“Prova morale e një qeverie varet nga fakti se si kjo qeveri i trajton të rinjtë, fëmijët, pleqtë, të sëmurët dhe nevojtarët”
Hubert H. Humphrey
Tani që qeveria “Rama” mbushi një vit në drejtimin e punëve të vendit, gjithkush ka të drejtë të shprehë mendime rreth arritjeve dhe mosarritjeve të saj.
Përgjithësisht, gjykimet mbi punën e një qeverie varen nga tre faktorë: nga nevojat tërësore të vendit; nga sjellja dhe puna e vetë qeverisë, që përfshijnë marrëdhëniet dhe interesat e “gjykatësit” me të (qeverinë) dhe ato çfarë shumëkush pret nga qeveria.
Personalisht ndihem se bëj pjesë tek ata individë që as kanë pritur dhe as presin “Rilindje”. Rilindjet janë procese të gjata transformimesh kulturore, psikologjike, morale, kombëtare dhe materiale që nuk varen plotësisht në duart e një qeverie dhe as të politikës. Ajo që kam pritur dhe pres nga kjo qeveri është një sjellje krejt ndryshe etike dhe një qasje dinjitoze dhe e domosdoshme ndaj ligjit dhe konsolidimit të shtetit si autoritet në shërbimin dhe mbrojtjen e shtetasve shqiptarë.
Nga ana tjetër, duke qenë një shtetas shqiptar, vota e të cilit nuk bën pjesë në “një milion shpullat” dhënë qeverisjes pararendëse dhe që nuk ka asnjë aspekt të jetesës së tij të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me qeverisjen e sotme, mendoj se nuk do të ishte e udhës të numëroj “dhjetë të mirat dhe dhjetë të këqijat e qeverisë” dhe as të bëj vlerësime me notë për sjelljen e saj.
Përgjithësisht, qeveritë kanë më shumë nevojë për vërejtje e sugjerime sesa për lavdërime. Historia e qeverisjes së njerëzimit ka treguar se servilizmat dhe glorifikimet e qeverisjeve kanë sjellë më shumë dëme se “mallkimet” e tyre. Duke gjykuar në aspektin etik dhe të qasjes ndaj rrugëve dhe mjeteve të konsolidimit të shtetit, mund të them se qeveria aktuale, deri tani, është më e mira e këtyre 24 viteve. Rezultatet konkrete të punës së saj do të duhet të analizohen pas katër vitesh, duke i krahasuar edhe me premtimet e bëra.
Por, a mjafton kjo? Qeveritë janë si puna e nuseve. Gjatë vitit të parë, thuajse të gjitha shfaqen punëtore e të sjellshme. Më vonë nisin e demonstrojnë huqet dhe veset e tyre. Meqë është në të mirën e popullit që qeveria të manifestojë sa më pak vese, do t’ia lejoj vetes të shpreh disa mendime rreth tre problemeve:
- Edi Rama si kryetar partie
Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste duke qenë kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, ku shpalosi aftësi administrative si asnjë kryebashkiak tjetër. Mirëpo, duket qartë se si drejtues partiak i mungon zhdërvjelltësia e administratorit. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një individ politik t’i mishërojë dhe demonstrojë në shkallën më të lartë aftësitë drejtuese në këto dy aspekte njëherësh. Por, në kushtet që autoriteti dhe prestigji i drejtuesit të Partisë janë të domosdoshëm jo vetëm për t’u bërë kryeministër, por edhe për të qëndruar në atë post, kërkohet që udhëheqësi t’i tregojë anëtarësisë dhe elektoratit se i nënshtrohet dhe e zbaton me përpikëri statutin e Partisë.
Duke pasur parasysh edhe faktin se rizgjedhja e z. Rama në krye të PS është e padiskutueshme, mbetet e pakuptueshme përse është nguruar deri tani të kryhet ky formalitet i nevojshëm. Shpjegimi gjysmak i mbështetur në krahasime me praktikat e partive të tjera evropianoperëndimore duket si nga ato alibitë që s’pinë ujë. Ato praktika (të partive të huaja) janë të vlefshme sepse janë parashikuar në statutet e tyre, gjë që mungon në statutin e PS.
