Habjon Hasani
“DITA” ofron sot për lexuesit një material tepër profesional që qartëson disi valencën dhe raportin e muslimanëve shqiptarë të arrestuar me bujë në Tiranë tre javë më parë. Ata u arrestuan si të implikuar në rekrutimin dhe dërgimin në Siri të luftëtarëve shqiptarë, të cilët përfundonin luftëtarë për organizatën “Jahbat al-Nusra”(ose dhe el-Nusra) e cila konsiderohet si e lidhur me Al-Kaedën dhe terrorizmin. Materiali është një raport i studiuesit suedez Aron Lund, ky raport konsiderohet si një udhëzues tepër i saktë për shumë institute dhe institucione të interesuara sigurie, pasi jep një panoramë objektive të ekuilibrit të forcave dhe grupeve që operojnë sot në Siri.
Raportet e studiuesit Lund janë tepër voluminoze dhe të detajuara, por ne kemi shkëputur posaçërisht pjesën ku raporti identifikon grupimet me prirje ekstremiste dhe të dyshuara si të lidhura me rrymat ekstreme ideologjike por edhe me Al-Kaedën.
Është për t’u theksuar fakti se për të gjitha grupimet që veprojnë nën rrymën salafiste-xhihadiste, nuk ekzistojnë prova direkte që të lidhin ndonjërin prej grupimeve me Al-Kaedën, por vetëm të dhëna të tërthorta.
Grupi që shfaqet si më radikal dhe si më potenciali i lidhur me Al-Kaedën është “Al-Nusra”, si kontingjent i të cilit u konsideruan dhe muslimanët shqiptarë të arrestuar në Tiranë. Raporti i studiuesit suedez ofron dhe një panoramë tejet interesante të këtij grupimi i cili shërbeu si sebep për arrestimin e shqiptarëve nën dyshimin për implikim në rrjete terroriste.
Referuar burimeve nga fronti opozitar sirian, raporti i Lund zbulon se brenda grupimeve të rezistencës, organizata “Al-Nusra” konsiderohet si një grupim i cili është krijuar dhe që në fakt kontrollohet nga vetë Assadi dhe shërbimet e tij të inteligjencës në bashkëpunim me inteligjencën ruse.
Sipas këtyre të dhënave, rusët dhe Assadi, për të parandaluar ndërhyrjen frontale të amerikanëve, kishin marrë masa në kohë dhe kishin krijuar mes kryengritësve disa grupe të cilat reflektonin një linjë ekstremiste salafiste-xhihadiste, anëtarët e të cilave kishin pasur kontakte dhe lidhje dikur me Al-Kaedën ku mes grupeve spikat “Al Nusra”.
Pra plani ishte i tillë: Në momentin kur lëvizja opozitare anti-Asad do të mbështetej ushtarakisht nga SHBA, rusët dhe Assad kishin të gjitha provat për t’i thënë amerikanëve: “Shikoni çfarë po bëni, po i jepni oksigjen Al-Kaedës, po instaloni terrorizmin fondamentalist në Siri”.
Këto grupe nuk ishte shumë e vështirë të krijoheshin nga inteligjenca ruse dhe ajo e Assadit, pasi për dekada, regjimi sirian kishte njerëzit e vetë të infiltruar madje kishte dhe organizatat e veta në botën e ekstremizmit islamik. Siria edhe për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik, por edhe për shkak të prapavijës së fortë dhe rakordimit me inteligjencën ruse, për dekada me radhë krijoi dhe kontrolloi individë kyç dhe grupime ekstremiste sidomos në Liban-Palestinë-Irak.
Këto organizata ekstremiste me prapavijë siriane, i siguronin Sirisë dhe rusëve informacion të çmuar gjatë kontakteve apo bashkëpunimeve që kryenin me Al-Kaedën dikur në shumë fronte, por sidomos në Irak. Pra ‘lëndën e parë’ të kontingjenteve të lidhura me ekstremizmin islamik dhe fijet e Al-Kaedës Siria dhe rusët e kishin prej kohësh në dispozicion.
Për më tepër, raporti i Lundit, detajon dhe disa tipare të grupit “Al-Nusra” që e bëjnë tepër të dyshimtë aktivitetin e tij. Së pari ky grupim ekstremist, nuk ka identifikuar asnjëherë liderin e vetë, i cili shfaqet gjithnjë me emër të koduar dhe vetëm në disa incizime audio. Askush se di të kaluarën e tij, ku i siguron fondet, dhe në ç’mënyrë i organizoi komandantët kryesorë. Askush nuk di nëse ekziston vërtetë një lider i këtij grupi. Për më tepër, që opozita siriane nuk ka dyshime se ky grupim është një vegël në duart e inteligjencës ruse dhe asaj të Assadit, madje krerë të frontit opozitar sirian e bëjnë përgjegjës këtë grup si ekzekutor të një atentati të rëndë në Damask të orkestruar nga vetë Assadi në vitin 2012, që i krijoi shumë avantazhe Assadit, pasi u akuzua “Al-Kaeda” dhe “Al-Nusra” si autorë. Ky atentat ishte shumë përcaktues dhe vuri në alarm diplomacinë botërore pasi u përhap paranoja se në Siri “Al Kaeda” ishte ulur këmbëkryq. Opozita siriane nuk ka dyshime se e gjitha ishte lojë dhe orkestrim i vetë Assadit.
Por le të kthehemi tek arrestimet në Tiranë, nëse skema e studiuesit Lund funksionon dhe e vërteta është në anën e tij, atëherë “Al-Nusra” del një krijesë dhe ‘lodër’ në duart e rusëve dhe vetë Asadit, një organizatë “e shpikur” terroriste, për të kompleksuar diplomacinë botërore duke shfrytëzuar kontingjentet e besimtarëve muslimanë. Ndaj dhe, bazuar në këto të dhëna, shqiptarët e implikuar në këtë skemë, jo vetëm që mund të jenë viktima të një loje që as e kishin menduar(A nuk shkonin në Siri për të luftuar vetë Assadin ata?) por nga ana tjetër, këto të dhëna sugjerojnë se operacioni i arrestimeve në Shqipëri i bërë në bashkëpunim me autoritetet amerikane, në fakt mund të mos jetë një operacion që godet terrorizmin, por një operacion që pret fijet e një linje furnizimi me rekrutë, linjë e cila, mund të jetë e kontrolluar në mënyrë të tërthortë nga shërbimet ruse, të cilave në fakt u intereson vetëm “flamuri i xhihadizmit” dhe jo xhihadizmi në vetvete.
* * *
SKEMA: GRUPET XHIHADISTE NË SIRI
Një raport i hollësishëm i hartuar nga një studiues i mirëfilltë suedez për Sirinë dhe konfigurimi i grupimeve me tendencë xhihadiste dhe ekstremiste që veprojnë në Siri pas Kryengritjes. Ky raport i studiuesit Aron Lund është orientuar për lexim sidomos për zyrtarë të fushave të sigurisë, pasi konsiderohet si një ndër materialet më profesionalë dhe më të hollësishëm në lidhje me flukset dhe organizatat që operojnë në Siri.
Nga Aron Lund
Hyrje: Nuk ekziston një fraksion zyrtar i Al-Kaedës në Siri. Disa tentativa për të krijuar një grup të tillë, i cili u quajt “Al-Kaeda e Mesdheut Lindor”, u shpërbënë si pasojë e represionit qeveritar nga qeveria e Assadit në mesin e viteve 2000. Një numër grupesh të vogla xhihadiste kanë qenë aktive gjatë viteve 2000, më së shumti të lidhura me rezistencën irakene dhe/ose palestineze, apo komunitetin e refugjatëve në Liban. Mes tyre ishin grupet “Liga e pjesëmarrësve”, një grup palestinez i përqendruar në zonën e kampit të Ein-el-Hilue në jug të Libanit, të cilët do të përshkruhen në mënyrë të detajuar më poshtë, por dhe grupi “Ushtarët e Mesdheut Lindor”, një grup tjetër i vogël xhihadist që jo në pak raste është përplasur me autoritetet qeveritare Siriane në mesin e viteve 2000. Individë sirianë kanë qenë më parë të angazhuar me xhihadin por jashtë zonës së “Mesdheut Lindor, Levantit”, ku ndër më të njohurit është Abu Musab el-Souri, një guerilas rebel dhe teoricien dhe ndonjëherë shfaqej dhe si pjesë e Al-Kaedës.
Që prej protestave të nisura në Mars 2011 në Siri, por në mënyrë të veçantë në vitin 2012, janë krijuar disa grupe të ndryshme. Sot, ekstremi fetar i lëvizjes rebele siriane, është i përbërë nga një disa grupime-rrjete të vogla dhe lokale, disa prej të cilave madje nuk kanë as emër identifikues, por ekziston dhe një numër i vogël i disa grupeve të disiplinuara të cilët i përkasin doktrinës salafiste-xhihadiste. Dallimet mes tyre janë dhe të vështira për tu bërë. Ka nga ata që ndajnë vetëm disa aspekte të ideologjisë salafiste-xhihadiste. Për shembull, disa grupe kryengritësish, flasin për xhihad dhe përdorin dhe përdorin simbole që i përkasin lëvizjes ndërkombëtare salafiste-xhihadiste, por jo të gjithë ata kanë ndonjë ide apo njohje mbi ideologjinë salafiste-xhihadiste. Por nga ana tjetër, ka dhe organizime, të cilat, kanë besim të sinqertë islamik, të cilat nuk mund ti quash si pjesë e lëvizjes salafiste-xhihadiste të lidhur me Vëllazërinë Muslimane. Në terren, në disa fshatra të veçuara apo klane, fraksionet politike bashkëpunojnë shpesh në harmoni perfekte duke ndarë mes tyre bazat, arsenalin, duke përfshirë në bashkëpunim së bashku grupet xhihadiste dhe jo-xhihadiste, madje ndodh shpesh që edhe brenda së njëjtës familje, anëtarë të ndryshëm të jenë të ndarë në grupe të ndryshme. Për shembull, Abdelaziz el-Salama, lider i divizionit FSA në Alepo, ka një kushëri i cili është ndërkohë komandant në grupimin Jahbat-el Nusra.

Lista e grupimeve që do të parashtrohet më poshtë, nuk duhet kuptuar si lista e përfaqësive e lëvizjes rebele në tërësi, ose një listë shteruese e grupeve xhihadiste në Siri. Kjo listë përfaqëson grupimet më të njohura dhe qartësisht të lidhura me ideologjinë salafiste-xhihadiste, që shpesh ofron dhe një kufi ndarës me grupet e Vëllazërisë Muslimane.
-ORGANIZATA “JAHBAT AL-NUSRA”
Jahbat Al-Nusra(Fronti për ndihmën ndaj popullit të Mesdheut Lindor nga muxhahedinët”) nuk është grupi më i madh xhihadist në Siri, por s’ka pikë dyshimi se ai është grupi më i famshëm xhihadist dhe një nga grupet më të preferuara për të pasur “dritën jeshile” nga Al-Kaeda. Ky grup ka mbështetjen e disa prej mendimtarëve më të njohur të linjës xhihadiste, e në mënyrë të qartë shihet nga pjesa më e madhe e komunitetit botëror xhihadist-salafist si përfaqësuesja më e denjë e linjës “së tyre” në Siri.
Jahbat Al-Nusra, manifestoi ekzistencën e saj në publik për herë të parë në një video-mesazh të janarit të vitit 2012. Reputacioni i saj ka marrë dhenë sidomos pas një serie sulmesh spektakolare vetëvrasëse me makinat-bombë në qendrat urbane në Siri, të shfaqura në mënyrë të mirëmenduar në disa mesazhe video. Kjo organizatë ka mundur të eliminojë disa figura të rëndësishme pro- regjimit të Assadit(më së shumti figura ushtarake, por edhe civilë dhe gazetarë), është e angazhuar në pengmarrje dhe ekzekutime, e specializuar në sulmet me bomba ndaj autokolonave të ushtrisë së Assadit.
Grupi ka natyrë sekrete dhe elitare, në të përfshihen shumë luftëtarë të huaj dhe ka një prezencë të limituar në rrugë. Nëse gjykojmë nga të dhënat e ekspozuara prej vetë këtij grupi, rezulton se ata nuk përfshihen asnjëherë në luftime frontale. Megjithatë disa raportime mediatike gjatë verës së vitit 2012, ndikojnë se ky aspekt i tyre mund të ketë ndryshuar tashmë. Disa anëtarë të nën-grupeve të Jahbat al-Nusrës, janë rreshtuar pranë brigadave të FSA-së, ndërsa xhihadistë të tjerë kanë shkuar veçanërisht në zonën e Idlebit, Dier El-Zorit dhe në rajonin e Alepos. Në Alepo, një komandat lokal i Jahbat al-Nusrës, deklaronte në mesin e gushtit se kishte 300 ushtarë në komandën e vetë. Nëse gjykojmë bazuar mbi videot që ka ofruar Jahbat al-Nusra, filiali i zonës së Dier el-Zorit ka një mision special të sulmeve efikase të papritura ndaj forcave qeveritare, nëpërmjet pusive të organizuara me sulme me armë të lehta në zona të izoluara.
Në mënyrë paradoksale, Jahbat al-Nusra, duket më e fortë në zonën e Damaskut, Dier el-Zorit, Alepos dhe në disa zona të jashtme rurale si Deraa, Hama etj. Një analizim i deklarimeve të Jahbat Al-Nusras, flet për një prezencë të mirë të tyre në zonën e Damaskut, por konfirmimi i këtyre formacioneve të armatosura në terren, vështirë të thuhet me siguri.
Kush janë arkitektët e organizatës?
Teoritë më të besueshme për prapavijën e themelimit të Jahbat al-Nusrës, janë ato që e lidhin krijimin e saj me disa xhihadistë të “Mesdheut Lindor”, të cilët më herët ishin angazhuar me Al-Kaedën dhe grupime të tjera islamike në Irak të cilët njihen si organizata ISI (Shteti Islamik i Irakut). Ata që mbështesin teorinë se Jahbat al-Nusra ka lidhje me Al-Kaedën, lidhen me faktin se “xhihadistët ndërkombëtarë” e mbështetën hapur dhe fuqishëm këtë organizatë në veçanti. Për të tepër disa forume të xhihadistëve në internet, kanë paralajmëruar me bujë hedhjen në me bujë të videove të kësaj organizate. Jahbat al-Nusra ka një prezencë domethënëse sidomos në rajonin e Sirisë lindore, pranë Irakut, madje në disa intervista të rralla, anëtarë të kësaj organizate kanë lënë të kuptohet se kanë lidhje me rezistencën xhihadiste në Irak.
Por është me rëndësi të thuhet se as Al-Kaeda dhe as Jahbat al-Nusra në asnjë rast nuk kanë pranuar përkatësinë respektive ndaj njëra-tjetrës. Për më tepër, kreu i Al-Kaedës, Aiman El-Zauahiri, ka mbështetur revolucionin sirian në tërësi, duke mos preferuar që të ofrojë mbështetje publike për ndonjërën nga organizatat në veçanti. Nga ana tjetër, të gjithë anëtarët e Jahbat al-Nusrës, në të gjitha rastet kur janë kontaktuar kanë bërë kujdes që as të mos e përmendin emrin e Al-Kaedës.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një burim kompetent të opozitës siriane, i cili ka kontakte direkte personale me liderët e niveleve të mesme të Jahbat al-Nusrës në Governancën e Idlebit, rezulton se “kjo organizatë është krijuar nga sirianë që kanë shëtitur nëpër botë duke luftuar, e që kanë kontakte solide me Al-Kaedën. Këta luftëtarë kanë luftuar në Irak, Somali, Afganistan, e për pasojë ata kanë një eksperiencë të mirë dhe lidhjet e duhura për të siguruar para dhe armatime”.
I njëjti burim kompetent sqaron se Jahbat Al-Nusra, pranon lirisht dhe vullnetarë jo-sirianë, të huajt rrallë marrin pjesë në përballjet frontale, më shumë ata marrin përsipër atentatet e befasishme ose trajnimin në kampe.
Por burimi ofron dhe një të dhënë tepër interesante. Sipas tij, disa anëtarë të Jahbat el-Nusrës, janë të njohur personalisht prej tij, pasi dikur kanë bashkëpunuar me regjimin e Assadit, gjatë luftës në Irak, madje burimi shton se ky kontingjent brenda organizatës “përdoret dhe manipulohet në mënyrë të tërthortë nga regjimi i Assadit”.
Shumë disidentë të tjerë sirianë, përfshirë këtu dhe udhëheqës të lartë të fronteve opozitare të SNC-së dhe FSA-së kanë përmendur të tilla dyshime mbi manipulimin e këtij grupi nga vetë regjimi i Assadit.
Por edhe grupime të tjera xhihadiste-salafiste kanë bërë distancim të qartë nga organizata Jahbat Al-Nusra, por dhe teologë dhe frymëzues të rëndësishëm të linjës salafiste-xhihadiste kanë distancuar qartë këtë organizatë, ku më i njohuri është Abu Basir el-Tartousi, një mendimtar i shquar teologjik, i cili ka vënë gjithnjë theksin për tu larguar nga organizata Al-Nusra dhe ka shpallur frontin e FSA-së si zgjedhjen e tij “heroike muxhahedine”.
Disa nga kritikat kundrejt Jahbat el-Nusrës, përqendrohen sidomos në në natyrën e saj të mbyllur dhe aspak transparente krahasuar me grupimet e tjera. Lideri i saj(njihet me nofkën e luftës si Fateh El-Joulani), shfaqet vetëm nëpërmjet disa regjistrimeve audio dhe grupimi refuzon të japë detaje mbi të kaluarën e tij.
Ndërsa prej organizatës kjo shpjegohet me nevojën për sigurinë e liderit dhe ruajtjen e sekretit, mosbesimi ka nisur të lindë në radhët e xhihadistëve ndaj kësaj organizate dhe kanë marrë dhenë zërat se “Al-Nusra është një krijesë dhe një sajesë e vetë regjimit të Assadit”.
Disa dyshime serioze ranë mbi këtë organizatë sidomos në atentatet e datës 10 Maj 2012, ku dy shpërthime të fuqishme u regjistruan në jugun e Qazazit, një zonë periferike e Damaskut duke dëmtuar ndërtesa të asaj që njihet si Direktorati i Inteligjencës, një godinë tepër e ruajtur dhe e fortifikuar qeveritare dhe që njihet si vendi ku regjimi kryente torturat. Shpërthimi përveç zyrtarëve shkaktoi dhe shumë viktima në civilë dhe ky akt terrorist u dënua gjerësisht nga shumë shtete të botës.
Fronti opozitar i SNC-së, pa humbur kohë akuzoi regjimin e Assadit se kishte orkestruar vetë të gjithë atentatin për të gjetur alibi më pas që të vërtetonte “ekzistencën e bandave terroriste në Siri”. Edhe fronti tjetër opozitar FSA gjithashtu akuzoi Assadin se ishte në fakt vetë ai arkitekti i këtij sulmi.
Më pas, media qeveritare e Assadit nisi të jepte të dhëna dhe akuzoi direkt organizatën Jahbat Al-Nusra duke cituar një deklaratë të kësaj organizate ku sipas deklaratës vetë organizata merrte përsipër atentatin. Ky pretendim i regjimit rezultoi se ishte një mashtrim, pasi pak kohë më vonë, më datën 13 Maj, krahu mediatik i organizatës Al-Nusra i hodhi poshtë këto pretendime të regjimit.
Por ç’ka i çuditi të gjithë, ishte ajo që erdhi pas kësaj deklarate mohuese. Pasi në disa deklarata të tjera që bëri Al-Nusra lidhur me këtë ngjarje, kjo organizatë as pranonte dhe as mohonte më implikimin në këtë sulm të shumë komentuar. Madje organizata, pak orë më vonë deklaroi se : “nuk kemi dhënë as informacion pohues dhe as informacion mohues mbi rolin tonë në këtë sulm”
Nga ana e tyre grupet e frontit të opozitës kanë akuzuar në mënyrë konstante regjimin si orkestrues të këtij sulmi terrorist, por nga ana e saj organizata Jahbat Al-Nusra, pas ‘qëndrimeve të lëkundura’ që mbajti orët e para pas sulmit, në muajt në vazhdim, nuk guxoi asnjëherë të sqaronte tërësisht pozicionin e saj në raport më këtë sulm.
-BRIGADA ANHRAR EL-SHAM
Brigada e Anhrar el-Shamit(Brigada për Çlirimin e Mesdheut Lindor) përfaqëson një rrjet të disa grupeve xhihadiste të shpërndarë në disa provinca të Sirisë, me një përqendrim të fortë në veriperëndimin e Sirisë. Duket se kjo është organizata xhihadiste me numrin më të madh të anëtarëve që operon në Siri dhe përmbledh fraksionet më të rëndësishme rebele në këtë vend. Themelimi i saj daton nga fundi i vitit 2011, ndërsa themeluesit e saj të parë e kanë nisur aktivitetin që në fillimin e vitit 2011, përpara se revolucioni sirian të plaste. Dihet shumë pak për lidershipin e kësaj organizate, por shpesh ajo ekspozon “përfaqësuesin e saj ushtarak”, një tip që quhet Abul-Hasan. Grupi vetë-konsiderohet i pavarur dhe ka bërë të ditur se nuk është zgjatim i ndonjë grupi, partie apo organizate tjetër. Retorika e kësaj organizate është dukshëm xhihadiste, por në asnjë nga deklarimet apo pretendimet publike të kësaj organizate nuk vërehet fryma apo ndikimi nga idologjia salafiste-xhihadiste, ndërsa organizata vë shumë theksin tek devotshmëria kombëtare siriane. Kjo organizatë nuk ka në përmbajtjen e vetë grupe të lidhura me rrymën salafiste-xhihadiste, por organizata, njësoj si në rastin e Jahbat el-Nusrës, pranon në radhët e saj luftëtarë të ardhur nga shtete të tjera. Organizata mendohet se ka nën kontroll 50 grupe operative të gatshme sulmuese dhe është e njohur për disa goditje dhe sulme të organizuara në qendrat urbane kundër forcave qeveritare.
-FATEH EL-ISLAM
Origjina e Fateh el-Islam(Pushtimi Islam) është objekt i shumë teorive që përplasen mes tyre. Grupi fillimisht është krijuar në vitin 2006, si një filial xhihadist i organizatës Fatah el-Intifada(Kryengritja e Fatahut). Kjo e fundit është një fraksion margjinal e PLO-së palestineze e cila u shkëput nga linja e Jaser Arafatit që në vitin 1983 dhe që për vite me radhë ka qenë një grupim tepër besnik i regjimit të Assadëve. Ky grup ka një prezencë jo domethënëse në Liban dhe Siri, por përgjithësisht është i angazhuar në ringritjen e urave të bashkëpunimit me filialin e Al-Kaedës në Irak.
Krijuesi i Fatah el-Islam dhe lideri i parë i saj është Shaker el-Absi, një palestinez i implikuar në sulmet xhihadiste kundër objektivave amerikane në Jordani, i cili së fundmi, për arsye ende të panjohura, u la i lirë nga një burg në Siri. Gjatë një beteje në vitin 2007, Absi u zhduk. Ai me shumë gjasa u strehua në Siri, ku Fatah el-Islam organizoi një atentat të papritur me bombë në Damask në Shtatorin e vitit 2008. Në Dhjetorin e po të njëjtit vit, Fatah el-Islam lajmëroi se Absi, kishte humbur jetën pas një konfrontimi me forcat siriane në jug të Damaskut. Një tjetër palestinez, i quajtur Abderrahman Aoud u shpall si pasuesi i tij. Pasi dhe ky humbi jetën në një pritë që i bënë në Liban në vitin 2010, identiteti i liderit të Fatah el-Islam u kthye në diçka misterioze që askush nuk e dinte. Në korrik 2012, kjo organizatë hodhi një regjistrim audio të drejtuesit të saj, i prezantuar me nofkën e luftës si Abu el-Shami, por asnjë e dhënë nuk ekziston për kombësinë e tij apo të kaluarën dhe identitetin e vërtetë. Mbi këtë grup shumëkush pretendon se është një krijesë e shërbimit inteligjent të Asadit në përpjekje për të mbajtur nën kontroll ekuilibrat në Liban, por regjimi nga ana e tij, publikisht shprehet se ky grup është një grup i manipuluar nga forca dhe milionerë anti-Assad sunit pikërisht për të shtënë ata kontrollin mbi Libanin.
Lidhjet e këtij grupi dyshohet se kanë pasur përherë kontakte intensive me Al-kaedën dhe me linjat salafiste-xhihadiste, madje ky grup është shumë i promovuar dhe në forumet ekstremiste në internet. Pavarësisht kësaj valence, forcat opozitare në Siri, nuk kanë kurrëfarë dyshimi se ky grup nuk është gjë tjetër veçse një krijesë e shërbimit inteligjent të Assadëve dhe që përherë ka qenë nën kontrollin e tyre të plotë dhe është përdorur mjeshtërisht nga ky shërbim.
DIVIZIONI SUQOUR EL-SHAM
Divizioni Suqour el-Sham(Fajkonjtë e Mesdheut Lindor) është grupi më i madh në veriun e Sirisë. Ky grup deklaron se ka në dispozicion rreth 6 mijë luftëtarë të ndarë në disa brigada. Ky grup pretendon se është pjesë e rrjetit të opozitës siriane të FSA-së brenda Sirisë por një lider i këtij grupi ndonëse ka pranuar bashkëpunimin ka thënë se nuk janë nën komandën e tyre direkte. Ideologjikisht ky grupim është qartësisht islamit. Grupi ka realizuar disa atentate me autobombë dhe ka një retorikë të theksuar fetare.
BRIGADA ANSAR
Brigada Ansar është një grup salafist-xhihadist i pavarur i cili lufton në qytetin e Homsit. Ideologjikisht ai kombinon një retorikë të sofistikuar xhihadiste me tonet atdhetare.
DIVIZIONI UMMA
Divizioni Umma(Umma do të thotë: “Kombi pan-Islamik) ka bërë një nam të vetin sidomos për qasjen e vogël të luftëtarëve të huaj. Baza kryesore e operimit të këtij grupimi është Governanca e Idlebit, pranë kufirit me Turqinë. Grupi deklaron se ka rreth 6 mijë luftëtarë por në terren numri është vlerësuar si më i ulët. Rreth 90 për qind e anëtarëve të këtij grupi janë sirianë. Grupi ka një retorikë xhihadiste por në komunikimet publike thekson gjithnjë se nuk do të lejojë asnjëherë manipulimin e tij nga asnjë shtet tjetër dhe as nga regjimi i Assadit. Por pavarësisht kësaj, grupi duket se mbështetet fuqishëm nga Katari por shpesh merr mbështetje dhe nga një numër shtetesh të tjera, sidomos shtete të rajonit pranë Sirisë.
FRONTI REVOLUCIONAR SIRIAN(SRF)
Në Qershorin e vitit 2012 u shpall krijimi i këtij fronti i cili përmblidhte vullnetin për bashkim të disa fraksioneve të ndryshme. SRF-ja është pjesë e NSA-së(opozitës siriane). SRF-ja rezulton se ka krijuar në rajone të ndryshme disa aleanca pragmatike dhe me grupet e udhëhequra nga ideologjia ekstreme salafiste-xhihadiste.
GRUPI “EL-MOUMINOUN YUSHARIKON”
Grupi salafist “EL-Mouminoun Yusharikon”(Pjesëmarrësit Besimtarë) mori njëfarë fame gjatë protestave dhe kryengritjes në Siri, sidomos kur lideri i këtij grupi, Rushdi el-Zoubi u identifikua publikisht në televizionin Al-Arabia si fytyra publike e salafizmit sirian. Ai është një veteran i xhihadit dhe ka luftuar në Afganistan dhe në Bosnjë dhe ka jetuar në Sudan në periudhën kur dhe Osama Bin laden qëndronte i fshehur atje.
GRUPI “FAJR EL-ISLAM”
Grupi Fajr el-Islam(Lëvizja Myslimane) është një grup operativ i vogël në zonën e Alepos. Dihet pak për këtë grup dhe për tendencën e tij ideologjike. Ky grup nuk shfaq asnjë interes për të bërë shfaqje publike apo për të fituar vëmendjen e medias.
BRIGADA “ABDULLAH AZZAM”
Grupi e ka marrë emrin nga një luftëtar xhihadist i njohur i cili humbi jetën në vitet ’80 në Afganistan. Ky grup është qartësisht i identifikuar si pjesë e rrjetit të xhihadizmit salaf. Ky grup drejtohet nga një shtetas i Arabisë Saudite i quajtur Muhamed el-Majed, i cili është një ndër personat më të kërkuar në Arabinë Saudite për terrorizëm. Nuk vërehet ndonjë aktivitet i dendur ushtarak i këtij grupi në terren dhe dihet pak mbi numrin e anëtarëve të tij. E vetmja gjë që dihet me siguri janë disa deklarata të këtij grupi që bënin kritikë ndaj Iranit, Hezbollahut dhe muslimanëve shiaa në përgjithësi.
KOMPANIA SULMUESE E SULEJMANIT
Kjo kompani është krijuar në vitin 2011 nga Abu-Suleiman Hamaui, një shtetas sirian. Ky grup nuk mban lidhje me frontin opozitar FSA dhe ka një retorikë salafiste dhe atdhetare. Drejtuesi i këtij grupi ka pasur disa funksione në shërbimet inteligjente të regjimit të Asadit dhe më pas u torturua nga njerëzit e Asadit kur nisi konfliktet me regjimin. Ai njihet si një besimtar shumë i devotshëm. Të tjerë pretendojnë se në fakt ai është thjesht një narkotrafikant i cili është shndërruar në besimtar të devotshëm vetëm pas arrestimit të tij. Grupimi i tij ka një organizim shembullor dhe shfaqet shumë tërheqës dhe i pëlqyeshëm për shumë luftëtarë.
* * *
Kur Xhihadi të bën “VIP” në vendet perëndimore
Nga Financial Times
Në maj të vitit të kaluar, Ifthekar Jaman, një 23-vjeçar anglez me flokë në stilin e Çe Gevarës dhe gropëza në faqe, u largua vjedhurazi nga tarraca e shtëpisë së tij në Portsmouth, ku jetonte që nga vogëlia bashkë me familjen (nënën Hena, babain Enu dhe vëllezërit Mus dhe Tuhin) për të shkuar në Siri, në kërkim të vdekjes. Ai la pas kitarën e tij, macen Bilai dhe kushërinjtë e vegjël me të cilët kishte ndërtuar një kafaz zogjsh në çati.
Një javë para Krishtlindjeve Jaman u qëllua për vdekje nga një tank në Deir Ezzor, në afërsi të brigjeve të lumit Eufrat. Ishte duke luftuar për shtetin islamik të Irakut dhe Sirisë, i njohur ndryshe si Isis, fraksioni më brutal ndër të gjitha grupimet që luftonin kundër Bashar al-Asad.
Jaman u kthye në dëshmorin më modern të të gjithë martirëve, i përjetësuar e i nderuar nga dhjetëra ndjekës që shihnin angazhimin e tij të çiltër në postimet e videove në “Ustream” apo “Keek”, nga qindra shikues që ndanin fotot e tij “Instagram” dhe mijëra të tjerë Twitter që ripostonin në profilet e tyre të folurën e tij në zhargon, aforizmat dhe dogmën fetare në 140 karaktere ose më pak.
Për më shumë se një vit para se të shkonte në Siri dhe në shtatë muajt pasardhës kur u zhvendos atje, Jaman shprehu në rrjetet sociale gjithçka që kishte të bënte me fenë, ambiciet dhe shpresat e tij.
Ende sot llogaria e tij Twitter ka më shumë se 3.000 ndjekës. Në periudhën e shkurtër që
e përdori atë, ai postoi mbi 10.000 herë, ndonjëherë brenda ditës hidhte dhjetëra tëeet-e. Ishte thellësisht i angazhuar me luftën në Siri, e në të njëjtën kohë zotëronte një rrjet të gjerë të ndjekësish (followers) në Mbretërinë e Bashkuar.
Jaman mishëron një fenomen që nuk është thjesht enigmatik për shërbimet e sigurisë në Perëndim. Është alarmant fakti që rrjetet sociale po përdoren nga islamizmi ekstremist për të radikalizuar mijëra myslimanë të rinj në të gjithë Evropën, duke i lidhur ata me organizatat e ndaluara terroriste e duke i nxitur drejt dhunës në konfliktin më të përgjakshëm që nga Lufta e Dytë Botërore.
Flukset britanike
Sipas zyrtarëve të forcave të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 400 britanikë kanë shkuar në Siri për të luftuar që nga fillimi i luftës, tre vjet më parë. Më shumë se gjysma janë kthyer. Dhjetëra janë arrestuar nën akuzat për “akte terrorizmi”. Pjesë më e madhe e tyre përdorin rrjetet sociale. “Në qoftë se Lufta e Gjirit ishte e para që u transmetua gjerësisht në televizione , kjo është lufta e parë e tweet-uar”, thotë Jonathan Russell, ndërlidhës në fondacionin “Quilliam” , një organizëm britanik që ka për qëllim luftën ndaj ekstremizmin islamik .
“I mbeten të kaluarës ditët kur shkonim në xhami të caktuara problematike dhe ndeshnim ndonjë predikues të urrejtjes. Tani janë tregimet e djemve që vetëm ndjekin ngjarje në Tëitter, u dërgojnë mesazhe njerëzve dhe pastaj prenotojnë një fluturim me “EasyJet” për në Turqi”.

Që nga janari i këtij viti , “Financial Times” ka kontaktuar me dhjetëra luftëtarë në Siri. Ata janë nga të gjitha cepat e Mbretërisë së Bashkuar – nga Bradford, Londra, Birmingham, Luton, e po ashtu nga shtete të tjera evropiane si Holanda , Danimarka dhe Suedia. Përdorin Twitter-in, “Ask.fm” (një faqe ku përdorues anonimë interneti bëjnë pyetje dhe marrin përgjigje),mesazhet në KIK dhe ËhatsApp , shërbimet e Skype-it dhe Viber, si dhe e-mailet.
Shumë nuk pranojnë të përgjigjen menjëherë, pasi janë thellësisht dyshues ndaj “gënjeshtra të mediave”. Por shtatë prej tyre u përgjigjën privatisht në biseda online, duke treguar me detaje përvojat e tyre në Siri , jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe arsyet se përse kishin shkuar për të luftuar. I përkasin moshave 19-28 vjeç dhe të gjithë pretendojnë se janë anëtarë të grupeve të dhunshme islamike. Shumë nga ata janë pjesë e ISIS , por edhe e grupeve të tjera si Jabhat al-Nusra , filiali zyrtar i Al Kaedas në rajon (në muajin janar Isis u përjashtua nga Al-Kaeda me motivimin se ishte shumë e dhunshme ).
Sipas raportimeve të “Channel 4 News”, të gjithë përshkruan krizën humanitare në Siri duke shpërndarë në Twitter dhe Youtube, imazhe me përmbajtje të dhunshme nga lufta. Në postimet e tyre ata shkruajnë me zell për mbrojtjen e myslimanëve e tjerë, për shpëtimin e grave nga “kampet e përdhunimit” dhe tutelimin e fëmijëve nga regjimi alevit i Assad-it.
