Ç’ka më shumë një terrorist?

anazapta

Pjesa e dytë e intervistës me ish nëndrejtorin e Policisë së Shkodrës në ngjarjet e 2 prillit 91, Gjek Çelaj. Masakra, si parathënie e asaj që do pasonte. A do dalë ndonjëherë e vërteta e 2 prillit. Pikat e përbashkëta dhe dallimet me 21 janarin e një dekade më pas. Naivët, falangat dhe balashët e politikës që vazhdojë t’i besojnë një terroristi.

Ish-nëndrejtorin e Policisë Shkodër, i dënuar për ngjarjet e 2 prillit dhe prej shumë vitesh azilant politik në Kanada, nuk e shqetëson se çfarë “versioni zyrtar” mund të mbetet për këtë ngjarje, për të cilën dolën para gjyqit me urdhër politik ai dhe katër të tjerë, nga zv.ministra rendi tek drejtues policie e drejtues vendorë (Aredin Shyti, Dilaver Papare, Çapajev Taçi, Xhemal Dymylje). Si dënimi, ashtu dhe organizimi i përplasjes që solli një masakër sot e gjithë ditën misterioze, me katër të vrarë, vetëm rastësi dhe spontanitet që nuk mund të nënkuptojnë. Kjo ngjarje, thotë, Çelaj, ishte tregues se për pushtet politik, drejtuesit e rinj të vendit do ishin gati për t’i vënë flakën gjithçkaje, edhe vetë Shqipërisë. Dhe kjo parathënie u vërtetua në vazhdim. Çelaj heq një paralele interesante mes dy ngjarjeve me 4 të vrarë, 2 prillit dhe 21 janarit. Ku për këtë të fundit thekson se i duken absurde veprimet e shumicës së sotme politike, që paditën penalisht drejtuesit e policisë për mosveprime periferike pas ngjarjes, megjithëse policia s’kishte vrarë njeri, dhe heshtën ndaj veprimeve të një ish-kryeministri terrorist.1

“Unë nuk çuditem aspak që ky individ, me shumë fytyra dhe pa karakter, ka dirigjuar dhe urdhëruar dënimin tim dhe të bashkëvuajtësve të mi. Nuk çuditem gjithashtu që një individ dhe klikës së të cilit i janë provuar vrasjet e njerëzve të pafajshëm, ka 25 vjet që shkon për të “përkujtuar” një ngjarjeje tragjike, fajtorët e së cilës nuk janë provuar kurrë juridikisht, dhe fajëson e mallkon kundërshtarët e tij politikë. Ajo që të çudit është fakti se sa i madh është numri i sivëllezërve të tij shpirtërorë dhe i budallenjve që vazhdojnë ta hanë sapunin për djathë. Pra, shqetësimi nuk qëndron më tek sjellja e pandryshueshme e katundarit, por sa poshtë ka rënë katundi. Kjo po, krijon shqetësim dhe dhimbje”, thotë Gjek Çelaj.

 

Vijon nga numri i kaluar

-Zoti Çelaj, ka një dukuri për të cilën do të doja analizën tuaj. Arben Broci ka qenë në grupin e studentëve shkodranë që ishin skeptikë ndaj figurës së Berishës në krye të opozitës. Po ashtu përplasjet e Hajdarit me Berishën dihen. Në ngjarje me “viktima politike”, megjithëse del gjithnjë se kanë të bëjnë me Berishën, familjarët e tyre asnjëherë nuk kanë shprehur asnjë dyshim për versionin zyrtar, përkundrazi. Madje edhe janë shpërblyer me poste…

Gjithmonë kur ka viktima me të kaluar politike apo ku politika fut hundët në trajtimin e të tilla çështjeve, lindin dyshime nga më të ndryshmet. Veçanërisht kur e vërteta faktike nuk njihet plotësisht. Në këto kushte nisin trillimet dhe ngrihen dyshime apo versione që fajësojnë ose që ngrihen enkas për të fajësuar. Skepticizmi i dikujt apo përplasjet e ndryshme politike nuk mund të jenë (në kushte normale), as shkaqe për vrasje politike dhe as prova për autorësi në vrasje të këtij karakteri. Që PD-së i duheshin viktima për t’i keqpërdorur për qëllimet e saj të errëta kjo nuk diskutohet. Siç nuk diskutohet që ajo (eksponentë të saj) bëri gjithçka që të vinin sa më shumë pasoja. Por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë provë të mirëfilltë që të fajësojë konkretisht dikë për pasjen gisht në vrasje. Politika i përcakton fajtorët sipas interesave të saj ndërsa drejtësia duhet t’i përcaktojë sipas saktësisë dhe mjaftueshmërisë së provave. Kur drejtësia kapet për fyti nga politika, atëherë s’ka më nevojë për prova pasi fajësia është paracaktuar.

Sa iu përket dyshimeve dhe bindjeve të familjarëve të viktimave unë nuk jam në gjendje të përgjigjem pasi nuk i di me siguri. Gjithsesi, të afërmit e viktimave nuk mund të fajësohen për faktin se i përmbahen një versioni të ofruar nga politika përderisa e vërteta nuk dihet. Të afërmit e viktimave, si kudo dhe kurdoherë, udhëhiqen më shumë nga ana emocionale pasi kanë humbur njerëzit më të afërt dhe viti kur ndodhi ngjarja e 2 prillit, ishte koha kur të akuzoje regjimin në ikje, bëheshe i besuar edhe po ta fajësoje si autor të tërmeteve. Janë gjendje të psikologjisë kolektive që shfrytëzohen nga dinakë dhe kriminelë politikë të veshur me lëkurë qengji dhe që lëshojnë “blegërima” ndjellëse ndërsa janë përgatitur të “çajnë tufën”.

-Meqë jemi tek versioni zyrtar, rikujtojmë letrën tuaj dërguar vitin e kaluar presidentit Nishani i cili dekoroi disa persona si “organizatorë të protestës”, në një kohë kur vetë PD-ja ka këmbëngulur se protesta ishte spontane. A i druheni mundësisë që, me kalimin e kohës, me gjithë prononcimet tuaja, “versioni zyrtar” të ngulitet në memorien e brezave dhe e vërteta të tretet…?

Së pari, më lejoni t’ju them se me presidentin aktual nuk dëshiroj të merrem më. Ajo çka mbetet tek unë është trishtimi që më shkakton fakti që individë të atij formati arrijnë deri në postet më të larta të shtetit. Qysh nga viti 1992 janë me qindra individë që janë dekoruar nga Berisha dhe veglat e tij për merita në organizimin apo rolin e luajtur në ngjarjen e 2 prillit. Ky është njëri nga faktet që i tradhton dalzotësit e “protestës spontane”. Bota nuk njeh protesta spontane ku nxënësit shkojnë nëpër sheshe në rresht dhe me mësues në krye të kolonave. Pastaj është kundër logjikës që edhe të thuash se ata nuk janë tanët, se nuk na dëgjojnë, se protesta ishte spontane dhe, nga ana tjetër, të dekorosh dikë si organizator të saj. Kam bindjen se sjellje të tilla janë të kthjellëta për opinionin.

Sa i takon druajtjes time rreth “versionit zyrtar”, mua kjo gjë nuk më shqetëson aspak. Si atëherë kur kam shkruar librin, edhe kur jam prononcuar rreth ngjarjes, nuk e kam bërë këtë për t’iu mbushur mendjen kokëboshëve dhe as për t’iu ndryshuar karakterin maskarenjve të pafund që ka vendi im, ashtu si çdo vend tjetër. Siç thoshte shkrimtari dhe filozofi gjerman Friedrih Shiler, “Përballë budallallëkut janë të pafuqishme edhe perënditë”. Versioni zyrtar do të mbetet jetëgjatë atëherë kur të shoqërohet me prova dhe me të vërtetën e panjollë. Kam marrë vesh se disa historianë partiakë të kohës e kanë futur versionin zyrtar edhe në tekstet shkollore, ashtu siç kanë bërë edhe me dhjetëra mashtrime të tjera historike në kuadrin e “depolitizimit të historiografisë”. Nuk çuditem, ashtu si nuk çuditem edhe me ndonjë gazetë apo gazetar që shan çdo ditë Sali Berishën, dhe, kur flet për ngjarjen e 2 prillit, mashtron lexuesit me shprehjen e Sali Berishës se “Fajtorët dhe vrasësit e 2 prillit janë dënuar”. Brezat e ardhshëm as që do të duan t’ia dinë për 2 prillin. Studiuesit e mirëfilltë të brezave pasardhës do të jenë më të zgjuar dhe më gjakftohtë se balashët e sotëm të skenës politike dhe asaj studimore të vendit.

 

Ish zv.drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjek Çelaj

Ish zv.drejtori i Policisë
së Shkodrës, Gjek Çelaj

-Zoti Çelaj, në këto 25 vjet, ku më shumë se gjysmën e viteve ka qenë në pushtet Sali Berisha, ka një përkim tejet domethënës: Deri tani (nëse nuk rikthehet në pushtet?!) pushteti i tij ka nisur me katër të vrarët e 2 prillit 1991 dhe është mbyllur me katër të vrarët e 21 janarit 2011. Çfarë komenti do të kishit për këtë rastësi të çuditshme… duke mos harruar edhe sjelljen e tij ndaj procesit gjyqësor në të dyja rastet?

Për të gjithë ata që në jetë janë udhëhequr nga arsyeja dhe jo nga pasionet dhe që më shumë duan Shqipërinë se pushtetet e radhës, ngjarja e 2 prillit 1991 ka qenë parathënia e shumë gjërave që do të ndodhnin në të ardhmen. Ngjarje të tilla si ato që përmendni ju, fatkeqësisht, kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjithë botën. Dikur më shpesh dhe tani pak më rrallë. Gjithë çështja është se cili është raporti i shtetit me ngjarjen dhe, veçanërisht, çfarë qëndrimesh mban shteti ndaj ngjarjeve të tilla. Në prill 1992 në Los Anxheles të SHBA-së ndodhi një protestë e dhunshme pas shpalljes të pafajshëm të katër policëve që vranë shtetasin Rodney King. Protesta zgjati disa ditë dhe, përveç dëmeve materiale, u vranë 55 protestues, u plagosen rreth 2 mijë dhe disa mijëra u arrestuan. Situata u qetësua, dhunuesit e rendit u dënuan dhe policia nuk u cenua nga shteti. Kjo ndodhi sepse politikanët amerikanë, megjithëse nuk janë të rënë nga qielli, Amerikën e vënë mbi pushtetin e tyre dhe për disa gjëra siç janë edhe punët e policisë, ata kanë qëndrime të njëjta.

Për ata që kanë dëshirën dhe kapacitetin të mendojnë me kokën e tyre, ngjarja e 2 prillit dhe manipulimet e keqpërdorimet që e shoqëruan atë, ishin një paralajmërim i qartë se tufa e politikanëve rishtarë nuk kishin formim shtetëror, parime jo e jo. Qysh në fillim treguan me qëndrime konkrete se për pushtet ishin gati t’i vinin zjarrin Shqipërisë, se votën e lirë dhe vullnetin e popullit do ta respektonin vetëm kur t’iu leverdiste atyre, se drejtësinë do ta konsideronin dhe katandisnin në një vegël në shërbim të interesave të tyre, se jetët e qytetarëve shqiptarë nuk do të ishin asgjë përpara synimeve të tyre politike, se predikimet e tyre të pafundme për demokraci e të drejta të njeriut nuk shqiptoheshin për gjë tjetër veçse për krijimin e mjegullnajës që shtetasit të mos shikonin dhe të mos kuptonin sjelljet e tyre të tanishme dhe të ardhshme plotësisht amorale dhe jo rrallë edhe kriminale për të shkarkuar epshet e pashuara për pushtet politik. Ngjarja e 2 prillit ishte preludi dhe paralajmërimi i sulmeve të ardhshme mbi MPB në maj 1991, ndaj komisariateve të policisë në Tropojë e Shkodër në fillim të 1998 dhe ndaj gjithë institucioneve qendrore shtetërore në 14 shtator 1998. Ajo dëshmonte se lojtarët e prapaskenës dhe të skenës do të ishin të gatshëm të bënin edhe ato që bënë në maj 1996 e në vazhdim, në pranverën e vitit 1997, në 2009 dhe 2011.

Për mua nuk ka kurrfarë “rastësie të çuditshme” fakti që kudo ku ka pasur konflikte verbale, të dhunshme deri në vrasje me prapavija politike, Sali Berisha ka qenë kurdoherë i pranishëm gjatë këtyre 25 viteve. Ka qenë i pranishëm jo si spektator, por si aktor dhe regjisor. Ai përfaqëson virusin e rrezikshëm të anormalitetit politik të shoqërisë shqiptare. Dhe nga mjekësia dihet fort mirë se në qoftë se virusi nuk asgjësohet ose, të paktën, të izolohet, organizmi do të pësojë kriza të herëpashershme dhe do të jetë një organizëm që lëngon pambarimisht. Aktiviteti i tij politik gati 50 vjeçar nuk lidhet me ndonjë farë misioni dhe as me ideale, por thjesht me një etje të pashuar për sundim, me çdo çmim dhe me çdo mjet. Për shkak të kushtëzimeve të kohës, deri në 1990 përdori dinakërinë, servilizmin dhe përkushtimin partiak të rremë për t’u ngjitur sa më lart dhe sa më afër kupolës drejtuese politike. Kur ndryshuan kushtet dhe rrethanat shoqërore e politike, atëherë nuk kurseu asnjë mjet, kryesisht kriminal, për arritjen e objektivit të tij fundor, marrjen e pushtetit.

libri2Berisha, krijoi një industri të tërë propagande të mbështetur në trillime e mashtrime trushplarëse dhe ia ka arritur, në një masë të madhe, që të gjitha djallëzitë, kurthet, padrejtësitë dhe krimet politike që ka kryer, t’i shesë për politikë normale dhe, pse jo, edhe të domosdoshme. Shumë naivë kur e dëgjojnë duke folur, jo vetëm e besojnë, por ndiejnë edhe keqardhje që ka aq shumë njerëz “të këqij” në Shqipëri që i bien në qafë këtij “engjëlli” bamirës të shqiptarëve. Naivët, kur nuk i përballojnë dot argumentet “pranojnë” se idhulli i tyre ka bërë ndonjë “gabim të vogël” si, fjala vjen, ka dënuar kundërshtarët politikë pa kryer asnjë faj, ka rrahur protestues, deputetë e gazetarë, ka djegur redaksi gazetash, ka falsifikuar e dhunuar procese të tëra zgjedhore, po kështu edhe gjyqësore, ka bërë kontrabandë nafte e armësh në dëm të interesave kombëtare, ka nënshkruar marrëveshje që cenojnë integritetin territorial të vendit, ka vrarë protestues të pafajshëm, ka sulmuar institucionet e shtetit me mitraloza, flakëhedhës e tanke, ka urdhëruar bombardimet dhe mitralimet e popullsisë civile në jug të Shqipërisë, ka nëpërkëmbur institucionet e shtetit (nuk është vetëm rasti i përfshirjes së Fazlliçit në “fuqizimin” e sigurisë kombëtare) etj.etj.

Të mbështetur në propagandën e tij, naivët e justifikojnë moralisht për të gjitha këto. Për Saliun dhe mbështetësit e tij, të bësh gjithë sa u përmendën dhe të tjera e të tjera (që t’i rendisësh duan shumë hapësirë të lirë në gazetë), je politikisht korrekt, juridikisht i paprekshëm dhe meriton të jesh deputet e kryeministër. Ndërsa “të mos kesh vrarë dhe as dëshiruar të vritet kush”, meriton, të paktën 20 vjet burg, siç na i dha neve. Ky është morali i tij dhe i gjithë atyre që e kanë përkrahur, frymëzuar dhe ndihmuar gjatë këtyre viteve në aventurat e tij antidemokratike dhe antipopullore.

-Po qëndrimet e tij ndaj të dy rasteve të ngjashme si kanë qenë?

Dy ngjarjet në fjalë kanë disa veçori të përbashkëta, por edhe shumë dallime, qoftë nga lloji i demonstratës, autorësia e vrasjeve dhe mënyrat e interpretimit dhe menaxhimit të çështjeve respektive. E përbashkëta kryesore është se viktimat e të dyja ngjarjeve kanë qenë njerëz të pafajshëm të cilët nuk kishin kryer asnjë veprim që të justifikonte humbjen e jetëve të tyre.

Siç e thashë më parë, mënyra e qasjes së shtetit ndaj ngjarjeve të tilla është shumë e rëndësishme dhe mjaft domethënëse për zgjidhjen ligjore të rastit dhe të rasteve që mund të ndodhin në të ardhmen. Menjëherë pas ngjarjes së 2 prillit 1991, shteti i asaj kohe i pezulloi përkohësisht nga detyra dy drejtuesit kryesorë të Shkodrës deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Veç kësaj, ua bëri të qartë organeve të policisë së atij rrethi se, me aq sa dihej, vrasjet kishin qenë të paligjshme dhe se të vërtetën duhet dhe do ta zbulojnë organet hetimore. Ndërsa, pas ngjarjes së 21 janarit 2011 vetë drejtuesi i qeverisë i mori menjëherë në mbrojtje organet e rendit dhe të Gardës dhe iu dha disa rroga shpërblim, duke mashtruar popullin shqiptar se vrasjet ishin kryer nga pjesëtarë të turmës me çadra- e- stilolapsa pistoletë. Foli edhe për thika me helm e për të tjera broçkulla.

Është shumë interesante se i njëjti individ politik, Sali Berisha, për dy ngjarje të ngjashme, vetëm 30 minuta pas ndodhjes së tyre, jep versionet e fajësisë dhe autorësisë. Për ngjarjen e 2 prillit fajësoi shtetin dhe organet e atëhershme të rendit dhe kjo s’u vërtetua kurrë, ndërsa për pasojat e ngjarjes së 21janarit e shfajësoi shtetin e drejtuar prej tij dhe fajësoi palën kundërshtare. Hetimet provuan se Berisha kishte mashtruar dhe se autor i pasojave ishte vetë pushteti i tij. Ngjarjen e 2 prillit e cilësoi si “krim makabër i diktaturës”, ndërsa pas ngjarjes së 21 janarit u shpreh se mund të vriten edhe 300 vetë, nëse sulmojnë institucionet dhe kërcënoi kryetarin e opozitës se “herën tjetër do të të veçoj vetëm ty dhe do të ekzekutoj si një bandit”. Nga reagimet e tij, dilte se në atë ngjarje kishte vrarë pa dallim, por herën tjetër do të vriste vetëm drejtuesit politikë. Jo vetëm kaq, por mori masa të fshihte provat duke ndërruar tytat e armëve dhe zhdukur filmimet e kamerave të Kryeministrisë, gjë që u provua nga FBI. Përveç kësaj, siç e ka pohuar edhe vetë, nuk lejoi arrestimet e atyre që rezultuan më vonë ekzekutorë të viktimave, si dhe fyeu dhe kërcënoi Prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin e vendit, duke i akuzuar si pjesëtarë të “puçit” dhe i quajti “horra bulevardi”.

Nuk është vështirë të merret me mend se çfarë bën në prapaskenë një njeri i tillë me pushtet, kur guxon të fyejë dhe kërcënojë hapur dhe publikisht Kryetarin e Shtetit dhe Prokuroren e Përgjithshme. Në procesin hetimor dhe gjyqësor të ngjarjes së 2 prillit 1991, u pyetën si dëshmitarë të gjithë drejtuesit e MPB, por edhe të MM, megjithëse në kohën e ngjarjes kishin qenë 100 km larg, ndërsa në procesin hetimor dhe gjyqësor të ngjarjes së 21 janarit nuk u pyetën as ministri dhe as kryeministri, të cilët u ndodhën vetëm 20 metër larg vendngjarjes. Vetë kryeministri i kishte konsumuar plotësisht veprat penale të përkrahjes pas kryerjes së krimit dhe të pengimit të drejtësisë, por organet e drejtësisë nuk e vlerësuan të arsyeshme ta pyesnin, të paktën si dëshmitar, njeriun që hiqet se di gjithçka dhe se thotë vetëm të vërtetën.

Duken absurde veprimet e shumicës së sotme politike, që paditën penalisht drejtuesit e policisë për mosveprime periferike pas ngjarjes, megjithëse policia s’kishte vrarë njeri, dhe heshtën ndaj veprimeve të një ish-kryeministri terrorist.

-Ju po e quani terrorist, ndërsa ai është deputet dhe ka ende shumë ndjekës.

Mjaft ndjekës ka pasur e ka edhe Osama bin Laden. Akoma më shumë ka pasur Hitleri i cili ka qenë edhe kryeministër dhe më vonë është konsideruar njëzëri në Evropë si krimineli më i madh i shekullit të 20-të. Ekzistenca e njerëzve që të vijnë mbrapa nuk mund të shërbejë si kriter vlerash për një individ, sidomos për një individ politik.

Në fund të fundit, çfarë është një terrorist? Është një individ i cili përdor mjetet e dhunës verbale dhe fizike për të arritur synimet e tij pa u merakosur se kush e sa do të jenë viktimat. A njeh historia e Shqipërisë ndonjë individ tjetër që me aq intensitet, me aq pafytyrësi dhe arrogancë i ka fyer, përgojuar dhe kërcënuar kundërshtarët politikë sa Sali Berisha? Edhe Hoxha, i cili e kishte shpallur parim luftën e klasave dhe që besonte se kishte kundër jo më shumë se 5% të popullsisë, merrej me kundërshtarët politikë një apo dy herë në vit, kurse ky nuk pushon 365 ditët e vitit. A ju kujtohet viti 1997 kur tre të katërtat e shqiptarëve votuan kundër Sali Berishës dhe ky dilte në TV dhe kërcënonte mbi 70% të shqiptarëve se “Do ua ngrij buzëqeshjen në buzë”? Me çka donte të thoshte se do ua merrte jetën? Po sulmet e herëpashershme me armë ndaj institucioneve vendore e qendrore dhe sulmet e kryera apo të mbetura në tentativë me artileri dhe avionë në mars 1997 në zonën Tepelenë-Vlorë-Gjirokastër “për të trembur” protestuesit kundër-Berishë? Po dërgimin e arkivolit me kufomën e Hajdarit tek kryeministria, të shoqëruar me qindra njerëz të armatosur dhe pastaj ngujimin në selinë qendrore të PD-së me një arsenal armësh të të gjithë llojeve e kalibrave? Po vënien e bombave në shtëpi e biznese private të kundërshtarëve politikë, në fondacione të huaja që “financonin të kuqtë” e, madje edhe tentativën për t’i vënë bombë ambasadës amerikane në Tiranë, vetëm “sa për t’i dhënë një mësim të mirë”? Po fyerjet, shpifjet dhe trillimet e përditshme në Facebook ndaj kujtdo që s’i pëlqen nën maskën e “qytetarit dixhital”, një version modern i shpifjeve mesjetare dhe fshatarake që fillonin me shprehjen “Kështu më ka thënë njani”?

Prandaj, unë nuk çuditem aspak që ky individ, me shumë fytyra dhe pa karakter, ka dirigjuar dhe urdhëruar dënimin tim dhe të bashkëvuajtësve të mi. Nuk çuditem gjithashtu që një individ dhe klikës së të cilit i janë provuar vrasjet e njerëzve të pafajshëm, ka 25 vjet që shkon për të “përkujtuar” një ngjarjeje tragjike, fajtorët e së cilës nuk janë provuar kurrë juridikisht, dhe fajëson e mallkon kundërshtarët e tij politikë. Ajo që të çudit është fakti se sa i madh është numri i sivëllezërve të tij shpirtërorë dhe i budallenjve që vazhdojnë ta hanë sapunin për djathë. Pra, shqetësimi nuk qëndron më tek sjellja e pandryshueshme e katundarit, por sa poshtë ka rënë katundi. Kjo po, krijon shqetësim dhe dhimbje.

Megjithatë, kjo është bota në të cilën jetojmë. Barra, si gjithnjë, u bie të diturve ndershmërisht të përkushtuar për ta përmirësuar këtë botë.

-Faleminderit.

Fund

Share This Article
2 Comments
  • Jeni absolutisht gazeta me e mire ne sherbim te vendit. Me kete shkrim i keni vene vulen perfundimisht. Jane thene e thuhen shume gjera, por kjo pyetje qe keni bere sot, s’ka nevoje per pergjigje, por ulurime e per ta ngritur me se fundi kete mut populli, qe mban prej kaq vitesh ne zverk, keto plehra te pushtetit e te drejtesise qe eshte bere pjese me terroristet.

  • Pak me etikete ju te gazetes Dita se mos prishim mardhenjet me Ameriken .Z.Lu ne zyrat e Saliut ndersa Luli vizita te suksesshme disa ditorshe ne Amerike .
    Jo keshtu Dita se nuk dim se te themi per ato mardhenjet e shkelqyera qe kemi .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *