Dje, parlamenti hungarez ka miratuar një ligj, ku autorizon përdorimin e armëve dhe hapjen e zjarrit nga ushtria dhe policia ndaj migrantëve, por me kusht që goditja e zjarrit të mos jetë “vdekjeprurëse”. Ky ligj, vjen pas një sërë iniciativash të tjera politike dhe ligjore të ndërmarra në kuadrin e përballimit të fluksit të azilkërkuesve, që vijnë nga zonat e luftës dhe konflikteve. Pak kohë më parë, Hungaria miratoi ligjin për burgosjen e azilkërkuesve dhe migrantëve, që do të tentojnë kalimin e parregullt të kufirit. Ligji filloi aplikimin e tij në terren dhe paralelisht është ndërmarrë edhe një iniciativë reklamuese e këtyre akteve në vendet e origjinës së azilkërkuesve dhe migrantëve, duke ua bërë të qartë se, çfarë i pret në rast se tentojnë të hyjnë në tokën hungareze.
Ndonëse vend anëtar i BE-së, Hungaria ka kohë që po konfirmon një imazh dhe vullnet shtetëror në përplasje me vlerat themelore, që përfaqëson Unioni. Por, pyetja që shtrohet është: Përse BE, nuk reagon qartazi dhe në formë të prerë ndaj Hungarisë ?
Në fakt ka njëlloj tolerance, që shprehet nga autoritetet e Unionit, por që luan mes kufirit të ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, mes normave të moralit dhe të kundërtave të tyre.
Për Komisionin, mënyra se si Hungaria po i mbron kufijtë e saj të jashtëm, me vendet që nuk janë në Shengen nuk është e jashtëligjshme, ndonëse thekson se, nuk është në frymën evropiane, ndërtimi i mureve dhe i gardheve.
Nga njëra anë është e vërtetë se, legjislacioni i Unionit mundëson dhe krijon hapësirë për vendet anëtare të kontrollojnë sipas mënyrave të tyre kufijtë e jashtëm. Por, nga ana tjetër, nuk mund të justifikohen aktet e paligjshmërisë me hijen e një legjislacioni, që lejon kontrollin në kufi. Ajo, çka po ndodh në Hungari, është në dhunim të plotë të të drejtave themeltare. Ndërtimi i barrierave të pakalueshme, nuk mund të shikohet thjesht si “kundër frymës evropiane” pasi ndërtimi i këtij muri në vetvete, nuk parashikohet nga asnjë legjislacion. Është tërësisht në vullnetin e Unionit për të përcaktuar juridikisht ku shtrihen kufijtë ligjorë të menaxhimit nga vendet anëtare të kufijve të jashtëm të Unionit. Ngritja e këtij muri, nuk mund të shikohet si fenomen i shkëputur, për sa kohë ai po shoqërohet me një zinxhir veprimesh, që dhunojnë akoma më tej të drejtat e njeriut.
Pas ngritjes së murit, u vendos shpallja e ligjit mbi arrestimin e azilkërkuesve, që e kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin. Burgosja e tyre, është shkelje e rëndë e normave dhe detyrimeve ndërkombëtare, por edhe evropiane. E paligjshme është edhe burgosja e imigrantëve, siç janë të tilla edhe dhuna e pajustifikueshme ndaj azilkërkuesve. E paligjshme dhe kundër vlerave të Unionit është edhe iniciativa e fundit, që u miratua ditën e djeshme nga parlamenti hungarez, që autorizon hapjen e zjarrit ndaj fluksit të migrantëve, por me kushtin, që goditjet e zjarrit të mos jenë “vdekjeprurëse”.
Por, ka dhe një aspekt të rëndësishëm, që nuk mund të anashkalohet thjesht se, “nuk është në frymën evropiane”, pasi karakteri i tij është plotësisht antiligjor: retorika e vazhdueshme diskriminuese, me baza fetare. Retorikë e shoqëruar me veprime dhe aksione konkrete politike. Ky ligjërim i fortë i vlerave të padiskutueshme kristiane, që janë dhe duhet të ngelen themel i Europës, i kalon kufijtë hungarezë. Por, kjo nuk mund të shikohet dhe konsiderohet thjesht si një retorikë, që bie ndesh me frymën evropiane, pasi këto janë veprime të hapura antiligjore.
Nuk duhet harruar, se çdo vend anëtar i Unionit ka detyrim ligjor të respektojë të gjithë traktatet dhe direktivat që përbëjnë legjislacionin evropian. Hungaria, por edhe Sllovakia janë në dhunim të hapur me Traktatin e Funksionimit të BE-së, që detyron ““luftë ndaj çdo lloj diskriminimi të bazuar mbi racën, apo origjinën etnike, fenë apo bindjet”. Ato janë në shkelje të plotë ligjore ndaj mosrespektimit të direktivës evropiane mbi mosdiskriminimin.
Referimi i vazhdueshëm mbi rrezikimin mysliman si kërcënim ndaj vlerave kristiane të Unionit, jo vetëm është anti-ligjor si akt, por është edhe absurd në vetvete, pasi vërtet bazat kristiane të vendeve të Unionit përbëjnë një themel të padiskutueshëm shpirtëror të këtyre popujve, por këto vlera fetare nuk janë ligjëruar dhe nuk janë përmendur në asnjë traktat apo ligj të Unionit Evropian.
Vullnet për reagim
Në fakt, të gjithë iniciativat e Unionit përballë kësaj situate mund të konsiderohen si elastike, me një frymë të lartë tolerance, që shkon deri në kufijtë e përligjjes të problematikave në fjalë.
Për momentin Komisioni i ka kërkuar disa sqarime qeverisë hungareze në lidhje me legjislacionin e miratuar së fundmi. Përgjigje, që pritet të kthehet në ditët në vijim.
Unioni ka të gjithë fuqinë dhe mekanizmat ligjorë, për të detyruar qeverinë hungareze të jetë në përputhje me vlerat dhe normat e tij.
Së pari, ndaj Hungarisë mund të kryhet një procedurë ankimi, për mos respektim të kuadrit ligjor evropian, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Duke filluar që nga mënyra se, si Hungaria po e mbron aktualisht kufirin e saj të jashtëm, me forma të kontestueshme nga pikëpamja ligjore, me miratimin e legjislacionit, që lejon burgosjen e azilkërkuesve dhe migrantëve, si edhe me miratimin e fundit ligjor nga parlamenti hungarez i autorizimit për të hapur zjarr ndaj fluksit të migrantëve.
Së dyti, ekziston hapësira për penalizim nëpërmjet përdorimit të nenit 7 të traktatit të BE-së, ku Këshilli mundëson pezullimin e të drejtës së votës të një shteti anëtar, në rast se ky i fundit nuk respekton vlerat e BE-së. Kjo mund të ndodhë nëse një vend anëtar ka dhunuar në mënyrë serioze dhe të vazhdueshme principet në të cilat bazohet BE: liria, demokracia, respekti për të drejtat e njeriut dhe lirive themelore dhe principi i sundimit të ligjit. Mekanizëm, që tashmë është përdorur vetëm një herë në rastin e Austrisë, ndaj liderit ultra-konservator Haider. Gjithsesi, e vetmja herë e përdorimit të këtij mekanizmi, ka shfaqur një eksperiencë jo pozitive, për sa i përket penalizmit që është konsideruar në politikën e brendshme kombëtare si penalizim ndaj qytetarëve në tërësi dhe ka krijuar një frenim për t’u ripërdorur sërish.
Por, përtej fuqisë ligjore, Unioni gëzon të drejta të plota ndaj fuqisë morale. Është kjo fuqi, që duhet të përdoret për të frenuar, ndaluar dhe paralizuar çdo tentativë të natyrës politike, përfshi edhe atë juridike në çdo vend, në çdo hapësirë dhe nga cilido lider i radhës, si brenda Unionit, por edhe ndaj vendeve kandidate të tij. Në fund të fundit, kjo është edhe fuqia, që duhet të karakterizojë një aktor me përmasa rajonale dhe ndërkombëtare, siç Unioni proklamohet të jetë./im.ta/
