…Zeneli i dha Migjenit emrin e vet, Migjeni i dha Zenelit pavdekësinë
Ali Hasani
Prej vitesh kam dashur të shkruaj dhe të komentoj shqetësimin tim për personazhin më emblematik të skicës “Zeneli“ të gjeniut të letrave shqipe, poetit dhe shkrimtarit tonë të madh Migjenit, për njërin nga burrat më në zë e më të mirë që lindi e rriti familja dhe malësia e Pukës, Zenel Islamin tonë të dashur, (Shkreli).
Vazhdimisht kam pasur një peng të madh :
Në prozën e mrekullueshme të Migjenit janë dy personazhe mit tani: Luli i vocërr dhe Zeneli.
Por në shumë konferenca, simpoziume apo edhe në shkrime të botuara, si para dhe pas vitit 1990, është shtrembëruar një e vërtetë e madhe, është njësuar emri i Zenel Islamit, me atë të “ Luli i vocërr“, ose , pas citimit të këtij të fundit është bërë përpjekja për të hequr personazhin real të Migjenit?
Në këtë rast, natyrshëm lind pyetja: Përse nuk është kuptuar drejt nga disa referues, lexues apo komentues të Veprës së Migjenit, një handikap i tillë, ku personazhi i tij në skicën “ Zeneli “ në shumë raste është dubluar me atë të skicës “ Luli i vocërr”.
Thënë më troç se, ndërsa “Luli i vocërr“ është një përgjithësim artistik i shumë Lulëve të tjerë shqiptarë nga ana e autorit, “Zeneli“ përfaqësohet nga një personazh real dhe i vërtetë, me emrin Zenel Islam Shkreli nga Dedaj i Pukës. Ai mbart njeriun e thjeshtë të cilin shumë nga ne kur ishim të vegjël, kemi mësuar ta kishim si model në shkollat tona.
Ndërsa edhe kur u rritëm, të gjithë ne që e kemi njohur, jetuar e punuar me Zenelin, e kemi vlerësuar atë, si qytetarë, si drejtues, si intelektual, si patriot dhe si një familjarë shembullorë. Zeneli si rrallë kush tjetër punoi me këmbëngulje e përkushtim për 16 vjet rresht, duke qenë gjithnjë pranë popullit të tij por edhe në ballë të punëve si drejtues e funksionarë i lartë në rrethet ku ka punuar si në Pukë, Shkodër, Lezhë, Elbasan, pse jo dhe më gjerë.
Por më shqetëson fakti që disa nga autorët, që kanë shkruar artikuj, kujtime, monografi apo edhe libra të tërë, ndonëse kanë pasur si kryetemë jetën dhe veprimtarinë e Zenel Islamit, ato, që në krye të shkrimeve të tyre prezantohen me tituj të tillë; citoj: “ Si e kam njohur “ Lulin e vocërr ”, “ Fundi tragjik i Lulit të vocërr “, “ Luli i vocërr i Migjenit “ etj, etj,.
Për të vazhduar më tej edhe me mësues të letërsisë që kur kanë komentuar “ Zenelin “ në orët letrare, i kanë vënë atij edhe epitetin “ Luli i vocërr “, çka nuk ka nxjerrë në pah figurën e Zenel Islamit të vërtetë.
Kjo, ndoshta, ka ndodhur nga mos njohja e plotë e Veprës së Migjenit, çka autorët e këtyre shkrimeve dhe komentuesit e skicave të autorit, i kanë lejuar vetes të interferojnë personazhin e “Lulit të vocërr” edhe tek ” Zeneli ”.
Prandaj për të mos u hyrë në hak, as Migjenit dhe as Zenel Islamit, duhet korrigjuar një herë e mirë kjo pasaktësi, duhet të studiojmë në themel Veprën e plotë të Migjenit. Është t’u referohemi e të konsultojmë dokumente, shkrime, kujtime, dëshmi të Migjenit e bashkëkohësve të tij, për vitet kur ai jetoi e punoi si mësues në Vrakë, Shkodër dhe më vonë në Pukë.
Kanë qenë vitet 1934-1937, kur Migjeni jetoi dhe punoi në ato dy rrethe dhe shkroi gjithë materialin letrar për Veprën e tij të plotë. Aty ai ra në kontakt për herë të parë me fshatarë të varfër dhe u njoh me fanatizmin, injorancën, mjerimin e tyre si dhe grumbulloi lëndën e parë për skicat, tregimet, novelat dhe vjershat e tij të shkëlqyera të shkruara e botuara në ato pak vite të jetës së tij, duke u bërë kështu edhe zëdhënës i mjerimit të tyre.
Theksojmë se të kësaj periudhe janë edhe dy novelëzat brilante të Migjenit, “Luli i vocërr” dhe “Zeneli“ që ne sot po bëjmë objekt të këtij shkrimi. Parë në këtë kënd vështrim, një kontribut të vyer na ka dhënë studiuesi i mirënjohur pukjan, z. Idriz Ahmetaj, i cili në një punim të plotë letraro – artistik të llojit portret – monografi me titull “Zeneli ynë i pa paharruar“, botim i vitit 2014, ka bërë një analizë të thellë, të gjerë e në formë debati edhe me autorë të tjerë. Ai midis të tjerash arrin në një përfundimin të qartë dhe të saktë dhe me shumë kompetencë shkruan: “Përse “Zeneli “të quhet “Luli i vocërr“, ai është ZE-NEL IS-LA-MI, çka tingëllon më burrëror, e jo shkurt Zeneli, që është pak për të ”.
Megjithëkëtë janë tri gjëra që i “ bashkojnë”, “Lulin e vocërr “me “Zenelin“:
- Si “ Luli…“ dhe “Zeneli“ janë të varfër;
- Si “ Luli…“ edhe “Zeneli“ janë nxënës shkolle;
- Si “Lulin…“ dhe “ Zenelin i ka bërë të famshëm dora mjeshtërore e Migjenit.
Por midis tyre, ashtu siç na e ka paraqitur Migjeni, ka edhe dallime të qarta :
Zeneli është prototip i titullit homonim të novelzës “Zeneli“, ndërsa Luli është krijesë simbol i fantazisë së Migjenit në kushtet e varfërisë së tejskajshme të kohës kur jetoi poeti.
Skica “ Luli i vocërr “ është botuar më 18 janar 1936 në revistën “ Illyria“ fq. 3, kur Migjeni ende nuk kishte ardhur mësues në Pukë. Ndërsa “Zeneli” është botuar në muajin dhjetor 1938 në revistën “Përpjekja shqiptare“, fq. 402- 404, pas vdekjes së Migjenit.
Besoj, nuk ka nevojë të themi se kjo novelëz është shkruar kur Migjeni punoi në Pukë, prill 1936 – nëntor 1937, kur Zeneli i vërtetë ka qenë nxënës ideal dhe model i tij.
Nga sa na thotë Migjeni veçojmë : ”Zeneli është tip energjik, sa nuk ka ku ta shpenzojë vrullin e potencën e tij intelektuale, këmbëngulës që nuk tërhiqet deri sa ta realizojë atë që i pëlqen, me vullnet të pathyeshëm e solid, kërkon ndryshime dhe ka shpirt të madh. …” Zeneli asht si ajo toka e mirë, e pëlleshme, ku fara dosido e hedhun, zen, rritet dhe ep fryt ma tepër se pritej.” … “Ndërsa Luli individualist; i mbyllur në vetvete; indiferent për çka ndodh rreth tij dhe për gjithçka. Askush s’e njef Lulin. As shokët e tij që përpara tij lozin, s’e njohin. Ma mirë me thanë se e njohin, por ata lozin për hesap të vet, e Luli i shikon për hesap të vet. Sot gjithkush ka punët dhe telashet e veta, ashtu edhe fëmijët, ashtu edhe Luli…”.
Mendoj se dëshira për të bërë në një dy personazhet e njohura të Migjenit, njëri real, konkret dhe tjetri mendimi gjenial i autorit ka ardhur edhe nga dëshira e mirë për të konkretizuar një periudhë të caktuar historike, por asesi kjo nuk do të thotë që një figurë konkrete të mos njihet në gjithë dimensionin e tij njerëzor.
Pikërisht, tek karakteri i veçantë i Zenel Islamit është mbështetur fort dhe plot besim Migjeni, kur shkruante për të ardhmen e “ Zenelit “ të tij : “ …Mund të hypi në majat ma të nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës…”, çka i doli fjala sepse ashtu ndodhi në të vërtetë.
Tashmë, ne jemi njohur në themel me jetën, veprimtarinë dhe historinë e vërtetë të njeriut të urtë e të paharruar pukjan, Zenel Islamin tonë të paharruar. Në studimin e tij, zotni Idriz Ahmetaj vlerëson se : “ Figura e Zenelit duket e zhduket si imazh, si “ finlandezi fluturues ”. Vetëm një gjë ka mbetur e pandryshuar: skica e Migjenit “ Zeneli”.
Vlerësojmë se Migjeni në skicën “Zeneli “ ka skalitur me “ shkronja të arta ” portretin e personazhit të tij emblematik, Zenel Islamin, kur shkruante profecinë e tij fataliste :
“Lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore, primitive, e ka më mirë, mos e merr në qaf me e hypë ndër majat e nalta nga mundë të thej qafën i dëshpëruem, tue pa të vetët e dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me i ndihmue”.
Prandaj Zeneli ynë i dashur, ky mit – simbol dhe ëndërrimtarë – aktiv i novelës së Migjenit, duhet ruajtur i pa prekur nga çdo interferencë (ndërhyrje) e çfarëdo lloji, si në letërsi ashtu edhe në kujtesën popullore, me urimin që të mos na ndodh më si deri më sot…
Dhe në mbyllje të këtij shkrimi, një vlerësim sentencë : “Zeneli i dha Migjenit emrin e vet, kurse Migjeni i dha Zenelit pavdekësinë“…
