Zaganjori sërish në vetting, 23 prova të reja për të bindur KPA

Elena Tase

Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi dje shqyrtimin e ankimit të bërë nga Komisioneri Publik ndaj vendimit të konfirmimit në Shkallë të Parë për Zaganjorin. Ky i fundit u paraqit i vetëm në seancë, duke bërë të ditur se do mbrohej vetë ndaj dyshimeve të ngritura nga komisioneri Florian Ballhysa, i cili në fund të parashtrimeve të tij kërkoi shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Gjykatës së Lartë.

Sipas Ballhysës, gjyqtari i Lartë është gjendur me mospërputhje të deklarimeve për pasuritë e tij dhe mungesë të burimeve të ligjshme, por për Zaganjorin të gjitha pikat e ankimit të bërë nga KP-ja nuk qëndrojnë dhe duhet të rrëzohen.

SEANCA

Në një kundërankim me 35 faqe, Zaganjori dha shpjegimet e tij rreth pretendimeve të ngritura nga Komisioneri. Duke argumentuar se e gjithë pasuria e tij ishte e ligjshme dhe pranuar mospërputhjet në deklarimet vjetore, Zaganjori u ndal te pretendimi për mospagimin e taksave për të ardhurat nga qiraja. Sipas KP-së, një pjesë e këtyre të ardhurave nuk mund të quhen të ligjshme, pasi për to nuk është paguar detyrimi në shtet, por kreu i Gjykatës së Lartë dha një tjetër shpjegim ligjor mbi atë që quhet pasuri e ligjshme. Duke iu referuar interpretimit të bërë nga gjyqtari, taksat nuk tregojnë nëse një pasuri është e ligjshme ose jo.

“Në lidhje me gjetjen e Komisionerit Publik që mospagimi i tatimeve e konsideron më pas një pasuri të paligjshme. Bëhet fjalë për pasuri të fituara në mënyrë të ligjshme, sigurisht që nuk mund të vihen në dyshim për shkaqe të mëvonshme, pasi këto pasuri janë regjistruar. Organet e rivlerësimit, të cilat funksionojnë si gjykatë, kanë në dorë të argumentojnë bindshëm dhe të vendosin lidhur me faktet dhe tërësinë e tyre. Përndryshe do ishte një ndërgjegje elektronike dhe kot do ishin organet e vetingut. Për mua pasuria është krijuar nga format klasike mbi fitimin e pronësisë, kështu që Komisioneri Publik gabon”, pohoi Zaganjori.

PROVAT

Në fillim të parashtrimeve të tij, Xhezair Zaganjori tha se në relatimin e djeshëm të Komisionerit Publik janë sjellë rrethana të reja për të cilat ai nuk ishte i përgatitur, megjithëse u tregua i gatshëm të jepte shpjegime në seancën e djeshme.

“Kam lexuar me vëmendje apelin e Komisionerit Publik dhe apelin kundërshtues e kam bazuar tek ankimi i Komisionerit Publik. Sot, shumë fakte dhe gjetje konstatoj që janë të reja, megjithatë jam gati të përgjigjem. Disa gjetje sillen si risi. Jam përpjekur të gjej disa dokumente që do t’jua lexoj, apeli im kundërshtues është 35 faqe dhe kam sjellë 23 prova të reja. Jam kundër të gjitha pikave të ngritura nga Komisioneri Publik. Do kisha dashur të isha pyetur më parë, sepse shumë dokumente i kam marrë me vulë apostile dhe e kam marrë të mirëqenë që janë pranuar”, tha Zaganjori gjatë seancës së djeshme.

PRETENDIMET

Në parashtrimet e ngritura nga Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa argumentoi se nuk ndan të njëjtin mendim në lidhje me arsyetimin ligjor për justifikimin e pasurisë, bërë nga KPK-ja. Në ankimin e Komisionerit renditen si problem pasaktësia në deklarimet e bëra për burimet dhe vlerën e blerjes për apartamentin, zyrën dhe një bibliotekë në Tiranë. Sipas Ballhysës, pasaktësitë në vlera reflektohen edhe në kontratat e shitjes, në të cilat vlera për apartamentin është 500 mijë lekë. Për dyqanin është përcaktuar 125 mijë lekë, vlera për bodrumin 125 mijë lekë dhe për zyrën 125 mijë lekë.

“Nga aktet në dosje nuk provohet burimi i ligjshëm për vënien e këtyre pasurive”, tha Ballhysa.

Ai shtoi se Zaganjori nuk ka paraqitur dokumentacion provues për barrën e provës dhe justifikimet e tij ngelin në nivel deklarativ. Për krijimin e pasurive të sipërcituara janë deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër, të ardhura personale dhe të ardhura nga qiraja. Duke iu referuar Komisionerit, burimet e pasurisë të deklaruara nga Zaganjori nuk kanë dokumentacion provues. Nga analiza financiare, sipas Ballhysës, Zaganjori ka rezultuar se për vitet 2011, 2012 dhe 2014 nuk justifikon dhe mbulon shpenzimet e kursimet me të ardhura të ligjshme dhe ka një diferencë të pambuluar për 2,4 milionë lekë.

e.t./dita

Share This Article