Si drejtues partie, z. Rama i mbetet detyrë që të vlerësojë dhe kombinojë më mirë brezat politikë dhe kontributet e secilit. Në partinë që ai drejton ka jo vetëm individë me kontribute, por edhe potenciale intelektuale të klasit të parë. Personalitete si Moikom Zeqo, dhe jo vetëm ai, janë pasuri kombëtare më shumë se partiake, dhe vlerësimi i tyre është para së gjithash detyrim ndaj progresit shoqëror.
Gjithashtu, disa individë që përfaqësojnë “mendimin ndryshe”, si Ben Blushi, Arben Malaj etj. duhen afruar dhe dëgjuar, edhe kur e drejta që mëtojnë se mbrojnë është e diskutueshme. Me drejtuesit partiakë e shtetërorë, në përgjithësi, ndodh si me djemtë e rinj dhe të fuqishëm, të cilët, sa janë të rinj, nuk e ndiejnë nevojën e respektimit dhe mbajtjes afër të të tjerëve por, kur plaken dhe janë në nevojë, e kërkojnë këtë “shoqëri”, mirëpo iu refuzohet për shkak të sjelljes së dikurshme. Të rinjtë e mençur duhet të mendojnë edhe për “kohën e pleqërisë”.
Fakti që në strukturat politike të shumicës kanë mundur të depërtojnë edhe disa elementë jo fort dinjitozë, tregon se disa drejtues të PS nëpër qarqe, të cilët i kanë ofruar dhe sponsorizuar këta individë, janë njerëz pa personalitetin e duhur dhe, rrjedhimisht, të papërshtatshëm për drejtimin partiak të bazës. Faktin nuk e përligj gëlimi i të tillë individëve në radhët e shumicës së djeshme dhe opozitën e sotme. Faktin nuk e përligj as argumenti se ndonjëri syresh i ka përkitur politikisht dhe moralisht pakicës së sotme.
Me gjithë mundësitë e kufizuara për t’ua plotësuar kërkesat e paraqitura qeverisë, mendoj se deputetët duhen dëgjuar më tepër se deri tani, qoftë lidhur me emërimet e drejtuesve në bazë, ashtu edhe për nevojat e elektoratit dhe popullit në përgjithësi. Deputetët duhet të jenë dhe të ndihen të barabartë, pavarësisht nëse janë të bregut apo të kodrës, të qytetit apo të fshatit.
- Qeverisja si sjellje e majtë
Bindja ime është se, në thelb, kapitalizmi është një sistem i djathtë, në kuptimin që, pavarësisht propagandës dhe fasadës, interesat e klasave të pasura kanë përparësi në raport me pjesën tjetër të popullit. Megjithatë, në disa vende perëndimore, sidomos ato nordike, partitë e majta kanë mundur t’i japin sistemit një fytyrë më humane, më të drejtë dhe më të pranueshëm.
Sipas konceptit tim, në Shqipërinë tonë një parti e majtë në pushtet nuk duhet t’ua shkelë të drejtat të pasurve por duhet të ketë në vëmendje dhe t’iu japë përparësi interesave të shumicës popullore, atyre që bëjnë një jetë modeste dhe të varfërve.
Do të jetë në nderin e kësaj qeverie nëse, deri në fund të mandatit të parë, do të realizojë dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, por detyra kryesore e qeverisë Rama duhet të jetë “Shqipëria tjetër”, ajo Shqipëri që ndodhet larg qendrës së Tiranës dhe qendrave të qyteteve kryesorë të Shqipërisë. Qendrat “komuniste” të qyteteve presin dhe transformimi i tyre as nuk të shton votat dhe as duhet të zëvendësojë punën për plotësimin e nevojave më minimale dhe të domosdoshme të banorëve të periferive, që përbëjnë edhe shumicën e popullsisë. Për një qeverisje të majtë, shuarja e urisë dhe sigurimi i shërbimeve mjekësore, arsimore, elektrike dhe automobilistike duhet të vijnë përpara luksit të qendrave urbane. Ka disa vite që mediat vizive dhe të shkruara na kanë njohur me njerëz të ngujuar nga gjakmarrja, me lagje apo edhe fshatra që iu mungon energjia elektrike me muaj dhe vite, me fshatra të Kukësit dhe Konispolit që iu mungon shkolla fillore e tetëvjeçare dhe që detyrohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollat e Kosovës dhe të Greqisë, me fshatra të tjerë që iu janë prishur urat për këmbësorë dhe fëmijët e të rriturit varen nëpër kavo për të kaluar lumenjtë e përrenjtë, me fshatra të tërë që iu mungon spitali (që i kanë pasur dikur) dhe shërbimet elementare mjekësore, me fshatra të izoluar nga prishja e rrugëve të dikurshme, me familje që jetojnë në gjendje të mjeruar mesjetare, pa punë, pa ndihmë sociale, pa banesë dhe tërësisht të braktisur nga shteti dhe shoqëria.
Këto fakte janë alarmante dhe të papranueshme, sidomos kur sheh që nuk janë të kufizuara në një zonë a krahinë të caktuar të vendit. Kjo është “Shqipëria tjetër”, është Shqipëria nevojtare që akuzon. Akuzon të gjithë politikanët dhe qeveritë shqiptare. Nëse “Shqipëria tjetër” nuk gjen përkrahje dhe nuk ndryshon, pas katër vitesh ajo do të akuzojë edhe qeverinë aktuale. “Shqipëria tjetër” është prova më e qartë që tregon se britmat, ulërimat dhe gjithë propaganda 24 vjeçare për demokraci e të drejta njerëzore ka qenë një mashtrim, ka qenë mjet për të fshehur realitetin. Nëse ndryshimi i sistemit politik në 1990 u vendos të bëhej për t’i dhënë mundësi një të tretës së shqiptarëve për të braktisur vendin e tyre, një të tretës tjetër për t’i hequr mundësinë të punojë (dhe, rrjedhimisht, të jetojë me dinjitet) dhe 10% të shqiptarëve të jetojnë në luks, atëherë na duhet të pohojmë se diktatura nuk është zëvendësuar me demokraci (sundim të popullit) por me oligarki (sundim të pakicës) dhe kaos. Nëse qëllimi i ndryshimit të sistemeve ishte krijimi i 55 milionerëve që zotërojnë shtatë miliard dollarë (sipas vëzhguesve të huaj) dhe lënia në mjerim e “550 mijë” shqiptarëve të tjerë, atëherë na duhet të pohojmë se diktatura nuk u zëvendësua me demokraci por me kleptokraci (me sundim të kusarëve). Nëse qëllimi i ndryshimit të sistemeve politike ishte përfitimi i njerëzve të hurit e të litarit (60-80 % e bizneseve në Shqipëri janë të krijuar dhe funksionojnë mbi baza të paligjshme- sipas institucioneve politike e financiare ndërkombëtare) atëherë na duhet të pohojmë se diktatura nuk u zëvendësua me demokraci por me oklokraci (me sundim të llumit shoqëror).
Shumica qeverisëse duhet të marrë masa për mbrojtjen e shtetasve që punojnë për bizneset shqiptare dhe bizneset e huaja në Shqipëri, bisnese që pasurohen me punën e papaguar të tyre. Është i pranuar nga opinioni fakti se ka biznese të huaj në Shqipëri që grabisin pasuritë tona dhe nuk paguajnë as punëtorët shqiptarë. Duhet bërë çmos që shqiptarët të punojnë me Numër të Sigurimeve Shoqërore, përndryshe nuk do të marrin pensione dhe, në të ardhmen, do ta vënë shtetin dhe shoqërinë në vështirësi. Gjithashtu, përcaktimi i pagës minimale duhet bërë mbi bazën e orës së punës dhe jo ditore, as mujore pasi, në këtë mënyrë iu ka dhënë mundësinë bosëve hajdutë të mbajnë njerëzit në punë nga 10-12 orë për 500-800 lekë në ditë.
Nëse qeveria dëshiron të na japë prova morale ajo duhet ta përqendrojë vështrimin mbi “Shqipërinë tjetër”. Është detyrim i saj programor dhe elektoral të bëjë pak më majtas se, fjala vjen, nuk është shenjë e mirë që, nga njëra anë, t’iu falësh gjobat të pasurve (biznesit) dhe nga ana tjetër t’i ndërpresësh energjinë elektrike dhe të penalizosh të varfëritë që s’kanë me çfarë të paguajnë. Të parët e shkelin ligjin sepse duan të pasurohen, ndërsa të dytët sepse duan të mbijetojnë. Ndryshimi është kolosal. Shteti ligjor vendoset duke i detyruat të dyja palët të paguajnë detyrimet përkatëse. Të nëpërkëmbësh 300 tregtarë të vegjël për hatër të një biznesmeni që ka pasuri më shumë se të gjithë këta tregtarë së bashku, mund të jetë gjithçka tjetër por jo sjellje e një qeverisjeje të majtë.
Testimi i shkollave private dhe mbyllja e disa prej tyre, për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore dhe didaktike, është një veprim progresist i qeverisë aktuale. Por idea e hedhur prej saj për financim të arsimit privat nga buxheti i shtetit nuk tingëllon në përshtatje me programin e saj dhe as me nevojat aktuale të Shqipërisë. Sipas konceptit tim, duke folur në mënyrë figurative, dallimi midis një qeverie të djathtë dhe asaj të majtë, në këtë rast, është se qeveria e djathtë i jep një milion dollarë individit sipërmarrës, i cili i merr për vete gjysmën dhe gjysmën tjetër e financon për arsimimin e njerëzve, ndërsa qeveria e majtë e përdor shumën totale ( një milion dollarë ) drejtpërdrejt për edukimin dhe shkollimin e popullit.
Premtimi i shumicës qeverisëse për një mjekësi falas deri në fund të këtij mandati qeverisës është një nga pjesët më humane të programit elektoral. Mirëpo, deri atëherë, qeveria duhet të bëjë çmos që t’iu ofrojë shërbimet me shpenzimet e veta të gjithë individëve nevojtarë, të cilëve mjekësia shqiptare iu ka rekomanduar si mjetin e fundit të shpëtimit të jetës marrjen e shërbimit të specializuar mjekësor jashtë Shqipërisë. Nuk mund të jetë as e moralshme dhe as demokratike, madje as njerëzore që disa individë shqiptarë, të cilët zotërojnë pasuri marramendëse (në jo pak raste, të vënë në kurriz të popullit) të shkojnë nëpër spitalet e Perëndimit për të fryrë buzët apo gjoksin, si mjete të joshjeve seksuale dhe, nga ana tjetër, shumë shqiptarë të vdesin se nuk kanë mundësi financiare të paguajnë shërbimin e domosdoshëm mjekësor.
Qeveria aktuale duhet të punojë për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët por duhet të merret seriozisht me “Shqipërinë tjetër”. Nëse nuk e bën këtë, ajo nuk mund të jetë as qeverisje e majtë dhe as qeverisje demokratike. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do t’i japë mundësi dikujt tjetër që, edhe pas 20 vitesh, të tregojë ndonjë batutë vulgare dhe jo dinjitoze, si ato që tregoi kryeministri në Berlin kohëve të fundit.
Nuk kanë thënë kot se i mençuri mëson nga gabimet e të tjerëve. Qeveria aktuale nuk duhet asnjëherë ta krahasojë veten me qeveritë e Sali Berishës. Ato, jo vetëm dështuan, por nuk kanë qenë kurrë qeverisje. Ato kanë qenë një lloj kaçakizmi dhe banditizmi, i mbuluar me një veshje propagandistike gjysmëmoderne dhe tërësisht e gënjeshtërt. Ndër mësimet që duhen nxjerrë nga e shkuara jo e largët qeverisëse është heqja dorë nga gjigantomania në investime dhe projekte. Infrastruktura shqiptare ka shumë nevoja, por të parashikosh ndërtimin e një porti gjigant afër Shëngjinit është një punë jo e menduar mirë. Nëse ideja e qeverisë për ta kthyer bregdetin e jugut në një perlë turistike duhet përshëndetur, mendimi i saj për t’i zënë veriut të vendit vijën bregdetare më të virgjër dhe më të mirë me një port detar krejtësisht të panevojshëm nuk mund të gjejë mbështetjen e arsyes së shëndoshë. Besimi se një port i tillë do të përdoret edhe nga Serbia dhe Maqedonia duket se është një iluzion i krijuar nga ata që përpiqen t’i shesin qeverisë projektet e përgatitura prej tyre gjatë 3-4 viteve të fundit. Mendoj se do të ishte më e dobishme nëse një shumë aq e madhe parash do të investohej për disiplinimin e ujërave në ultësirën veriperëndimore, duke ndrequr sistemin kullues. Nga ky investim do të shpëtonin nga përmbytjet mbi 200 mijë banorë dhe mijëra ha tokë në pronësi të tyre. Kështu edhe shteti nuk do të detyrohej të jepte dëmshpërblime sa herë bije shi i rrëmbyeshëm.
Mësimi i dytë që vjen nga qeverisja paraardhëse është kufizimi në tematikë dhe në kohë i ligjërimeve politike. Megjithëse ligjërimi i kryeministrit të sotëm, krahasuar me paraardhësin është si të krahasosh leksionet e një lektori të estetikës me britmat e një të ikuri nga duart e mjekëve psikiatër, prapëseprapë mendoj se ka nevojë për tkurrje. Fjalimet e bukura janë si ëmbëlsirat që të kënaqin kur i ha por nuk të mbajnë gjatë.
Denoncimi në prokurori i ish-qeveritarëve të djeshëm për shkelje të ligjit është një veprim i drejtë dhe më se i nevojshëm për luftën kundër korrupsionit. Por është e pakuptimtë dhe qëllimi bëhet i paarritshëm kur denoncon kultivuesit e drogës e me përzgjedhje kryepleqtë e katundeve dhe lë jashtë listave denoncuese kryepleq si Dashua dhe mbështetësin e tyre Sali Berishën, i cili e deklaroi se e ka pasur politikë të vetën mosndërhyrjen ndaj “kartelit” më të madh të drogës, atij të Lazaratit. Është veprim në shërbim të atdheut të denoncosh grupin negociator për çështjen e kufijve me Greqinë, por është e palejueshme që të lësh jashtë listës denoncuese nënshkruesit e Marrëveshjes së Detit me Greqinë, të cilët, edhe pas denoncimeve publike, vazhduan ta mbrojnë veprën e tyre antikombëtare dhe të etiketojnë si “sharlatanë” këdo që i kritikoi. Denoncimi në prokurori i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe zëvendësit të tij për mosekzekutim të vendimeve të arrestit dhe mospërfshirja në të e Sali Berishës, që deklaroi se i kishte urdhëruar vetë ai të mos i zbatonin ato vendime, është veprim i gabuar. Çdo gjykatë objektive do t’i shpallte fajtorë për zbatim të urdhrit të paligjshëm të kryeministrit drejtuesit e policisë dhe do të dënonte ish-kryeministrin për shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.
- Koalicioni Qeverisës
Koalicioni qeverisës midis PS dhe LSI më është dukur qysh nga fillimi si martesat që jo pak emigrantë shqiptarë kanë bërë në vendet perëndimore me vajza vendase. Duke ndier frikën e mosmarrjes të lejes së banimit në ato vende, emigrantët janë marrë vesh me vajza vendase t’iu japin atyre një sasi parash dhe ata vetë të bëhen shtetas të atij vendi nëpërmjet martesave false. Ka ndodhur, në raste të rralla, që çiftet të përfundojnë në dashuri dhe martesë normale, por këto kanë qenë përjashtime.
Qysh nga ardhja në pushtet e koalicionit qeverisës, Ilir Meta dhe shumica e ministrave të ardhur nga partia e tij janë përpjekur të bëjnë një paraqitje më dinjitoze krahasuar me qeverisjet paraardhëse. Mirëpo, nga ana tjetër, vihet re fare qartë sjellja e kësaj partie në pushtet qendror dhe lokal. Si fillim, arritën të marrin në qarqe të ndryshme shumë më tepër drejtori rajonale sesa ishte përqindja e votave të tyre. Pasi bënë këtë (me shumë gjasa iu imponuan shumicës brenda koalicionit) filluan dhe vazhdojnë të marrin në punë vetëm aktivistë dhe votues të vetët, në jo pak raste edhe individë pa reputacion.
Duke uzurpuar pushtet më shumë se ç’i ishte besuar nga populli në votime, kjo parti beson se në zgjedhjet e ardhshme do të marrë më shumë vota nga sa mori vjet, qoftë edhe në kurriz të PS. Një sjellje e tillë nuk është as dinjitoze dhe as luajale çka është në kontrast të thellë me luajalitetin që karakterizon Ilir Metën në drejtimin e punëve të Kuvendit. Në qoftë se kjo praktikë do vazhdojë, atëherë kanë për t’u rritur mundësitë që koalicioni të dëmtohet dhe vetë LSI të pësojë rënie, ndoshta edhe në kufij të paparashikueshëm.
Zoti Meta nuk duhet të lejojë që tek disa drejtues të LSI, në qendër dhe në bazë, të krijohet bindja se mund të spekulojnë me pushtetin të prirë nga mendësia se, sido që të vijë puna, përsëri do të jenë në pushtet dhe, rrjedhimisht, të pacënuar nga veprimi i ligjit. Ky është momenti më i rrezikshëm për një forcë politike.
Elektorati i majtë shqiptar nuk mund të harrojë kaq shpejt faktin se ishin Ilir Meta dhe Fatos Nano që mundësuan në vitin 2005 rikthimin në pushtet të njeriut që duhej të ishte në burg dhe që, edhe sot, mjaullin për pushtet i ekzaltuar nga hosanatë e njerëzve pa dinjitet që ka përreth dhe që kanë kontribuar në sjelljet dhe veprimtarinë e tij kriminale dhe antikombëtare. Gjithashtu, elektorati i majtë e ka të qartë se edhe në vitin 2009 ishte Meta ai që mbajti Sali Berishën në pushtet. Me gjithë fajet e padiskutueshme të Fatos Nanos, alibitë e Metës dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij se gjoja po hynin në një koalicion të djathtë për hir të integrimit evropian etj. mendjet normale i dëgjojnë si përralla pa shije e hije.
E djathta ka po aq të drejtë të qeverisë vendin sa e majta, por mbajtja larg pushtetit politik e Berishës dhe berishizmit (që u përvijua si vazhdimësi edhe këto ditë) është një detyrim popullor dhe atdhetar. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë justifikim para historisë mospërmbushja e këtij detyrimi moral dhe politik. Nëse Meta dhe bashkëpunëtorët e tij duan të mbesin sadopak dinjitozë përpara popullit sot dhe historisë nesër, duhet të heqin dorë sa më parë nga veprime dhe sjellje që dëmtojnë ndërtesën e përbashkët politike dhe të sotmen e të ardhmen e vendit.

Te verteta te thejshta. Gjera qe kane ndodhur ne syte tane, gjera qe ndodhin cdo dite ne syte tane. Te lumte pena Viktor Malaj. Bravo gazeta qe e keni botuar, treguat qe nuk jeni fletushke politike.
thafe dhe llafe asnjeri nuk tregone te verteten se shqiptaret jane skllevere te rajonite po te degjoje intervisten e shinasi rames dije e mbremje te nje stacion maqedone ne shqip do te kuptoni se shqiperia nuk behete se lene serbet greket italianet dhe turqite te gjithe bashke bashkpunojne dhe nepermjete agjenteve te tyre qe jane fise te paguara me dolare nder vite qe ata i sjelline ne pushtet pere ta mbajture kete vende ne skllaveri nuk ka me shpres asnje se thote ne mose nuk ja mbane se zhdukete se dhe ju gazetate jeni ne sherbime te dikujte qe ju tregon se cduhe te beni