Si dështoi plani për luftë civile në ’97-n

anazapta
gazeta dita cover

Ky rrëfim tronditës na kthen mbrapsht 16 vjet të shkuara, në ditët e rebelimit mbarëpopullor kundër regjimit të Sali Berishës. Në ditët e para të marsit 1997 është hartuar një plan operacional tepër sekret në strukturat më të larta të shtetit, për mobilizimin ushtarak të pjesës veriore të vendit kundër jugut. Nuk flitet këtu me hipoteza, por me dokumente konkrete. Ky plan ogurzi nuk funksionoi. Se si u përgatit ai plan dhe pse dështoi, këtë e sqaron në vijim Nënkolonel Hekuran Rapaj.

Zoti Rapaj, kemi në dorë një urdhër mobilizimi i 9 marsit të vitit 1997. Si ish-ushtarak i asaj kohe dhe si autor i një libri për ngjarjet e asaj periudhe, mund të na thoni a kishte realisht një plan mobilizimi shtetëror të rretheve veriore kundër jugut të vendit në atë kohë?

Po, kjo që thoni ju është plotësisht e vërtetë. Është padyshim një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë. Nuk di për të tjerët, por për ne ushtarakët, sa më shumë kalojnë vitet, aq më e tmerrshme na duket ajo periudhë; sa më shumë i largohemi kontaktit me tragjedinë e madhe të shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, në pranverën e vitit 1997, aq më shumë në mendjen time analizoj arsyet që e çuan ushtrinë atje. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht oficerët, që jetën e tyre e kanë  lidhur pazgjidhshmërisht me ushtrinë, tashmë janë të ndërgjegjshëm, se në Shqipëri ndodhi një dramë e madhe, e veçantë në llojin e vet: ushtria shqiptare u shpërbë, fatalisht në kushte paqeje.

Le të ndalemi konkretisht te ky urdhër. Cili është thelbi i tij, sipas jush?

Ai është një nga urdhrat më të zinj të lëshuar nga krerët e ushtrisë shqiptare të asaj kohe, Shefi i Shtabit, Adem Çopani dhe i emëruari gjeneral dhe komandant i operacionit kundër jugut, Bashkim Gazidede. Por urdhri është bërë me rekomandim të Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë të asaj kohe që ishte dora vetë Sali Berisha.

Pra, ka pasur një plan operacional të tillë. Kur filloi të qartësohej ai?

Urdhërat e parë për lëvizjen e trupave të ushtrisë drejt Jugut të Shqipërisë filluan të merrnin formë që në ditën e parë të muajit mars 1997. Në  ligjin Nr.7528, datë 28.02.1992 thuhet se Komandanti i Përgjithshëm “Me propozim të Shtabit të Përgjithshëm vendos për përdorimin e Forcave të Armatosura në operacionet ushtarake” Po si u veprua në fakt? Në mediat zyrtare deklarohej  se ushtria po vepronte në ndihmë të forcave të rendit. Drejtoria Operative në Shtabin e Përgjithshëm përpilon urdhëra për lëvizjen e njësive dhe reparteve të ushtrisë. Ajo përgatiti një operacion luftarak. Në orën 16 të datës 2 mars 1997 Parlamenti Shqiptar u mblodh për të diskutuar gjëndjen e jashtëzakonshme. Në orën 19.35 me një shpejtësi dhe oreks të çuditshëm hyri në fuqi Ligji i gjëndjes së jashtëzakonshme. Strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të Ministrisë së Brendshme u bashkuan me SHIK-un dhe gjenerali Bashkim Gazidede është emëruar Komandant i operacionit për të shtypur revoltën në Jug të Shqipërisë. Këtu filloi rrokullisja. Mbi kurrizin e ushtrisë  dhe efektivave të saj vepronte loja e rrezikshme e kungulleshkave. Ish Ministri i Mbrojtjes deri më datë 2 mars 1997 dha 22 urdhëra.

Cila ishte situata e atyre ditëve?

Situata ishte kjo: Në datën 3 mars, Sali Berisha rizgjidhet President për një mandat të dytë në një situatë shtetrrethimi, në një mbledhje parlamenti të mbyllur. Ndërsa Presidenti buzëqeshte në llozhën e parë të Parlamentit tanket dhe autoblindat marshonin drejt qyteteve jugorë. U vendos institucioni i çensurës klasike dhe kontrolli i plotë mbi çdo mjet të informimit publik. Vetëm TVSH-ja mori përsipër të transmetonte buletinin dizinformues të policisë së fshehtë shtetërore. Radiot dhe televizionet e huaja shqipfolëse ose thjeshtë të interesuara për çështjen shqiptare, u zhurmuan. Që prej datës 3 mars,  nuk dilte asnjë gazetë tjetër, veç “RD”-së. Korrespodentët shqiptar të gazetave dhe radiove të huaja, për shkak të terrorit u larguan ose u fshehën.

Mund të na përshkruani kronologjinë e ngjarjeve të atyre ditëve, pra të mësymjes drejt jugut të vendit?

Kronologjia e ngjarjeve, dhënia e urdhrave, mënyra e përqendrimit të forcave dhe mjeteve, mendojmë se treguan idenë e veprimeve: Kapjen e portit dhe e Bazës së Sarandës, shbllokimin e situatës dhe kapjen e qyteteve të Delvinës dhe Sarandës. Në këtë drejtim u parashikuan të vepronin vetëm nga strukturat e Forcave të Armatosura 5 batalione këmbësorie, 1 batalion komando, 1 batalion i artilerisë së përzier dhe një kompani raketash kundër tank. U llogaritën pra, rreth 2000 forca aktive, duke mos llogaritur forcat e SHIK-ut dhe te Akademisë së rendit që ishin futur në Gjirokastër, drejt Delvinës, të komanduara nga gjenerali, komandanti i tyre.

Në Përmet në mesnatën e datës 7 mars 1997 afrohen forcat e Brigadës Komando të Zall-Herrit, batalionet e këmbësorisë të Divizionit Shijakut dhe Burrelit, forcat e artilerisë të Divizionit Këmbësorisë Tiranës, Brigada e Komunikimit, repartet speciale dhe të riparim-evakuimit, etj. Atje qenë të vendosura më parë forcat e SHIK-ut së bashku me to edhe ato të ashtuquajtura Brigada Speciale e “mercenarëve të mbledhur” Forcat e Fierit dhe një batalion këmbësorie i Divizionit 8 Këmbësorisë Tiranës, ekuipazhet e tankeve së bashku me tanket dhe forcat e SHIK-ut qenë të vendosur për të bllokuar Qafën e Koshovicës me qëllim që të mos lejonin “marshimin e forcave të Vlorës” drejt Tiranës, si dhe të ulnin moralin e zonës përreth. Për këtë ata u angazhuan në veprime terrorizuese në fshatrat e zonës, sidomos nëpërmjet SHIK-ut.

Në vijim dhe në përforcim të këtyre fakteve, po sjell edhe një dëshmi autentike. Flamur Teçpollari, Shef i Shtabit të Batalionit të këmbësorisë së mekanizuar në Laç, dëshmitar që në mëngjesin e datës 4 mars 1997: “Së bashku me komandantin e batalionit tim Sami Cena shkuam tek prefekti i Fierit, i cili ishte komandant i operacionit të rrethit. Në prani të 14 vetave dha urdhrin luftarak “për mësymje ndaj Vlorës”. Populli terrorizohej  nga tanket nëpër rrugë. U nisën drejt Qafës së Koshivicës ku pashë me sytë e mij gjëra dhe veprime shumë të poshtra. U dha urdhër nga Izamedin Haxhia që të hapej zjarr në Cakran se do të vijnë vlonjatët. Në fakt nuk kishte asnjë lëvizje.”

A pati ndonjë përpjekje për ta ndalur këtë mësymje, flas për qarqet e larta të ushtrisë?

Përkundrazi. Më datën 6 mars ish-Presidenti i Republikës, Sali Berisha, mblodhi partitë politike ku u vendos 48 orë armëpushim duke nisur nga ora 12.00 e datës 6 mars. Brenda këtyre 48 orëve iu bë thirrje të gjithë personave të armatosur civil që të dorëzonin armët. Në këtë urdhër nuk u përcaktua se cili person civil do të dorëzonte armën, civilët e armatosur, militantët e partisë apo civilët e SHIK-ut. Nuk u përcaktua se ku do të dorëzoheshin armët apo kush do ti merrte ato në dorëzim. Pikërisht në datën 6 mars në ”kushtet e ndalimit të veprimeve ushtarake” në akset kryesore  të rrugëve Tiranë-Fier-Berat-Përmet dhe Tiranë-Korçë-Ersek-Leskovik-Përmet, filloi lëvizja masive e njësive dhe e reparteve të ushtrisë me teknikën dhe mjetet e e saj luftarake. Kështu, si padashje, ushtria po dilte jashtë loje. Ajo nuk mund dhe nuk kishte arsye për një grupim të tillë.

Mund të tregoni me fakte një organizim të tille ushtarak kundër jugut të vendit?

Mund të ilustroj këtë me Përmetin. Përmeti ishte zgjedhur baza nga do të niseshin formacione të shumta ushtarake për mësymjen kundër ”rebelëve të kuq’’ të Jugut. Bashkë me pranverën, në Përmetin e njerëzve të mrekullueshëm, hyri dhe masakra shtetërore.

Pse u zgjodh pikërisht Përmeti?

Përmeti ishte i vetmi  qytet në Jugun e Shqipërisë që ndodhej nën kontrollin e rreptë të regjimit. Shteti kishte informacionin e sigurt për karakterin e njohur të qytetarit përmetar. Si njerëz të edukuar, të urtë e mikpritës, mendohej se ata nuk do të rezistonin ndaj makinës shtypëse ushtarake dhe përqendrimit të forcave atje. Për herë të parë në historinë e tij, Përmeti ka parë këtë përqendrim të madh forcash dhe mjetesh luftarake. Ndërkaq, për herë të parë do të binte në kontakt me kulturat e dobëta banale dhe  veprimet rrugaçërore. Mënyra e organizimit të luftës në Përmet me të vërtete nuk kishte precedentë. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh ajo është një spektakël që nuk e ka shokun në analet e historisë së  konflikteve shqiptare.

Çfarë ndodhi konkretisht në Përmet?

Që në agimet e para të pranverës dhe deri në mbrëmjen e 8 marsit 1997, qytetin e mbuluan forcat e shumta të mercenarëve, specialet e SHIK-ut, Brigada Komando, Brigada e Këmbësorisë së Shijakut, Burrelit, Brigada Tankiste Zall-Herr, Brigada e Artilerise së Divizionit Këmbësorisë Tiranë, një brigadë e quajtur “rezervistë”, të grumbulluar kryesisht nga rrethinat veriore të Shqipërisë.

Qyteti i Përmetit u mbush me dy ushtri, të organizuara dhe të drejtuara nga shteti, të përqëndruara në dy kampe përballë  njëra-tjetrës. Lumi i ndante në mes: Forcat vullnetare të veriut dhe të SHIK-ut, si dhe Forcat e Armatosura të ushtrisë. Pas udhëtimit të gjatë e të stërmundimshëm, përpara syve të njëra tjetrës, asnjëra nuk mund të hynte në “betejë”.  Kjo gjëndje vërtetonte faktin se edhe “fitoria” e cilës do force, ishte e padobishme. Zhvillimi i ngjarjeve të planifikuara do të qëndronte aq larg për tu zbatuar sa edhe më parë se të përqëndroheshin forcat.

Kjo llojshmëri forcash të çorientuara, ky agresivitet i njerëzve që as vetë nuk e dinin përse kishin ardhur deri këtu, krijoi konfliktin më serioz  jo vetëm për popullin e Përmetit, por edhe midis formacioneve të ushtrisë dhe SHIK-ut.

Si duhet të shpjegohet kjo! Si njëra palë e forcave edhe pala tjetër kishin në përbërien e tyre pothuajse të njëjtën bërthame, ata ishin vetëm forca vullnetare. Bërthama e rregullt e Forcave të Armatosura në këto momente ose ishte shkrirë komplet, ose ishte bërë tepër e dobët për të realizuar veprimet që kërkonin zbatimin e urdhërave të dhëna. Ajo përbëhej nga një masë e caktuar rekrutësh të pastërvitur, të mashtruar rreth asaj ç’ka do të kryenin. Ishte vetëm uniforma që i dallonte ose që i bënte ushtarë. Stërvitja as që nuk ishte menduar të bëhej. Dëshira e oficerëve të forcave të ushtrisë së rregullt, por edhe ai numur i pakët i oficerëve vullnetarë nuk ishte për stërvitjen dhe drejtimin e këtyre lloj operacionesh.

Për organizimin e mirëfilltë ushtarak nuk mund të flitej madje, as për forcat e ushtrisë së rregullt. Absurdi qëndronte në faktin se edhe ushtarët aktiv ishin ushtarë të rinj. Ishte absurde të hidhje rekrutët e pastërvitur në një aventurë të tillë përballë njerëzve e familjeve të tyre që përjetonin të njëjtin fat.

Pra diçka nuk funksionoi në Përmet?

Po, kjo është e vërtetë dhe ishte e natyrshme që kështu do të ndodhte. Kështu, forcat ushtarake shtetërore të grumbulluara në Përmet mbetën tepër të befasuar, duke refuzuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme. Disponues për zbatimin e urdhrave ishin disa prej kolonelëve dhe ushtarakëve të ardhur atje, por që mbetën të vetmuar. Për një moment të mendojmë se dëshira e personelit komandues dhe drejtues ekzistonte për stërvitje dhe manovrat e mëtejshme dhe se kjo vështirësi mund të kapërcehej.

Gjithsesi në Tiranë po grumbulloheshin rezervistët?

Kjo është një pyetje me vend por që në atë kohë nxori shumë pikëpyetje dhe që bëri në fakt të dështonte një operacion i tërë. Mund të pyetet: Si qëndronte puna me shpejtësinë e përgatitjes së kontigjenteve të mbledhura e të grumbulluara me urgjencë para pak ditësh në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”? Ky kontigjent kishte në përbërjen e vet diferenca moshe nga më të ndryshmet. Brezi i ri kishte rreth 10 vjet që nuk stërvitej ushtarakisht, gjë që i mungoi këtij kontigjenti rezervist. Për stërvitje me rezervistët as që ishte menduar ndonjëherë. Ishte kësisoj një efektiv i përbërë nga vullnetarë dhe rezervistë të papërgatitur. Ndryshonte uniforma, emërtimi dhe deri diku urrejtja ndaj jugut  për aventurë. Ndërsa për kontigjentet e tjera mbështetës dhe special, puna qëndronte dhe më keq. Këto lloj shërbimesh kërkonin një kohë më të gjatë përgatitje, stërvitje më të kujdesshme sesa për këmbësorin e thjeshtë. Kjo edhe për vetë kuadrin drejtues.

Për një moment mendojmë se të gjitha këto vështirësi kapërceheshin dhe pjesa më e madhe e grupimeve gjendeshin në kushte të mira përgatitje. A mund të lëviznin ata edhe në këtë rast? Efektivave atje u mungonte ushqimi i thjeshtë, u mungonte morali. Ushtaraku mbi karroceritë e mbushura me pluhur, rrugës hante copën e bukës, ndërkohë që fëmijët dhe familjet e tyre i kishin lënë në kushte jo më të mira. Furnizimi i saj duhej të plotësohej, por depot e ushtrisë kishin vite që pjesë-pjesë ishin grabitur sikundër ishin vjedhur dhe lekët e tenderave për ushqim dhe për veshmbathje. Organizimi i kësaj pike më elementare të shërbimit logjistik ishte një zero.

Gjithsesi, pjesa efektive e ushtrisë ishte në gatishmëri dhe mund të vepronte?

Forcat e tjera ishin më në gjendje, më të përkëdhelur nga shteti. Kishin marrë shumë më tepër lekë, por jo mbështetje logjistike. Ndryshimi qëndroi në atë që ishin më të guximshëm në shkatërimin dhe vjedhjen e dyqaneve, lokaleve  dhe furrave të bukës. Kështu që as që mund të parashikohej se sa do te zgjaste kjo gjëndje e amullt në të dy kampet e grumbulluara, njëra tek pishat e bukura në hyrje të qytetit dhe tjetra tek reparti special i forcave komando, derisa materiali mendor i cilësise së lartë i ushtarakëve dhe i vullnetarëve  të mos ishte bërë i vlefshëm për vënien në lëvizje të asaj makine gjigande të armatosur, për të ulur armët dhe për tu gjunjëzuar në emër të një çështjeje të madhe. Këtu ishte fundi i vendosmërisë për konfliktin e hapur që bënë kuadrot dhe efektivat e Forcave të Armatosura kundër drejtuesve të vet. Këtu mbeti fundi i çorganizimit të plotë i  komandim-drejtimit në ushtri.

A pati panik në radhjët e ushtrisë në këto kushte?

Natyrisht që pati. Ushtria nuk ishte e përgatitur për t’iu kundërvënë popullit të vet, për të goditur popullin që ishte betuar se duhej ta mbronte. Në “vijën” përballë këtij fronti dhe grupimi të madh forcash dhe mjetesh qëndronte përsëri populli vullnetar i armatosur, po me armët e ushtrisë. Këtyre kontigjenteve nuk mund t’u dihej me saktësi numri, përgatitja, mjetet, armatimi, teknika, mbështetja logjistike. Ishin të vendosur në kërkesat e tyre legjitime,  por edhe kurajua për tu ndeshur nuk mund të dihej me saktësi.

Kështu që, grupimet e forcave ushtarake të makinës shtetërore dhe populli i armatosur i Tepelenës, i Gjirokastrës, i Labërisë, dhe i krejt Jugut, të frikësuar nga njeri tjetri, duke iu trembur fitores pothuajse aq sa edhe disfatës, qëndruan përballë njëra me tjetrën, duke u orvatur të krijonin diçka. Nuk mund të vepronin, nuk mund të ishte ndryshe, kur shihej edhe nga ushtari më i thjeshtë mbretërimi i padijes, dhe i mungesës së përvojës. Paniku nuk ishte i papritur. Tërheqja në çastin vendimtar të hyrjes së luftës civile e cila pushtoi  fillimisht tërë ushtrinë nuk mund të na habiste. Një gjë e tillë u bë më se normale duke penguar luftën civile.

Nëse forcat e mercenarëve do të vepronin, unë mendoj, se mbi kokat e tyre do të binte grushti i madh i historisë, ose do të ishin të detyruar të tërhiqeshin me disfatën e turpit, sepse forcat e jugut së bashku me ato të ushtrisë do të hidheshin në veprime, deri në një gjakderdhje të pashmangshme. Masa aktive e efektivave, oficerët dhe ushtarët e thjeshtë që u ndodhën në Përmet, kundërshtuan të ndërgjegjshëm këtë aventurë luftënxitëse. Ky çelës i bllokimit të veprimeve justifikoi plotësisht zbatimin e urdhërave të eprorëve  për përqëndrimin e forcave në Përmet, por që atje dhe vetëm atje, në momentin kulmor të historisë kërkohej që çelësi mos të funksiononte më. Ishte momenti kur gjithçka ishte shëmbur. Lufta civile ishte në start. Dikush i pari të merrte guximin dhe gjithçka shembej.

Gjithsesi, demonstruesit e jugut duhet të falenderojnë ushtrinë e cila që në fillim i mori në mbrojtje në Përmet. Në të kundërt lufta do të zgjaste pambarim duke hapur në të njëjtën kohë atë konflikt gjakmarrjeje që dëshiruan disa, midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë. Jo rastësisht për këtë ishte zgjedhur ‘’vendëkomandë’’ Përmeti. Për zbatimin e planeve bën fjalë vizita e ish Ministrit të Mbrojtjes në mesditën e 8 marsit 1997 në Përmet i shoqëruar nga ish Drejtori i SHIK-ut dhe një eskortë ushtarakësh të armatosur. Takimet e para i filloi me më të besuarit e shtetit, drejtuesit e SHIK-ut, veçanërisht  me komandantin e forcave speciale N/Kol. Mulosmanin. Më pas me drejtuesit e forcave të ushtrisë. Hija e ardhjes së ish Ministri të Mbrojtjes në Përmet mbetet ogurzezë, por edhe tepër misterioze.

Pse u arrit në atë gjendje, sipas jush?

Në  një  raport  të  pabotuar  të  shërbimit  britanik  SOE  gjatë  Luftës së II-të Botërore, parregullsitë e luftës në Shqipëri përshkruhen në këtë mënyrë: “Shqiptari punonte arën e tij, paguante taksat dhe nëse shtypej shumë ose kërcënohej me shërbimin ushtarak, merrte pushkën dhe strehohej në zonat ku tanket italiane nuk mund të shkonin dhe këmbësoria nuk kishte arsye për ta ndjekur”.

Primitivizmi shtetëror në vitin 1997 kërkoi ta trajtonte ushtrinë si robot, të cilës mjafton t’i japësh një komandë, t’i shtypësh një buton, apo të nxjerrësh një dekret dhe ushtria si me magji të shndërrohej në tjetër. Mirëpo Shqipëria dhe ushtria u ndodhën përballë një lufte të çuditshme. As lufte civile, as luftë kundër pushtuesve, as luftë për të pushtuar, as mes krahinash, as mes besimeve fetare, as mes njeri tjetrit. Ky tmerr që në Shqipëri nuk mund të kishte emër, ngriu. Shpjegimi mendojmë se ngelet i thjeshtë. Kjo luftë nuk pati kundërshtarë. Krahinat e Jugut të Shqipërisë nuk ishin kundërshtarë të ushtrisë.

Komplekset e inferioritetit të ish pushtetit, të ish Komandantit dhe të atyre pak bashkëpunëtorëve të verbër të tij dërguan fjalën se “lufta në Shqipëri është mes krahinash”. Për këtë mashtrim të paskrupullt u akuzua barbarisht pjesa jugore e Shqipërisë. Këta përfaqësues të këtij konflikti imagjinar nuk mundën të kuptonin se çfarë kërkonin dhe aspironin populli kryengritës në jug, për të gjykuar se ku po e çonin ushtrinë.

Ata konstatuan se Jugu nuk mund të vihej nën pushtetin fisnor të bajraktarëve. Kur populli i Jugut thirri Komandantin për të biseduar dhe këmbyer mendimet me të, ai i frikshëm, plot dinakëri shkeli besën e arsyes duke mobilizuar mercenarë dhe ushtrinë kundër njerëzve të pafajshëm. Popullsia  filloi të organizohej për tu mbrojtur. Shpresa e ish shtetit për të kthyer kryengritjen popullore kundër tij, në një luftë krahinore, u mbyt.

Çfarë mund të themi si konkluzion të kësaj?

Nga ajo që ngjau në vitin e zi 1997 mund dhe duhet të nxirren shumë konkluzione, në mënyrë që historia të mos përsëritet në të ardhmen. Unë, si ushtarak, ndër të tjera mund të them: Në dekadat që lamë pas nuk e kemi parë asnjëherë vendin dhe ushtrinë më keq se sa në javët e para të marsit 1997. Atë tërmet të madh që na çoi në buzë të greminës, e kemi përjetuar me zemër të copëtuar. Fenomenin e vetëshkatërrimit të ushtrisë do ta tipizojmë, duke i vënë emrin “ fenomen  shqiptar”. Ajo është vetësakrifikuar në muajt maj – qershor 1924 dhe në prillin e vitit 1939. Por ngjarjet e marsit 1997, për nga pasojat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten të ngulitura thellë në mendjet e çdo shqiptari.

(Vijon nesër)

Share This Article
19 Comments
  • Qeveria që sundon sot ka fituar numrin më të madh të mundshëm të shqiptarëve që nuk e duan më.

    Ky fakt shihet, lexohet e dëgjohet kudo.

    Por, ende jo të gjithë këto shqiptarë të shumtë që nuk e duan qeverinë, janë gati të mbështesin opozitën.

    Ky është në fakt trishtim..! Natyrisht jo për faj të njerëzve…

    • Shoqeri e bastatizuar,fshatareske,miope.shtet i korruptuar,i paafte,pa ide,e autoritar,elite idiote dhe injorante,elita e vertete rri e strukur dhe e pa motivuar per tu shfaqur.sistem shendetsor qe te vdes vete,dhe komplet i paafte dhe e pa pregatitur

      per mos te permendur korrupsionin,arsimi qe na ka cuar drejt analfabetizmit,ekonomia qe nuk prodhon nje mut,qe nuk arrijme dot te prodhojme dot as ushqimet baze po i importojme,dhe nje ekonomi qe pasurit e vendit si nafta dhe mineralet perdoret per te mbush xhepat e individeve dhe qe ska pike vlere per shtetin,per mos te thene qe as perpiqet qe te rritet prodhimi i tyre nepermjet ivestimeve ne ifrastukturet e tyre.

      kultura nuk ekziston.vetem disa oaze te pakta ne tirane,por dhe ato kaotike.rendi ,mos te rente te shofesh njeri shtrember, se armet sigurohen shume kollaj.sporti ..ka zhvillim te basteve ne bodrume pasi i hoqen nga lokalet, baste pra se sporti vete ka mar fund.

      media,e vetmja qe ka bere para ne krahasim me te shkuaren,por nje pjese e saj komplet e manipuluar,shkenca zero,….

      Nuk gjej dot nje aspekt pozitiv kur e analizoj kete vend…

      vetem ngrohtesia e familjes dhe ambjentit shoqeror…dhe nuk jam tifoz i asnje pratie kur bej kete analize..

      • Domsodo, ska sesi te mos shkoje ndryshe. Sala merr te paditurit e veriut dhe do te beje lufte me jugun, se e di qe jugu nuk e do salen. Kete rradhe sala do kuptoje qe komplet Shqiperia nuk e do me, do zbuloje qe shqiptaret e kane kuptuar sesi sillet komunisti berisha dhe do te japin goditjen finale ne 23 qehsor, kur te votojne per RILINDJEN e SHQIPERISE.

      • Sales i deshtoi plani per lufte ne 97′ dhe tani do ti deshtoje plani per te vjedhur zgjedhjet e 2013. Ne 23 qeshor shqiptaret do votojne, dhe dihet qe do votojne per Edi Ramen, sala te vazhdoje me planet e tija se do te shkaterrohen kur ta largoje populli me vote ne 23 qeshor.

    • Lufta civile e 97′ ishte nje histori dramatike e gjithe popullit tone. Nje lufte e ashper e zhvilluar ne dy fronte a-qeveria , shteti , b-populli. nje lufte qe na kushtoi shtrenjte te gjitheve ne. U masakruam u trembem deri ne palce , u vodhem nga firmat piramidale dhe na detyruan te iknim jasht shtetit tone nga frika e levizjes se lire. cfare ndodhi me qeverine ne kushtet kur bandat e armatosura bene masakra mbi popullin Berisha behet president dhe mbi vloren te gjithe e dime se cfare beri . Prandaj qe mos te perseriten me te tilla skena te tilla ngjarje tronditese duk\het ti themi po ketij programi qe vetem rilindja do te na i mundesoji dhe Z.Rama si ideator i saj

  • Gazeta Dita na shkrueni ndonje artikull mbi pushtimin e veriut nga moçaloret e jugut per 50 vjet rresht diktature moçalore. vrasjet dhunimet e burgosjet qe kan ba jugoret moçalor

    • ja dhe nje debil qe flet per jug veri..imagjino sa mend mund te kete nje njeri qe shikon ndasit krahinore,e cila faktikisht eshte ide e filtruar nga politika e hershme dhe kjo e sotmja per interesa te caktuara..mua me vjen per te vjell kur degjoje kete argument.nuk ka verior apo jugor.ka shqiptar.qe mund te jene me mend ose pa mend,te ditur ose injorant.dhe keta jane si ne veri e si ne jug.

    • Provojeni prape se prape me duar dhe me sepata do jua shqyejme koken nga trupi sic ua bene atyre te SHIK ne Vlore. Kruajeni se do te kuptoni cdo te thote urrejtje e te drejtit dhe te shtypurit.

  • ngjarjet e athershme ishin te frikshme por ne te vertet luften civile mendoj une se nuk e pengoj ushyrija por mos pasia e nje arsyeje bindese per te vrar popullsin civile. nga te dyja palet

  • Nuk po shikoj te vraret?Mediat botrore atehere dhe deklarimet e shtypit te pavarur shqiptar,flasin per fillim lufte me 6 te vrarë,ne Permet(qytetare)ndersa flitet se u vane pas ketij krimi te ushtrise e gjer diten qe Berisha”u dorzua” me turp,per 200-2500 veriore te vrare,800 jugore,ku Vlora, Permeti, Saranda, Berati,Fieri, Lushnja mbajne rekorde te vraresh(edhe ato per pakujdesi armesh a sherre).Shteti nuk ka dhene asnjehere numurin e te vrareve, ku vetem Berati nga Shkurti 1997 gjer diten e dorzimit me turp te Berishës,ka 480 te vrare….Keto levizje ushtrie, shiku, etj jane te verteta, por nuk jepet rezultati i “ikjes”me turp te tyre duke lene armet, rrobet rruges te shpartalluar!…Po te huaj qe u kapen ne Vlore e qe nuk dinin shqip kush i kish veshur ushtare e armatosur?Perplasja e Shikut ne Vlore ku u dogjen te gjalle “cecenet”qe provokuan e plagosen studentet?Baza e Pashalimanit qe do godiste me urdher Vloren, a do permendet?40 tanket e Poshnjes ne Berat qe u nisen drejt jugut, por u dogjen menjehere pa ngjitur Qafen e Sqepurit(Lexo shtypin e kohes)kush i nisi ne lufte dhe pse vet oficeret u rrebeluan?Avjonet me pilote qe moren urdher bombardimi e dezertuan duke shkuar ne Itali, a nuk jane te gjitha keto Lufte Civile e bere nga Sali Berisha i vetshpallur president?…Kush do hetoje kete dosje kriminale shtetrore dhe a do lehtesohen ndopak rreth. 4000 mije te vraret(pretendon shtypi i pavarur-qeveria hesht-Përse?)duke u gjykuar shkaktaret?Ketu nuk jepet thelbi,Humbjet, vrasjet,Lufta Civile qe edhe sot vazhdon, ndersa Italia qe nuk ka vrare asnje njeri,shteti, nepermjet kryeministrit Letta e konsideroi te perfunduar!Opozita por dhe shtypi shqiptar duhet ta deklaroje te plotë ekzistencen e luftes civile ne Shqiperi nga Sali Berisha,bile edhe sot kjo lufte eshte e dukshme tek vriten qytetare nenpunes dhe gjer gjykates e deputetë si Xhindi dhe nuk ka ende të ndeshkuar! Saliu fatkeqesia shqiptare qe nuk duhet toleruar si beri Nano-Islami etj,pas vitit tragjik 1997.Te ndjekim vazhdimin…

  • Keto ngjarje jane me se te verteta nje siuate te tille kemi jetuar edhe ne Elbasan ,nuk me kujtohet datase nuk kam mbajtur shenime por ishim nje grup shokeshduke pire kafe prane kafes tek hyrja e kalase perballe ne lulishte ishte mitingu i PD ku ishin ne tribune BERISHA me shoke dhe nje djale rreth20vjec flet kunder berishes dhe ne keto momente forcat e gardes vrapojne per ta kapur dhe me force po e ngjisnin me force ne nje makine tip ifo te parkuar ne bulevardin kryesor perballe kulles sahatit , djali i shpeton ngaduart gardisteve dhe iken mevrap por ne lulishte e qellojne me automatik dhe e plagosin ,nekete mmentfillon edhe lufta mes gardes dhe qytetarevete Elbasanit dhe per 10minuta gardistet carmatosen .kjo ka qene per mua nje ngjarje shume rende. Kete situate e krioje garda si kudo ne kete kohe qe krionte situata te tilla nga drejtusit e saj qe ishin militante te thekur te PD.

  • Berisha coi vendin ne konflikt te armatosur me qendrimet e tije ne vitin 96,pasi vodhi parate e shqiptareve armatosi militantet ekstremiste kunder te gjihte parametrave dhe cilesive te tyre penale ,per ti hedhur ne lufte kunder vellezerve te tyre qe nuk e donin ate

  • nuk duhet te shikohet si sulem i verioreve ndaj “moçalareve” si shprehet na njeri ketu,kjo eshte historia e hidhur e vitit te zi ’97,ne ata mercenare dhe komando kishte shume nga jugu(nje pjese e mire nga vlora).Viti ’97 kishte per qellim destabilizimin e SHqiperise ne menyre qe NATO te mos fillonte sulmin mbi serbine,kete gje e ka nxjerre ne pah dhe nje gazete Kroate si dhe eshte komentuar nga analiste kosovare.

  • Qartesimi i te kaluares ne menyre objektive i sherben te ardhmes, per te mos u perseritur te keqijat e qarta te se kaluares, qe fatkeqesisht SIMPTOMAT sikur kane ngritur krye, por qe shpresojme se populli, si kur do here do ti’u vere berrylin dhe do te eci perpara. Nje prove me siguri do te jete 23 Qershori per te bere rrotacionin paqesor, te cilin nuk e kane qejf NEO_DIKTATORET.
    Eshte e desherueshme, bile e domosdoshme qe POLITIKANET, ne radhe te pare ata qe jane pushtet e qe do te jene neser, te kuptojne mire e perfundimisht se PUSHTET ven’ e vijne, por SHTETI eshte NJE dhe i te gjitheve. Shpresoj shume qe 23 Qershori ti jap fund keti tranzitori qe u a nxiu jeten njerzve me sa e sa te zeza………..

  • sali berisha eshte do te jete dhe ka per te qene njeriu qe ka tentuar te shkaterroje kete vend sic beri ne 97 qe futi shqiperine ne lufte packa se ajo nuk mudn te quhet lufte civile

  • saliu vazhdon e na e shkaterron vendin nderkohe qe ne vazhdojme dhe e mebshtesim dhe kjo eprseri eshte e patoleruesheme daj shqipatret duhet te tregojne njehr se kane kulture poltike dhe dine t ezjgehdhin

  • ndaj ky njeri vlla vrases dhe shkaterrimtar i shqiperise dueht larguar nga ajo karrike kryeminsitri dhe ekte mudnta bejme vetem eme vote ndaj shqipatret dueht t ereagojne sa me pare te jete e mundur

  • keto duhet tia themi Pd-istave qe e kan idhur Sales. Edhe pse ju ka leru nen e fis, prap ven e i besojn pallavrave te tij. LArgim o sa me par per te. U be gabimi ne 2005, vodhi ne 2009..tani ska me..duhet me e largu 1 ore e me pare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *