“Më vjen shumë zor kur vendet që aspirojnë BE-në na kërkojnë të ndërhyjmë për të zgjidhur krizat politike. Ne mund të ndihmojmë kur na kërkohet ndihmë, por vendet demokratike i tejkalojnë vetë ngërçet e tyre dhe ecin përpara”. Këtë shprehje z.Elmar Brok e ka thënë para ca kohësh në Shkup, kur partia opozitare LSDM bojkotoi parlamentin dhe denonconte skandalet e shumta të qeverisë Gruevski. Një deklaratë e ftohtë dhe e ekuilibruar. E cila për fat të keq është vite dritë larg qëndrimeve të fundit të ish-përgjegjësit për marrëdhëniet e jashtme në grupin e djathtë parlamentar të PE-së, sot kreu i komisionit parlamentar të jashtëm në Parlamentin Europian.
Eurodeputeti gjerman është shfaqur këto ditë në pozitat e një simpatizanti fanatik të PD-së, që kostumin institucional e ka flakur tej dhe ka veshur pizhamat e selisë blu të Tiranës. Jo më kot prononcimet e homologëve të majtë në PE, presidentit të Aleancës së Socialistëve dhe Demokratëve Pitella dhe zv.presidentit të grupit, Fleckenstein (njëherë raportues për Shqipërinë), shprehën shastisje dhe befasi ndaj reagimeve të Brok-ut në mediat shqiptare. Pa patur asgjë konkrete dhe reale në dorë, përveç ankesave të Lulzim Bashës dhe afërmendsh, kërkesës apo lutjeve të tij për të thënë diçka tani, shpejt, Brok do deklaronte se sikur “gjysmat e vërejtjeve që nxorri raporti paraprak i OSBE-ODIHR të jenë të vërteta, zgjedhjet duhen deklaruar të falsifikuara!?”, dhe me tonin pseudo-triumfal që nuk i la gjë mangut reagimit të parë të Bashës për fitore në 21 qershor, shtoi: “Sidoqoftë, Rama humbi 20% të votave dhe kjo është drejtësi!”. Edhe vetë zëdhënësit e PD-së do ishin më të përmbajtur…
Reagim prej militanti partiak, e quajti z.Pitella. Në fakt, PD-së gjithmonë i është gjendur ndonjë militant në korridoret evropiane, qoftë në Parlamentin Europian apo në kancelaritë nacionale të vendeve të BE-së. Për shumë kohë skeptrin e mbajti Doris Pack, eurodeputetja e djathtë gjermane që në prill 2013, më në fund i erdhi në majë të hundës me Berishën dhe e anatemoi hapur krizën që ai shkaktoi në KQZ, në prag zgjedhjesh parlamentare. Pastaj ishte sekseri austriak Grossruck, president i asamblesë parlamentare të OSBE-së, që për tetë vjet fliste mbarë e mbrapsht në emër të BE-së në Tiranë, teksa vilte favore, licenca e koncesione. Apo ish ambasadori i OSBE-në në Tiranë, Bosch, që e kishte të pandarë shijimin e nënprodukteve shqiptare të mishit, me freskun ndaj PD-së në pushtet.
Në këtë pikë, mes deputetit të flaktë demokrat Kastriot Islami, që kalkulon dhe nxjerr një fitore bindëse të PD-së në gjithë vendin, djalit të ish kryeministrit që konstaton prishjen fatale me SHBA-BE dhe hedh fall për “dimrin e vetmisë së madhe” të mazhorancës, dhe zotit Elmar Brok që flet pa asnjë dokument zyrtar dhe fakte mbi zgjedhjet e fundit administrative shqiptare, të perceptuara gjerësisht si tejet normale dhe më demokratike se asnjëherë, logjikisht na duhet t’i shohim si më të sinqertë dy të parët. Problemi është tek institucioni që përfaqëson Brok, i cili merr një njollë jo të hijshme, pikërisht për shkak të besimit të këtij funksionari se çfarë del nga goja e “të jashtmëve”, shqiptarët e marrin për ar të kulluar. Por prej vitesh nuk është më kështu, dhe nëse ne të gjithëve duhet të ndihemi pakëz në siklet, kjo ndodh ngaqë rrugës për t’u evropianizuar si komb, arrijmë të “shqiptarizojmë” herë pas here edhe institucione të larta si Parlamenti Europian. Si në rastin konkret, kur disa ekzemplarë nga blloku i djathtë u bëjmë hyzmetin delireve të Berishës dhe shambellanit të tij në PD.
