Nga Xhevdet Shehu
Kur Ismail Kadare shkroi ‘Pallatin e ëndrrave’, nuk i kishte shkuar mbase kurrë në mendje se një tjetër “Pallat” në formë përbindëshi do të hakmerresh pamëshirshëm kundër tij tridhjetë e ca vjet më vonë. Kur Kadare shkroi veprën më antikomuniste të tij, ishte një nga vitet më të zinj të diktaturës, sikurse ishte viti 1982. Shkrimtari, i cili kishte shkruar edhe vepra të kësaj natyre, ishte atëherë vërtetë në presë të briskut për jetën e tij. Iu bënë kritika të ashpra, por historia mbeti pas dhe vetëm kaq… Tashmë ‘Pallati i ëndrrave” që në fund të fundit ishte një metaforë gjigandeske kujtohet si një nga historitë që i ka ndodhur shkrimtarit në diktaturë.
Tridhjetë e ca vjet pas “Pallatit të ëndrrave” nuk kemi të bëjmë me një metaforë, por me një pallat real që ka trajtën e një sfinksi të zi. E përbashkëta midis dy pallateve është emri i shkrimtarit. Në rastin e parë ai krijoi një “Pallat…” kundër diktaturës. Tashmë një pallat i tërë, një përbindësh 18 katësh është ngritur kundër Kadaresë.
Historia
Shkrimtari Ismail Kadare banon në një nga pallatet e bllokut që quhet Sky Tower. Mirëpo ngjitur me Sky Tower u ngrit tre vjet më parë një pallat tjetër shumëkatësh, thuajse identik me pallatin ku banon shkrimtari. Të vendosur përbri njëri-tjetrit, dy pallatet mësohet se kanë një histori rivaliteti midis tyre. I ndërtuar në një nga zonat më të preferuara të kryeqytetit, pallati ku banon shkrimtari i shquar prej shumë vitesh, është kthyer në një pikë referimi. Kadareja është befasuar që në hedhjen e themeleve të pallatit të ri, i cili i zë tërësisht pamjen në drejtim të malit të Dajtit. Në fillim të muajit maj 2013 ka pasur një telefonatë e mbushur me tension mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe ish-kryeministrit Berisha. Ka qenë vetë Kadare ai që i ka telefonuar Berishës, ku objekt i bisedës ka qenë shqetësimi i shkrimtarit në lidhje për këtë pallat që po ndërtohej dita-ditës fare pranë pallatit ku ai banon. Mësohet se Berisha i ka thënë shkrimtarit se nuk mund të bënte dot asnjë gjë për të ndalur ndërtimin e këtij pallati pasi është një vendim i Gjykatës së Strasburgut ai që ka “vulosur” ndërtimin e atij pallati. Por Kadare nuk ka mbetur aspak i kënaqur nga reagimi i kryeministrit dhe ka shprehur zhgënjimin që kishte pësuar nga përgjigja e Berishës. Për këtë bisedë mes Kadaresë e Berishës gazeta “Dita” shkroi qysh në atë kohë. Madje zbardhi dhe historinë e ndërtimit të këtij pallati. Ndërtuesit e saj thonë se kanë marrë lejen e ndërtimit dhe atë të zbatimit që në fillim të viteve 2000, por pronarët e kullës mundën vetëm të dilnin në themele dhe punimet u ndërprenë, ndërsa ata nisën një rrugë të gjatë ligjore deri në Strasburg, që thuhet se u ka dhënë të drejtë…
A ka lidhje Basha me këtë ndërtim?
Shumë dyshime ka. Dhe kjo ka një histori më vete që të bën të besosh se Lulzim Basha është hakmarrur ndaj shkrimtarit të shquar. Dihet që pas zgjedhjeve vendore shumë të kontestuara të 8 majit 2011, shkrimtari Ismail Kadare i dërgoi më 21 maj të atij viti një letër të hapur Lulzim Bashës ku e këshillonte që të jepte dorëheqjen si kryetar bashkie, pas tensionit që u krijua me rinumërimin e votave. Në atë letër, ndër të tjera, Kadare shkruante: “Zoti Lulzim Basha, i shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar. S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan. Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta tê vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë. Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapshti. Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie…”
Sikurse dihet, Lulzim Basha iu përgjigj negativisht apelit të Kadaresë. Ai jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por me të marrë mandatin, pallati i bllokuar prej më shumë se dhjetë vjetësh përbri Sky Tower-it filloi të lartësohej… Të ishte kjo një hakmarrje e kryebashkiakut ndaj shkrimtarit? Koincidenca në këtë rast nuk duket pa vend.
A do të shembet ky pallat?
Ende pa marrë detyrën qeveria e Ramës, më 2 shtator të vitit të kaluar u mësua se një nga pritshmëritë e qeverisë së re, do të ishte shembja e këtij pallati. Një burim i sigurt e konfirmoi këtë për gazetën ‘DITA’. Ato ditë u fol për një nga shembjet më spektakolare që do të ndodhte në Tiranë, duke shtuar detajin “si ato pallatet e Las Vegasit në filmat e Hollivudit”. Kanë kaluar fiks tetë muaj qysh atëherë dhe në të vërtetë nuk është bërë asgjë.
* * *
Mero Baze: Rrëfim i paautorizuar për një bisedë me Kadarenë
Ai është kthyer në apartamentin e tij në Tiranë. Tavolina e tij e punës tani ngjan si një tavolinë e një brigadieri ndërtimi. Tre metra tutje saj është një skelë ndërtimi e mbuluar me një rrjetë plastike, ndërsa ballkoni ku ai çlodhej duke soditur Dajtin, tani është mbyllur nga një përbindësh që ka mbirë para tij. Shkrimtarin që plot shqiptarë e akuzojnë pse nuk e futi në burg Enver Hoxha, sot jeton në një qeli që Lulzim Basha dhe Sali Berisha ja ndërtuan për tre muaj, fill pas një letre zemërake që shkrimtari i shkruajti ish- kryeministrit Berisha.
Ai nuk i ktheu përgjigje me shkrim dhe as me gojë, por me vepra. Shkrimtari pa dashje i zbuloi Sali Berishës, panikun që kishte dhe që mund ta detyronte të mos ulej më në tavolinën e punës së tij në Tiranë. Është një nga ato gabimet fatale që Kadareja nuk ua lejon si tipar, as personazheve të tij të dobët në libra, por që në këtë rast ja lejoi vetes, përballë dikujt, të cilin nuk e kishte marrë seriozisht si hakmarrës të lig. Ai i kishte treguar Sali Berishës dhe Lulzim Bashës makthin që kishte se mos disa ndërtues nga Tropoja, të afërt të tij dhe sponsorë të Lulzim Bashës, mund të ngrinin një pallat vetëm tre metra larg dritares dhe ballkonit të tij, duke e mbyllur në qeli për së gjalli. Pas kësaj, brenda tre muajve, një përbindësh betoni 18 kate, mbi themele të degraduar 15- vjeçare, u ngrit dhe gjithçka tani është kthyer në terr.
E vetmja pasuri kombëtare e Shqipërisë ende e gjallë, tashmë i ngjan një të burgosuri në qeli, i cili vuan dy dënime: E para humbjen e Dajtit dhe arsyes përse kishte vendosur të rikthehej në Tiranë e të jetonte aty, dhe e dyta makthin se një ditë ndërtesa përballë, e ndërtuar për tre muaj, pa themele mbi hekura të ndryshkur 15- vjeçar, mund të shembet pa e shembur Edi Rama dhe të bëjë kërdinë. Ai është tashmë nervoz dhe nuk mund të ftojë më askënd në shtëpinë e tij. Dhe pse u detyruam të drekojmë në Sky Tower në katin e 18 të ndërtesës, na u desh t’i kthenim shpinën përbindëshit që i ka mbirë në dritare. Ai, se nuk shikonte dot përbindëshin, dhe unë, që s’di pse më dukej, se përtej skelës ishte duke punuar i biri i Sali Berishës.
E gjithë kjo hyrje që shkuajta në fakt është pengu im, përse nuk mund të drekoja dot në shtëpinë e shkrimtarit. Ai nuk foli asnjë fjalë për këtë gjë. Si çdo kalorës, ai nuk ka dëshirë të flasë për një betejë të cilën nuk e fiton dot. I duket fyese të hyjë diku ku e mundin, me ligësi, hipokrizi dhe pushtet. Donte të fliste për një betejë shumë më të madhe ku mendon se duhet fituar patjetër. Për gjuhën.
Rrallëherë kam parë një vemendje të tillë, për të folur për rrezikun ndaj gjuhës shqipe nga një shkrimtar pa të cilin gjuha jonë, do të ishte një pemë e krasitur keq.
Shqetësimi i tij i parë ishte se vërsulja ndaj gjuhës vinte nga indiferenca që politika, institucionet dhe shoqëria, ka ndaj rrezikut që asaj i kanoset. Në këtë klimë shfaqen pastaj shkimtarë mediokër, që shpiegojnë dështimet e veta me gjuhën, gjysëmshkrimtarë politikanë që gjejnë alibinë e dështimeve tek gjuha dhe plot njerëz të tjerë, që për t’iu dëgjuar zëri, hedhin një gurë mbi të. Ka aq urrejtje ndaj saj nga kjo racë shkrimtarësh tha, se në kapsllëkun e tyre krijues, ulërasin që pas qindra vjetësh nuk do ketë as shqipe dhe as Shqipëri. Tërbimi i të patalentuarëve është një fuqi e madhe shkatërruese.
Akuza që i bëhet gjuhës sipas tij është e ligë, pasi i bëhet nga pozita krahinariste, ndërkohë që Kongresi i Manastirit, i cili ka vulosur gjuhën shqipe, është udhëhequr nga Gjergj Fishta dhe i ka dhënë shqipes alfabetin latin dhe disa norma kanonike që e bëjnë atë një gjuhë të gjallë, funksionale, shprehëse deri në detaje, dhe aristokrate. Aq të mirë, sa shpesh ngjallë smirë tek kulturat fqinje.
Kadareja vizatohet në këtë debat nga kundërshtarët si një shkrimtar nacionalist, por ai është shpërfillës ndaj këtyre zërave. Sipas tij, gjuha shqipe hyn tek dhjetë gjuhët themelore të Evropës dhe nga më të suksesshmet në përkthimin e kryeveprave botërore. Shekspiri, sipas tij, pas gjermanishtes, ndoshta më mirë se në çdo gjuhë tjetër të përkthyer, është në shqip dhe do të ilustrojë me këtë fuqinë e shqipes.
Një tjetër akuzë e ligë me të cilën luftohet gjuha është ideja se komunzimi ka promovuar shkrimtarët që shkruajnë normën letrare. Kadareja e hedh poshtë me përbuzje këtë gjë. Shkrimtari më popullor i sistemit arsimor shqiptarë, është Migjeni, thotë ai, një poet i talentuar që ka shkruar gegnisht dhe se ka penguar askënd ta adhurojë.
Por, Kadareja ka një argument therës kundër atyre që ja atribuojnë standartin zyrtar Enver Hoxhës. Për të, Enver Hoxha ishte shumë larg kulturës gjuhësore. Ai fliste një nëndialekt gjirokastrit dhe për një kohë të gjatë, në rininë e tij, ai ka shkruar gegnisht. Ai sjell në kujtesë letrat që ai i dërgonte Nexhmijes të shkruara në gegnisht, të cilat ilustrojnë idenë se ai nuk kishte ndonjë fiksim me standartin zyrtar dhe as ndonjë ndjenjë krahinore lidhur me të.
Në këtë pikë ai i ul pak rëndësinë dhe Kongresit të Drejtëshkrimit më 1972, të cilin, sipas tij, e konsiderojnë gabimisht si Kongres të Gjuhës Shqipe. Si i tillë për të është Kongresi i Manastirit. Kongresi i Drejtëshkimit ka vendosur disa rregulla, që bazohen tek ajo çfarë ndodhi me gjuhën e shkruar qysh pas vendosjes së alfabetit në Manastir. Në atë Kongres shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk i diktoi ideologjia për të vendosur rregullat e drejtshkrimit. Bile ana groteske është se komunizmi këtu po akuzohet se ka qenë në anën e versionit perëndimor të shqipes, të asaj shqipeje që vendosi Gjergj Fishta, gjë që është absurde.
Pastaj kalon në argumenet e tij për fuqinë e shqipes:
-Kam dëgjuar ca zëra thonë se larmia e fjalëve, sjell pasurinë e gjuhës. Gjuha është nga ato gjëra, ku jo shumësia, por ngurtësia dhe unifikimi i fjalëve është pasuri. Një gjuhë që përdor një fjalë që shpreh shumë gjëra, është shumë më aristokrate se një gjuhë që ka 50 versione për të shprehur një gjë.
Është i pafundëm në shembujt që jep për këtë, që nga versionet dalldisëse të gjuhës arabe, që në të vërtetë e bëjnë gjuhën e tyre pa formë dhe standart dhe deri tek aristokracia e anglishtes, që nuk të lejon të shprehesh për gjënë më të fortë në botë, dashurinë, përveçse me fjalën “I love”.
Është e çuditshme të shikosh sa vigjilent është shkrimtari për çdo shigjetë të ngulur mbi origjinën e shqipes. Mbi të gjitha i kishte ngelur në mendje, se disa prej sulmuesve, për t’i hequr identitetin shqipes, paskëshin thënë që fjala “Komb” vjen nga arabishtja. Ishte aq i mllefosur për këtë, sa shtrëngonte duart në atë formë, sa më dukej se donte ta tregonte dhe me gjeste se ajo fjalë ishte vendosur me kujdes dhe shumë mençuri nga një fjalë shqip që identifikohet me nyjen, me diçka që lidh një gjë, që vendos një shenjë të rëndësishme në një hapësirë, me atë që ne themi se është lidhur komb.
-E bëjnë qëllimisht, tha, se duan ta godasin tek gjërat e shenjta që ajo ka.
Dhe, ndjehet nervoz për këtë gjë. Ndjehet nervoz që gjuhëtarët tanë janë tulatur dhe u lënë hapësirë diletantëve dhe delirantëve të flasin për gjuhën. I tregova jo pa shqetësim se zhargoni i rrugës i të rinjëve në Prishtinë, po shkon larg gjuhë së prindërve të tyre. E priti aq keq, sa nuk pati fuqi as të aprovonte verifikimin e rrezikut që sapo kishte folur. I mbajti nofullat shtrënguar, dhe s’foli për pak kohë.
-Ndoshta është dhe çështje brezi, i thashë, për ta lehtësuar. Janë fëmijët që nuk janë shkolluar mirë, që kanë kaluar sistemin paralel.
Tundi kokën i trishtuar.
-Duhet një debat i guximshëm për këtë çështje, tha. Askush nuk mund ta prekë gjuhën. Ajo është garancia që ne jemi shqiptarë, është si ai thesari që shtetet mbajnë të groposur në banka për të garantuar egzistencën e tyre. Kombi s’ka gjë tjetër që e mban të bashkuar, veç asaj.
* * *
Nuk do t’i kisha botuar këto rreshta të pautorizuara prej tij nga një drekë private dy ditë më parë, sikur të mos shikoja një ditë më pas, në gazetën zyrtare të Partisë Demokratike në opozitë, një shkrim denigrues për Ismail Kadarenë dhe turpurues për një parti politike që ka peshë në historinë e ketij vendi. Kjo parti sot është katandisur që e shikon shkrimtarin, si një armik që me qartësi vuri gishtin mbi ata që derdhën gjak më 21 Janar, dhe akoma më banalisht, si atë burrin qe nuk deshi të bëhej Luli kryetar bashkie. Ishte nga ato raste kur gjuha shqipe të duket e shëmtuar, edhe pse Kadareja është gati të nisë një betejë historike për të.
Nuk dyshoj tek kapsllëku intelektual i Lulzim Bashës dhe as tek marifetet e tij prej batakçiu, por pas shumë vjetësh, shqiptarët as që duan t’ia dinë kush ja ka blerë veturën luksoze Lulzimit, kush i ka vjedhur votat në fushatë, kë ka pasur këshilltare të shtypit, kë ka pasur grua apo dashnore, apo sa lek ka marrë për një leje pallati vrasës për të burgosur të gjallë një shkrimtar. Institucioni i vetëm që nuk do shembet në këtë vend, kur të jemi harruar të gjithë, do të jetë Ismail Kadareja. Ndoshta dhe shumë personazhe të tij, nga ata që ai i ka shpikur tek tavolina e punës që tani është kthyer në burg, do të rrojnë në kujtesë më shumë se politikanë me mandate të vjedhura. Paçin fat e u bëfshin personazhe negativë të tij. Të paktën të mbahen mend
gazetatema.net

I LOVE MY SHOES
Danny De Vito, aktori i famshem italo-amerikan, ne filmin “Lufta e trendafilave” (1989) eshte shprehur:
“Kater gjera perfaqesojne maskilizmin tek nje burre: shtepia e tij, makina e tij, gruaja e tij dhe kepucet e tij !”
Shume nga ne kane provuar te dridhura ne trup, kur per te kapecyer nje perrua kembe zbathur, i eshte dashur te shkele mbi gure me lemashk. Shkodranet po ashtu e njohin mire rreshqitjen nga guret me lemashk te liqenit te tyre.
Trupi pershkohet nga nje shungellime dridhese e lehte, nga frika se mos rrezohet.
I njejti sensacion pershkon edhe banoret e nje rruge me kalldrem te pa fiksuar mire, aq me teper kur tatepjeta eshte karakteristika kryesore e struktures se saj.
Banoret, pak per namin qe kane e shume per friken e rrezimit, ngjitin e zbresin Sokakun e Te Marreve, me ate dridhjen e lehte te trupit gjithnje ne pritje te nje rrezimi te mundeshem.
Kush e ka njohur Kadarene e viteve 70-80-te, ka vene re me kureshtje kepucet me taka te larta qe mbante dhe ate ecjen kurioze me nje te dridhur te lehte. Ishte vazhdimesia e kerkimit te Sokakeve me kalldrem edhe ne rruget e asfaltuara te Tiranes, ne ecejakun e perditesuar te tij nga Lidhja e Shkrimtareve tek pallati ne krah te librarise se Enver Hoxhes dhe mejhanes “Tymi”.
Dashurine per kepucet me taka te larta Ismaili mund ta shprehte vetem ne gjuhen shqipe, se ne ate angleze i dukej çmenduri (me mire marrezi – per te qene ne teme) te shprehej “I love my shoes”, sepse anglezet dashurine njerezore siç e njihnin banoret e Sokakut te te Marreve, per shterpesi te gjuhes se tyre e perdornin edhe ndaj kepuceve.
Merua me siguri eshte i dashuruar pas kepuceve bajge-mbajtese per te mos harruar Myzeqene e rrugeve bajgore ku kaloi femijerine e tij.
Ka edhe te tjere te dashuruar kepucesh qe mbajne emer:
Sokol Balla si njohes i anglishtes dhe ne nderim te Çurçillit shprehet “I love my color shoes”.
Blendi Qerozi nga anglishtja ka mesuar vetem shprehjen “I love my red shoes”!
I varferi Kadare ! U katandise ne demolimin e gjuhes me te pasur ne bote, asaj Shekspiriane. Studio edhe keto pak vite qe te kane ngelur per te shijuar pallatin perballe. Mund te te sherbeje si muze per shkarravinat tuaja te fundit nga Tirana.
Nese ti konsideron Kadarene si “I varferi”..mendo se ç’zvarranik je ti o Rik Balsha Sr….mjeran i shkrete!
Per gjithe ato pallate e beton qe po i marrin frymen Tiranes nuk u shqetesua ky zoteri .
Nuk e ngriti zerin e ti thoshte nje fjale mikut te tij sali Berisha.
Kur i erdhi veza ne b**e per vete atehere u kujtua ky e tani na i ka mbet hatri me Saliun.
Ky njeri eshte nje bythpambuk qe nuk sheh me larg se hunda e tij.