Ashtu si çdo grup të rinjsh të rritur ata zbaviten duke përdorur mediat sociale. Disa kanë postuar foto dhe incizime të vetes në Twitter dhe Tumblr, të hipur mbi gomarë, duke shijuar ushqimet të ulur rreth zjarrit në kampin e improvizuar, ose duke bërë shaka me njëri-tjetrin, shpesh mbi martirizimin e tyre. Këto imazhe, ku shfaqen me armë, ose duke tërhequr këmbëzën e revolverit nën shkëlqimin e diellit sirian, shërbejnë për të projektuar identitetet e tyre, po aq sa për të komunikuar me të tjerët.
Mesazhe nga fronti
Asnjë nga këta të rinj nuk kishte pasur ndonjë përvojë lufte, para se të udhëtonin drejt Sirisë: lidhja më e afërt me një armë ishte kur luanin me video-lojëra në kompjuter.
Çfarë të bën përshtypje në lidhje me përmbajtjen e postimeve të tyre në Twitter apo Instagram është fakti se ato janë rëndom afër normalitetit megjithëse në një kontekst lufte. Aty gjen nga të gjitha: statuse me teori konspirative, por edhe djem që pozojnë me kotele, e hanë patatina. “U përpoqa të mbaja një kotele që të flinte pranë meje, por asaj nuk i pëlqeu dhe iku. Çështja është se tani dua një kotele të re”, shkruante Jaman në Twitter, para se të kalonte në tema si “domosdoshmëria për një kalifatit islamik në Siri dhe të këqijat e demokracisë” .
Të tjerët nga Aleppo postonin në Twitter imazhe nga drithërave të tyre të preferuara, ose faktin se i kishte marrë malli për një garë ‘gokarting’ në Hempshajër. Përmbajtja e këtyre tëeet-eve që ndërthuren me ideologjinë e frikshme të vrasjeve për hir të Islamit, është çarmatosëse kur normalizohet aq lehtë lufta. “Duke i mësuar mamasë se si të përdorë Twitter-in”, shkruante Jaman pak para se të largohej në Siri.
Në nëntor historia e Jaman u bë e njohur nga mediat në Mbretërinë e Bashkuar, kur ai dha një intervistë për “BBC”. Prindërit e tij të shkatërruar thonë se nuk e kishin idenë se çfarë planifikonte djali i tyre.
E ëma tha për “Daily Mail” se ajo mendonte që i biri kishte shkuar për të studiuar në Turqi.
Pikërisht nëpërmjet rrjeteve sociale një qytet si Portsmouth me një komunitet të vogël mysliman, u shndërrua në shtëpinë e pesë ndoshta më shumë xhihadistëve të rinj. Ifthekar Jaman ishte i pari që shkoi për të luftuar në Siri.
“Në shumë aspekte, Siria ka revolucionarizuar qasjen e xhihadistëve në “marrëdhëniet me publikun” dhe në përdorimin e informacionit. Dominimi i mediave sociale për të komunikuar, për të qëndruar të lidhur, për t’i bërë publike deklaratat e tyre, ka qenë i thelbësor”, thotë Charles Lister, ekspert për terrorizmin në Institutin Brookings. “Mendoj se asnjë konflikt tjetër nuk pasur këtë shkallë përdorimi të mediave sociale sa ky që po shohim në Siri. Ky efekt, që ka qenë i jashtëzakonshëm në aspektin e rekrutimit të të rinjve, do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”.
Twitter-i ushqen shumë luftëtarë britanikë, që i referohen të “xhenetit” – parajsës dhe miteve të ngritura rreth miqve të vrarë duke luftuar. Shumë prej tyre postojnë imazhe të tmerrshme, ku shihen kufoma me buzëqeshje të dukshme në fytyrë – shokët që kanë arritur martirizimin dhe janë nderuar. Në anën tjetër janë fotografitë e trupave të sakatuar të armiqve të tyre.
Shiraz Maher dhe kolegët e tij të Qendrës ndërkombëtare të Kërkimeve për Radikalizmin në “King’s College London” kanë kaluar më shumë se dy vjet në studimin e ndërveprimeve të xhihadistëve evropianë, të cilët kanë luftuar në Siri dhe vlerëson se mbi 2.000 të tillë kanë shkuar atje në këtë periudhë.
Disa prej tyre, Maher i ka kontaktuar dhe me përjashtim të një luftëtari gjerman, asnjë nga ata nuk dëshiron të kthehet në shtëpi. Shumica e shohin veten në arritjen e martirizimit në Siri, apo duke jetuar si heronj dhe me shumë gra, në kalifatin e tyre.
Përktheu në shqip: Dorina Gjuzi / Marrë me shkurtime nga “Financial Times”
i nderuar z.Thano jepi kaq rendesi sa i jep terrorizmit musliman edhe veprime terroriste qe ben ne emer te athines kisha ortodokse greke e udhehequr nga janulla,,,,,per sqarime ke 1 super artikull te ish drejtorit te SHISH z.F.Klosi dje ne gazeten panorama,,,,jam shume i sigurte qe nuk te shpetuar pa lexuar jini pak koherente edhe jo parziale,,,!!!!!!!!!! (po te citoj disa nga fjelet e intervistes te z.Klosi :terrorizmi musliman nuk eshte asgje perpara terrorizmit te kishes ortodokse greke me ne krye janullatosin ,,,,,,,,,,,) !!!!!!!!!!!!!!!!
FOL FOL SE DICKA MBETET.
(POR EDHE PO NUK MBETI, PRAPE RROGEN E MARRIM)