Byroja Evropiane e Sigurimeve i ka dërguar një paralajmërim serioz palës shqiptare, ku kjo e fundit paralajmërohet seriozisht për përjashtimin nga Sistemi i Kartonit Jeshil. Letra e zbuluar ekskluzivisht nga DITA daton më 3 Tetor të këtij viti ndërsa në fund të Nëntorit Byroja Evropiane e Sigurimeve do të marrë një vendim, që me shumë gjasa mund të jetë përjashtues për afro 5 vite për shqiptarët nga sistemi i Kartonit Jeshil të Sigurimeve. Por çfarë ka ndodhur? Shqipëria, prej disa vitesh është bërë pjesë e sistemit evropian të atij që quhet “Kartoni Jeshil”. Ky sistem synon lehtësimin e procedurave të dëmshpërblimit në rastet kur në Shqipëri aksidentet shkaktohen nga autovetura ose mjete të tjera të transportit rrugor të regjistruara dhe të siguruara në vendet e BE-së. Nga ana tjetër sistemi siguron lehtësi si në masën e pagesës por edhe në procedurë, për automjetet shqiptare që kalojnë doganat e vendit dhe dalin në Evropë. Aktualisht me lehtësitë e siguruara nga përkatësia në këtë sistem të integruar evropian, një qytetar shqiptar që dëshiron të dalë me mjetin tij jashtë kufijve, mjafton të presë një “Karton Jeshil” të sigurimit dhe është në rregull me të gjitha detyrimet në raport me çdo të papritur ose aksident që mund të ndodhë në një shtet të huaj. Në rast se Shqipëria përjashtohet nga sistemi i “Kartonit Jeshil”, atëherë shqiptarëve do u duhet që në çdo doganë që kalojnë të paguajnë një taksë të posaçme.
Përllogaritja e riskut
Supozojmë se një qytetar shqiptar dëshiron të shkojë në Bullgari. Nëse shoferi shqiptar nuk ka një “Karton Jeshil” atëherë i duhet të presë sigurimin së pari në doganën Maqedonase dhe më pas në doganën Bullgare. Kjo tarifë është disa fish më e lartë se sa tarifa e paguar në sistemin e integruar të Kartonit Jeshil. Në rast të një përjashtimi zyrtar nga autoritetet evropiane, ekziston rreziku që vendet fqinje, vendet kufitare të rrisin tarifat për mjetet shqiptare që kalojnë kufirin. “Nëse Shqipëria del jashtë sistemit të integruar të Këshillit Evropian të Byrove, vendet fqinje, Maqedonia, Greqia, Italia, Mali i Zi , ndoshta dhe Kosova, mund të rrisin dhe tarifat e sigurimeve, për ta shfrytëzuar rastin, kështu që mos u habisni sikur një qytetari shqiptar t’i shkojë 200 euro tarifa për sigurimin në kufirin italian dhe pas kësaj i duhet të paguajë tarifë sigurimi në çdo pikë kufitare që kalon pas Italisë, për shembull dhe 300 euro nëse kalon në kufirin zviceran e kështu me radhë”, – i tha dje DITA-s një ekspert.
Dërgues: Këshilli Evropian i Byrove të Sigurimeve
Marrës: Byroja Shqiptare e Sigurimeve
Të Nderuar,
Zoti Saimir Zemblaku (Drejtor Ekzekutiv) dhe zoti Avni Ponari (President i Byrosë),
Si rezultat i mbledhjeve të zhvilluara në Shtator/Tetor 2013, në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit dhe Menaxhimit,
Sikundër kemi bërë të ditur në letrën tonë të 1 Korrikut 2013, Komiteti Monitorues, është mbledhur në fund të Shtatorit, për të matur zhvillimet e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, e për të vendosur më pas për një rekomandim final për Komitetin Manaxherial, bazuar kjo dhe në vendimin Nr3.2 të Asamblesë së Përgjithshme për vitin 2013.
Nga monitorimi i bërë, kemi arritur në konkluzionin se ecuria punës së Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe tregu i Kartonit Jeshil, mbetet problematik dhe përfaqëson një rrezik serioz , për stabilitetin e Sistemit të Integruar të Kartonit Jeshil.
Gjatë takimit të sotëm Këshilli Evropian i Byrove kam mbështetur rekomandimin e grupit monitorues që të vendosë Shqipërinë në statusin e monitorimit të pandërprerë, duke nisur që prej datës 7 Tetor 2013.
Garancia Financiare, duhet depozituar brenda datës 30 nëntor 2013. Ky afat vendoset në raport me afatet e vendosura në takimin përkatës do të shërbejë për verifikimin në kohë për depozitimin e garancisë.
Këshilli Evropian i Sigurimeve, është në dispozicion të plotë të çdo pretendimi nga ana juaj për çështjet e sipërpërmendura.
Sinqerisht:
Greeet Flore
Sekretare e Përgjithshme
* * *
Zbardhet raporti, përse u hetua Byroja Shqiptare e Sigurimeve
Sistemi shqiptar i sigurimeve të automjeteve është përpara një kolapsi. Autoritetet e Byrosë Evropiane kanë paralajmëruar përjashtimin e Shqipërisë nga sistemi, ndërsa raportet e monitorimit zbardhin edhe shkaqet e kësaj mase ekstreme. Gjithçka ka nisur në vitin 2011 Shqipëria prej disa vitesh është pjesë e sistemit të Këshillit Evropian të Byrove. Ky sistem krijon lehtësi për secilin vend në rakordimin e masave për dëmshpërblimin e aksidenteve dhe në lehtësitë për sigurimet në sistemin ndërkufitar. Për shembull, nëse një automjet i siguruar në Itali apo në Francë është shkaktar i një aksidenti të shkaktuar në Shqipëri, atëherë është Byroja Shqiptare e Sigurimeve që përcakton masën e dëmit dhe që kalon praktikën ligjore në vendin përkatës për dëmshpërblim Byroja shqiptare e Sigurimeve në thelb përfaqëson një elitë të të gjitha shoqërive shqiptare të sigurimeve, të cilat së bashku përfaqësohen në nivel evropian. Pra nga çdo kompani shqiptare sigurimesh, ka një përfaqësues në Byro. Bordi i Byrosë përbën përfaqësinë shqiptare. Kjo përfaqësi përbën dhe palën shqiptare në sistemin evropian të Byrove të Sigurimeve.
Problemet
Këshilli Evropian i Byrove këtë vit nisi një proces intensiv hetimi ndaj byrosë shqiptare, Shkaqet e nisjes së këtij hetimi lidhen në radhë të parë me kriteret financiare të depozitës së sigurisë së Byrosë Shqiptare. Nga të dhënat e pranuara edhe nga vetë Byroja Shqiptare e Sigurimeve, kjo e fundit është në një gjendje deficiti minues 12 milionë euro si detyrim i papaguar ndaj palëve pretenduese. Pika më kryesore është “Fondi i Kompensimit”. Pra nëse një automjet pëson një dëm pas një aksidenti si pasojë me përplasjen me një automjet tjetër që rezulton i pasiguruar, atëherë është Byroja e Sigurimeve ajo që shlyen dëmin. Aktualisht fatura e papaguar e aksidenteve të kësaj natyre shkon në 12 milionë euro dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka afro 12 milionë euro dëme të papaguara të kësaj natyre. Kjo është një shifër e rëndësishme në raport me numrin e popullsisë në Shqipëri dhe ka rritur nivelin e riskut të Byrosë Shqiptare. Por përveç këtij borxhi, një tjetër problem është bërë shkas për tensionimin e marrëdhënieve me nuklin evropian të Byrove.
Korrespondentët
Deri në vitin 2009, nëse në Shqipëri shkaktohej një aksident dhe shkaktar i aksidentit ishte një automjet i siguruar në një vend evropian, ishte Byroja Shqiptare e Sigurimeve ajo që kryente praktikën e përllogaritjes së dëmit. Në vitin 2009, parlamenti liberalizoi tregun dhe lejoi dhe operatorë të tjerë që mund të kryenin këtë lloj përllogaritje, në bashkëpunim me kompanitë evropiane përkatëse të sigurimit. Pasi nisën të futeshin në treg operatorët e parë privatë që në gjuhën profesionale quhen “korrespondentë”, në Gusht të vitit 2011, Byroja Shqiptare miraton një rregullore, që ua hiqte këtë të drejtë këtyre operatorëve. Vendimi i Byrosë ishte një “rregullore administrative” që dilte kundër një “ligji të miratuar nga Kuvendi”. Operatorët u ankuan në Këshillin e Byrove Evropiane dhe këta të fundit kërkuan shpjegime te pala shqiptare. Këta të fundit i thanë palës evropiane se rregullorja e tyre ishte miratuar dhe nga AMF-ja(Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që kontrollon tregun e Sigurimeve). Por sikundër rezultoi më vonë, në fakt AMF-ja, por edhe Autoriteti i Konkurencës e kishte konsideruar si të paligjshme këtë rregullore që godiste liberalizimin e tregut. Për këtë arsye, përfaqësues të Këshillit Evropian të Byrove, erdhën në Tiranë në Tetor 2011 dhe nga Byroja Shqiptare u premtua zgjidhja e problemit deri më 31 Dhjetor 2011. Por fiks në këtë datë, përfaqësuesi i Byrosë Shqiptare çoi çdo gjë në pikën e nisjes, duke përjashtuar çdo mundësi për mendimin e rregullores. Pas këtij veprimi autoritetet evropiane nisën monitorimin e tregut dhe të Byrosë Shqiptare, duke mos harruar të theksojnë në raportin paraprak të monitorimit edhe “sjelljen rrugaçërore të palës shqiptare”.

BE te shoh se mos i fluturojne gjylet mbi BE nga miqte e saj si puna juaj ,lere byrone e BE muci por shikoni cpo u punoni shqiptareve po u behen varret masive gati nga njrez si puna jote
Mesa duket kjo u puna e Byrose, ku eshte bere “m…ti kala” paska marre ere ne gjithe europen dhe tani paska qelbur edhe Brukselin. Njerezit s’marrin leket e aksidenteve nga Byroja per vite me rradhe, dhe as qeveria dhe as AMF nuk levizin as gishtin.
Normal, se me ata jadutet e PD-se, qe drejtojne Byrone ske cfare te presesh tjeter. Me nje ish-SHIKs te Berishes si puna e Saimir ZEMBLAKUT dhe AVNI SALI PONARIn, dite me te zeza priten.
Rruajna o zot se mos na pesojne ndonje aksident
TUNG.
fol pak me shkoqur…