Ishte 30 qershori 1994. Shefqet Peçi kishte ditëlindjen. Mbushte plot 88 vjeç. Shkova dhe e urova në shtëpi. Mora me vete edhe mikun tim, Timo Koka, operator në Televizionin Shqiptar, i vetmi Televizion deri në atë kohë në Shqipëri. E mora në rrugë private, sepse as që mund të mendohej atëhere të intervistoje Gjeneral Shefqet Peçin për TVSH.
Mosha bën të vetën, thashë me vete, dhe mirë është që ky personalitet nga më të shquarit e LANÇ-it si dhe njeri nga udhëheqësit e lartë të regjimit të përmbysur, si dëshmitar okular, t’i linte dëshmitë e tij për disa gjëra madhore të kohës.
Av. Idajet Beqiri
Në vazhdim e pyeta Shefqet Peçin për shokët e udhëheqjes së Partisë së Punës e të shtetit komunist, me të cilët ai kishte një jetë të tërë që kishte luftuar e punuar. Në mesin e tyre gjatë viteve kishin ngjarë shumë gjera. Lufta e klasave ishte shtrirë rëndë mbi të gjitha brenda vetë udhëheqjes, ishin eliminuar një e nga një gjithë burrat më të shquar që udhëhoqën, që bënë dhe që fituan LANÇ.
Ndaj një nga takimet me të u përqendrua tërësisht për figurat kryesore të regjimit komunist e që në mënyrë të padiskutueshme ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Pavarësisht se Shefqet Peçi nuk ka qenë anëtar i Byrosë Politike, ai ishte ndër njerëzit më të besuar të kësaj tresheje të fuqishme dhe gëzonte një autoritet si të anëtarëve të Byrosë. Por edhe ata e çmonin dhe e respektonin Shefqetin si të barabartë…
Enverit i qëndrova besnik gjithë jetën e nuk do ia thyej besën
“Dëgjo mor bir,-më tha,- unë jam enverist. E kam takuar për herë të parë Enverin në Kongresin e Përmetit. Me shkresa, me urdhëra, me shkrime e kisha njohur qysh kur e filluam LANÇ-in e në vazhdim. Por në 24 maj 1944 e kam takuar për herë të parë fizikisht. Ai më foli me dashuri, me shumë respekt dhe më vlerësoi shumë si komandant i Brigadës së Pestë që isha. Qysh atë ditë bëra një betim në vetvete, që do t’i qëndroja besnik dhe nuk e kam thyer besën, e as që do t’a thyej. Nuk mundet t’i mohohet Enverit roli udhëheqës në LANÇ, bashkimi i popullit për luftë. U bëmë ushtri e madhe, me batalione, me brigada, me divizione, me korparmata. Ishin 70 mijë partizanë dhe partizane që bënë luftën antifashiste. Është numër shumë i madh për një popullsi më pak se një milion njerëz sa ishim në atë kohë. Ishte mënçuri e madhe antifashizmi ynë, nuk u bëmë me murtajën, por u bashkuam me qytetërimin.
Pastaj edhe pas çlirimit bëmë revolucion kudo, revolucion në arsim, revolucion në shëndetësi, revolucion në kulturë, në bujqësi, në energjitikë, në naftë, në industri, në miniera, në ushtri, në transport. Paralufta, lufta dhe pas lufta e dytë botërore Shqipërinë e gjeti vendin e varfërisë ekstreme, të analfabetizmit dhe injorancës, vendin e errësirës. Moçale, këneta, vobektësi, morra dhe mushkonja gjakpirëse kudo. Ndaj këta sahanlëpirësit e sotëm që janë pinjollë të tradhtarëve e bashkëpunëtorëve të fashizmit, por edhe ish-komunistë maskarenj që thonë nuk është bërë asgjë janë bukëshkalur, nuk kanë as sy të shikojnë, as veshë të dëgjojnë, por janë të prishur nga mëndtë. Mendojnë se me nihilizmin e tyre u mbuloka dielli me shoshë!
Hysniu ka faj për Saliun
Por nuk na kanë dashur këta përtej kufijve, të rrethuar kemi qënë, të rrethuar kemi mbetur. Serbët dhe grekët historikisht kanë dashur të na bëjnë varrin! Ne ua vumë kufirin te thana, por ata sot po na e bëjnë varrin, se ne jemi të liqtë e vetes. Ai mallakastrioti yt dhe udhëheqësi im i madh në luftë dhe më pas, Mehmet Shehu, e përdorte gjithnjë një fjalë të madhe që kishte nxjerrë urtësia popullore: “O balo të hengërt tënja, e ke të keqen brënda!” Gjithmonë nga brenda na ka ardhur e keqja.
Sot jetojmë ditë të keqija, janë ngritur këmbët dhe po i bien kokës. E hu-ha sa kohë kishin “larot” e brendshëm dhe të jashtëm që punonin e vepronin për të ardhur kjo skëterrë fashiste që përjetojmë sot…
Ky fashisti Berisha është zgjedhur me dorë prej serbëve. Nuk erdhi ashtu kot në krye ky. Nuk e di, por pak faj i vë edhe Hysniut. Saliu u mundua dhe nuk la gur pa lëvizur të hynte te Enveri. E madje ju bë “rrodhe” me servilizmin e tij edhe Liljanës, nuses së Sokolit. Donte me çdo kusht të futej mjek te Enveri. Por Enveri ngarkoi me detyrë Nexhmijen e cila e verifikoi me hollësi dhe nxorri që Saliu ishte i poshtri i botës. Ai nuk qasej në “Bllok” me ato të dhëna biografike që i erdhën nga Tropoja. Ai ishte për ta mbytur në lumin e Drinit, jo për mjek! Ndaj Nexhmija nuk lejoi që Saliu t’i futej Enverit nga dritarja. Ndërsa Hysniu e futi nga dera! Nuk e di pse e bëri këtë gabim Hysniu!
Por Hysni Kapon e kam plagë, iku kur duhej më shumë. Të themi ç’të duam ne, Partia, qeveria, shteti, vendi ishin në duartë e tre kryesorëve: Enver-Mehmet-Hysni. Iku Hysniu, do ikte Mehmeti, do bëhej katrahurë Shqipëria. Hysniu ishte burrë e kaluar burrit, i urtë, i sjellshëm, gojëmjaltë, zemërzjarrtë, shumë i ditur, punëtor i madh. Ai ishte ekuilibri, ai na mbante të gjithëve të lidhur me njëri-tjetrin dhe me Enverin. Këta doktorat i kam patur inat unë, nuk i afroja kollaj. Nuk e di, por mjekët na bënë hatanë. Edhe Enverin mjekët e vdiqën.
Iku Hysniu? Filluan të ikin të gjitha. Ramizi është burrë shumë i mirë, i zgjuar, por …Ramizi është “hallvë e ftohtë”! Do burra shteti, nuk është kollaj. Nuk më harrohet Plenumi i Komitetit Qëndror kur u dënua Kadri Hazbiu. E kam patur në Brigadë Kadriun. Trim i madh, dhelpër e zgjuar, ministër i Brendshëm kapacitet. Kur po i numëronin gabimet dhe fajet që kishte bërë, ai tha: “Më thoni ç’të doni e bëni ç’të doni me mua. Iku shoku Hysni? Nuk ka më kush t’i dijë të vërtetat siç i dinte ai… Nuk kam me kë të flas këtu dhe nuk ka kush të më dëgjojë dhe të më kuptojë në ato që do them, e për ato që kam bërë. Dhe pse i kam bërë…”
U sollëm keq me Mehmetin…
E pyeta posaçërisht për Mehmet Shehun, në se e kishin vrarë apo ishte vetëvrarë…
Ti më pyet për Mehmet Shehun! Unë nuk kam variant tjetër, veç atij që thotë Enveri, sepse t’a përsëris, jam enverist unë. Por një gjë di të them, Mehmet Shehu ishte i papërsëritshëm. E kam njohur shumë mirë në luftë dhe deri sa iku nga kjo jetë. Ai nuk kishte gradë tjetër, veç gradës “gjeneral”. Ai ishte gjeneral në ushtri, gjeneral në kulturë, gjeneral në arsim, gjeneral në ekonomi, në financa, në industri, në energjetikë, në shëndetësi… Nuk kishte gradë tjetër për Mehmet Shehun, veç gradës “gjeneral” në çdo fushë dhe në çdo aspekt të jetës.
U sollëm keq me Mehmetin. Po të ishte Hysniu gjallë, nuk do të ishte prekur Mehmeti. Jo vetëm se ne të gjithë e dinim që ata duheshin si vëllezër, por ishin edhe të përgjegjshëm se të dy ishin krahët më të fuqishëm të Enverit. Ku duronte Mehmeti t’i thoshin ato fjalë dhe t’i bënin ato kritika ata të rinjtë që erdhën në Byronë Politike në vitin 1976 dhe 1981! Ku Mehmet Shehu e ku ata…!
U tha dhe çfarë nuk u tha për Mehmet Shehun. U tha që ishte edhe agjent i CIA-s. Madje në Plenumin e Komitetit Qëndror na u paraqit edhe një dokument ku delte që Mehmeti kishte pranuar të ishte bashkëpunëtor i CIA-s amerikane. E tha Enveri këtë gjë, dhe unë i besoj Enverit. Por një gjë e them me bindje, dhe askush nuk mund t’i lëvizë as majin e thoit, Mehmet Shehu mund të ishte agjent i amerikanëve apo nuk e di se çfarë, por me karakterin që kishte Mehmet Shehu, me burrërinë e tij, me besnikërinë ndaj atdheut dhe popullit, me zgjuarësinë e tij, me cilësitë që kishte, me gjithë atë kontribut që kishte dhënë, ai nuk do të bënte çfarë do t’i thoshte CIA, por CIA do të bënte çfarë do t’i thoshte Mehmet Shehu. Nuk kishte burrë dhe forcë ta tjetërsonte Mehmet Shehun nga mbrojtja e interesave kombëtare, nga e mira e popullit shqiptar, të atdheut dhe të gjakut të të rënëve për lirinë e këtij vendi. Ai ishte një burrë shteti i madh, trim dhe i guximshëm. Nuk ia bënte tërr syri para asgjëje…
Në këtë moment, Shefqet Peçi mendohet pakëz dhe bën një kthim të madh prapa në vitet e luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Gjatë luftës antifashiste Mehmeti ishte bërë legjendë e gjallë. Unë e kam patur gjithmonë epror, sepse ai që kur nisi lufta ishte sekretar organizativ i qarkorit të Vlorës. Një kohë u bëmë kolegë, sepse komandant i Brigadës së Parë ai, komandant i Brigadës së 5-të unë. Por më pas ai u bë shumë më i madh, deri komandant korparmate. Të gjithëve na bënte përshtypje sepse ai luftonte në këmbë, madje thoshin se atë nuk e zë plumbi! Mirëpo kur erdhi një herë si i deleguar nga Divizioni në Brigadën time, krahas të tjerave edhe për të zëvëndësuar komisarin e Brigadës Hysni Kapo, i cili u bë komisar korparmate, përmes një fjalimi të zjarrtë, konciz, me fjalë të zgjedhura, ai argumentoi se përse komandanti duhet të luftonte duke qënë jo vetëm në krye, por edhe në këmbë. Nëse ushtarët e shohin komandantin të fshihet
në llogore, pas pemëve apo pas ferrave, nëse ul kokën, ata dekurajohen, nuk e kanë guximin, trimërinë, vrullin dhe entuziazmin në maksimum. Rrinë si të trembur dhe nuk japin maksimumin. Ndërsa kur komandanti lufton në këmbë, dhe kalon nga njëri partizan te tjetri, në këmbë, i bënë ata trima me fletë dhe të papërmbajtshëm…
Më ka bërë përshtypje shumë fjalimi që mbajti Mehmet Shehu para Brigadës së Pestë në 5 qershor 1944, ku unë isha komandant. Mehmeti ishte i deleguari i Divizionit dhe po na jepte detyrat për mësymjen në veri të Shqipërisë. Kishte një shprehje të tij që e përdorte shpesh, e kishte përdorur për herë të parë në Poçem në Beslidhjen e Mallakastriotëve: “Luftë kundër okupatorit deri në fund, edhe sikur në Shqipëri të mbeten vetëm një vajzë e një djalë”. Pata një mospajtim të vogël me Mehmetin kur ai tha: “Trimat të çajnë përpara, frikacakët, ata që ngjallin panik të pushkatohen. Dhe vazhdoi: – Kur partizani ynë rrezikohet të bjerë rob në duart e gjermanëve, ky menjëherë duhet të vetëflijohet. Nuk duhet të bjerë kurrsesi në duart e gjermanëve…”.
“Me këtë që partizani ynë nuk duhet të bjerë kurrë rob, unë bashkohem plotësisht me ju shoku Mehmet, – i thashë, – por mendoj se jo çdo rënie në duart e armikut vulos tradhtinë!”
“Nuk e kam fjalën për raste si kjo, – tha Mehmet Shehu, – e kam fjalën tek ajo që ne duhet të kultivojmë te partizanët filozofinë e mos rënies rob. Ne duhet të kultivojmë te komandantët dhe komisarët trimërinë absolute”.
Vazhdonte të fliste rrjedhshëm dhe me një tingull zëri të veçantë, që të hidhte në zjarr pa pyetur për asgjë.
“Luftëtari ynë, – tha më tej Mehmeti, – duhet t’i dij të gjitha për të mundur tre armiqtë tanë të mëdhenj, gjermanët, bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionistë dhe morrat. Kur luftoja në Spanjë, u ftoha. Një luftëtar Internacionalist më dha fanellën e tij të leshit. E vesha. Pas disa ditësh më pyeti shoku që më dha fanellën: “Të bëri efekt fanella?!”
“Më bëri shumë, – i thashë, – por fanella jote më është kthyer në epiqendër të ofensivës së morrave…”.
E dini çfarë më tha? “Hiqe fanellën dhe lidhe te trungu i lisit me miza. Pas 10 – 15 minutash asnjë morr nuk mbetet në fanellë.”
E provova dhe ashtu më ndodhi. Në Spanjë e mësova këtë, – na tha Mehmet Shehu”.
(Vijon)

Eh po ku pyeste njeri Enveri po t’ja jepte truri