Zgjerimi dhe skepticizmi holandez

redaktor

Me ndryshimin e presidencës 6-mujore të Këshillit të BE-së, ndryshon edhe fokusi apo prioriteti ndaj politikave të zgjerimit. Jo çdo presidencë mban të njëjtin ritëm dhe ka të njëjtën vëmendje ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Kjo pasi modelimi i tyre varet edhe nga orientimet e politikave të brendshme kombëtare. Si do të jetë fokusi i presidencës holandeze ndaj zgjerimit, ku ndryshon me presidencën e kaluar të Luksemburgut dhe pse flitet për një skepticizëm në rritje të Holandës ndaj zgjerimit ?

Funksioni i Presidencës së Këshillit të BE-së, lidhet me fuqinë e dhënies së një impulsi punëve legjislative të Këshillit, duke synuar vazhdimësinë e programit të BE dhe duke siguruar një zhvillim në harmoni të procesit legjislativ mes vendeve anëtare. Në këtë mënyrë presidenca, duhet të arrijë kryerjen e rolit të ndërmjetësuesit objektiv dhe neutral.

Presidenca e gjashtë mujorit të kaluar e kryesuar nga Luksemburgu mund të konsiderohet ambicioze ndaj politikave të zgjerimit. Axhenda e saj përfshinte mbajtje të ritmit aktual të zgjerimit, vëmendje të veçantë ndaj kësaj politike, duke u vlerësuar si  “motor i fuqishëm për reforma në kufijtë e BE-së, në përfitim të stabilitetit dhe të prosperitetit të gjithë kontinentit”. Kishte një përqendrim të lartë kryesisht ndaj vazhdimit të procesit të negociatave dhe hapjen e mëtejshme të kapitujve, por të fokusuar vetëm ndaj tre vendeve, që janë aktualisht në proces negociatash Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Dhe këto ambicie i gjejmë thuajse të konkretizuara në fund të mbarimit të presidencës gjashtëmujore të Luksemburgut. Mali i Zi ka avancuar në procesin e negociatave duke çuar në hapjen e dy kapitujve të tjerë. Serbia arriti të hapë gjithashtu kapitujt e parë të negociatave dhe Turqia shënoi gjithashtu progres nëpërmjet hapjes së kapitujve të tjerë. Përparim gjatë kësaj presidence njohu edhe Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, si edhe Bosnja me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe zhvillimin e Këshillit të Parë të Stabilizim Asocimit.

Çfarë ndryshon me presidencën holandeze ?

Fokusi i veçantë që ishte ndaj zgjerimit, përgjatë gjashtëmujorit të kaluar, nuk figuron ndër prioritetet e presidencës holandeze. Por, kemi kryesisht një përqendrim, që gjen shprehje tek aktualiteti i krizave që ka përfshirë Unionin, si kriza e refugjatëve, imigracioni, kontrolli i kufijve të jashtëm, kriza e Shengenit, rritja e punësimit, fuqizimi i Eurozonës, etj.

Zgjerimi preket në një fjali, që në fakt, përfshin tërësinë e programit të presidencës treshe deri në mesin e vitit 2017, ku ndër pesë orientimet kryesore të axhendës, figuron ndër të tjera edhe roli i Unionit si aktor i fuqishëm global, ku gjejmë edhe një rresht që i dedikohet integrimit të Ballkanit Perëndimor duke u theksuar se: “..Besueshmëria e procesit të zgjerimit dhe progresit efektiv të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ngelet e një rëndësie strategjike.” 

Ndërsa tek dokumenti prezantues i presidencës holandeze zgjerimi nuk është pjesë e prioriteteve apo ambicieve të spikatura, por hasim në  një përsëritje të angazhimeve në proces ndaj Ukrainës, ku pritet dhe mbajtja e referendumit ne Holandë dhe angazhimet në vijimësi me Turqinë, me fokus ndaj krizës së refugjatëve dhe rolit të saj në ndihmë të kësaj krize.

Në fakt, ka një trajtim apo një reagim ndaj sfidave të presidencës holandeze që orientohen ndaj shpjegimit të situatave të krizave të shumëfishta, që po përballet Evropa. Duke lënë të nënkuptohet në njëfarë mënyre se prioritetet e emergjencës së krizave të shumëfishta nuk krijojnë hapësirën e duhur për një orientim më inkurajues ndaj dosjes së zgjerimit. Por, ndonëse këto kriza kanë kohë që kanë kapur Unionin, presidenca e kaluar, pavarësisht tyre kishte një fokus shumë special ndaj politikave të zgjerimit dhe inkurajimit të tyre.

A mund të flasim për një skepticizëm në rritje të Holandës ndaj perspektivës zgjeruese të Unionit?

Në fakt ekzistojnë dy rryma reflektimi, që ngjallin interes, pasi shkaktojnë një përplasje mes tyre.

E para, lidhet me faktin e një euroskepticizmi në rritje në Holandë që prej viteve 2000 e këtej, i konkretizuar sa në refuzimin e Traktatit Kushtetues në vitin 2005, por edhe me daljen në skenë po përgjatë këtyre viteve, të partisë ekstremiste anti-evropiane të Geert Wilders dhe rritjes së vazhdueshme të elektoratit të saj. Si edhe efektit zinxhir, që rritja e elektoratit anti-Evropë reflekton tek partitë e tjera, që kërkojnë rikthimin e elektoratit të tyre, për rrjedhojë ashpërsojnë si gjuhën por edhe qëndrimet e tyre, duke i bërë më eurodyshuese.

E dyta, e gjykon tërësisht të gabuar reflektimin, se Holanda është bërë së fundmi euroskeptike, duke vlerësuar vështirësitë që ka shfaqur Holanda që në fillimet e zgjedhjes së saj, për të qenë pjesë e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe një prej vendeve themeluese të tij. Kjo, pasi dëshira e Holandës nuk ishte të ishte pjesë e një komuniteti kontinental, me qasje të pastër politike, siç ishte Komuniteti Evropian, por të ishte pjesë e një komuniteti transatlantik të bazuar në principet e liberalizmit dhe tregut të lirë. Zgjidhja për të qenë pjesë e komunitetit shtrihej sa tek pamundësitë për të konkretizuar ëndrrën e saj për të jetuar në një Evropë britanike, por edhe për të përfituar nga një zgjidhje pragmatiste ekonomike, çka do i mundësonte të ishte pjesë e klubit politik për të kontrolluar nga brenda orientimin e ardhshëm të këtij komuniteti. Dhe e gjithë qasja e mëtejshme e Holandës ndaj Unionit ka qenë e karakterizuar nga pragmatizmi ekonomik, por me një përplasje që ekspozohet herë pas herë dhe që lidhet me ëndrrën e fortë holandeze për një marrëdhënie të pastër në terma ekonomikë, por pa thellimin e nevojshëm politik dhe mbikëqyrje supranacionale.

Çka është interesante tek reflektimi i dytë, është ofrimi i një panorame shpjeguese të pozicionimit euroskeptik holandez, pothuajse në të njëjtat terma si ai i pozicionimit euroskeptik britanik, por me ndryshimin e vetëm që qëndrimet holandeze si ndaj pjesëmarrjes në zonën euro, por edhe në iniciativat dhe ndërmarrjet e tjera në nivel evropian, janë angazhuese dhe gjithëpërfshirëse për hir të filozofisë së fortë pragmatiste, që e karakterizon vendimmarrjen holandeze. Qasja e dytë, e lidh shpjegimin e euroskepticizmit në rritje në Holandë, pikërisht me ngadalësimin e ekonomisë dhe shkeljes së rregullave të deficitit buxhetor si nga Franca por edhe nga Gjermania që krijuan një klimë aspak favorizuese, dhe në këtë kontekst kemi dhe refuzimin e traktatit kushtetues. Dhe shtimi i krizave në një Evropë, ku kërkohet që angazhimi të jetë thellësisht ekonomik rrit tensionin mes, “ëndrrës fillestare dhe angazhimit real”. Tension, që nuk shfaqej për sa kohë ekonomia ishte në lulëzim.

Por, si është i pozicionuar opinioni publik holandez ndaj zgjerimit të mëtejshëm evropian ?

Eurobarometri i fundit i zhvilluar përgjatë muajit nëntor 2015, shfaq rritje të numrit të qytetarëve holandezë, që janë kundër zgjerimit të mëtejshëm të Unionit, duke e çuar këtë shifër në një nivel të lartë prej 63%.

Por, teksa opinioni publik është qartazi i shprehur kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, si është e pozicionuar politika holandeze ndaj perspektivave zgjeruese ?

Në fakt, ka një ndarje pasi në parim politika holandeze nuk shfaqet shumë favorizuese ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE. Pozicionim, që nuk është i larguar nga pozicionimet e herë pas hershme që shfaqen edhe nga një sërë vendesh të tjera të Unionit dhe që sigurisht ka shkaktuar në kohë bllokim të vazhdueshëm të kandidaturës turke në Union.

Por, nga ana tjetër angazhimi ndaj anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, të paktën në parim shfaqet pozitiv dhe inkurajues. Studimi i fundit i EPC, ekspozon një element të rëndësishëm, në shpjegimin e qasjes pozitive të Holandës ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo, pasi e lidh angazhimin holandez, me një lloj kompleksi të krijuar nga ngjarja e rëndë, apo masakra e njohur e Srebenicës, dhe rolin e munguar të paqeruajtësve holandezë. Çka, ka çuar në një reflektim shoqëror, dhe në elitën politike, paralelisht me hetimet parlamentare, duke shkaktuar edhe rënien e qeverisë. Aq më tepër, që në korrik 2014 gjykata e Hagës e shpalli përgjegjës shtetin e Holandës për deportimin e 300 meshkujve, në thyerje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Duke qenë se imazhi kombëtar holandez mbështetet në idealet e drejtësisë, tolerancës dhe barazisë, kjo sipas këtij studimi, është një nga arsyet se pse eksperienca e hidhur e Bosnjës shfaqet si një detyrim jo vetëm ndaj Bosnjës, por edhe ndaj rajonit në tërësi paqes dhe stabilitetit në Evropë në përgjithësi, për të drejtuar Ballkanin drejt BE-së.

Gjithsesi, ndonëse angazhimi politik ndaj Ballkanit Perëndimor shfaqet i konfirmuar, vërehet një problematikë tek theksi gjithnjë e më i lartë i politikës holandeze, për kushte dhe kritere shtesë, që duhet të imponohen në vazhdimësi ndaj politikave të zgjerimit dhe vendeve në proces anëtarësimi. Kjo në logjikën se, duke u treguar strikte dhe e ashpër me plotësimin e kritereve, dhe shtimin e kritereve të tjera gjatë rrugës, është në interes të vetë vendeve, që aspirojnë të bëhen pjesë e Unionit.

Ndonëse logjikisht kjo shkon në dobi të përmirësimit demokratik të vendeve në proces anëtarësimi, nuk duhet harruar se, shtimi i kritereve plus gjatë procesit të aderimit, jashtë kuadrit të kritereve bazë për anëtarësim, edhe pse mund të reklamohet në emër të interesit të lartë dhe të dobishëm për përmirësimin tërësor demokratik të këtyre vendeve, në realitet nuk bën gjë tjetër veçse e vonon pambarimisht procesin e anëtarësimit. Duke shkaktuar pikërisht efektin e kundërt me atë çka proklamohet nga politika holandeze.

Edhe pse axhenda e presidencës gjashtëmujore të Holandës, nuk shfaqet shumë inkurajuese apo ambicioze ndaj politikave të zgjerimit, procesi do të vijojë në rrjedhën e tij. Gjithsesi, i rëndësishëm është angazhimi konfirmues për afrim të Ballkanit Perëndimor në BE. Pozicionimi në vazhdim i politikës holandeze ndaj politikave të zgjerimit, duhet parë edhe në kontekstin e tensioneve të brendshme, sa ndaj rritjes së vazhdueshme të euroskepticizmit dhe ekstremizmit, por edhe ndaj vetë interesave të saj për qasje të pastër ekonomike ndaj Unionit./im.ta/

 

 

 

 

Share This Article