Hajduti i letrave (dhe historia e një vendi me letra false)

anazapta

Romanet e mëparshme të deputetit-shkrimtarit Ben Blushi, edhe pse skenën kryesore të zhvillimit të ngjarjeve e kishin lokale (Vlora, Voskopoja), kanë ngjallur një debat kombëtar, si për kritikët, edhe për entuziastët. Puna e tij e fundit, “Kandidati”, shënjestron Elbasanin dhe duket se ja ka dalë ta trazojë qytetin e një pjese të origjinës së tij. Padyshim “viktima” e autorit politikan është politike, dhe Blushi ironizon kryebashkiakun e disa mandateve Qazim Sejdini. Është një roman me temë të njohur, fjala vjen me skenarin e “Kandidatit mançurian”, veçse ecuria është e përmbysur në invers. Sepse nuk bën fjalë për një kandidat të gatuar dhe projektuar për karrierë maksimale, por për një karrierë të mbaruar që e mbajnë gjallë me zor.

Debatin lokal e ushqejnë edhe deklaratat mëpasme të deputetit mbi figurën e Lef Nosit, atdhetarit, të apasionuarit të artit e kulturës, politikanit, koleksionistit, kolaboracionistit – të gjitha këto epitete së bashku – për bustin e të cilit ai tha se qytetarët e Elbasanit duhet ta tërheqin zvarrë mu për shkak të cilësisë së fundit, atë të bashkëpunëtorit të qeverisë kukull të nazistëve në Shqipëri. Por debati bëhet kombëtar kur mes vorbullës së çështjes “Nosi” vjen e publikohet kjo letër e gjatë e Mitrush Kutelit dërguar mikut e kolegut Mustafa Greblleshi, ku nxirret në pah një histori herë e pëshpëritur e herë e bërtitur: Që gjyshi i Blushit, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtar e hierark i Lidhjes së Shkrimtarëve nën regjimin komunist, ka shtënë në dorë, më sak, ka vjedhur punimet dhe një bibliotekë të tërë të Lef Nosit, dhe punime të tjetërkujt i ka paraqitur më vonë si të vetat.

Letra është tejet interesante; mbetet vetëm pikëpyetja nëse është apo jo vërtet e Kutelit, edhe pse stili dhe fjalori përkojnë. Nuk është debati i parë në histori ku trajtohet plagjiatura, jo me copëza shkrimesh apo me tema diplomash, po me grabitje veprash. Rasti më i njohur është ai i autorit sovjetik të romanit “Doni i qetë”, ku Mikhail Shollohovi është akuzuar se ka marrë dorëshkrimet e ushtari kozak antisovjetik të vdekur në 1920-ën, Fjodor Kriukovit, dhe ka botuar më pas romanin me emrin e tij.

Janë bërë përgjatë shekullit të kaluar, edhe në të gjallë të Shollohovit, disa “testime” e “provime”, ku autoritetet sovjetike konkluduan se Shollohovi ishte autori i vërtetë; por kundërshtarët, ndër ta Aleksandër Solzhenicin, thonë se shkrimtari e rishkroi punën e grabitur se sigurisht që pas analizës, shkrimi do ishte i tiji. Por së pari, thonë kundërshtarët: Shtetit sovjetik nuk i interesonte që autori i një romani të suksesshëm botëror të dilte një djalosh anti-sovjetik; dhe së dyti: Veprat e mëpasme të Shollohovit nuk ishin kurrë në lartësinë e “Donit të qetë”, çka tregon se vepra nuk ishte e tija.

Debati “Shuteriqi-Nosi” ta do mendja se nuk do të marrë kurrë përmasat e atij Shollohovit. Gjindja e këtushme ka të tjera halle. Por fakti i grabitjes së punës së tjetrit, i falsifikimit, i plagjiaturës, i shtirjes, madje i të ushqyerit dhe ngritjes së një karriere me hajdutëri, është sot e gjithë ditën aktual. Është hall i madh dhe një ndër faktorët e kësaj gjendjeje të vendit. Janë shkatërruar e grabitur prona, janë vjedhur e kopjuar libra, doktoratura, tema, janë ndërtuar jetë të tëra njerëzish mbi falsitet e dyfytyrësi; janë pajisur breza të tërë “me letra” diplomash të shkollave të larta pa ditur të shkruajnë mirë emrin e tyre, ashtu sikurse me letra janë kopsitur sheshe ndërtimi e parcela, për të cilat ka debate të nxehta edhe këto ditë që po flasim. Ndaj, nëse romani i Blushit do ndjekë fatin e vet, ky moment le të na mbetet në kujtesë për shkak se hapi edhe një debat tjetër.

Dhe parë në këtë prizëm, letra e Mitrush Kutelit, (Dhimitër Pasko), këtij shpirti sa të vuajtur aq dhe fisnik, nuk është dhe aq një çështje e ngeshme historike, por një thirrje për të sotmen dhe të ardhmen. Që mesa kemi gatuar deri tani, nuk do jenë fort të ndritshme.

Share This Article
1 Comment
  • Dihet se sllavet nuk kane fise. Fiset i takojme kudo qe kane jetuar iliret dhe ata mund te jene asimiluar ne te tjere, por secili qe e ka ruajtur fisin, eshte gjak iliro-shqiptar! Andaj, duhet te bejne kujdes te gjithe, se bashku me Kutelin!…

    DRENICA E KUQE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *