Zoti i madh e me kurorë, pse s’më bën një shërbëtor?!

Ornela

Po e pyes pa shaka,
Zotin me kurorë,
përse vetëm ca e ca,
bëri shërbëtorë?!

Po një vend për të shërbyer,
edhe unë e dua,
shërbëtor si Edi Ramën,
pse s’më bëri mua?!

Se kështu duke sunduar,
nuk e shtyj dot jetën,
pse s’më bën-o i bekuar,
shërbëtor si Metën?!

Në sundim të pandërprerë,
mos më lër të shkretin,
bëmë të paktën shërbëtor,
si Arben Ahmetin!

Kam kërkuar disa herë,
po s’ma vure veshin,
të më bëje shërbëtor,
si Niko Peleshin!

Dua t’i shërbej pa kushte,
të ligut-të mirit,
ndaj më jepje për ca kohë,
vendin e Tahirit!

Hiç mos u çudit me mua,
po më jep një dorë,
se këtu të shumtit vdesin,
të jenë shërbëtorë!

Ata luten natë e ditë,
ndaj mund t’i dëgjoni,
shërbëtor dua të bëhem,
njëlloj si Erioni!

Bëmë-o Zot një shërbëtor,
se s’kam si shtyj ditën,
të lehtësoj nga shërbimi,
Oltën dhe Linditën!

Dua të shërbej-o Zot,
një shërbim është nderi,
si ç’shërbenin dy Edmondaj,
Çuçi dhe Lefteri!

Të shërbej me bukë thatë,
nuk lakmoj për thela,
si shërben zonja Sonila,
dhe zonja Mirela!

Në shërbim e në shërbim,
vetëm ca e ca,
fukara dua të bëhem,
njëlloj si ata!

S’dua asgjë në kanistër,
veç fshesën në dorë,
se këtu-kur je ministër,
je thjeshtë shërbëtor!

Shërbëtorë si këtu,
s’keni për të hasur,
i shërbejnë badihava,
Sovranit të pasur!

Lutem të jem shërbëtor,
dhe e kam një shpresë,
s’bëhet për të qënë Padron,
lutje e kërkesë!

Zot-o Zot të përgjërohem,
jam në ankth e pres,
ose bëmë shërbëtor,
o lermë të vdes!

A.DUKA

Share This Article