajisjet e nevojshme pas shumave të akorduara nga Unioni, për të bërë të mundur skanimin e këtyre të dhënave në regjistrat, që kërkohen (të dhënat e identitetit, foto, gjurmët e gishtërinjve, etj).

Në fakt, Greqia konsiderohet si linja e dytë e nxehtë, pasi linja e parë kufitare dhe më e rëndësishmja është Turqia, nga ku hyn fillimisht edhe fluksi i lartë i refugjatëve. Por, ndonëse marrëveshja Turqi-BE është nënshkruar dhe ku është kërkuar ndër të tjera mbajtja në territorin turk e këtyre flukseve, menaxhim, strehim dhe integrim i tyre, konfirmimet e vazhdueshme veçse theksojnë faktin, se në këtë drejtim asgjë nuk ka ndryshuar. Pra, Turqia nuk po shqetësohet të veprojë. Përkundrazi, siç edhe kanë konfirmuar organizmat e të drejtave të njeriut, me paratë e Unionit, Turqia po financon burgosjen, keqtrajtimet si edhe përzënien e tyre nga territori turk.

Mbledhja informale e dy ditëve më parë e Ministrave të Brendshëm të Unionit në Amsterdam, përforcoi sërish idenë për t’i kërkuar Komisionit futjen në kornizën ligjore të një zgjatje të mundshme të kontrolleve të brendshme kufitare të paktën për dy vite. Kjo pasi, këto kontrolle fillojnë skadojnë njëri pas tjetrit, duke nisur nga Gjermania në muajin maj. Fakti, që Ministrat e Brendshëm i kërkojnë këtë lëvizje Komisionit, bie në kundërshti me zërat e shtuar mediatikë, për një përjashtim të Greqisë nga zona Shengen. Unioni nuk e dëshiron aspak një dalje të Greqisë nga Shengen, edhe pse situata nuk është e administruar siç duhet në territorin grek. Kjo, sepse nuk humb Greqia nëse del, por humbja më e madhe është e Unionit. Nga ana tjetër, edhe nëse ka presione me zë të lartë nga eurodeputetë të ndryshëm se, Greqia duhet të dalë nga Shengen, duhet kuptuar se këto presione (që kanë qenë shumë të forta edhe më përpara ndaj Greqisë) vijnë nga fakti i vetëm se radikalët e majtë, nuk janë pjesë e grupimeve kryesore politike të familjeve evropiane, duke e bërë goditjen ndaj Greqisë edhe më të lehtë, por edhe më të shantazhueshme politikisht. Është e njëjta sjellje, që vërehet edhe ndaj Polonisë, që u vendos menjëherë nën procedurën ekzaminuese të shtetit të së drejtës. Forcat qeveritare në pushtet nuk gëzojnë mbështetjen e familjeve kryesore në jetën politike evropiane. Siç vërtetohet edhe e kundërta, një mbështetje e vazhdueshme për Hungarinë, sepse partia e Viktor Orban është pjesë e familjes së djathtë evropiane. Mbështetje, e cila shpeshherë ka dalë tërësisht nga linjat e logjikës demokratike.

Por, edhe skenari i vazhdueshëm që diskutohet për krijimin e një Mini-Shengeni, nuk është një skenar, që realisht dëshirohet të aplikohet. Përtej krijimit të një skenari rezervë B, për të mos dobësuar më thellë bërthamën e vendeve krijuese, në rast të një krize të pashmangshme dhe të parikuperueshme të Shengenit, duket se ky skenar mbart vlerat e një presioni real, kryesisht ndaj vendeve të Evropës Lindore, që janë shfaqur kategorikisht refuzuese në këtë solidaritet të nevojshëm bashkëpunimi. Gjermania nuk e dëshiron aspak tkurrjen e Shengenit në një mini-Shengen, por edhe Franca kërkon me domosdoshmëri ruajtjen aktuale të Shengenit. Të paktën për sa kohë do të jenë socialistët në pushtet. Gjërat mund të marrin krejtësisht një tjetër rrjedhë, nëse të djathtët vijnë në pushtet në Francë. Vetëm pak javë më parë, i ftuar në Flandër të Belgjikës, Nikola Sarkozi, bir i një hungarezi dhe i një mamaje me origjinë çifute, tek konfirmoi se “Shengeni vdiq”, shprehu shqetësimin e tij të thellë, duke e konsideruar akt burracakërie faktin, që nuk u  inkuadrua në traktatin kushtetues evropian, identiteti i krishterë i Evropës.

Dhe ajo çka po vërehet thuajse në një shumicë të konsiderueshme në mjaft vende të Evropës që prej fillimit të krizës ekonomike, është një rrëshqitje e së djathtës, drejt politikave të ekstremit të djathtë. Fenomen, që duket se po rëndohet edhe me fillimin e krizës së refugjatëve. Në Hungari prej kohësh konservatorët e djathtë praktikojnë politikat e ekstremit të djathtë, Polonia ka filluar tashmë rritjen e toneve autoritare, Danimarka me një qeveri të brishtë, është nën presionin e partisë së ekstremit të djathtë Partia e Popullit Danez, Spanja është e kritikuar në çdo raport për shkelje të të drejtave të njeriut, të djathtët e Britanisë së Madhe gjithashtu kanë përforcuar tonet, që kur UKIP ka dalë në skenë,  FN në Francë ka shkaktuar gjithashtu epërsi të retorikës së republikanëve, edhe Belgjika njeh zhvendosje të retorikës nga të djathtët në pushtet për shkak të presioneve që vijnë nga politikat e nacionalistëve flamandë, Wilder në Holandë njeh vazhdimisht rritje, duke detyruar të djathtët të ripoziconohen.

Por, fenomeni më shqetësues shfaqet ndaj rolit të munguar të së majtës, krizës së saj të fortë të identitetit, deri në nuanca krejtësisht transformuese, duke luajtur në terrenin e ekstremistëve të djathtë. Ndonëse socialistët e Francës edhe mund të kuptohen në tejkalimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, që po marrin shkas nga gjendja e terrorit e krijuar, dhe post-menaxhimi i saj, vërejtjet e Këshillit të Evropës po përforcohen ndaj tyre, duke u bërë thirrje të mos tejkalojnë proporcionalitetin e zbatimit të masave. Por, shembujt më të hidhur vijnë nga social-demokratët e Çekisë dhe të Sllovenisë, me një retorikë politike haptazi në dhunim të të drejtave të njeriut, si edhe me veprime raciste, ksenofobe dhe të dhunshme, që mund të konsiderohen të turpshme për përfaqësues të së majtës evropiane.

Kriza e refugjatëve është lehtësisht e menaxhueshme në terma teknikë, por vështirësia dhe barriera kryesore, i përket vullnetit politik. Nëse ky vullnet politik do të ishte prezent, që me nisjen e kësaj krize, Shengeni nuk do të njihte këto probleme, që po njeh aktualisht. Mungesa e vullnetit politik, ka kohë që shfaqet në forma sistematike, në angazhime të ndryshme evropiane.

Por, përse kjo mungesë vullneti ? Përgjigja e kësaj pyetje të rikthen detyrimisht tek zanafilla e projektit politik evropian, që bazohej tek domosdoshmëria për krijimin e paqes në kontinentin e dërrmuar nga luftërat dhe konfliktet nacionaliste. Por, gjysmë shekulli më vonë, me një kontinent të stabilizuar dhe në paqe, kjo nuk është më një arsye për të avancuar më tej bashkërisht me vullnet të fortë politik. Nga ku lind nevoja, gjithnjë e më e theksuar për rikonceptim të strategjisë dhe të projektit evropian. Nëse, në një periudhë pas lufte dhe rrënimi, bashkimi ishte i nevojshëm për krijimin e paqes në kontinent dhe ku egoizmat kombëtarë pranuan të përkulën përkohësisht, në emër të një domosdoshmërie jetike dhe ekzistenciale, gjysmë shekulli më vonë, në një jetesë në periudhë paqe dhe demokracie të stabilizuar, sigurisht që këto egoizma janë ringjallur. Paqja transformon, ashtu si edhe lufta dhe dëshira për shmangien e saj, përbashkon.

Në këto kushte, kur nevojitet një riformulim apo rikonceptim i strategjisë së integrimit evropian, apo projektit evropian, skema më e volitshme duket se do të jetë projektimi i Evropës së dy shpejtësive. Ku vendet që kanë ambicie dhe vullnet të qartë politik për vazhdim të projektit evropian, në terma thuajse federalë, të vazhdojnë rrugën e tyre ( Eurozona), duke krijuar njëkohësisht hapësirën për vendet e tjera, që nuk shprehin vullnet për angazhim të thelluar politik dhe ekonomik të qëndrojnë në nivele fillestare të integrimit evropian (vendet që nuk janë pjesë e Eurozonës). Për momentin, ky shfaqet i vetmi skenar me probabilitet realizues, pasi rikonceptimi i projektit evropian, i një Evrope, që e ka tejkaluar misionin e saj fillestar të krijimit të paqes dhe stabilitetit demokratik, do të kërkojë gjenerata të tjera për t’u formuluar apo konkretizuar./im.ta/

Shkrime të tjera:

Zhvatja e të derrmuarve

Share This Article