Përgjigje ambasadorit rus për tatarët, çamët dhe raportet ruso-shqiptare

anazapta

Ish deputeti dhe ambasadori shqiptar në Moskë, Shaqir Vukaj, botoi në DITA pas festivalit të fundit evropian dhe zgjedhjes së këngës fituese, një shkrim historik ku merrte shkas nga ngjarja muzikore që nuk i mungonin notat politike.

Z.Vukaj në atë material shkruante mbi fatin e tatarëve të Krimesë dhe sjelljen e Moskës zyrtare ndaj tyre, kryesisht në kohën e persekutimit nga Stalini të pakicave kombëtare.

Autori bënte dhe një krahasim interesant me fatin e popullsisë shqiptare çame në Greqi.

Ambasada ruse në Tiranë solli më pas një reagim në DITA, që u botua gjithashtu, ku tërhiqte vëmendjen mbi “mungesën e fakteve tё pranuara historike, me qёllim qё tё shmangej njёanshmeria e çёshtjeve tё trajtuara” në materialin e Shaqir Vukajt.

Për shembull, ambasada theksonte se “pas zhvillimit tё referendumit nё Krime, ku mё shumё sё 90% e popullsisё u shpreh pёr ribashkimin me Rusinё, nga Krimea u largua jo 20 000 banorё, siç shkruan autori, por vetёm 600 deri nё 800 banorё dmth mё pak se 1% e tatarёve, kryesisht ata qё bёnin pjesё nё organizata tё ndaluara nё Rusi si Hizbut-Tahrir-al Islami…”.

Më poshtë, vjen një përgjigje e gjatë e z.Vukaj në adresë të ambasadës dhe opinionit publik. 

****

Nga Shaqir Vukaj

1

Lexova me shumë vëmendje replikën e Ambasadës ruse lidhur me artikullin tim botuar më 2 qershor në gazetën Dita, për Festivalin Europian, ndikimin e politikës mbi artin e kulturën dhe historinë tragjike të tatarëve të Krimesë. Më erdhi mirë që punonjës të ambasadës ruse e kishin lexuar, siç më erdhi mirë për vlerësimin qe bënte Ambasada për punën time si ambasador i Shqipërisë në Moskë dhe kontributin tim për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Mbas një periudhe rreth 30 vjeçare ndërprerjeje totale të marrëdhënieve midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, me ndryshimet demokratike në të dy vendet, u hap një epokë e re edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në vitet 1991-1998, u rritën dukshëm marrëdhëniet midis dy vendeve, u shkëmbyen shumë vizita, madje edhe të nivelit të lartë, si dhe u nënshkruan disa marrëveshje të rëndësishme… Në këtë kuadër erdhi në Shqipëri, kryetari i Parlamentit Rus Hazbullatov, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Pjetër Arbnori dhe Kryeministri Shqipërisë Aleksandër Meksi vizituan Moskën etj. Në maj 1995 Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha vizitoi Moskën. Disa ministra shqiptarë vizituan Moskën etj.

Në Rusi punova në vitet 1998-2002. Në Moskë shkova me mendimin e mirë për thellimin e marrëdhënieve, madje me propozime konkrete për të thelluar marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërmjet të cilave propozimi për një vizitë të Presidentit tonë në Moskë, me ftesa për Kryetarin e Parlamentit Rus dhe për Ministrin e Jashtëm rus për të vizituar Tiranën, me projekte konkrete për disa marrëveshje në fusha të ndryshme etj.

Më takoi të punoja pikërisht atëherë kur bota përparimtare ndiqte me vëmendje ngjarjet tragjike të popullit shqiptar të Kosovës, mbështeste kosovarët në kërkesat e tyre të drejta dhe dënonte politikën e Millosheviçit, krimet e dhunën kundër shqiptarëve.

Ishte koha kur Uashingtoni, Londra, Parisi, Londra, Berlini, Roma e deri tek Sofja, Praga, Budapesti, Varshava, e madje edhe Bakuja, Tbilisi, Astanaja etj. mbështesnin me të gjitha mënyrat kosovarët dhe dënonin politikën e Beogradit dhe të nacionalistëve serbë.

Rusia, duke ecur në rrugën e paraardhësve të vet, mbështeti dhe përkrahu Serbinë e Millosheviçit, duke ju kundërvënë botës demokratike e në radhë të parë shqiptarëve, madje duke ndryshuar krejtësisht qëndrimin zyrtar ndaj Shqipërisë, kështu që puna ime si ambasador u vështirësua së tepërmi…

Ato vite unë kam parë, lexuar e dëgjuar gjëra nga më të pabesueshmet kundër nesh, shqiptarëve. Sigurisht që detyra ime ishte në radhë të parë të mbroja çështjen tonë kombëtare e të kundërshtoja me argumente e fakte atë lumë falsifikimesh, shpifjesh e akuzash që bëheshin kundër nesh nga historianë, analistë, gazetarë, politologë, ushtarakë e deri politikanë rusë.

Në shumë konferenca shtypi që kemi organizuar, në intervista apo takime unë kam folur për kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës dhe jam përpjekur të sqaroja opinionin e gjerë rus si qëndronte e vërteta. Më është dashur shumë herë të dilja hapur e të kundërshtoja qëndrimin zyrtar të Moskës, shprehur nëpërmjet Kryeministrit Primakov, Ministrit të Jashtëm Ivanov, Kryetarit të Dumës Shtetërore Seleznjev dhe shumë të tjerëve.

Megjithatë, edhe në ato kushte të vështira, kur histeria antishqiptare e disa qarqeve të caktuara në Rusi kishte arritur caqe të papara, ne si ambasadë, bëmë punën tonë dhe arritëm të bënim disa punë të mira për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Unë kam kaluar në Rusi disa vite të jetës sime, fillimisht si student dhe më vonë si diplomat. Kam qenë dhe mbetem mik i popullit rus, për të cilin ruaj përshtypjet më të mira dhe respektin e konsideratën më të lartë, për mikpritjen, për “shpirtin rus”, për kontributin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e shkencës, artit, kulturës etj.

Në të gjitha shkrimet e mia që lidhen me Rusinë, në mënyrë kategorike unë jam bazuar vetëm në dokumente, dhe kryesisht në dokumente ruse. Në librin tim “Rusia dhe Kosova” (libër rreth 700 faqe) për çdo problem të trajtuar u jam referuar dokumenteve të arkivave ruse, studimeve të historianëve e studiuesve rusë, deklaratave të politikanëve e udhëheqësve rusë, shtypit e medieve ruse etj. ku për çdo faqe janë dhënë  referencat përkatëse. Po ashtu, për shumë shkrime që lidhen me Rusinë, që unë kam botuar në shtypin shqiptar, si për shembull ato që lidhen me pjesëmarrjen e bjellogardistëve rusë për sjelljen në pushtet të ish Mbretit Zog, për pjesëmarrjen e vullnetarëve rusë në Luftën e Kosovës (1999), për batalionin shqiptar të Ballakllavit që ka luftuar përkrah rusëve në luftë kundër Turqisë, për Federatën Ballkanike e rolin e Moskës etj etj. unë jam bazuar kryesisht në materialet dhe dokumentet ruse…

Shaqir Vukaj

Shaqir Vukaj

Disa punonjës të Ambasadës Tuaj e dinë se unë kam punuar shumë me materialet e arkivave ruse, madje unë kam qenë iniciatori i nënshkrimit të Marrëveshjes midis Arkivave Shtetërore të dy vendeve në vitin 2000 dhe, punonjësit tuaj e dinë se, megjithëse në pension, edhe kohët e fundit, jam përpjekur të kontribuoj për zhvillimin e marrëdhënieve midis Arkivave Shtetërore të dy vendeve.

Në shkrimin, për të cilin Ju keni pretendime, nuk jam marrë fare me problemin e tatarëve të Krimesë në kohën e sotme. Unë kam trajtuar shkurtimisht problemin e tyre, që nga pushtimi i Krimesë deri sa ata janë kthyer në tokat e tyre, në fillim të viteve 90-të. Me këtë shkrim unë kam pas si qëllim, se pari, të shpreh qëndrimin tim kategorik kundër ndërhyrjes së politikës në art, kulturë, sport etj.

Së dyti, të përshkruaj shkurtimisht problemin e tatarëve të Krimesë, problem krejtësisht i panjohur për lexuesin shqiptar (edhe për lexuesit rusë deri në vitet 90-të) dhe, së treti, të bëj një paralele midis fatit të tatarëve të Krimesë dhe çamëve tanë të Greqisë, që i dëbuan me dhunë nga territoret e tyre, me të njëjtin pretekst (bashkëpunim me pushtuesit) dhe me njëjtin qëllim (Krimeja të spastrohej një herë e mirë nga tatarët e Krimesë, ndërsa Çamëria të spastrohej një herë e mirë nga shqiptarët).

Besoj e dini se kjo pjesë e popullit  shqiptar ka një histori të ngjashme me tatarët e Krimesë. Çamët janë shqiptarë si të gjithë ne të tjerët, kanë qenë  autoktonë në tokat e tyre, por “Të Mëdhenjtë” i lanë jashtë kufijve të shtetit të cunguar shqiptar të v.1912. Por, qarqet nacionaliste greke, nuk i lanë as atje të jetonin të qetë dhe i përzunë në mënyrën më barbare… Çamëria në Greqi, është tokë shqiptare,  nga e cila, në kohët moderne, mbasi janë vrarë e masakruar shumë shqiptarë, janë përzënë të gjithë pa përjashtim, njëlloj si tatarët e Krimesë…

Kënga e Xhamallas, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Europian (nga ku mora shkas për shkrimin tim) nuk është asgjë para këngëve çame, kur ata i këndojnë vendit të tyre, mallit për vatrat e tyre, njerëzve të tyre që i ndan për së gjalli. Mjafton vetëm një varg i njërës prej atyre këngëve të jashtëzakonshme … “nuk njeh motra vëllanë…” që të kuptohet tragjedia e tyre dhe, që kur e dëgjon, çdo njeri preket në thellësi të shpirtit.

Në atë shkrim kam pasur vetëm qëllimin e mirë, që t’u kujtoj të tjerëve, e në radhë të parë Athinës dhe ndërkombëtarëve se, në qoftë se problemi i tatarëve të Krimesë, megjithëse u shty për shumë vite, më në fund u vu në rrugën e zgjidhjes, ajo e çamëve tanë pret zgjidhjen e duhur…

Nuk jam marrë aspak me situatën e krijuar kohët e fundit as në Rusi, as në Ukrainë, as në Krime. Madje, për dijeni, në qoftë se i kini dëgjuar disa nga intervistat e mia dhënë disa kanaleve televizive apo, nëse i keni lexuar disa shkrime të miat për zhvillimet në Ukrainë e për rastin e Krimesë, jam shprehur kundër disa veprimeve të Perëndimit, që shërbyen si pretekst për ato që, fatkeqësisht po ndodhin midis Rusisë dhe Ukrainës…

Tani konkretisht për shkrimin e 2 qershorit, për të cilin Ju keni vërejtje. Në letrën Tuaj, Ju këshilloni që “do të ishte korrekt që në trajtimin e këtyre ngjarjeve, autori të mbështetej në fakte të pranuara historikisht me qëllim që të shmangej njëanshmëria e çështjeve të trajtuara”.

Nuk është traditë që në artikujt që botohen nëpër organet e shtypit të vihen referencat, burimet nga janë marrë të dhënat etj. Në radhë të parë dua t’ju them se për të gjitha problemet që shtrohen në artikull, si ngjarje historike, data, shifra etj. i kam marrë kryesisht nga burime ruse, nga libra, artikuj, deklarata të ndryshme, nga burime arkivore etj. Besoj se do të keni durimin e duhur për të parë dhe lexuar të gjitha burimet, të cilave unë i jam referuar. Burimet nga janë marrë, do i shkruaj në gjuhën ruse, por me germa latine, kështu që nuk do të jetë e vështirë edhe për Ju që t’i lexoni.

Do t’i përmend një nga një problemet e trajtuara në shkrimin tim, për të cilat Ju mund të keni dyshime për vërtetësinë e tyre dhe, kryesorja, shoqëruar me burimet nga janë marrë.

-Së pari që Krimeja është pushtuar në vitin 1783, mbas luftës Ruso-Turke dhe në këtë periudhë Krimeja ka pas rreth 500 mijë banorë, nga të cilët 92 përqind tatarë Krimeje.

(Vodarski J.E, Elisjejeva O.I, Kabuzan V.M, – Naselenie Krima v konce XVIII – konce XX vekov ( Cislenost, razmeshqenie, etniceski sostav ).  Moskva. 2003.

-Lidhur me politikën e Rusisë Cariste deri në Revolucionin e Tetorit 1917 dhe politikën e ndjekur ndaj tatarëve të Krimesë, gjendjen e rënduar të tyre, emigrimin drejt Turqisë dhe vendeve të tjera.

(Llopuhina T, Gradirovski S. Osobenosti socialkulturnovo preobrazovania Tavridi i socialkulturnoj pererabotki krimotatarskovo etnosa)

O viselenie tatar iz Krima v 1860. Russkaja gazeta.)

-Mbi pjesëmarrjen e tatarëve të Krimesë në luftë kundër pushtuesve gjermanë,

(Geroi Velikoj Otecestvenoj Vojni) (Sebat.org.ua 10.05.2014)

-Mbi bashkëpunimin e tatarëve të Krimesë dhe disa grupeve të popujve të tjerë, përfshi edhe të popullit rus me pushtuesit gjermanë…(Sipas dokumenteve të arkivave gjermane gjatë Luftës Dytë Botërore, numri i kolaboracionistëve sovjetikë ka arritur në 1.5 milion vetë, nga të cilët 1.2 milion u përfshinë në forcat e armatosura gjermane, pavarësisht nga emërtimet si “Ushtria popullore Kombëtare Ruse”, “Ushtria Çlirimtare Ruse” e deri tek njësitë ushtarake të popujve të Kaukazit)

 (Romanko O. Krimo tatarskie kollaboracionistskie formirovania v period Vtoroj Mirovoj Vojne).

-Deportimi  i tatarëve të Krimesë, pa mbaruar ende Lufta e Dytë Botërore (Postonavlenie GKO Nr.5859 ot 11.05.1944). (Berdinskih V.A. Specposelenci: Politiceskaja sillka narodov Sovetskoj Rosii- Moskva 2005. S.650)

 Lidhur me këtë problem, për të qenë e qartë për këdo (por edhe për të sqaruar lexuesin shqiptar) do të sjell materialin të plotë, sipas burimeve të sipërpërmendura.

Më 10 maj 1944, Komisari i Punëve të brendshme Ll. Beria i ka drejtuar letër të posaçme “Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes, Shokut Stalin” ku mbasi përshkruan situatën në Krime, “arrestimin e 5381 tatarëve, armët e kapura, qëndrimin e tatarëve të Krimesë gjatë luftës dhe dezertimin e 20 mijë vetëve prej tyre, veprimtarinë tradhtare të tyre” etj. etj. kërkon deportimin e tyre në Uzbekistan etj. (Deportacia. Beria doklladivaet Stalinu. Komunist. 1991 Nr.3 S.138-139)

Të nesërmen, më 11 maj 1944 Komiteti Shtetëror i Mbrojtjes mori vendimin N.5859 “Për tatarët e Krimesë” ku mbasi flitet për qëndrimin tradhtar të Tatarëve të Krimesë ndaj popullit sovjetik dhe Bashkimit Sovjetik, për kolaboracionizmin e tyre etj etj. vendosi:

“1. Të gjithë tatarët e Krimesë të dëbohen nga territori i Krimesë dhe  të vendosen për banim të përhershëm, në cilësinë e të vendosurve specialë në rajonet e RSS të Uzbekistanit. Dëbimi i ngarkohet Komitetit Kombëtar të Punëve të Brendshme. Ngarkohet KKPB i BRSS (Shoku Beria) që deportimin e tatarëve të Krimesë ta përfundojë më 1 qershor 1944”

Më poshtë në vendim shkruhet me hollësi për kushtet e dëbimit, çfarë u lejohej të dëbuarve të merrnin me vete, detyrat e Ministrisë Transportit për deportimin e tyre me trena të posaçëm, për detyrat ë organeve shtetërorë të vendeve pritëse etj.

Vendimi u firmos nga Stalini.

 (Stalinskie deportacii. 1928-1953. Moskva 2005. S.522) (Sluzhebnaja zapiska Stalinu Nr.424/b ot 10 maja 1944)

Deportimi u krye më 18-20 maj. Në letrën e dy zv/ministrave, njeri i Punëve të Brendshme dhe tjetri i Sigurimit të Shtetit, drejtuar  Komisarit të Punëve të Brendshme të BRSS. Ll. Beria,  ndërmjet tjerave thuhet:

“Raportojmë se operacioni i filluar sipas urdhrit Tuaj të dt.18 maj, për dëbimin e tatarëve të Krimesë ka përfunduar sot, më 20 maj , në ora 16. Janë dëbuar gjithsejtë 180014 vetë, janë ngarkuar në 67 trena, nga të cilët 63 trena me 173287 vetë janë dërguar në vendet e përcaktuara, katër trenat e tjerë do të nisen sot. Përveç kësaj, janë mobilizuar 6000 tatarë, të moshës për ushtar… Nga numri prej 8000 vetash,  dërguar sipas urdhrit Tuaj në dispozicion të ndërmarrjes “Moskovugol”, 5000 prej tyre janë tatarë. Në këtë mënyrë, nga Krimeja janë dëbuar 191044 vetë të kombësisë tatare. Gjatë dëbimit të tatarëve janë arrestuar si elementë antisobvjetikë, 1137 vetë, dhe gjatë operacionit janë arrestuar gjithsej 5989 vetë…”

Serov, Kobullov (J.Stalin-L.Berii “Ih nado deportirovat…)”

(Dokumenti, fakti, komentarii. Sost. N.F.Bugaj. M; Druzhba narodov. 1992. s.138-139)

-Nga kushtet e këqija, uria, torturat, puna e rëndë kanë vdekur afro 25 përqind e tatarëve të depërtuar. (Bekirova G. Krimotatraskaja problema SSSR (1944-1945) Simferopol.2004)

Deri në mesin e viteve, Moska ka pas si qellim që ata të zhdukeshin si popull, prandaj ata nuk figurojnë në asnjë prej regjistrimeve të zhvilluara në Bashkimin Sovjetik në vitet 1959, 1970, 1979)…

(Krimotatarkoe nacionalnoe dvixhenie. Tom I.Razdell I. Seria “Nacinalnoe dvizhenie v SSSR” CIMO-Moskva 1992)

-Përveç tatarëve të Krimesë janë deportuar muslimanët e Kaukazit (cecenët, ingushetët, karacajevcët, ballkarët etj.) (Bugaj N. H Pravda o deportacii cecenskovo i ingushetskovo narodov. Voprosi istorii 1990 Nr.7. S 32-44)

  Edhe në vitin 1987 në Moskë një komision i posacëm i krijuar për shqyrtimin e problemit të deportimit të tatarëve të Krimesë, doli me një konkluzion, që justifikonte deportimin e tyre.

(G.Bekirova “Stranici krimskoj istorii. Dollgaja doroga domoj. Krim. Realii 29.01.2015)

Në vitin 1989, Sovjeti Suprem i Bashkimit Sovjetik pranoi zyrtarisht se politika e ndjekur ndaj tatarëve të Krimesë ka qenë e paligjshme dhe një vit më vonë u vendos zyrtarisht që ata të lejohen të kthehen në Krime. (Deklaracia VS SSSR ot 14.11.1989 “O priznanii nezakonimi i prestupnimi  represivnih aktov protiv narodov, podvergshihsja nasilstvnomu pereseleniu i obespecenia ih prav”) (Postonavlenija Soveta Ministrov SSSR “O obrozovanii Goskomisii po problemam krimsko-tatarskovo naroda”)

 Lidhur me largimin e tatarëve të Krimesë mbas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në shkrimin tim thuhet se janë larguar rreth 20 mijë tatarë (Ju në replikën Tuaj thoni vetëm 600 vetë. Diferenca është tepër e madhe…….).

Shifra që unë kam përmendur është marrë nga disa burime dhe konkretisht:

(www.ostro.org – ku thuhet se  nga Krimeja kanë ikur 15-16 mijë tatarë Krimeje)

(GORDON-. GORDONUA.COM. 16 maj 2015- Nga Krimeja janë larguar 20 mijë tatarë  Krimeje)

(Krim Realii 6.1.2016. Olga Stripnik – Përfaqësuese e grupit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thotë se mbas aneksimit të Krimesë, janë larguar rreth 30 mijë vetë, nga të cilët rreth 20 mijë tatarë Krimeje).

Për këtë  problem është shkruar e folur shumë, por unë përmenda vetëm disa prej burimeve nga i kam marrë të dhënat.

Me respekt,

Shaqir Vukaj

 

Share This Article
1 Comment
  • KE SHTET PERFAQESON ‘NISHANI’!?
    -Shtetin e shqipetareve JO derisa me dijenine e tij u pezullua nga detyra kreu i policise se shtetit ‘PSE PERGJONTE KRIMIN’!
    -Shtetin e shqipetareve JO derisa i vetemi aeroport si objekt strategjik i rendesise se veçante eshte dhene me konçesion mafjes e ISIS!
    -Shtetin shqipetar JO perderisa tere ‘SISTEMI BANKAR’ pjese e se cilit edhe ‘zonja e pare’ eshte ne duar te krrimit e fullanerise qe 25 vjet kane eksportuar valuten jashte e importuar plehe dhe M..per popullin!
    -Shtetin shqipetar JO perderisa me dijenine e tij u lirua kreu i mafjes se sistemit bankar FullHani e ngeli ne burg vetem nje hajdut pulash qe vodhi ca qindarka Bitri!
    -Shtetin shqipetar JO perderi sa tere objektet e rendesise se veçane portet aeroportet jane ne duar te mafjes e ISIS ku bejne kontrabanden e droges dhe valutes se pasurise se popullit shqipetar 25 vjet ne MJERIM!
    -Shtetin e shqipetareve JO perderi sa shqipetaret 25 vjet trafikohen si SKLLEVER me gra si prostituta me femije per trafik organesh ne duar te mafjes e ISIS!
    -Shtetin e shqipetareve jo perderisa tere shqipetaret nuk kane as mbrojtje e as siguri per jeten ndersa tere MILIARDAT e armatimit e municionit u kthyen ne FLORI per XEN GEDAFIN apo Gerdecin per tu armatosur deri ne dhembe ISIS e shteti i Xhihadit!
    -Shtetin shqipetar JO perderi sa tere PASURITE STRATEGJIKE mbi e nentokesore ka 25 vjet qe shfrytezohen nga te huajt mafjozet e ISIS e shqipetaret 25 vjet pa pune e pa BUKE!
    -Shtetin shqipetar JO perderi sa nuk kerkon ARRESTIMIN ne flagerance te tere drejtuesve te sistemit bankar e financiar te djeshem e te sotem e te shperndaje parlamentin ku strehohet 25 vjet KRIMI E KORRUPSIONI ANTISHQIPETAR!?
    KE SHTET PERFAQESONI JU ‘ZOTI’ NISHANI!?

    P.S perrallat me ambasadore qe perfaqesojne shtete ne nje vend pa shtet jane ‘pordhe me rigon’!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *