Paraprakisht, dua të sjell në vëmendje të këtij Komisioni Hetimor Parlamentar si dhe publikut, rrethanat konkrete në të cilat u bënë publike pretendimet për përfshirje të Forcave të Armatosura dhe bazave të saj në trafik lëndësh narkotike. Akuzat kanë marrë shkas nga dalja në publik e një informacioni shkresor të SHISH të klasifikuar si “sekret”, ai me Nr.797 Prot datë 24.03.2014, drejtuar Ministres së Mbrojtjes, me lëndë:“Dyshime serioze për shfrytëzimin e aerodromit të Gjadrit, Lezhë, në funksion të transportit dhe trafikut të drogës”. Në këtë informacion citohet se: “më datë 19.03.2014, rreth orës 07:00, në Gjadër është ulur një avion i vogël sportiv, tip “charter” , me ngjyrë të bardhë. Pas uljes së avionit shumë afër tij erdhi dhe u afrua një automjet tip furgon “Iveco”, me ngjyrë të bardhë, i mbyllur, me targë të Vlorës. Ky avion vjen dhe ulet shpesh herë në aerodromin e Gjadrit”. Në po të njëjtën shkresë pohohet që në orën 8:00 të po asaj date, efektivë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë të kenë shkuar dhe të kenë marrë kontakt me personelin e shërbimit në Gjadër si dhe të kenë bërë verifikime në terren.
I gjithë informacioni shkresor i kërkuar nga komisioni hetimor parlamentar për sqarimin rrethanave, fakteve, akuzave të bëra publike në lidhje me sa më sipër, pasi u administrua rregullisht nga ana jonë, iu nënshtrua një shqyrtimi të hollësishëm, konform edhe ligjit për njohje me dokumentacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, nga i cili rezultoi se:
Çfarë ka ndodhur në Gjadër në 19.03.2014
Më datë 19.03.2014, që në orët e para të mëngjesit, punonjës të policisë së Komisariatit të Policisë Lezhë kanë komunikuar me personelin e shërbimit në Gjadër, lidhur me një informacion për një avion që pretendohej të ishte ulur po atë ditë në pistë për t’u ngarkuar me disa çanta që merreshin nga disa persona prej një furgoni.
Personeli ushtarak i shërbimit të vend dislokimit Gjadër mohon në mënyrë kategorike të ketë parë avion civil që të jetë ulur në pistë po atë ditë.
Për të konfirmuar sa më sipër, nga ana e tyre është këqyrur pista e aerodromit gjatë gjithë gjatësisë së saj dhe është parë se në të nuk kishte gjurmë fërkimi të rrotave me pistën, gjurmë të cilat karakterizojnë uljen e mjeteve ajrore. Ndërkohë dhe kanalet anësore të hapura për pengimin e hyrjes në aerodrome të mjeteve motorike, ishin të hapura.
Nga punonjësit e policisë është kontrolluar dhe vendi, jashtë zonës ushtarake, ku ndodhej i parkuar një avion i lehtë privat, kontroll nga i cili është parë se avioni ishte i mbuluar me pluhur dhe nuk kishte gjurmë të freskëta të përdorimit të tij..
(Shih shkresën Nr.103 Prot date 11.04.2014 të Komandës së Forcës Ajrore, raportimin e Komandantit të Vend dislokimit Gjadër, Gjon Leci si dhe informacionin shkresor me Nr.721 prot date 29.05.2014 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, paraqitur këtij komisioni.)
Në lidhje me datën 19.03.2014, është hetuar dhe nga Drejtoria e Kundërzbulimit dhe Sigurisë në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Nga informacionet e grumbulluara nga banorë të zonës, efektive të bazës, verifikimet mbi regjistrat e shërbimit për ulje ngritje të avionëve në pistën e Gjadrit, verifikimeve në Qendrën e Raportim Kontrollit në Komandën e Forcës Ajrore dhe Komunikatat e Qendrës së Bashkuar Operacionale, rezulton se nuk ka të dhëna që të konfirmojnë se më datë 19.03.2014 ora 07:00 në pistën e aerodromit të Gjadrit të jetë ulur ndonjë avion. (shih shkresën Nr.506 prot date 22.04.2014 të AIM drejtuar Ministrit të Mbrojtjes).
Strukturat e policisë së shtetit po ashtu kanë kërkuar të mbledhin informacion nga banorë të zonës lidhur me këtë datë, por shpjegimet e tyre kanë qenë kontradiktore, të prejardhura, dhe aq të përgjithshme saqë nuk lejonin asnjë lloj verifikimi për vërtetësinë e tyre.
Në këtë pikë, vlen të thuhet se edhe Shërbimi Informativ i Shtetit publikisht ka rezervuar të njëjtën konsideratë për rastin e datës 19.03.2014 duke e cilësuar atë si një rast të pavërtetuar, në verifikim e sipër. Ndërkohë sipas të dhënave të AlbControl në këtë date 19.03.2014, e theksoj, ka pasur vetëm një fluturim mbi zonën në fjalë dhe ky është fluturimi i një helikopteri të KFOR me destinacion Kroaci – Maqedoni dhe kthim, të cilit i është dhënë leje për ngritje mbi hapësirën Shkodër-Lezhë. Ky është konkluzioni që rezulton nga shqyrtimi i të gjithë informacionit zyrtar që institucione të ndryshme shtetërore disponojnë për ngjarjen e pretenduar më datë 19.03.2014 në Gjadër.
Çfarë ka ndodhur në Gjadër në 2012- fillim 2013
Në vijim, dua të tërheq vëmendjen mbi faktin më të rëndësishëm që ky Komision Hetimor ka arritur te administrojë. Bëhet fjalë për një dëshmi të plotë, të marrë në formën e kërkuar nga ligji, atë të dokumentit si edhe të shoqëruar me prova të tjera që provojnë katërcipërisht që nëpërmjet aerodromit te Gjadrit në periudhën 2012 – fillimi 2013, të jetë kryer transport në rrugë ajrore i lëndëve narkotike.
● Më konkretisht, në aerodromin e Gjadrit në Lezhë, sipas dëshmitarit të identifikuar rregullisht si shtetasi S.Gj ,(shih deklaratën e tij të datës 17.10.2013 të administruar nga Policia Ushtarake), në periudhën e mësipërme, është kryer aktivitet kriminal i transportit të lëndëve narkotike nëpërmjet avionëve të vegjël sportivë të cilët uleshin here pas here në pistën e aerodromit të Gjadrit..
Dëshmitari ka punuar në aerodromin e Gjadrit në Lezhë nga 2011-2013 si ushtarak (nënoficer) dhe në periudhën për të cilën ai ka dëshmuar, ka qenë me detyrë në shërbimin ushtarak të ruajtjes së pistës se avionëve në Bazën Ajrore Rezervë Gjadër. (shih shkresën me Nr.407/2 Prot date 28.05.2014 të Ministrisë së Mbrojtjes).
Ky dëshmitar pohon se:
“Kam qenë me shërbim në Aerodromin Gjadër Lezhë nga 2011-2013 …gjatë kohës që kam qenë me shërbim në muajin tetor 2012 kam patur informim nga persona që kanë bagëti se këtu ulet një avion charter në fund të Aerodromit …që ngarkonte disa arka të dyshimta.
Në një prej ditëve që unë isha me shërbim ulet avioni rreth orës 07.30, për të cilën kam komunikuar me telefon me Komandantin e Truprojës së Bazës së Gjadrit dhe i kam thënë se vjen një avion charter. Komandanti i truprojës (E.M) së bashku me rojen (S.Gj) kanë shkuar në aerodrome me motoçikletë dhe kanë gjetur avionin dhe 5 persona të tjerë dhe kanë konstatuar furnizimin me karburant dhe pako të mbështjella me natriban të avionit charter.
Janë pyetur personat në fjalë se çfarë po bënin në një bazë ushtarake dhe përgjigjja ka qenë se po bënin stërvitje në luftën kundër narkotikëve dhe se ishin të SHIK. Kur komandanti i truprojës u ka thënë “prisni se po vjen përgjegjësi”, njëri prej tyre u ka përsëritur se jemi të SHIK dhe kanë ikur.
Dëshmitarit i thonë të mbyllë gojën dhe e transferojnë nga Gjadri
Dëshmitari S.Gj. në informacionin e tij pohon se ka komunikuar me kapitenin A.Sh. duke i thënë se ishte ulur një avion i cili ka ngarkuar diçka të dyshimtë dhe ky i fundit ka komunikuar me Oficerin e Drejtimit B.D. i cili ka tentuar ta mbulojë këtë fakt duke i urdhëruar që të mos raportohej që është ulur avioni, por vetëm që ka fluturuar dhe se s’ka çfarë ju duhet me këtë punë.
I njëjti avion ka fluturuar pas dy ditësh por nuk është ulur në Gjadër. I njëjti avion ka ardhur dhe pas dy javësh. Dëshmitari ka parë personalisht në po këtë periudhë tetor 2012, 4-5 persona që ngarkonin avionin me karburant dhe me pako të mbështjella me natriban. I ka pyetur nëse kishin autorizim dhe ata i kanë dhënë të njëjtën përgjigje se ishin të ShISh. Personat në fjalë ishin të armatosur sipas këtij dëshmitari.
Ka komunikuar sërish me një epror, kapitenin A.Sh, i cili i ka thënë të mos u hapte telashe. Pas këtij momenti, avioni ka shkuar në Gjadër edhe dy herë të tjera por dëshmitari nuk është afruar, pasi disa persona nga Shkodra i kanë thënë se për të punuar në aerodrom i kishin marrë leje Ministrisë së Mbrojtjes.
Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, në fillim të vitit 2013 S.Gj e kanë lëvizur nga shërbimi në vend dislokimin e Gjadrit.
Të tilla veprime, këto ulje te avionëve qe ngarkoheshin me pako të mbështjella me natriban ne pistën e aerodromit të Gjadrit që përshkruan dëshmitari, janë kryer ditëve të shtuna dhe të diela ora 08:00 -11:30 dhe të martë e të mërkurë ora 13:00-15:30 ne periudhën TETOR-NENTOR 2012, por nuk janë evidentuar absolutisht në Librin e Shërbimit të Komandantit të Truprojes në Gjadër.
Në Gjadër u krijua kinse amulli në shërbimin-roje
●Dëshiroj të sqaroj se Aerodromi Rezerve, Qendra e Materialeve të Tepërta të FA dhe stacioni meteorologjik Gjadër/ Lezhë ( ky është emërtimi i ri i Gjadrit qe nga 01.06.2012), është në planin e përhapjes, por si personel të angazhuar në këtë strukturë, është vetëm stacioni meteorologjik. Personeli që angazhohet me ruajtjen dhe sigurinë është i Kompanisë së Mbështetjes Rinas. Shërbimi është i organizuar me një Komandant Truprojë, dhe dy vendroje 24-orëshe me armë. Pista e aerodromit ruhet me vëzhgim dhe i njëjti personel është i angazhuar dhe për ruajtjen e tre objekteve të tjerë.
Ka qenë pikërisht kjo amulli e krijuar në strukturën e Ruajtjes dhe Sigurisë së aerodromit të Gjadrit pas përfshirjes së tij në planin e përhapjes, ajo që mesa duket ka sjellë dhe abuzimin me detyrat nga ana e personelit në fjalë, dhe që imponoi detyrimisht sot:
– Riaktivizimin e pikave të zbulimit optikopamor ajror në të gjitha objektet ushtarake ku ka roje fikse
– Angazhimin e strukturave e Policisë Ushtarake në kontrollin e ruajtjes dhe sigurisë së objekteve ushtarake.
– Shtimin e numrit limit të personelit të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë së objekteve ushtarake
– Vendosjen e pengesave prej betoni fikse
Njësoj si me serverin e 21 janarit: Zhduken shënimet e hyrje-daljeve
● Le t’i rikthehemi çështjes së zbatimit të rregullave nga personeli i shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë që vepronte në Gjadër gjatë vitit 2012. Sipas shkresave me Nr.126 datë 18.04.2014 dhe asaj me Nr.217 Prot, datë 21.04.2014 të Komandës së Forcës Ajrore, drejtuar përkatësisht Ministrit të Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Jeronim Bazo, bëhet me dije se në Qendrën e Materialeve të tepërta të Forcave të Armatosura Gjader, në dokumentacionin e Shërbimit të Komandantit të Truprojës, mungojnë të dhënat e shërbimit për periudhat kohore 05.07.2012-28.09.2012 dhe 05.02.2013 -10.02.2013, çfarë do të thotë se për më shumë se 2 muaj gjatë vitit 2012 dhe më tej për disa ditë rresht në fillim të vitit 2013, nuk është mbajtur asnjë shënim ose më saktë janë zhdukur të gjitha shënimet, për të gjitha hyrjet, daljet, lëvizjet e trupave, mjeteve, ulje-ngritjet e avionëve, të ndodhura në Gjadër.
Zhdukja në mënyrë të dukshme dhe të qëllimshme e gjithë dokumentacionit të shërbimit për një kohë të gjatë, ngre dyshimin e arsyeshëm dhe të bazuar, se në aerodromin e Gjadrit po zhvillohej një veprimtari e paligjshme.
Kujtoj se në një vend dislokim ushtarak evidentohet dhe dokumentohet detyrimisht çdo e dhënë, çdo lëvizje trupash apo mjetesh, duke filluar që nga marrja dhe lënia e shërbimit deri tek ulja apo ngritja e çdo mjeti fluturues.
Sa për ilustrim të asaj që duhet të evidentohet në një venddislokim ushtarak, përfshirë këtu dhe Gjadrin;
● Sipas shkresës me Nr.114 Prot date 18.04.2014, të Komandës së Forcës Ajrore drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, rezulton që më datë 22.10.2013 në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, prej orës 13;40-15;43, të jetë zhvilluar fluturim stërvitor në lartësi të ulët nga Forcat Ajrore Amerikane, me një avion tip MC-130, Call sign Talon 71, nr.Clerance 493.
Për këtë fluturim është raportuar nga disa kulla, ajo e trafikut në Bazën Ajrore Farkë, si dhe personelet e shërbimit në aerodromin rezervë Gjadër, ai në Zefjanë/Bushat dhe në Bazën Ajrore Kuçove si edhe ne Librin e Shçrbimit të Komandantit të Truprojës Gjadër.
Pra një veprimtari e ligjshme siç është ajo e fluturimit stërvitor të FA Amerikane gjendet e dokumentuar rregullisht në librin e shërbimit, ndërkohë që mungesa ose zhdukja e të gjitha shënimeve për disa muaj rresht në librin e shërbimit të kësaj baze, tregon qartë dhe pa asnjë mëdyshje për një veprimtari të paligjshme të kryer në atë aerodrom ushtarak për periudhën 2012-fillimi 2013.
● Gjithashtu me shkresën me Nr.113 Prot date 17.04.2014 të Komandës së Forcës Ajrore, bëhet me dije se më datë 13.10.2013, nga Komandanti i kësaj force, Gjeneral Brigade Frederik Beltoja është lejuar pronari i avionit ultraliht Zenith CH 701 të kryejë provën e ndezjes së motorit, në brezin jeshil të aerodromit të Gjadrit,
Ky veprim është regjistruar rregullisht nga Personeli i Shërbimit të Qendrës së Grumbullimit të Materialeve të Tepërta Gjadër në librin e Shërbimit së bashku me përshkrimin për mbarëvajtjen e provës së ndezjes së motorit dhe me tej për çmontimin e krahëve të avionit për Transport Tokësor.(bashkëngjitur fotokopje e Librit të Shërbimit).
Çfarë ka ndodhur më pas me dëshminë e S.GJ.
●Të dhënat që sjell në dëshminë e tij, dëshmitari S.Gj, janë mbledhur me shumë kujdes nga struktura aktuale e Policisë Kriminale e Policisë Ushtarake, e cila nga ana e vet ka vënë menjëherë në dijeni, Shërbimin Informativ (shih shkresën Nr.2050 dat 30.10.2013) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë (shih shkresën me Nr.2049 datë 30.10.2013 ) dhe mandej në bashkëpunim me AIM ka organizuar planin operacional për mbajtjen në vëzhgim/ mbikëqyrje të bazës së Gjadrit për disa javë rresht, pajisjen me mjetet dhe instrumentet përkatëse të vëzhgimit dhe fotografimit të personave të cilët realizuan këtë mbikëqyrje.
Të dhënat e dëshmitarit S.Gj konfirmohen nga burime të tjera, të pavarura, çka na jep të kuptojmë se bëhet fjalë për një dëshmi të vërtetë, të plotë dhe jo të prejardhur.
Kjo është dhe diferenca thelbësore e kësaj dëshmie, nga çdo e ashtuquajtur dëshmi tjetër për këtë rast apo të tjera hipotetike, dëshmi të cilat janë kontradiktore, artificiale dhe mbi të gjitha të paprovuara në asnjë pjese të përmbajtjes së tyre. (shih informacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Nr.721 Prot, date 29.05.2014 dhe deklarimet publike të kreut të SHISH)
Nga informacioni shkresor i vënë në dispozicionin tonë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me të njëjtën shkresë, atë me Nr.721 Prot datë 29.05.2014, rezulton që në Gjadër, në afërsi të pistës të jetë stacionuar që përpara vitit 2013, avion sportiv të lehtë.
I njëjti informacion, konfirmohet dhe nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, e cila me shkresën Nr.488 prot datë 18.04.2014 dhe shkresën Nr. 506 Prot datë 22.04.2014 drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, na bën me dije se në Gjadër, në një hangar privat, ndodhet një avion sportiv dy vendesh….i cili para vitit 2012 rezulton të ketë bërë një ulje emergjence në nëntor 2010 në aerodromin e Kuçovës dhe më 11.06.2011 ky avion është ngritur nga Gjadri .
Po kështu, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shkresës së saj me Nr.12770/1 Prot, date 28.05.2014, rezulton që në vitin 2009, në muajt maj dhe dhjetor të jene importuar avione te vegjel sportive nga Italia dhe Sllovenia, njëri nga të cilët është avioni i stacionuar në Gjadër dhe këto dy raste, veç një importi helikopteri të përdorur, tip “Agusta- A… të importuar në fund të prillit nga një shoqëri të licencuar në QKR që në vitin 2008, e njohur për aktivitet të fluturimeve sportive, janë të vetmit në 15 importet e mjeteve fluturuese të kryera në Shqipëri për periudhën Janar 2009 – Maj 2014.
Pra në 15 importime mjetesh fluturuese, nga të cilat 12 janë importime mjetesh fluturuese apo pjesësh këmbimi nga Reparte të ndryshme Ushtarake, nr.4451, 4300, 3340, 3006, 3001, 2 (dy) importime janë për avionë privatë dhe janë kryer gjatë vitit 2009.
Të dhënat për një “avion fantazmë” shtohen në raport
Në zbatim të së drejtës që ligji “Për komisionet hetimore parlamentare” na njeh për të mbledhur krahas informacionit zyrtar edhe informacion jozyrtar, dua t’i bëj me dije këtij komisioni edhe një konkluzion tjetër, të përftuar nga analiza e një artikulli të një gazete online publikuar në fillim të vitit 2013, linkun e së cilës do ia vëmë në dispozicion organit përkatës, prokurorisë. Nga kjo analizë, rezulton që për të paktën një prej avionëve sportivë të sjellë në Shqipëri në vitin 2009, nuk ka asnjë informacion në bazën e të dhënave të Albcontrolit ndërkohë që nga shkrimi në gazetë, por dhe nga të dhëna të rrjetit social Facebook të shoqëruar me foto, ky avion ka fluturuar deri në vitin 2012, në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë (Tirana Fir) p.sh në Gjadër, Divjakë etj.
Fakti që në bazën e të dhënave në Albcontrol mungojnë të dhënat për këtë avion, do të thotë që ky avion nuk ka dërguar asnjëherë plan fluturimi tek Albcontrol, autoriteti I cili orienton lundrimin ajror (një lloj polici rrugor nëse do të mund të shprehesha ndryshe).
Ky avion pra, ka fluturuar para vitit 2013 jashtë hapësirës së kontrolluar që është ajo mbi 3000 feet dhe që klasifikohet si C dhe D, hapësirë tek e cila fluturojnë avionët VFR ose edhe ata ultralight.
Numri i fluturimeve, rënie drastike nëntor 2013-prill 2014
●E çmoj të nevojshme të theksoj se fluturime ajrore janë kryer dhe do të vijojnë të kryhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, cka nënkupton se fluturimi i kryer në bazë të rregullave që përcakton Kodi Ajror i RSh, aktet nënligjore në zbatim të tij, sikurse është Urdhëri i Ministrit të Transporteve Nr.113 datë 12.10.2012 “Për regjistrimin e avionëve civilë shqiptarë” , dhe nën mbikëqyrjen e dy autoriteteve të rëndësishme, Autoritetit të Aviacionit Civil qe miraton licensat dhe lejet e fluturimit dhe Albcontrol që ofron shërbim të lundrimit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, është një fluturim i lejuar.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga 1 Janar 2013 deri me 15 shtator 2013 janë kryer në total 14 388 fluturime, ndërkohë që për periudhën e mbetur e deri më 30 prill 2014 janë kryer në total, ulje dhe ngritje 11 306 fluturime, një mesatare e ngjashme fluturimesh në kohë të ndryshme.
Kjo e dhënë konfirmohet saktësisht nga AlbControl në informacionin shkresor me Nr.388/1 Prot datë 29.05.2014 drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
●Po ashtu , sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, (shih shkresën me Nr.883/1 Prot datë 23.05.2014) numri I Clearancave, dmth lejeve të dhëna operatorëve të huaj për të proceduar me ulje dhe ngritje nga një aeroport I certifikuar, në orarin e kërkuar, e që përdorin Avionë VFR ose e thënë ndryshe fluturojnë sipas rregullave të fluturimit visual, me shikim, që të shmangë pengesat nga avionë të tjerë, prej vitit 2009 deri në vitin 2013, variojnë në shifrat e mëposhtme ;
Viti 2009 shënon numrin më të madh të lejeve – 846 leje
2010- 798 leje
2011 -706 leje
2012-744 leje
2013 – 650 leje , viti me nr më të ulët të lejeve për avione VFR.
Sipas AAC nga 18.11.2013 deri në 30.04.2014 numri i fluturimeve me kërkesë private, për qëllime sportive, mjedisore etj, përfshirë dhe ato me parashute, është vetem 36.
Nga një llogari e thjeshtë rezultojnë 7 fluturime privatë në muaj, një mesatare deri në 10 herë më të vogël se ajo e shënuar në gjithë periudhën paraardhëse duke filluar nga viti 2009 e deri më sot.
Gjithçka, nën dirigjimin e kupolës së MM dhe FA
Të nderuar anëtarë të këtij komisioni parlamentar hetimor! Në përfundim të këtyre konkluzioneve, mund të themi se gjetjet e këtij komisioni hedhin poshtë akuzat për implikim të FA dhe bazave të saj në trafikun e lëndëve narkotike pas 15 shtatorit 2013.
Gjetjet e këtij komisioni mbi te gjitha vënë në pah sesi ky trafik ka filluar të lulëzojë me bashkëpunimin aktiv apo pasiv te strukturave shtetërore qe nga niveli baze i FA deri tek nivelet me te larta te FA ne Ministrinë e Mbrojtjes dhe me gjere, gjatë viteve 2010, 2011 e 2012, ku avionë sportivë të lehtë të përdorur për transport të lëndëve narkotike , fluturojnë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, pa lejen përkatëse të fluturimit ose pa bërë të njohur planet e fluturimit, jashtë çdo kontrolli, edhe pse dihet qartë prezenca e tyre në territor prej të dhënave të Doganës Shqiptare .
Trafiku i lëndëve narkotike me mjete fluturuese është organizuar dhe fshehur në forma dhe mënyrë të ndryshme nga ish strukturat e Forcave te Armatosura, Ministrisë se Mbrojtjes Aviacionit Civil;
Së pari:
Duke ulur klasifikimin e aerodromit te Gjadrit:
Sipas shkresës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Nr.12/1 datë 01.06.2012, ky aerodrom është emërtuar si Aerodromi Rezervë, Qendra e Materialeve të Tepërta të Forcave të Armatosura, Stacioni Meteorologjik Gjadër. (shih shkresën Nr.127 Prot datë 23.04.2014 të Komandës së Forcës Ajrore).
Kjo kohë, gjashtëmujori i dytë i vitit 2012 përkon jo rastësisht dhe me periudhën kur në mënyrë të përsëritur janë parë avionë që ngarkoheshin me drogë, ndërkohë që ishte ulur qëllimisht në mënyrë drastike numri i personelit ushtarak që bënte shërbim në Gjadër dhe që me siguri do mund të ishte dëshmitar i asaj veprimtarie të paligjshme që filloi pikërisht sepse ky aerodrom ushatrak u la jashtë vëmendjes së Forcave të Armatosura.
Së dyti:
Duke mos u dhënë alarmi nga autoriteti përkatës që avionë të lehtë sportivë fluturojnë pa asnjë leje , madje dhe kur të dhëna të fluturimeve të tilla , rastësisht janë bërë publike edhe në median e shkruar ..
Së treti:
Duke u fshirë shënime nga libra të shërbimit të Komandantit të Truprojës së bazave ajrore e që i takojnë pikërisht periudhës kur dëshmohet saktësisht dhe në vetë të parë, për avionë që ulen dhe ngrihen e që transportojnë lëndë narkotike.
Së katërti:
Duke u mbyllur gojën dëshmitarëve okularë dhe duke I larguar në vende të tjera pune.
Pra ka një kronologji veprimesh që lidhen në mënyrë logjike njëri me tjetrin dhe që në vetvete përfaqësojnë një lidhje të pastër të tipit shkak pasojë.
Në teorinë e të drejtës penale, lidhja shkakësore ose lidhja shkak pasojë, përbën një nga elementët e anës objektive të veprës penale, pa të cilën vepra penale nuk mund të ekzistojë.
Ish-qeveria ka lejuar trafikun me dashje direkte
Me fjalë të tjera, pasoja ose trafikimi i lëndëve narkotike, në periudhën e qeverisjes së mëparshme, ka ndodhur pikërisht sepse:
– Qeveria e mëparshme me dashje direkte ka lejuar daljen jashtë kontrollit, vëzhgimit dhe mbikëqyrjes së plotë, të bazave ajrore ushtarake, të cilat i ka konsideruar si qendra të grumbullimit të materialeve të panevojshme, të tepërta, duke lejuar në këtë mënyrë që kjo infrastrukturë e rëndësishme ushtarake, të bëhet pre e përdorimit dhe shfrytëzimit për transport nga ana e trafikantëve të lëndëve narkotike që në ndërkohë kanë mundur të shfrytëzojnë hapësirën ajrore krejtësisht të patrazuar nga autoritetet përgjegjëse për fluturimet ajrore, të vetmet që autorizojnë apo licencojnë fluturime, ulje/ ngritje të mjeteve fluturues, monitorojnë fluturimet,
– Ka nxitur bashkëpunimin nga pjestarë të caktuar të personelit të shërbimit të bazave ajrore të cilët kanë heshtur, nuk kanë njoftuar zinxhirin komandues të Forcave të Armatosure, dhe më e rënda kanë zhdukur për ditë të tëra shënime nga libri i shërbimit të Komandantit të Truprojës sic rezulton qartësisht në rastin e Gjadrit, me synimin e qartë fshirjen e gjurmëve të veprimtarisë së kundërligjshme që provohet të ketë ndodhur në periudhën kohore 2010, 2011, 2012 në Gjadër..
Berisha mbrojti personalisht në FB zyrtarin e përfshirë direkt
Kjo veprimtari e kundërligjshme vijon të mbrohet personalisht nga ish kreu i Qeverisë Sali Berisha, i cili në postimin e datës 30.05.2014, në Facebook, mbron haptazi një ish funksionar të lartë të forcave ajrore, S.Ç, i larguar nga detyra që mbante pikërisht për dyshime që lidhen me fluturime brenda dhe jashtë hapësirës ajrore me një avion i cili nuk ka as radio as transponder, çka i lejon të fluturojë në mënyrë të pakontrolluar. Por kjo është një tjetër cështje që i takon për trajtim prokurorisë.
Për më tepër personi I lartpërmendur , është pyetur nga Policia ushtarake (shih shkresën Nr.621 prot date 17.04.2014 të Policisë Ushtarake drejtuar Ministres së Mbrojtjes), dhe nuk ka pohuar në asnjë rresht të deklarimeve të tij, pretendimet halucinante me avione renegatë, që përshkruan ish kryeministri.
Çfarë duhet të ndodhë tani me këto fakte të rënda
Në punën e këtij komisioni hetimor parlamentar, është bërë kujdes që në asnjë rast, ky komision gjatë veprimtarisë së tij, të mos i mbivendoset kompetencave të organeve të tjera kushtetuese, siç është Prokuroria e Republikës së Shqipërisë, organi i vetëm, të cilit Kushtetuta në nenin 148 të saj, i ka njohur dhe dhënë shprehimisht atributin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe ngritjes së akuzës në emër të shtetit.
Faktet e bëra prezent deri më tani së bashku me të dhënat që u cituan e që sipas çmimit tonë i provojnë katërcipërisht ato, duhet t’i vihen në dispozicion organit kompetent , organit të Prokurorisë në mënyrë që ai të procedojë me kryerjen e veprimeve specifike që plotësojnë ngritjen e akuzës dhe sigurojnë vendosjen përballë drejtësisë të personave konkretë të cilët dyshohet që minimalisht, në periudhën kohore tetor – nëntor 2012, duke transportuar me mjete fluturuese lëndë narkotike, të kenë konsumuar figurën e veprës penale të Trafikimit të Narkotikëve të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal .
Nga informacionet e vëna në dispozicionin tonë, prej Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë si dhe Prokurorisë Për Krime të Rënda, përkatësisht me shkresat me Nr.1639/1 Prot date 22.05.2014 dhe ajo me Nr.1177/1 prot (E.I) datë 27.05.2014, rezulton që në Prokurorinë për Krime të Renda , të jetë regjistruar procedimi penal Nr.151 për vepren penale të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi bazën e akteve të dërguara për kompetencë lëndore nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe një materiali të Prokurorisë së Përgjithshme përcjellë Prokurorisë Për Krime të Rënda me 09.05.2014, materiale këto që i referohen pikërisht akuzave të bëra publike për implikimin e forcave të armatosura dhe bazave të saj në transportin e lëndëve narkotike.
Në një sere vendimesh që Gjykata Kushtetuese ka shpallur (VGjK nr.18/2003), në interpretim të nenit 77 të Kushtetutës që bën fjalë pikërisht për komisionet hetimore parlamentare, ka theksuar:
Komisioni hetimor duke hetuar një fushë të caktuar brenda kompetencave që përfshihen në përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit, mund të arrijë të gjejë të dhëna të cilat përbëjnë shkak për t’u vlerësuar nga ana e tij , por pa hyrë në sferën e organeve hetimore dhe gjyqësore të ngarkuara nga Kushtetuta për vlerësime të këtij lloji.
Roli i SHISH-it në këtë super-skandal dhe përfundimet e Komisionit
Çështja në fjalë, veç të tjerave, do të kishte pa asnjë diskutim një rrjedhë krejt tjetër, nëse shërbimi më i rëndësishëm i inteligjencës, SHISH, do ta kishte trajtuar me përgjegjësi dhe seriozitet, në kohën dhe momentin e duhur, informacionin e dhënë nga Policia Ushtarake që më 30.10.2013, nëse do të kishte bashkëvepruar me Policinë Ushtarake sipas kërkesës që kjo strukturë i adresoi, me shërbimin e inteligjencës në Forcat e Armatosura me të cilën ligji organik e detyron të bashkëpunonte, me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe sigurisht nëse nuk do të kishte ndarë në “mënyrë të pafajshme”, një të dhënë të papërpunuar, të paanalizuar, të pavërtetuar sipas tij.
Kjo lloj sjellje i shërbeu njëkohësisht, si fshehjes së ngjarjeve të ndodhura më parë ashtu dhe mundësisë për cënim të mëtejshëm të rendit dhe sigurisë publike nëpërmjet zbulimit në publik të të dhënave të klasifikuara, për persona që me veprime aktive të drejtpërdrejta dhe në bashkëpunim, kryejnë veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Në përfundim të gjithë sa më sipër, i propozoj Komisionit Hetimor Parlamentar;
1.Mbylljen e veprimtarisë së këtij komisioni hetimor parlamentar
2.Dërgimin e të gjithë materialit të shqyrtuar dhe administruar nga ky komision, Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë me qëllim vënien përpara përgjegjësisë, të të gjithë personave zyrtarë shtetërorë ose jo të cilët kanë bërë të mundur ngritjen dhe funksionimin e një linje të rregullt të trafikut ajror të narkotikëve nga baza ajrore e Gjadrit, në periudhën e ish qeverisjes së mëparshme.
Kryetare
Ermonela Felaj
*Fjala e plotë e mbajtur dje nga deputetja Felaj. Mestitujt janë të DITA-s

Fillon disheza e Berishes e Co,per vjedhjet e krimet ae ka bere ne kete vend ne keto 23 vite,nese do reformohet drejtesia,te krijoket gjykata e prekuria penale..!
cfare disheze mer meteh bolja.me kete qeveri pisash prit kur ta shohim prape kryeminister Brenda vitit sali kriminelin.osht bo puna cil e myll,nji here nji grup pisash,nji here nji grup tjeter pisash.