Turqia, një rast përjashtimor në gjithë historinë e integrimit evropian, ka ndjekur një trajektore drejt integrimit në BE, përreth gjysëm shekulli. Reagime të forta nga vende të ndryshme anëtare kanë shoqëruar vazhdimisht kandidaturën e saj, të përqendruar rreth debatit historik, gjeopolitik, fetar dhe atij demografik. Megjithëse aspiratat e saj drejt integrimit evropian janë konkretizuar fillimisht që në vitin 1959, me kërkesën e parë për Asocim në Komunitetin Ekonomik Europian, kandidatura turke duket se do të vijojë edhe pas gjysëm shekulli, të endet në bllokime negociatash për mosplotësime kushtesh, që shkaktojnë ngecje të herëpashershme të procesit.
Pezullimi i Negociatave dhe shkaqet e tyre
Negociatat me Turqinë janë hapur në të njëjtën kohë me Kroacinë, më 3 tetor 2005. Por ndryshe nga rasti i Kroacisë, negociatat e së cilës u mbyllën në vitin 2011, për t’u finalizuar me anëtarësimin e saj në korrik 2013, negociatat me Turqinë janë pezulluar që prej qershorit 2010 deri në nëntor 2013. Nga 35 kapituj negociatash vetëm 14 janë hapur dhe vetëm një prej tyre është mbyllur “Shkenca dhe Kërkimi”. Kapitujt e tjerë janë bllokuar nga disa vende anëtare si Franca, Gjermania, Qipro apo Austria. Hapja dhe mbyllja e kapitujve vendoset me unanimitet nga shtetet anëtare.
Shkaqet e bllokimeve janë të ndryshme. Fillimisht, BE bllokoi 8 kapituj me pretendimin për mos respektim nga ana e Turqisë të detyrimeve të saj, në lidhje me Protokollin shtesë të Marrëveshjes së Ankarasë (Marrëveshja synon shtrirjen e Unionit Doganor, që Turqia ndan me BE-në që prej vitit 1996 në të gjitha vendet e anëtarësuar më pas, pra dhe me Qipron greke). Konkretisht ajo që BE kërkonte, ishte hapja e porteve dhe të aeroporteve ndaj Republikës së Qipros. Turqia pas këtij bllokimi u pozicionua me një plan veprimi ku kërkonte “heqjen reciproke të gjithë shtrëngimeve ndaj qarkullimit të lirë të mallrave, personave dhe shërbimeve, ndër të cilat dhe ato të aplikueshme ndaj transportit..(…)”. Pra, shkurtimisht Turqia shpresonte që BE të aplikonte vendimin e Këshillit të Ministrave të marrë më 26 prill 2004, me synim dhënien fund të izolimit të qipriotëve turq. Logjika e autoriteteve turke u pozicionua në një shkëmbim detyrimesh reciproke, duke argumentuar se, nuk është detyrues nënshkrimi, për sa kohë as BE nuk respekton angazhimet konkrete në këtë fushë.
BE ngriu negociatat mbi 8 Kapituj, që i konsideronte të lidhur me unionin doganor dhe vendosi se asnjë prej tyre nuk mund të mbyllej, as përkohësisht, para aplikimit të Protokollit Shtesë të Marrëveshjes së Ankarasë. BE deklaroi në këtë kuadër se situata do të rikonsiderohej në vitet në vijim, më 2007, 2008 dhe 2009. Kërkesa për zbatimin e protokollit shtesë, krijoi gjerësisht përshtypjen, se po kërkohej plotësimi i një kriteri ekstra, që nuk ishte i lidhur me 8 Kapituj.
Bllokimi i radhës vjen menjëherë pas ardhjes në presidencën franceze të Sarkozisë në 2007. Franca u angazhua menjëherë në bllokimin e hapjes së 5 kapitujve të tjerë, të cilët konsiderohen se kanë një influencë direkte mbi aderimin (Kapitulli mbi Politikën Rajonale, Politikën Agrikulturore të Përbashkët; Unionin Ekonomik dhe Monetar, Dispozitat Institucionale dhe ato Financiare). Megjithëse një lëvizje, që binte ndesh me angazhimet e Francës gjatë votimit me unanimitet për hapjen e tyre në 2005, në këtë lëvizje Franca u mbështet në heshtje edhe nga shtete të tjerë. Aksi franko-gjerman ishte gjithashtu mbështetës i idesë për një marrëdhënie me Turqinë nën kuadrin e një “Partneriteti të Privilegjuar”, ide kjo e refuzuar nga Ankaraja.
Por, bllokimet e negociatave nuk do të ndalen këtu, pasi sërish shtete të ndryshme anëtare për arsye politike bllokojnë sërish hapjen e kapitujve të tjerë, edhe pse Turqia vlerësohej se kishte avancuar teknikisht mirë në këtë drejtim (p.sh. në 2009 Qipro bllokon 6 kapituj të tjerë, etj). Kjo situatë çoi gradualisht në një ngecje totale të negociatave BE-Turqi, të cilat u shoqëruan gjithashtu edhe me gjenerimin e një debati për diskriminim të mundshëm nga ana e BE-së, nën pretendimin se Turqia, nuk po trajtohej në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera aderuese në BE, përballë plotësimit të kritereve të Kopenhagenit.
Pas tre vitesh bllokimi negociatash, vetëm në nëntor 2013, Franca dhe Gjermania zhbllokuan kapitujt, duke hapur përkohësisht kapitullin mbi “Politikat Rajonale”.
Hapësira ligjore për bllokim negociatash
Zgjerimi i BE-së ndaj Evropës Qendrore, solli dhe dy elementë të rinj në procesin e zgjerimit: ndihmën financiare me kushtëzim të përforcuar dhe verifikimin e implementimit të kuadrit ligjor të BE-së. Pra, nëse me zgjerimet e mëparshme, kushti ishte thjesht implementimi i kuadrit ligjor të BE-së, duke specifikuar detyrimin e vendit kandidat për aplikimin e saj dhe në rast të kundërt, gjykata ishte institucioni ankimues, tashmë rregulli ndryshoi.
Kriteri shtesë i caktuar është verifikimi i këtij implementimi.
Ky ndryshim ligjor ka ekspozuar edhe problematikën mbartëse, pasi, pavarësisht miratimit në Këshill me unanimitet për shpalljen e një vendi kandidat, vende të ndryshme të shtyrë po nga arsye të ndryshme, mund të bëhen shkak për bllokimin e negociatave, duke pretenduar se një pjesë e kuadrit ligjor përkatës, nuk është aplikuar në nivelet e duhura, duke çuar në pezullimin e tyre në periudha kohore të konsiderueshme. Eksperienca turke, është ilustrim i kësaj politike bllokimi.
Pas gati gjysmë shekulli aspirim për të qenë pjesë e BE-së, Turqia shfaq shenja ezaurimi përballë kësaj pritje të gjatë. Kryeministri turk Erdogan, ka deklaruar para ca kohësh se nëse Turqia nuk anëtarësohet deri në vitin 2023, ajo mund të ndryshojë kamp, duke nënkuptuar një përafrim të Turqisë me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, në të cilën bën pjesë edhe Rusia me Kinën.
Sigurisht, që pas aspektit të zgjatur në kohë të aspirimit turk, për të qenë pjesë e BE-së dhe bllokimeve të herëpashershme të negociatave, merr trajtën e saj të vlerësimit dhe debati shumëplanësh në lidhje me Turqinë.
Ky debat në nivel evropian, por edhe akademik inkuadron një optikë në disa këndvështrime: debati mbi qëllimin ekzistencial të BE-së, nëse BE është një histori e përbashkët e karakterizuar nga afërsia gjeografike, apo është një projekt me qasje universale, duke përafruar popujt rreth vlerave dhe institucioneve të tyre; debati fetar, se pavarësisht cilësimit laik në Kushtetutën turke, Islami do të shndërrohet në fenë e tretë të BE-së, pas katolicizmit dhe protestantizmit; debati demografik, se pesha e Turqisë do të jetë në nivelin e vendeve të mëdha të BE-së, duke ndikuar gjerësisht në procesin e saj të vendimmarrjes; debati gjeopolitik, nëse do të shtrihen më tej kufijtë e paqes dhe prosperitetit të BE-së, apo ky zgjerim do të rrezikojë BE-në, duke e zhveshur atë nga roli karakterizues i saj, ai i pajtimit dhe sigurimit të paqes.
Por, përtej këtij debati polarizues, dhe kësaj zvarritje të gjatë hezituese për anëtarësimin turk në BE, nuk dihet se, nga do të anojë përfundimisht balanca e logjikës vendimmarrëse të saj: në mbështetje të hezitimit frenues disa planësh të përqendruar në aksin franko-gjerman, apo do të anojë pro asaj, çka britaniku Kamerun dhe aleatët amerikanë e vlerësojnë si “tejet thelbësore për ekonominë, thelbësore për sigurinë dhe thelbësore për diplomacinë” anëtarësimin e shpejtë të Turqisë në BE. Logjika optimale të shpie drejt opsionit të fundit, por historia në procesin ‘shkrues’ të saj, ka treguar se forca e irracionalitetit shpeshherë edhe ka triumfuar./im.ta/