Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka bojkotuar takimin mes qeverisë serbe dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, sot në Bruksel. Arsyeja, është bllokada që ka bërë Kroacia ndaj hapjes së kapitullit 26, që lidhet me Kulturën dhe Arsimin. Kroacia pretendon njohjen e disa të drejtave të minoritetit kroat në Serbi, ndër të tjera këto pretendime prekin edhe çështje të përkthimeve të manualeve shkollore. Pra, në thelb kemi të bëjmë me një problematikë tipike mes dy vendeve, por që ngrihet si barrierë në nivel evropian nga pala kroate. Ky lloj kushtëzimi që shfaqet, bazohet në kriterin e fqinjësisë së mirë, ku kërkohet që vendet të zgjidhin problematikat në marrëdhëniet mes tyre. Nën këtë hapësirë, vendet anëtare të BE-së, kanë sjellë vazhdimisht në nivel evropian, problematikat e ndjeshme kombëtare, që ekzistojnë në marrëdhëniet dypalëshe. Synimi është zgjidhja e këtyre problematikave nëpërmjet hapësirës politike, që krijon formati favorizues i kriterit të fqinjësisë së mirë dhe sigurisht edhe pushteti i vendeve anëtare të BE-së.
Por, ky mekanizëm është shndërruar në një proces shumë të diskutueshëm, pasi nga njëra anë favorizon zgjidhje politike, për disa lloj çështjesh me karakter thellësisht juridik dhe nga ana tjetër, këto zgjidhje politike imponohen në një kornizë të pabarabartë, ku vendi anëtar ushtron presion ndaj një vendi kandidat, jo vetëm nëpërmjet fuqisë së vetos, por edhe nëpërmjet mjeteve të tjera të influencave diplomatike brenda bllokut. Shqetësimi shtrihet tek fakti se, ky mekanizëm ka devijuar zgjidhjet juridike, drejt zgjidhjeve politike në nivel evropian. Parimi i fqinjësisë së mirë, ka kuadrin e tij ligjor në ligjin ndërkombëtar dhe futja e këtij principi si një nga kriteret për anëtarësim, ka sjellë një shmangie nga kuadri ligjor ndërkombëtar, për të shkuar drejt një zgjidhje me karakter politik në nivel evropian. Mirëpo zgjidhja nëpërmjet instancave juridike, është rruga e vetme jo vetëm për zgjidhjen e duhur ligjore, por edhe për garantimin e barazisë mes palëve, gjë të cilën formati politik nuk e mundëson. Të dy rastet, si Sllovenia kundrejt Kroacisë (çështja e Gjirit të Piranit, çështja e Ljubljanska Bank*) por edhe Greqia ndaj bllokimit të Maqedonisë (çështja e emrit) kanë preferuar zgjidhje politike në nivel evropian, duke iu shmangur zgjidhjeve juridike nga juridiksionet ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, kriteri i fqinjësisë së mirë, është shndërruar gradualisht në një mjet të pastër politik për zgjidhjen e interesave kombëtare. Kjo ka sjellë edhe nacionalizimin e politikave të zgjerimit të BE-së, pasi vendet anëtare po arrijnë të bllokojnë për interesa tejet kombëtare, perspektivën evropiane të vendeve kandidate.
Rasti i Maqedonisë
Ndonëse Maqedonia ka marrë statusin e vendit kandidat që prej vitit 2005, ajo nuk ka mundur të hapë ende negociatat për anëtarësim, pasi Greqia nëpërmjet fuqisë së saj diplomatike dhe nëpërmjet hapësirës, që i jep kuadri i fqinjësisë së mirë në politikën e zgjerimit në BE, ka arritur të fusë çështjen e zgjidhjes së emrit, si një prej kritereve që duhet plotësuar. Pra, edhe pse Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit sistematikisht hapjen e negociatave me Maqedoninë, Këshilli nuk pranon të shprehet mbi këtë çështje.
Para marrjes së statusit të vendit kandidat, Këshilli i BE-së në vendimin e tij (14 qershorit 2004) të partneritetit me Maqedoninë, ndërsa specifikon prioritetet në fushat kyçe, për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në paragrafin mbi Bashkëpunimin Rajonal dhe Ndërkombëtar, nuk e parashtron aspak si kriter, çështjen e emrit me Greqinë.
Ekspozimi i këtij fenomeni fillon menjëherë pas dhënies së statusit të vendit kandidat, për të cilën Greqia votoi pro.
Ndonëse në përgjithësi studimet marrin si pikë referimi të ndryshimit të qëndrimit të BE-së, ndaj çështjes së emrit, momentin e pas refuzimit të ftesës së Maqedonisë për në NATO (2008), ajo që konstatohet është se edhe në dokumentet e Këshillit të BE-së (2006) kjo pikë figuronte ndër kriteret që Maqedonia duhej të përmbushte. Në vendimin e Këshillit të 30 janarit 2006, çështja e emrit me Greqinë figuron e vendosur në kapitullin politik, nën specifikimin e Çështjeve Rajonale dhe Detyrimeve Ndërkombëtare.
“ Garantimi i bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët, në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”.
(…)
Pra, edhe pse midis Greqisë dhe Maqedonisë ekzistonte një kuadër ligjor nën “Marrëveshjen e Përkohshme” (1995) se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare (neni11/1) duke nënkuptuar anëtarësimin në BE dhe NATO, duket se, BE nuk e konsideron aspak bazën ligjore të kësaj marrëveshje. Të paktën këtë konfirmon përpilimi i dokumenteve të saj në lidhje me kriteret, që duhet të përmbushë Maqedonia.
Edhe vendimi i Këshillit më 18 shkurt 2008, pak para mbajtjes së Samitit të NATO-s në Bukuresht në fillim të muajit prill 2008, specifikonte ndër kriteret mbi Çështjet Rajonale dhe Detyrimet Ndërkombëtare, detyrimin për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjen e emrit me Greqinë duke shtuar edhe frazën mbi evitimin e çdo lloj veprimi të dyshimtë, që mund të përkeqësojë këto marrëdhënie.
“ Të sigurojë krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të evitojë çdo veprim të dyshimtë që mund të dëmtojë këto marrëdhënie.”
(…)
Edhe konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së (dhjetor 2013) ripërsërisnin nyjën bllokuese, çështjen e zgjidhjes së emrit me Greqinë.
Dy janë elementët më të rëndësishëm, në rastin e Maqedonisë, që tërheqin vëmendjen në politikat konkrete të BE-së: mosmarrja parasysh e bazës ligjore nën kornizën e Marrëveshjes së Përkohshme të nënshkruar mes Greqisë dhe Maqedonisë (13 shtator 1995) për mos pengim të palëve për anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo konfirmohet nga ekzistenca në dokumentet e Këshillit (2006) pikërisht të kësaj pengese, zgjidhjen e çështjes së emrit. Pra, nëse BE do të bazohej në këtë kuadër ligjor tashmë të vendosur mes dy vendeve, nuk do të nxirrte si pengesë të anëtarësimit të mëtejshëm të Maqedonisë, çështjen e zgjidhjes së emrit.
Elementi i dytë ka të bëjë gjithashtu me thelbin e mos marrjes parasysh të bazës ligjore të Marrëveshjes Greqi-Maqedoni. Edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dënoi Greqinë për shkeljen e Marrëveshjes, kjo nuk u shoqërua me asnjë lloj reflektimi në pozicionimin e BE-së. Pra, ky moment, mund të shërbente edhe për dhënien e një impulsi të ri në pozicionimin politik të saj, përballë dy vendeve, duke marrë si shkas argumentimin juridik të GJND-së, shkeljen e Marrëveshjes nga ana e Greqisë, që solli si pasojë pengimin e mundësisë së anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Nëse ky argument mund të përdorej, BE do të pozicionohej e ekuilibruar politikisht dhe juridikisht, përballë përplasjes së Athinës dhe Shkupit zyrtar. Pozicionimi asimetrik i BE-së, nuk ndihmon pozitivisht në zgjidhjen e çështjeve sipas parimit të barazisë, por mund të kontribuojë në përforcimin e mëtejshëm të nacionalizmave, duke ndikuar në ekuilibrin e paqes dhe të sigurisë në rajon. A mund të flasim për një dështim të filozofisë së BE-së, mbi aplikimin e parimit të fqinjësisë së mirë? Sipas këndvështrimit juridik, sigurisht që po, pasi kjo ka sjellë shmangie nga legjislacioni ndërkombëtar. Edhe sipas këndvështrimit politik, kjo filozofi mund të konsiderohet e dështuar për sa kohë mekanizmi që aplikohet, përcjell mbartjen e standardeve të dyfishta përballë zgjerimit, është i paqartë në mënyrën e tij funksionuese dhe ka sjellë si pasojë një nacionalizim të panevojshëm të politikave të zgjerimit në BE.
Në momente të tilla, ku rajoni po shfrytëzohet nga konkurrentët ideologjikë të Perëndimit, BE duhet të tregojë forcë racionale, për të ekuilibruar qartësisht vizionin e tij gjeopolitik, mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe të shtyjë zgjidhjen e barrierave mes palëve, në fazat e mëtejshme të anëtarësimit.
Im.Ta.
DITA
*Çështja e Ljubljanska Bank ekspozoi presionin që mund të ushtrohej ndaj fqinjëve për mbylljen e problemeve që kanë lidhje me çështje financiare, apo që mbartin problematika financiare. Shpërbërja e ish Jugosllavisë u shoqërua edhe me shpërbërjen e sistemit të përbashkët bankar. Banka e Lubjanës në Slloveni, e cila kishte filialin e saj në Kroaci u deklarua e paaftë nga qeveria për të kryer pagesat, duke çuar në humbjen e kursimeve të klientëve të saj. Borxhi, që Banka e Lubjanës i detyrohej klientëve të saj kroatë, vlerësohej në shumën prej 278 milionë euro. Kjo shumë u mor përsipër nga qeveria kroate, e cila përgjatë vitit 1993 arriti të likuidonte përmes dy bankave të saj, të gjithë ish-klientët e bankës së Lubjanës. Por, borxhi i likuiduar i marrë përsipër nga qeveria kroate i kërkohej shtetit slloven, i cili sigurisht që ndodhej në pamundësi për likuidimin e tij. Presioni që vinte nga Sllovenia, ishte “fshirja” e këtij borxhi nga pala kroate në mënyrë që ajo të ratifikojë traktatin e pranimit të Kroacisë. Sigurisht që edhe kjo çështje arriti të gjente një zgjidhje të paktën në princip, duke bërë të mundur avancimin e mëtejshëm të Kroacisë drejt BE-së.
