Zgjerimi dhe frika e referendumeve

redaktor

“Uaa, po ne sa i kaluam nja dhjetë pengesa….po këto kur i vunë ?! Eh, ato janë shtuar rrugës….! E para, do dhjetë vite për t’u kapërcyer…e dyta me pak vullnet, hajt se e kapërcejmë për nja pesë vite….Oh njëra qenka ngritur…çfarë shansi që kemi….!!! Mendoj se do të arrijmë brenda dy dekadash…..! Po ai tren ç’është aty ?! 

Mbase atij treni duhet t’i hipim…..?! Se mos nuk ndalon…?! Duhet të jetë surprizë, patjetër…….pengesa finale e integrimit….a hipim në tren…a treni na shtyp…varet se, ç’fat do të kemi…!?”  

Kur një vend aplikon për t’u bërë pjesë e një organizmi rajonal apo ndërkombëtar, në parim skema është e qartë, me një listë kriteresh për t’u plotësuar. Kritere që janë të qarta dhe të mirë saktësuara dhe që sigurisht fillojnë dhe plotësohen në varësi të vullnetit, motivacionit dhe seriozitetit të çdo aplikuesi. Por, jo gjithmonë ky rregull është normë, pasi në këtë proces ndërhyjnë dhe mekanizma të paparashikuar, që mund të ndërpresin krejtësisht procesin. Mekanizma, që duken si periferikë, por që kanë forcë të ngadalësojnë dhe të paralizojnë procedurën e zgjerimit.

Së fundmi, u krye një referendum në Holandë ku triumfoi ideja për të refuzuar Marrëveshjen e Asocimit, BE-Ukrainë. Një marrëveshje rreth 300 e ca faqe, si ai që kanë nënshkruar edhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, pjesë e procedurës së anëtarësimit në Union. I nënshkruar mes palëve më 1 janar 2015, për sa i përket pjesës politike dhe më 1 janar 2016, për pjesën tregtare, ratifikimi i tij nga 28 vendet duhej të ishte thjesht një formalitet. Një formalitet, që do të mundësonte futjen në fuqi të tij. Por, ja që nuk ndodhi kështu, pasi një mobilizim i ekstremit të djathtë, i ekstremit të majtë dhe një tufe intelektualësh në Holandë, ndërmorën iniciativën për kryerjen e një referendumi, mes hapësirës për referendum që mundësonte kuadri ligjor. Edhe pse pjesëmarrja arriti ta kalojë pragun që kërkohet për t’u konsideruar i vlefshëm, shumica u shpreh kundër Marrëveshjes së Asocimit me Ukrainën. Temat ku u përqendrua fushata kundër, lidheshin me frikën ndaj “pushtimit” të Holandës nga ukrainasit, korrupsionit dhe kriminalitet të lartë që njeh vendi, si edhe duke përfshirë një zë revoltues ndaj BE-së dhe elitave të saj drejtuese, që janë megalomane, se duan të krijojnë një super shtet pa pyetur dhe pa lejuar të shprehen qytetarët e tyre, se kanë një optimizëm naiv, duke besuar në kufijtë e hapur dhe në politikat e Euros, etj. Duhet theksuar se Ukraina, ka marrëdhënie partneriteti me BE dhe nuk bëhet fjalë për anëtarësimin e saj, në kuadrin e politikave të zgjerimit.

Sigurisht që barra më e rëndë, në këtë situatë është për qeverinë holandeze e cila mban dhe presidencën e radhës të BE-së, dhe që i duhet të gjejë një rrugëdalje për të harmonizuar vendimmarrjen e saj në nivel shtetëror, me politikat që mbarsen nga referendumet popullore, sidomos kur ato nxiten nga politikat e ekstremeve. Por, deri sa të gjendet një rrugëzgjidhje, që do të hajë kohën dhe energjitë përkatëse, procedurat ngelen pezull duke bllokuar avancimin.

Por, problemi që mbart ky referendum është se krijon një precedent aspak të favorshëm dhe që mund të ripërsëritet nga çdo vend dhe ndaj çdo perspektive të mundshme zgjerimi. “Një risk në shkallë kontinentale” do ta konsideronte kryerjen e këtij referendumi kreu i KE-së, Junker.

Çfarë mund të ndodhë në një rast hipotetik, nëse ndaj avancimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë edhe ndaj Shqipërisë, politikat e të dy ekstremeve në vende të caktuara, të vendosin kryerjen e referendumeve popullore, për pranimin apo jo të Shqipërisë në Union ?! Sigurisht që rezultati nuk do të ishte optimist, duke gjeneruar si pasojë situata bllokuese, që për një rajon delikat, siç është Ballkani, mund të përkthehen në tensione, konflikte dhe kaos.

Por, a duhet të lejohen referendume të tilla, që bien ndesh me politikat e zgjerimit, duke dalë nga platforma e angazhimit serioz, që ofron kuadri i anëtarësimit ?

Në parim, ato janë krejtësisht ligjore, demokratike, të paktën në formë. Por, problematika shfaqet tek pyetjet, apo çështjet që ato ngrenë. Kjo, pasi hyjnë në sfera delikate, duke pretenduar të shprehin vullnet popullor mbi çështje jo shumë mirë të kuptuara dhe shpesh herë edhe të keq interpretuara. Nga një bërthamë e bashkuar ekstremizmi, kemi vënien në lëvizje të një mekanizmi të tërë në rang kombëtar, me synimin izolimin dhe ngritjen e barrikadave. Duke bllokuar jo vetëm politika zgjerimi, tashmë të futura në proces, por duke rrezikuar krijimin e precedentëve dhe duke frymëzuar politika bllokuese për një rajon të tërë, që synon anëtarësimin në BE.

Referendumet janë formë e njohur e demokracisë direkte, por ato përmbajnë gjithmonë një risk, pasi dëshirat popullore mund të bien ndesh, jo vetëm me çështje tërësisht teknike dhe të një rëndësie të veçantë, por edhe me fusha me dimensione të thelluara dhe strategjike, siç janë politikat e jashtme. Shpeshherë ato kanë treguar se bien ndesh edhe me liritë themelore, duke ofruar si platformë demokracie, pyetje tërësisht ksenofobie (p.sh. Hungari, referendumet mbi të huajt dhe të drejtat e tyre). Është i pamundur kuptimi teknik i rreth 300 faqe Traktat me një vend të caktuar. Por, është tërësisht e mundur dhe efikase luajtja me frikën, me të pavërtetën me imagjinaren dhe projektimin e një realiteti të frikshëm.

E rëndësishme është forma që do të marrë për zgjidhje kjo situatë. Sepse drejtimi dhe forma e dhënë për zgjidhje, do të shërbejë gjithashtu në logjikën përballuese ndaj precedentit të krijuar.

Pra, nëse do të konsiderohet në formën e një iniciative konsultuese për vendimmarrjen qeveritare (ratifikim), apo do të kërkohet një mënyrë dalje me klauzolë tërheqje (opt-out), apo një zgjidhje në nivel të Këshillit Evropian, apo çështja do të zgjidhet nëpërmjet një ankimi në Gjykatën e Drejtësisë Evropiane, për mos ratifikim të Traktatit.

Gjithsesi, për momentin kemi një barrë të shtuar, ndaj perspektivave të zgjerimit të BE-së dhe formave të ndryshme të tij. Referendumet mbi zgjerimin nuk janë praktikuar nga vendet e BE-së. Vetëm Franca ka kryer një të tillë në vitin 1972, ndaj zgjerimit që pritej në 1973 me Britaninë e Madhe, Irlandën, Danimarkën dhe Norvegjinë. Pra, konsultim popullor, pasi parlamenti duhej të ratifikonte traktatin e aderimit. Por, procesi nuk është i një natyre automatike, pasi është korrigjuar më vonë. Gjithsesi ka pasur angazhime të konsiderueshme në kohë nga politika radikale, për të riaktivizuar këtë proces ndaj zgjerimeve, sidomos në rast të një zgjerimi drejt Turqisë, apo edhe ndaj vendeve të tjera myslimane.

Shtimi i kritereve

Në fakt, politikat e zgjerimit, kanë kohë që kanë dalë nga kuadri strikt i kritereve për anëtarësim. Me kalimin e kohës, këto politika, kanë njohur një përforcim deri në shkaktimin e një ngadalësimi të të gjithë procesit të anëtarësimit.

Kanë kaluar 13 vite nga angazhimi i shprehur evropian në Samitin e Selanikut, për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia nuk i dihet ende edhe sa dekada të tjera, do të enden në rrugën integruese të BE-së.

Rëndom konstatohet se procesi i aderimit, ndryshe nga çdo proces integrimi, që Unioni ka njohur deri më tani, ka pësuar transformime, duke ndërlikuar ndjeshëm rrugën e Ballkanit drejt BE-së. Një sërë mekanizmash rishtazi të krijuar, e kanë shndërruar rrugën e Ballkanit drejt Evropës, në një proces të ndërlikuar.

Kritere shtesë për vlerësim, procese asocim-stabilizimi, dimensione të domosdoshme rajonale, dimensione të domosdoshme fqinjësore, mekanizma monitorues, etapa të ndërmjetme, procese të hershëm shqyrtimi analitik, dialogë të niveleve të lartë me fokus special ndaj situatave bllokuese të brendshme dhe atyre fqinjësore, garanci shtesë dhe masa korrigjuese, klauzola të përgjithshme ekuilibrimi (mekanizëm që frenon vazhdimin e mëtejshëm të negociatave dhe hapjen e kapitujve), etj.

Procesi i hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave është shndërruar tërësisht në një proces politik duke i ikur gjuhës teknike, pasi çdo vendim bllokohet në bazë të vullneteve politike për të zgjidhur problemet që kanë politikat e caktuara me vende të ndryshme. Përveç kritereve të Kopenhagenit, Ballkani po përballet me kritere plus, siç janë kriteret që lidhen me çështjet e sigurisë, dhe imponojnë respekt dhe zbatim të marrëveshjeve të ndryshme të paqes pas konflikteve që ka njohur rajoni si, Rezoluta e Këshillit të Sigurisë së OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, Marrëveshja e Kumanovës, Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Beogradit dhe Marrëveshja e Normalizimit të Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kemi mekanizma frymëzues, me terminologji të larmishme si Dialogu i Aderimit të Nivelit të Lartë në Maqedoni, Dialogu i Strukturuar mbi Drejtësinë në Bosnjë, Dialogu i Strukturuar mbi Sundimin e Ligjit në Kosovë, apo Dialogu i Nivelit të Lartë me Shqipërinë. Rritje të fokusit mbi kriterin e “mirë qeverisjes” kryesisht në fushën e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, dhe një administrate efikase publike, etj.

Përqasje tërësisht e rinovuar, e ndryshme nga të gjithë fazat e tjera të anëtarësimit, që kanë njohur gjithë vendet anëtare të BE-së, përfshi edhe zgjerimet e fundit të vitit 2004 dhe 2007.

Tensioni, dritëhijet e konflikteve dhe luftërave, në Ballkanin Perëndimor nuk ngurrojnë të ekspozohen si sinjale të një stabiliteti të brishtë rajonal, që është lehtësisht i kërcënueshëm dhe i minueshëm. Sidomos kur në portat e tij, trokasin me insistim, oferta bujare që joshin për alternativa ekonomike, politike dhe sidomos alternativa sigurie. Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet parë si rajoni i gërmadhave dhe i pamundësive konfliktuale, që pengojnë sistematikisht për ri-ngritje, zhvillim dhe prosperitet. Rajoni i një bote, që është larg botës evropiane të zhvilluar. Sepse edhe Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk i kishte të gjithë parametrat optimalë, as ato demokratikë, as ato të sundimit të ligjit e as ato të drejtësisë, apo qoftë edhe ato të ekonomisë. Jo, e jo këto kritere mbi kritere, mekanizma mbi mekanizma dhe dialogë për të dialogu-ar mbi të pa dialogueshmen! Por, u bashkua në një ideal për paqe dhe zhvillim! Për të lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe për të parandaluar ato të së ardhmes. U bashkua për të krijuar gjeneratën e paqes dhe të zhvillimit ekonomik. Në këtë frymë u kryen edhe integrimet e mëvonshme, që nuk ishin në perfeksion të një modeli të kërkuar, si Portugalia e pas Salazarit, apo Spanja e pas Frankos, apo qoftë edhe Greqia e pas diktaturës së kolonelëve. Sepse, vetëm në bashkim krijohen premisat për një të ardhme të sigurt, larg konflikteve dhe luftërave, për më shumë siguri, stabilitet, shans dhe mirëqenie. Sepse, në bashkim, mposhtet “frika” ndaj të “largëtës”, të “huajës”, “të frikshmes”, që i përket një tjetër rajoni, një tjetër kombi, një tjetër feje. Frika, që angazhon dhe mobilizon këto referendume popullore./im.ta/DITA

Share This Article