Në intervistën e tij në DITA në tetor 2015, djali i Remzi Hoxhës, Ardiani, përmend edhe shtetasin me emrin Petrit Ame.
Ish-shefi i SHIK Gazidede ishte djali i tezes i Ames dhe ky i fundit mik me Arkanin.
“Ky ka qenë njeri fakt për të cilin është zhdukur babai im, dhe tjetri ishte takimi i Bashkim Gazidedes me Arkanin, dorën e djathtë të Sllobodan Millosheviçit, kryekriminelin serb, që masakroi me mijëra burra, gra e fëmijë shqiptare në Kosovë. Bashkim Gazidede ishte djalë i tezes së Petrit Ames nga Dibra e Madhe, kurse Petriti ishte shok i ngushtë i Arkanit….” – thotë Ardiani.
Po cili është Petrit Ame.
Bedri Islami në 4 qershor 2014 në një shkrim pas një deklarimi të Berishës në Kuvend “unë jam arkivi” flet për Petrit Amen dhe lidhjet e tij. Më poshtë shkrimi i Islamit:
******
Arkivi i Berishës dhe Petrit Ame
Nga Bedri Islami
E vërteta është se përmes dy hallkave, strukturave legale të inteligjencës dhe strukturave ilegale pranë partisë së tij, një lloj sigurimi i fshehtë brenda sigurimit legal, Berisha ka në duart e tij shumë të dhëna, të cilat ai i ka mbledhur që në ditët e para të qenies së tij si president. I mësuar me tezat e dosjeve dhe arkivat partiake, ai shkoi edhe më tej se kaq, ai formësoi brenda vetes një rrjet të dendur besnikësh, shumë nga të cilët të lidhur ngushtë me rrethe mafioze apo që krijuan më pas rrethe të tilla dhe përmes tyre, ai bëri të mundur që të dijë për secilin, sidomos nga të vetët, se çfarë kishte bërë, kush kishte dosje dhe ku e kishte; çfarë shkruhej në dosje dhe a duhej mbyllur apo konservuar; cilat ishin lidhjet e dosjeve me njëra-tjetrën, çfarë kishte ndodhur në evoluimin e njerëzve të dosjeve; cila ishte shkalla e besnikërisë së tyre dhe kur duheshin goditur.
Të gjitha këto ai i ndërtoi si një piramidë, e cila mund të shembej ose të ngrihej më tej në momentin që vetë ai dhe vetëm ai, e dëshironte këtë. Në fakt, njerëzit që mblodhi rreth vetes, sidomos në fillimet e lëvizjes pluraliste, krahas idealistëve, ishin të prejardhur nga falanga të errëta, disa prej tyre i kishin shërbyer jo vetëm besnikërisht sigurimit të shtetit, po edhe më tej se kaq, ata kishin qenë nyja lidhëse mes gjykimit dhe mashtrimit; të tjerë, edhe më të errtë kishin qenë të dënuar si bashkëpunëtor të UDB-së dhe disa nga këto ai i mbajti edhe më afër, i delegoi ku ai e shikonte të arsyeshme, deri edhe në Ministrinë e Punëve të jashtme; kishte njerëz të Asfalisë greke, të cilët u bënë befas deputetë pëdëistë dhe ai e dinte krejt mirë një gjë të tillë, sepse i kishte dosjet e tyre. Pastaj ndërtoi një piramidë më të vogël me njerëz, veset sociale të të cilëve ishin të pështirosura, por edhe ata i duheshin, si një falangë rezervë.
Kur disa kohë më parë kam shkruar se Berisha e bën gjithçka mbi bazën e arshivës së tij, e ndërtuar ilegalisht, sepse askujt nuk i lejohet të ketë në një shtet demokratik një arshivë paralele, qoftë edhe presidenti i vendit, kishte mjaft që nuk e besuan këtë, sepse u dukej e pamundur që perversiteti politik e moral të kishte rënë kaq poshtë. Tani, vetë ai, zëshëm dhe haptas, e pranon këtë fakt. E pranon jo si një akt i natyrshëm, por si një moment presioni, edhe ndaj qeverisë, ku mund të ketë njerëz, dosjet e të cilëve ai i di mirë; por edhe ndaj të vetëve, sidomos atyre që heshtin dhe presin momentin se kur mund të devijojnë nga kjo katrahurë ku ai e ka futur mendimin politik dhe jetën e zakonshme të njerëzve. Disa nga dosjet që ka Berisha, ose më saktë që ka ai në arshivën e tij mund të jenë të sakta, sidomos ato që mblodhi në vitin 1992; të tjerat mund të jenë servisur sipas oreksit të shefit, sidomos në kohën e gazidedëve.
Enver Hoxha e kishte zakon e mbante ditarë, ndoshta të përditshëm, se me cilët foli, çfarë i tha, ku ishte, me se merrej, me cilët shkoi, si e kishte çehren. Kur vinte dita dhe bashkëpunëtori i tij ishte në ditët e rrëzimit, ai i thirrte në ndihmë ditarët e tij dhe tjetrit i duhej të përgjigjej edhe për një fjalë që kishte thënë 30 vite më parë. Berisha e perfeksionoi këtë, ai shkoi edhe më larg se idhulli i tij politik, ai ndërtoi një strukturë paralele, jo vetëm të shërbimit të sigurimit, por edhe të arshivës së politikës, njerëzve dhe ngjarjeve.
Mirëpo , nuk e di, nuk jam i bindur, në se në arshivën e tij ka të shënuar edhe gjëra të tjera, të cilat lidhen me dritëhijet e jetës së tij, dhe që presin një ditë të jenë të qartësuara. Mos ndoshta e gjithë kjo lojë me arkiva dhe ndjekje nuk është asgjë tjetër, veçse përpjekja për t’i thënë të tjerëve, “mos i hapni dosjet e mia, që të mos i hap dosjet tuaja”. Është vendi i vetëm në botë, ku një ish president dhe një ish kryeministër, në një foltore parlamenti, deklaron haptas se ka prova për krime dhe, jo vetëm që nuk i dorëzon këto prova, jo vetëm që shantazhon përmes tyre, por, edhe më tej se kaq, nuk trazohet nga askush. Manteli i deputetit është shumë i shkurtër për raste të tilla, dhe imuniteti që pretendon, është i jashtëligjshëm. Në një shtet ligjor, njeriu që pretendon se ka prova të tilla, ai do të merrej nga prokuroria, me hir apo me pahir, dhe pas hetimeve, ose do të bëhej hero i popullit të tij, ose do të shkonte drejt e në burgun më të thellë. Rrugë të mesme nuk ka.
A është e shënuar në arshivën e Berishës se me cilin u takua Azem Hajdari në janarin e vitit 1991, në një nga lokalet e Tiranës dhe cili është mesazhi që solli njeriu nga Beogradi? A kishte lidhje ky njeri me klanin e Bulatoviqëve dhe përse Ramiz Alia, megjithëse u sinjalizua për këtë takim, heshti?
A kishte dijeni Berisha dhe çfarë thonte arshiva e tij për njerëzit që ai aktivizoi në rrethet e larta të partisë dhe të shtetit dhe të cilët, kishin lidhje të ngushta me ish sigurimin e shtetit? Në arshivën e tij çfarë të dhënash kishte ai për një sërë njerëzish, të cilët, i mbuloi me shapkën e demokratëve, kur ata kishin qenë thjeshtë e vetëm sajues dhe dëshmitarëve të gjyqeve të rreme politike? Pseudonimet e tyre, unë i kam thënë një shkrim të mëhershëm dhe ai i ka ditur këto edhe pa pasur nevojë për një shkrim timin. E rëndësishme është të dihet se kush ia rekomandoi atij, kush ia solli në derë dhe për çfarë i shërbyen atij.
Çfarë është shkruar në arshivat e Berishës për njerëzit që i bëri figura të partisë së tij dhe që në fakt kishin qenë thjeshtë bashkëpunëtorë të sigurimit të fshehtë serb dhe të dërguar prej tij nën maskën e atdhetarëve? Berisha e dinte krejt mirë se njëri nga njerëzit e tij të besuar, i fshehur pas emrit Pashtriku, kishte qenë rezident i sigurimit serb, e megjithatë, për shumë kohë ai e mbajti pranë vetes, e bëri edhe zëvendësministër dhe e gjitha kjo, sipas mjegullimit se, i ka parë me sy të mirë zhvillimet demokratike. Sa të tilla kanë ende dosjet në arshivën private të zotit Berisha?
Në Shqipëri, pas vitit 1992, vërshuan me dhjetëra e dhjetëra ish bashkëpunëtorë të sigurimit të fshehtë serb, për disa nga të cilët kishte pasur edhe më herët dosje në sigurimin e shtetit. Ata u shfaqën në Tiranë si biznesmenë të fuqishëm, si zhvillues, si shpëtimtarë, kur në më të shumtën, nën hijen e shërbimit serb apo maqedon, kishin qenë vetëm tregtarë droge, armësh dhe matrapazë politikë. Është e pamundur që Berisha në arshivën e tij të mos ketë pasur emrat e këtyre njerëzve, sepse ishin të njohur. Kush i dha urdhër atij t’i hapte rrugën pikërisht të tillëve dhe ndërkohë, pak kohë më vonë, të mbyllte çdo rrugë për qëndrimin në Shqipëri të liderëve së lëvizjes çlirimtare. Ndërsa të parët, udbashët, livadhisnin nëpër gjithë hapësirën shqiptare, figura të njohura të lëvizjes çlirimtare, si Zahir Pajaziti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe shef i shtabit Operativ të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burgosej pikërisht në Shqipëri. Për Zahirin, kishte urdhër arresti nga policia serbe, ashtu si për Adem Jasharin, dhe kjo dihej, sepse ishte e shpallur zyrtarisht; por, megjithë dosjet që ia kishte përgatitur shërbimi i LDK-së dhe këto duhet të jenë në arshivën e Berishës, përsëri ata arrestoheshin dhe dëboheshin nga Shqipëria.
A është në dosjen e Berishës emri i njeriut që solli Arkanin në Shqipëri dhe që e lidhi me Bashkim Gazideden? Kush ishte ky shqiptaro-maqedonas dhe në çfarë aferash ishte i përzier? A është takuar Berisha ose njerëzit e tij të afërt me këtë njeri, të cilit iu krijuan të gjitha lehtësitë për të vepruar në Shqipëri? Çfarë e ka informuar Gazidede shefin e tij politik dhe institucional pas takimit me Arkanin dhe kush ia përgatiti takimin me ish-kryeministrin e Malit të Zi, edhe ai nga klani i Bulatoviqëve? Mos është vallë i njëjti njeri që solli edhe Arkanin?
Në vitin 1992, si mos më keq, Shqipëria shkoi në nivelin zero. Gjithçka u shkatërrua në krejt pak kohë. U përmbysën të gjitha dhe asnjë lloj ligji, me përjashtim të dosjeve që kishit ju, nuk ekzistoi. A kishte skenar për një lëvizje të tillë apo gjithçka ishte spontane, erdhi nga mosdija apo se kështu donin figura politike, nganjëherë euroatlantike, fijet e të cilëve më pas do të dilnin edhe në vende historikisht egër kundër vendit tonë?
Arshiva juaj duhet të jetë e plotë, deri në maksimumin e saj. Më ka bërë përshtypje gjithnjë se si, ju, një njeri që reklamonit lidhjet tuaja me Kosovën, u bëtë aq egërsisht kundër lëvizjes çlirimtare. Nga ju erdhi ideja se UÇK-ja ishte një dorë e zgjatur e Arkanit, të cilën e shfaqët edhe në mediat perëndimore, si një shenjë që lini këto njerëz në hallin e tyre, ose edhe më tej se kaq, dënoni këto njerëz. Anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ilir Konushevci, “Mërgimi”, u vra në një pritë nga njerëz të lidhur me partinë që ju drejtonit atëherë de fakto dhe de jure. Kjo ndodhi në majin e vitit 1998 dhe vrasja e tij ishte një nga humbjet e ndjeshme të lëvizjes çlirimtare. Ajo ishte njëkohësisht edhe parathënia e grushtit të shtetit të shtatorit 1998. Në natën e parë të grushtit të shtetit, kur po festonit fitoren, bashke me disa “kopukë” institucionalistë, ju erdhi një telefonatë nga larg dhe një shqiptar, me aksent të shqiptarëve të Malit të Zi, ju dha urdhër të tërhiqeni. Megjithëse kjo ju është thënë shpesh herë, ende, askush nuk e ka dëgjuar nga ju se kush ishte ky njeri. Ishte lidhja e krijuar nga vizita juaj e parë në Amerikë apo jua kishte dhënë dikush? Njeriu që e ka bërë të njohur këtë fakt është një ndër personalitetet e vyera të botës së shërbimit inteligjent dhe është plotësisht i besueshëm, për vetë staturën e tij njerëzore dhe postin në të cilin ka drejtuar.
Ndoshta në arshivën tuaj është edhe emri i njeriut që iu solli idenë e thyerjes së embargos ndërkombëtare ndaj shtetit serb, dhe fakti që ju e keni thyer këtë embargo nuk është sajesë e askujt, veçse një dëshmi personale e juaja. Një takim i juaji me shefin e qeverisë së Malit të Zi, njeriut të dorës së fortë të Millosheviqit, ishte më shumë përmbyllës, pasi hesapet ishin bërë më parë. Mes jush dhe atij do të kenë qenë domosdo dy vetë dhe natyrisht lidhja juaj me to është edhe në arkivin tuaj. Është e mundur që pikërisht këto të dy të jenë edhe në eksportin e armëve drejt zonave të luftës në ish-Jugosllavi. Ndërsa idea e prapstë dhe e stisur tepër budallshëm, se i shitët naftë Millosheviqit për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë, më duhet të pranoj se është vetëm e juaja. Kushdo tjetër do të kishte gjetur diçka më të arsyeshme ose do të kishte heshtur.
Shpeshherë në lidhjet mes Prishtinës dhe Beogradit, deri në vitin 1998, dilte në dritë një prift italian, i cili më pas edhe u dekorua, por që në fakt nuk ishte asgjë tjetër veçse një mashë e shërbimit serb. Për këtë njeri dhe bëmat e tij ju keni pasur një informacion, deri diku të mjaftueshëm, që dhe të jetë në arshivën tuaj. Dyshimi është se mos ky njeri do të jetë i njëjti që më pas frymëzoi fushatën tuaj? Mos është një tjetër si ky, nën një rraso tjetër, që solli entuziazmin tuaj dhe ishit i gatshëm të kontribuonit në ndërtimin e kishave serbe të dëmtuara në Kosovë gjatë luftës?
Arkivi juaj duhet të ketë shumë gjëra. Ai ka edhe lëvizjet e grave të deputetëve, edhe sajesat për prokurorë dhe kryeprokurorë, edhe lëvizjet e presidentëve dhe marrëdhëniet e tyre me vëllezërit, edhe dëshirat e motrave dhe nënave, edhe informacione nga kamerierë, të cilët e dinë numrin tuaj të telefonit mobil; ju dini se edhe për ku e nga ku udhëtojnë qeveritarët e sotëm, për takime me prokurorë dhe njerëz anonimë; ju i dini të gjitha dhe të gjitha këto i keni në arshivën tuaj.
Shumë nga këto nuk kanë asnjë vlerë për njerëzit e zakonshëm. Atyre i intereson përse na erdh ky i ftohtë i akullt në jetën tonë dhe çfarë thonë arkivat tuaja për këtë? Kush e solli kumtin e shkatërrimit dhe të legjitimit të së keqes, në një vend që edhe ashtu, ishte i nëpërkëmbur.
Në fillimin e vitit 1992, menjëherë pas ardhjes në pushtet të PD-së dhe ngritjes së strukturave të para të shërbimit të ri inteligjent, i cili iu besua një njeriu të afërt me Berishën, por që më pas ishte i përfshirë edhe në afera të tjera; në Tiranë, gjithnjë e më afër qeverisë, sidomos Gazidedes, u shfaq një shqiptaro-maqedonas, me emrin Petrit Ame. Për pak kohë ai u shndërrua në një mik të afërt të Gazidedes, dhe u bë “eminenca gri” e tij. Shteti shqiptar, edhe pas informacioneve që mori, se ky njeri, i burgosur më parë në Belgjikë, për trafik droge dhe pjesë e grupimeve mafioze, ishte njëkohësisht edhe një ndër miqtë e afërt të Arkanit, Zheljko Raznjatoviç, i njohur si kreu i paraushtarakëve serbë, emrat e të cilëve i gjen në të gjitha krimet serbe të fund shekullit të shkuar, përsëri e bëri njeri të afërt dhe i besoi pjesë të rëndësishme të kontrabandës së karburanteve përmes Malit të Zi, e më pas edhe të trafiqeve të tjera.
Por 13 vite më vonë, përsëri një figurë tjetër, po aq kontraverse, do të shfaqej në politikën shqiptare, Damir Fazlliç. Ashtu si i pari, edhe ky që po vinte me pompë të madhe, kishte një të kaluar të rrjedhur përmes trafiqeve, kontrabandës dhe manipulimeve. Si Ame, edhe Fazlliçi kishte lidhje të shumanshme të shërbimin e fshehtë serb, por, ndërsa i pari kishte ecur përmes shantazheve dhe blerjeve , i dyti kishte lidhje të fuqishme familjare: ai do të ishte as më pak e as më shumë, nipi i shefit të shërbimit të fshehtë serb në kohën e Millosheviçit, dhe nga ana tjetër, nëna e tij, do të ishte funksionare e larë në kabinetin e ministrit të brendshëm serb, në të njëjtën kohë. (Çuditërisht, edhe lideri i sotëm ‘de jure’ i PD-së, Basha, ka të njëjtin sinkron: nëna e tij ishte sekretare e njërit nga zyrtarëve të punëve të brendshme në periudhën komuniste).
Ndërsa të parit, Petrit Ame, iu besua kontrabanda e karburanteve, cigareve dhe e armëve, të dytit, Fazlliçit, iu besua edhe më shumë se kaq. Ai u bë “eminenca gri”, jo vetëm politike, e familjes Berisha, dhe për herë të parë, një serbo-boshnjak të tillë, ish presidenti i një vendi që kishte një jetë që copëtohej nga një shtet i mbrapshtë si Serbia, tani kryeministër, mburrej se e kishte këtë nip kryeudbashi, mik shtëpie dhe mburrej se mund ta sillte edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërsa i pari, Ame, konsiderohej si kushëri i Gazidedes, pasi ishin nga dy zona kufitare, të Dibrës, ngjitur me njëra tjetrën, ende askush nuk e di se cila ishte “lidhja familjare” mes Berishës dhe Fazlliçit. Diferenca e ndjeshme në moshë mes njërit dhe tjetrit, rrugët që ë pamje të parë dukeshin , po ashtu të ndryshme, përjashtonin çdo rastësi njohje. Mes tyre ishte dikush më i fuqishëm se rastësia dhe kjo është diku në arkivën e kryeministrit të dikurshëm. Vërtet, kush i solli Fazlliçët në Shqipëri pas vitit 2005? Me cilin autoritet u lejua ai të jetë pjesë e takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, të jetë në Ministrinë e Mbrojtjes si në shtëpinë e tij, kur ai nuk ishte asgjë tjetër, veçse një njeri i dyshuar në shumë vende, trafikant i ndjekur nga shumë pasues, dhe për më tepër, ende daja i tij ishte i akuzuar për krime lufte në Kosovë? Kush e solli Fazlliçin në shtetin tonë, mbi cilat vlera u bë ai mik shtëpie i shefit të qeverisë, ortak i së bijës dhe krushk i të birit politik, Bashës? Në arkivin e tij, ish shefi, dosmodo duhet të ketë të gjitha raportet që njësi të specializuara të shërbimit inteligjent kanë paraqitur për staturën politike dhe mafioze të këtij njeriu, i cili, ashtu si zoti Ame, pasi u bë disa kohë zot i Shqipërisë, mik i afërt i ministrave, si ishte edhe i pari, u zhduk, për të dalë përsëri diku tjetër.

Deri më tash askush nuk mund të përgjigjet se çfarë ndodhi me milionat e përfituara nga kontrabanda e naftës, dhe kjo ishte një kontrabandë shtetërore, nga trafiku i armëve, më në fund nga ai i drogës; e pranuar më në fund si e tillë, e po ashtu, askush nuk i di saktësisht numrat e llogarisë që përmes fazlliçëve janë hapur në Qipro, në dobi të njerëzve të afërt të qeverisë që shkoi.
Por themelorja qëndron në përgjigjen e pyetjes: cili shërbim i huaj solli në Shqipëri pikërisht figura të tilla, kush ua dha bekimin kur erdhën në vendin tonë, kush i bëri NUN të familjes dhe të politikës, dhe çfarë fshihej pas këtij”përmallimi” të pakundshoq?Çfarë i ka kushtruar Shqipërisë kjo ” dashuri e përmallshme”?
Një ‘kokë’ për një karrierë
Në 23 vite në Shqipëri kanë ndodhur vrasje të rënda politike, në të cilat, herë qeverisës dhe herë opozitar, statura politike e Berishës ka qenë e pranishme. Në fakt, vetë ardhja në pushtet e tij, se më saktë, copëzimi i shtetit për të ardhur ai në pushtet, ndodhi përmes vrasjeve. Dy herë PD-ja është goditur në njerëzit e saj: me 2 prill 1991 dhe në rastin e Azem Hajdarit, shator 1998. Në të dy herët, njeriu që është betuar se do të dënojë fajtorët, si është e pritshme, ka qenë vetë Berisha. Me 2 prill 1991, tre drejtuesit kryesorë të PD-së në qytetin e Shkodrës, nuk ishin të pranishëm në demonstratë. Mungonin kryetari i degës, Arbnori, sekretari, quhej Xhemal Uruçi dhe mentori politik i saj, Ali Spahia. Asnjëri prej tyre në paraditen e 2 prillit nuk ishin në sheshin, që më pas do të merrte emrin e të rënëve. Asnjëri nga të afërmit e tyre, po ashtu, nuk do të ishte. Raporti që do të paraqiste në Kuvendin e Shqipërisë, komisioni i posaçëm parlamentar, i kryesuar nga një figurë e PD-së, do të irritonte Berishën deri në maksimumin e mundshëm, pasi, copëzat e hedhura aty, krejt qartë dëshmonin se kjo kishte qenë një vrasje nga brenda. Por, edhe sikur të kishte qenë ndryshe, gjyqi farsë që u zhvillua më pas, më shumë i ngjante ngutjes për të fshehur një të vërtetë, se sa për të zbuluar të vërtetën. Përbetimet se e vërteta do të ishte nën dritën e diellit tani janë mbuluar nën hijen e së fshehtës, e cila, megjithëse njeriu që u përbetua, ishte dy herë, si president dhe si kryeministër, u bë edhe më e thellë. Më mirë se të gjithë , këtë të fshehtë, mund ta kenë në stacionet televizive të Malit të Zi, të vetmet që filmuan demonstratën, ashtu si kishte ndodhur edhe me 13 dhjetor të vitit 1990.

Vrasja e Azem Hajdarit ishte një vrasje e paralajmëruar, dhe më mirë se të gjithë të tjerët, këtë e dinin në selinë e vetë partisë së tij, nga ku e nxorën në një pritë, e cila i dha fund një jete dhje hapi një enigmë të re. Në arkivin e Berishës duhet të jetë e shënuar se nga e mori ai lajmin, kush e kishte parapërgatitur kumtin për mediet, kush e nxori në rrugë të ndjerin, që pak më parë i ishte përbetuar se “unë e jap jetën për ty, Sali Berisha”, e po ashtu duhet të jenë edhe skenarët që do e vazhdonin këtë akt të hidhur. Berisha, që i dinte vrasësit, sapo shkrepi pushka e parë, nuk vajti asnjëherë në prokurori, nuk denoncoi askënd, la misterin të rritej, nuk u ballafaqua me asnjë nga ata që kishin qenë pjesë e krimit, por jo koka e tij; i la gjërat të rrjedhin jashtë vetes, dhe si soditi aq sa i duhej, kur e ndjeu se kjo nuk ishte e mjaftueshme, u bë gati për atë që tashmë dihet si grushti i shtetit.
Dy njerëzit më të afërt të të vrarëve janë sot në drejtësinë shqiptare, pjesë e rëndësishme e saj. Fatmira Hajdari, e veja e Azem Hajdarit, është gjykatëse e njohur,mes të tjerave edhe për gjyqe të lidhura me politikën e njerëzit e saj; e po ashtu Dritan Broci, i vëllai i Arben Brocit, pa dyshim njëra nga figurat më idealiste të lëvizjes studentore, është tashmë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Një mendje e qetë të thotë se, kur nuk bëri gjë për të gjetur fajtorët e vrasjeve ndaj njerëzve të tij, si mund t’i kërkohet të gjejë se kush ishin vrasësit e deputetit socialist, Xhindit, megjithëse Presidenti i sotëm, ish-ministër i Brendshëm, u përbetua se ndëshkimi është afër. Si mund t’i kërkosh të gjejë vrasësit e një gjyqtari në Vlorë, kur e gjithë çështja e tij është e lidhur me tokat në bregdet, në të cilat, shumë nga rrethi afër Berishës, janë bërë pjesë e mashtrimit? Si mund t’i kërkosh të gjejë vrasësit e punonjësit të SHISH, kur ai po sqaronte pikërisht vrasjen e gjykatësit dhe mund të shkonte drejt gjurmëve që do të kishin tronditur gjithë vendin? Gjëra të tilla janë të paarsyeshme t’ia kërkosh njeriut që nuk është kujdesur as për ” të vetët”, e jo më për kundërshtarët.
Kur i ka fillesat arkivi?
Në fillimin e vitit 1997, si asnjëherë tjetër, Shqipëria ndodhej në pragun e luftës civile. Ishte e pabesueshme si gjërat shkuan kaq shpejt në një rrokopujë, mes së cilës, tashmë askush nuk e dinte se ku e kishte të ardhmen e tij. Politika mori rrugët, armët zunë vendin e fjalëve, brutaliteti ishte në vendin e dialogut.
Gjithçka filloi në një mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, pas zgjedhjeve të famshme të vitit 1996. Kur ende turbullirat dhe rrëmuja nuk kishte marrë atë përmasë që mori pastaj, presidenti i vendit, dha vetëm një urdhër: Të armatosen militantët. Tha vetëm kaq dhe doli. Njëri nga dëshmitarët e kësaj ngjarje do të tregonte më pas se gjendej i tronditur, por jo vetëm ai, pasi gjithçka ishte menduar, gjithfarë zgjidhjesh, por jo kjo, armatosja. Berisha e armatosi një pjesë të vendit, qindra mitingashë, shumica veriorë, ende me besimin e po shkonin pas njeriut të shpresës, u bënë gati dhe nxituan të sulmonin drejt jugut. Më në veri të Shqipërisë, në Kosovë, njerëzit po përgatiteshin për luftën e fundit: pas saj do të kishte ose liri ose vdekje e përjetshme.
Metoda që zgjodhi Berisha për qetësimin e gjendjes ishte e njëjta që kishte gjetur edhe Milosheviçi në Kosovë. Edhe atje, me një fjalë të presidentit serb, u bë armatosja e serbëve lokalë, në shtëpitë e tyre u bënë gati të luftonin dhe, thënë të vërtetën, gjatë luftës, shumë ngatë vrarët shqiptarë apo të zhdukur, janë pasojë e po kësaj armatosje. Ishin krijuar paramilitarët, si i thonë në Kosovë. Berisha urdhëroi formimin e paraushtarakëve. Ishte dhe vazhdon të mbetet një kumt mizor, i cili ende nuk e ka përgjigjen e tij. Në të njëjtën kohë kur në Shqipëri po ndodhnin përplasjet, që më pas do të shkonin drejt një kasaphane, në Kosovë do të fillonin operacionet e mëdha kundër lëvizjes çlirimtare. Bota e zënë me ngjarjet makabre në Shqipëri e harroi Kosovën, ku, vetëm për tre muajt e parë të vitit 1997, u arrestuan më shumë se 150 vetë të lëvizjes çlirimtare, u vranë disa nga drejtuesit e saj në prita që e kishin një fillesë në arrestimet që u kishin ndodhur dikur në Shqipëri. Vëmendja e botës iku larg Kosovës, ajo që po ndodhte atje ishte një gjë e vogël, e parëndësishme, duke e krahasuar me atë që po ndodhte në Shqipëri.
Shumë herë më pas, analistë të shquar, veçanërisht britanikë, me qetësinë e gjykimit, kanë ardhur në përfundimin se mes dy lëvizjeve kaotike dhe revanshiste, ka pasur një lidhje politike, por edhe një lidhje organizative. Kjo shkoi edhe më tej: kur bordi serb i Prishtinës u bëri thirrje shqiptarëve në Kosovë dhe të rroknin armët për të luftuar kundër “komunistëve” vlonjatë, dhe në se disa fillimisht e morën rrugën, ishte meritë e lëvizjes çlirimtare, që ndaloi këtë fillesë të një ndarje të madhe kombëtare.
Në arkivën personale të Berishës janë tashmë, qartësisht të sakta, ngjarje jetike për vendin, në të cilat ai shpesh herë ka qenë jo vetëm pjesë, por edhe truri i tyre. Është thënë shpesh herë se Ai e prishi qeverinë e Stabilitetit për hir të pushtetit që shpejtonte të merrte, por njëri nga ministrat e tij, asaj nate kur kjo qeveri prishej, deklaroi haptas se pas kësaj që po ndodh, ai sheh gjak dhe krime. Profecia e tij, pëpr fat të keq ndodhi. Pse u perish ajo që po fillonte të ndërtohej, kur të gjithë, si thoshte vetë Berisha, ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë? Cili e solli kumtin për këtë prishje, e cila nuk erdhi nga asnjë qeveri demokratike, por nga një kuvli njerëzish, emrat e të cilëve kishin qenë të lidhur me UDB-në , që kur ishin arratisur nga vendi i lindjes. Për secilin prej tyre, në arkivat e shtetit, çfarëdo lloji, kishte të dhëna të bollshme, disa prej tyre kishin qenë në Shqipëri si diversantë dhe kishin vrarë mësuese e mësues, kishin djegur stalla dhe vrarë militantë të rastësishëm; por nën presidencën Berisha ata u dekoruan. Njerëz që me dekada kishin sakrifikuar për vendin e tyre kishin sjellë në Shqipëri informacion të mjaftueshëm për këtë banditizëm politik e ordinier, por asnjëra prej tyre nuk do te ishte e rëndësishme për njeriun që kishte vendosur të mbante pushtetin edhe përmes lidhjeve të kësaj falange. Njerëz të vyer, në mërgimin e motshëm shqiptar, profesorë të nderuar, që kishin vuajtur mjaft në Shqipëri, u braktisën, u shpallën agjentë të sigurimit të shtetit, pasi kishin “dy mangësi”: thonin të vërtetën dhe nuk kishin pranuar të ishin bashkëpunëtorë të sigurimit të fshehtë serb apo të Asfalisë greke.
A janë të gjitha këto në arkivën e Berishës? Është vetëm një pjesëz e vockël, pasi jeta e tij politike e 23 viteve të fundit, është e mbushur me detaje të pasura të një jete politike, e cila, në fund të fundit, ndoshta asnjë ditë nuk i shërbeu vendit të tij.
Secili nga njerëzit mund të shtojë shumë gjëra në këtë pjesë të arkivit politik, i cili u ndërtua nga jeta vetjake e një njeriut që u prit si pjesë e shpresës dhe hodhi mbi vendin e tij velin e zisë.
Është një shkrim, i cili, edhe në vete, nuk ka kurrë një përfundim. Sado të kërkosh, aq më shumë do të gjesh. Në fund të fundit mund të pyetet: cila ishte fillesa e kësaj rruge? Ishte vërtet viti 1991 apo ka edhe ndonjë vit më të hershëm në të gjithë këtë gjëmë që erdhi tek ne?
Dosjet një ditë do të hapen…por jo dosjet tona. Ato i mbylli përfundimisht ish-shefi i presidencës, sepse ishte më interesant dhe më e favorshme për të që të kishte vetëm ai akses mbi ato që kishin ndodhur, e në të njëjtën kohë të mbante pas vetes fijet e një lëvizje që nuk kishte qenë kurrë në dobi të vendit.
Petrit Ame, një nyje që lidh shumë fije
Tashme Petrit Ame konsiderohet nje person i zhdukur. Nje hipoteze sugjeron se ai eshte vrare si dhe nje hipoteze tjeter sipas se ciles ka te ngjare qe ai eshte varrosur ne kufi ose ne brendesi te tokes shqiptare.
Petrit Ame eshte nje dibran i pjeses se Maqedonise, i cili me ane te veprimtarive te paligjshme ne disa shtete te Evropes, si trafik droge etj ishte bere nje njeri i pasur, por edhe i ngarkuar me shume probleme me drejtesine. Edhe fisi i tij per shkak te tij ishte bere i famshem ne Diber. Gjate viteve te luftes ne Kosove ka frekuentuar ambiente qe rriheshin nga politikane ne Shqiperi dhe eshte pare ne shoqerine e tyre. Thuhet se ne kete kohe trafikun e droges dhe armeve e bente nepermjet doganes se Bllates. I denuar me burg ne Maqedoni dhe i shpallur ne kerkim nga Interpoli ai ishte shenuar edhe ne skedat e policise kriminale shqiptare.
Identiteti i Petrit Ames eshte permendur dikur, kur u be publik nje takim i papergenjeshtruar i Arkanit (Zheljko Raznjatovic, ish-shefi i paramilitareve serbe) me ish-shefin e SHIK Bashkim Gazidede. Per kete takim Ame ishte ndermjetesi. Sipas disa pohimeve, ndersa kishin qene ne nje burg ne nje shtet te Evropes Perendimore Petriti dhe Arkani ishin bere vellezer duke pire gjakun e njeri-tjetrit. Nderkohe qe ka te dhena sipas te cilave sherbimet sekrete, kryesisht CIA ndiqte nga pas levizjet e Ames ne Ballkan duke shpersuar ne nje takim te tij me Arkanin, me qellim arrestimin e kriminelit te luftes, te njohur per masakrat e tij ne Bosnje. Arkani akuzohet si autori i masakres ne Sllovenine Lindore ne vitin 1991, ne kete represion u vrane 1400 muslimane. “Zheljko Raznjatovic i njohur me pseudonimin Arkani, ka ardhur ne Shqiperi ne kulmin e luftes ne ish Jugosllavi dhe eshte eshte takuar me Shefin e Sherbimit Informativ Kombetar Bashkim Gazidede”. Kjo akuze eshte bere me 18 tetor 2002, publikisht nga Ministri i Rendit Luan Rama, gjate emisionit “Shqip” ne Top Channel. Pohime saktesuan se behej fjale per nje vizite qe eshte realizuar ne vitin 1995, duke shtuar se takimi mendohet te jete zhvilluar ne nje qytet ne veri te Shqiperise, mbase ne Diber.
Fill pas vrasjes se kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç ne vitin 2003 nje lajm i emetuar nga faqja e internetit “RTV 21” e Shkupit, ben fjale per posedimin nga ana e sherbimit sekret maqedonas te 5 kasetave me regjistrime te Petrit Ames gjate kohes qe ky ndodhej ne burg. Sipas raportimeve ne shtyp, pikerisht Kryeminsitri maqedonas Branko Cervenkovski kishte ndikuar ne arratisjen e shqiptarit Ame nga burgu per shkak te lidhjeve, qe ai kishte pasur me krimin.
Po sipas lajmit te emetuar nga faqja e internetit “RTV 21” e Shkupit Petrit Ame, i cili tani konsiderohet i zhdukur, pasi vdekja e tij nuk eshte konfirmuar zyrtarisht asnjehere, ne deshmine e tij te filmuar, thote se ka punuar me vellain e kryeministrit malazez Milo Gjukanovic, me tregti armesh, duke kaluar nga Beogradi ne Mal te Zi e me pas ne Itali. Ame thote gjithashtu se ka punuar me kontrabanden e naftes gjate kohes se sanksioneve ndaj Serbise, permes (nje politikan i njohur shqiptar me njohuri ne fushen e ekonomise dhe financave, ne kohen kur doli lajmi aludohej Genc Ruli) dhe me deputetin e vrare Azem Hajdari, si dhe me pas me Zhelko Razhnjatovic, Arkanin, shefin e paramilitareve serbe.

Petrit Ame ka lidhje te forta ne Kupolen e PD. Po ashtu dhe me boten e krimit ne Vlore…me nje thuthuq… deputet…kaq per kete arkiv te shkurter.. me vone shohim (se na i vjedh Berisha)…
E ke qare o Bedri Spahiu i koheve moderne.Ke ndertuar nje figure interesante ku i mungon koka!E ke mision apo lajthitje?
Pershendes gazetarin Islami per punen e tij, ne te kaluaren dhe tani. Edhe sikur nje pjese e paket e atyre qe shkruan te jete e vertete, perseri eshte tronditese mjaft!. Megjithate, pasioni per te treguar shemtine dhe te keqen e dikujt, nuk duhet te erresoje arsyen e llogjikes dhe te vertetave te bazuara. E udhes eshte te tregoni fakte dhe te jepni analizen tuaj apo edhe hamendesime, por jo duke spekulluar, fjalavjen, ne permendjen e ngjarjeve te tilla si deputeti Xhindi, i ndjeri, punonjesi i Shik, i ndjeri, apo gjyqtari, i ndjeri. Keto jane njerez qe meritojne te respektohen dhe, nese dikush shkruan dhe spekullon, kujtimi i tyre prishet. Kjo nuk do te thote se qeveritaret e kohes nuk kane patur rolin e tyre, qofte me mosveprim, por te vertetat e tyre tronditese lidhen si me jeten e tyre kur ishin gjalle, ashtu dhe hetimet, pasi ata vdiqen. Hetime per te cilat asnje Komision Parlamentar asnje deputeti ne mend nuk i paska shkuar te ngreje se cbehet me hetimet e tyre! Dhe aty ne KuRVend ka deputete ish Gjyqtare, ish Prokurore, ish Ministra Drejtesie! Fuck Them ALL.
Z. Islami, duket se keni kapur nje tematike ku sherbimet sekrete kane nje vend paresor. Duket se keni dijeni, pse jo dhe nje formim te caktuar, apo trainim. Edhe patriot duhet te jeni. Duhet te dini atehere se ne boten e sotme, por edhe ate te djeshme, rreziku kryesor qe disa shtete kishin dhe kane, eshte kur informatoret e tyre [apo bashkepuntor, si ju e kuptoni] dalin nga kontrolli dhe perbejne nje rrezik te madh per ate/ato shtete per te cilat ka punuar, pasi i shantazhon me cka ka bere per ato. Shikoje njehere ne kete ane se sdo te dali keq. Edhe ky zoteria per te cilin ti flet, mbase vertet mund te ket qene/ jete lidhur me sherbimet, si serb, grek, francez [mos e harro kete i nderuar, per francezin ta ngas llafin] si dhe atij amerikan apo britanik. Jane keto sherbime qe ne kohen para 90 kane qene te gjitha aleate vs vendit tone. Te ishe me sherbimin serb ne ato kohe …. hehehe, ishte nder, njesoj si te ishe me nje nga keto sherbime perendimore, ta dish. