Në mediet botërore u përhap furishëm lajmi se Shqipëria ishte destinacioni më i mundshëm i lëndëve helmuese luftarake-LHL të arsenaleve të diktatorit Bashar Al Assad. Sipas inspektorëve ndërkombëtarë ky stok armësh kimike të Asadit shkon deri në 1 mijë e 300 ton. Arsenali përbëhet nga Iprit (gazi mustard), Luisit, gaze policore si Adamsiti apo variante lakrimogjenësh si Klorecetofenoli, Klorpikrina etj, por edhe LHL, më moderne e më të rrezikshme se Zarina apo edhe gazi VX , i cili është në sasi relativisht të vogla. Një sasi e tillë mjaft e madhe municionesh kimike dhe LHL-sh në ambalazhe (kontejnerë, bidonë, kuti etj.) teknikisht është një operacion mjaft i rrezikshëm dhe kërkon ekspertizë të lartë inxhinieriko- teknike si edhe makineri e pajisje relativisht moderne, por edhe me kapacitet të madh për ta ulur në pak muaj procesin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian.
Bie në sy që zhurma mediatike për Shqipërinë si destinacion i këtyre armatimeve kimike në shumicën e rasteve ka pasur si burim të parë mediet ruse sidomos ato gjysmë zyrtare apo pranë regjimit të Putinit. Të tilla medie në gjuhën angleze janë “Moscoë Times”, “Voice of Russia” apo mediet në rusisht si e përditshmja me mjaft influencë “Komersant”.
Si zakonisht medieve ruse u mbajnë ison edhe mediet serbe; përmendim këtu “B52” apo “Gllas Pale”. Kjo dëshirë e Rusisë për ta bërë Shqipërinë destinacion të arsenalit kimik sirian të lë një shije të hidhur. Rusia për të përmbushur qëllimin e saj edhe në terrenin shqiptar po luan fort për të neutralizuar çdo kundërshtim të faktorit politik apo të OJQ-ve ambientaliste shqiptare. Për krahun e djathtë punët janë të zgjidhura nga çiraku serb, që e komandon padronin e PD-së, që në kohën e Milicës dhe të famëkeqes OZNA. Shërbimi sekret shqiptar është i neutralizuar nga faktori “Ollga”, si edhe nga paaftësia profesionale e atij “minifundit” së dashurës së “vëllait të Majlindës”, që u emërua ndër të tjera për të markuar dhe neutralizuar faktorin”Ollga” në SHIK-un tonë. Në të majtën shqiptare rusët po aktivizojnë lidhjet e vjetra për të asnjanësuar çdo kundërshtim ndaj iniciativës së tyre për armët kimike siriane.
Ambasadori i ri rus, që është bërë shumë aktiv për të devijuar qeverinë e re Rama nga kursi i saj perëndimor, po përdor formulën bijtë dhe bijat duhet të na shërbejnë njëlloj si baballarët e tyre, që u shkolluan në “uçilishtet’ sovjetike. Të tilla ndërhyrje në nivel zëvendësministreje apo deputeti me kalimin e ditëve po bëhen të zakonshme deri në bezdi. Në këtë kontekst kujtoj edhe vizitën e fundit të pa pasqyruar nga mediet qendrore të ambasadorit rus në Bashkinë e Orikumit. Siç duket rusët ende nuk e kanë harruar ëndrrën e vjetër të Admiralit Kuznjecov dhe kundëradmiralit Katasanov për një bazë detare sovjetike në Pasha Liman.
Varianti i armëve kimike siriane me destinacion Shqipërinë, të transportuara nga rusët, të shoqëruar nga një tufë “teknikësh” rusë në tokën shqiptare, është automatikisht një opsion i pa mundur thuajse një akt tradhtie kombëtare.
Një operacion i tillë është edhe më i dëmshëm sesa afera e pesticideve gjermano lindore, që në nëntor-dhjetor 1991 hynë në Shqipëri si ndihma humanitare dhe shkaktuan një gjëmë ekologjike. Ky krim i tranzicionit u krye në bashkëpunim të ngushtë të së djathtës shqiptare (ministri i financave) dhe të majtës shqiptare (kryeministri), ndërsa Romeo mjerani drejtori i atëhershëm i doganave u kënaq me një TV me ngjyra Camacroun rryshfet. Faturën e paguan shqiptarët e mjerë në Han të Hotit, në Milot e Fier, ku u depozituan plehrat ndotëse nga Gjermania Lindore. Që myteberëve të mësipërm nuk u hyri gjemb në këmbë nuk do të thotë detyrimisht, se edhe çdo politikan, që mbush xhepin dhe helmon shqiptarët edhe sot edhe në të ardhmen do ta kalojë lumin pa u lagur. Pikërisht për këtë personat, që do të firmosin leje hyrjet për helmet e Asadit, duhet të marrin parasysh edhe rrezikun potencial të ndëshkimit.
Opsioni amerikan
Hundëfutja ruse në transferimin në Shqipëri të arsenaleve kimike të Asadit është totalisht e papranueshme. Një iniciativë amerikane do t’ia vlente të merrej në konsideratë, por pa kompleks inferiorieti, pa servilizëm dhe duke i bërë oponencë profesionale. Historia e afërt na dëshmon se jo çdo iniciativë amerikane në Shqipëri ka rezultuar e suksesshme, madje, kur është kombinuar me hajdutërinë e politikanëve shqiptarë dhe ligësinë e fqinjëve ka rezultuar në shkatërrime masive e varre. Në Gërdec prezenca e “ekspertëve” amerikanë nuk e pengoi kataklizmonë, që ndër të tjera i mori jetën edhe baxhanakut të Kryeministrit Berisha, që ishte i punësuar si hamall në kovaçanën e Gërdecit (intervista e zonjës Liri Berisha në një të përditshme).
Furnizimet e fishekëve plehra për qeverinë afgane me para amerikane rezultoi me një të vrarë në gjueti në Shqipëri dhe me tre thuajse adoleshentë të burgosur në Amerikë, me një fiasko gati 300 milionë dollarëshe për Pentagonin.
Artikulli në Nju Jork Tajms i gazetarit të mirënjohur Chris Chivers e bëri skandalin të njohur në shkallë globale. Komisoni hetimor i kryesuar nga senatori Uoksman nuk nxorri ndonjë qime nga qulli. Shpresa e vetme për zbardhjen e të vërtetave të Gërdecit, fishekëve të Rinasit dhe grup depove të Memajt-Romanatit, mbetet vetëm gjyqi në Amerikë i Packhouse, ortak i famëkeqit Diveroli si edhe puna këmbëngulëse e gazetarit investigativ Guy Lauson.
Precedenti shqiptar
Asgjësimi i 16,5 ton municionve kimike shqiptare ishte plotësisht i suksesshëm si qëllim parësor i nismës Nunn –Lugar, dmth nga pikëpamja e pakësimit të rrezikut nga armët e shkatërrimit në masë. Fatkeqësisht ky sukses u pasua nga një problem ekologjik për palën shqiptare. Firma gjermane Eisenman Termal Treatment e financuar bujarisht nga DTRA (Defence Threat Reduction Agency) bëri një punë jo të mirë. LHL-të shqiptare u asgjësuan, por mbetjet e rrezikshme, që rezultuan nga ky asgjësim me një mendjelehtësi kriminale u magazinuan në kontejnerë metalikë. Në më pak se dy vjet kripërat e metaleve të rënda si zhiva, arseniku e plumbi i gërryen kontejnerët metalikë dhe ndotën dyshemenë e betonit të magazinës.
Sërish me para amerikane u angazhua firma angleze Savant Enviromental, e cila neutralizoi ndotjen, ambalazhoi në fuçi plastike mbetjet dhe i dha kohë 10-12 vjet (afati i ambalazhimit në fuçi) organeve shtetërore shqiptare për të neutralizuar përfundimisht trashëgiminë ndotëse të asgjësimit të arsenalit kimik hoxhist. Në Uikiliksin “08 Tirana 406” ka më shumë hollësi për këtë operacion.
Fqinjët tanë italianë sot janë alarmuar për mundësinë e asgjësimit në Shqipëri të arsenaleve kimike të Asadit njëlloj si në rastin e asgjësimit të 16,5 ton LHl-ve shqiptare. Në rastin e parë Giovanni Iannuzzi drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane dhe gjenerali Gianfranco Tracci, eksperti më i mirë italian për luftën kimike zyrtarisht i shprehën ambasadës amerikane në Romë, oficerit politik të saj, shqetësimin për një skenar terrorist apo të fatkeqësisë mjedisore për sa i përket arsenalit të LHL-ve shqiptare, si edhe mbetjeve kimike të rrezikshme, që rezultuan nga ky proces. Në rastin e arsenaleve të Asadit ky rrezik potencial shumëfishohet.
Hane Shah hane Bagdat
Arsenali modest shqiptar nuk ka të krahasur me arsenalin e stërmadh të Asadit si sasi por edhe si cilësi domethënë, agjentët aktivë kimikë respektivë, përqindja e lëndës aktive,afati i magazinimit (shelf-life) etj. etj. Është deklaratë mashtruese ajo që bëjnë rusët, por jo vetëm për eksperiencën, që ka Shqipëria në shkatërrimin e municioneve kimike.
Kjo eksperiencë dhe makineritë e përdoruara në bazën e Qafëmollës janë jo fort relevante përsa i përket arsenalit sirian. Veçanërisht përsa i përket helmeve si Zarina apo gazi VX teknologjia gjermane e përdorur në Qafëmollë është e pa përshtatshme thjesht për shkak të përbërjes kimike të këtyre dy LHL-ve.
Fjala vjen për helme si Luiziti, Adamsiti por edhe Zarina është i domosdoshëm ambalazhimi në kontenitorë me lamierë me përbërje titaniumi, që faktikisht nuk kanë qenë pjesë e teknologjisë së përdorur në impiantin para industrial të Qafëmollës. Pra argumenti qendror për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri thjesht fut ujë!
Nëse kalkulojmë edhe vektorë të tjerë si litarët që i la jashtë Berisha për qorrollepsjen e qeverisë Rama, atëhere tablloja bëhet më e zymtë. Këtu mund të përmendim mos kontrollimin kapilar të territorit nga qeveria Rama si përshembull “Principata” e Lazaratit, zona të caktuara në Tropojë, Laç, Malësi e Mbishkodrës etj. etj. Tjetër vektor problematik është edhe krimi i organizuar i lidhur me segmente të politikës plus edhe faktit, që operacioni spastrues kundra korrupsionit në radhët e uniformave blu ende nuk ka përfunduar plotësisht.
LHL-të siriane janë më të vlefshme se floriri për terrorizmin ndërkombëtar dhe për krimin e organizuar transnacional. Ruajtja e tyre e suksesshme në Shqipëri deri në shkatërrimin në Qafëmollë mund të kryhej nga forcat ligj-zbatuese shqiptare vetëm me ndihmën bujare amerikane dhe me impenjim maksimal shqiptar larg amatorizmit dhe veprimeve prej adoleshenti për famë dhe bujë. Është gjë e mirë të japësh kontribut aktiv për zbatimin e Rezolutës nr. 2116 të OKB-së, por me mend në kokë për të mos dëmtuar Shqipërinë, shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.
Qeveritarët e sotëm nuk kanë pse të imitojnë si majmunë ishat e kallëpit Berisha, Mediu, Imami etj. Kryeministri Rama nuk ka në kurriz ndonjë hipotekë krimi, që t’i duhet të “blejë” indulgjenca” te amerikanët. Unë besoj se as ai, as Ministrja Kodheli nuk kanë hyrë në ato zyra shteti për të vjedhur, kështu, që nuk kanë pse të pranojnë qorrazi helmet e Asadit në këmbim të mbylljes së syrit për hajdutëri në Shqipëri.
Fundi i fundit, Fatmir Mediut nuk i bënë fajde as helmet e Qafëmollës, as eksporti i raketave kineze MANPAD të klasit Vangard, as vizitat e Kenneth Budziski-t në Gërdec e Rinas, as libanezi Al Masri në aeroportin ushtarak të Kuçovës. Përsëri ai do të ballafaqohet në gjykatë me fantazmat e viktimave të familjes Durda e jo vetëm, njëlloj si Makbethi me fantazmën e Bankos.
Nëse do jetë e domosdoshme për arsye të larta shtetërore të pranohet një sugjerim hipotetik amerikan për t’i asgjësuar LHL-të siriane në Shqipëri, është detyrë patriotike për Kryeministrin Rama dhe Minstren Kodheli të kërkojnë nga aleatët strategjikë amerikanë një çmim maksimal për sakrificën e aleatit të vogël shqiptar. Po ashtu do ishte me vend të merrej krahas ekspertizës amerikane dhe ajo evropiane si përshembull suedeze, norvegjeze etj. Eksperienca zvicerane duhet të jetë veçanërisht e mirëpritur. Kujtoj këtu eksperiencën veçanërisht pozitive në kuadrin e programit VETOXA (Vernichtung Toxischer Chemikalien in Albanien).
Firma zvicerane “MGC Plasma AG” me një kosto shumë më të vogël se programi amerikan i Qafëmollës e realizoi me sukses asgjësimin e një pjese të arsenalit kimik dhe kundër kimik hoxhist. Po ashtu si pjesë përbërëse e këtij çmimi modestisht do t’i sugjeroja dyshes Rama- Kodheli, që të përmirësohej me paratë e projektit infrastruktura e zonës. Fjala vjen edhe sot e kësaj dite rruga për në Qafëmollë është pjesërisht e pa asfaltuar.
Fare mirë Amerika me stoqet e saj të kohës së Luftës së Ftohtë mund të pajiste dhe stërviste një nënrepart (kompani) të ushtrisë shqiptare për mbrojtje anti-kimike. Një aset i tillë do i bënte nder ushtrisë shqiptare dhe do të përdorej me sukses si kontribut shqiptar në NATO dhe në misionet paqeruajtëse, por mund të përdorej në rast emergjencash –fatkeqësish me ndotje kimike edhe në Shqipëri. Këtu mund të përmendet shembulli i kompanisë speciale sllovake për mbrojtjen kundër-kimike. Pajisjet anti-kimike tridhjetëvjeçare që dergjen në bazat amerikane në Gjermani janë më se moderne për ushtrinë shqiptare në funksion të këtij projekti.
Amerika për shkak të tërheqjes nga Afganistani po çon për skrap mijëra mjete të blinduara të klasit MRAP. Ajo po dhuron për vendet mike qindra prej tyre me kusht pagimin e shpenzimeve të transportit nga vendi pritës. 35-40 mjete të tilla të tipeve OSHKOK, BAE Cayman apo edhe RG 35 me pjesët e këmbimit përkatëse do ishin më se të mjaftueshme për të pajisur një batalion reagimi të shpejtë, projekt ky që edhe për arsye korruptive prej vitesh po dergjet sirtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në këtë rast mjetet e blinduara do i kishim qyl (shpenzimet e transportit do i mbulonin aleatët amerikanë), dhe nuk do harxhoheshim miliona Euro për të blerë mjete të blinduara lehtë cilësisht inferiore të prodhimit francez, blinda Lince italiane apo furgonë të blinduar polakë të klasit Dzik.
Ndër radhët e ushtarakëve shqiptarë ende ka profesionistë të aftë që mund të sugjerojnë shumë më tepër dhe më mirë se ç’u sugjerua në këto rreshta. Të tillë specialistë ekzistojnë, që nga ato të kohës së Vietnamit e deri te kol. Fadil Vucaj apo Alfred Madhi.
I mbetet politikës të vendosë!

Une si shqipetar jam ne nje mendje me Thanasin per kete ceshtje. Pranimin e armeve kimike siriane une e quaj tradheti dhe krim ndaj popullit shqiptar!
Po ky zoteri qe ka nje informacion kaq te gjere ne shume fusha, ne disa te tjera flet me termat demagogjike, daleboje te Enver Hoxhes. Per imperializmin amerikan Gjergji ka nderruar mendje, ndersa per socialimperializmin sovjetik ka konservuar fjalorin e sharlatanit Enver Hoxha!
Fjalori i tij me eter bij, ucelishte, kuznjecovet, kasatonovet etj.etj. eshte servilizem bashkekohor qe i ul vlerat autorit!!
Kryeministri Edi Rama dhe cdo pushtetar tjeter duhet te mari inisjativen te ndaloj hyrjen e lendeve helmuese ne Shqiperi jo per gje por dhe ata vet helmohen.Ca behet kshu o njerez,na ka krijuar nje perendi dhe nuk na ka krijuar qe te shkatrrojm njeri tjetrin,Kur do ta shohim paqen?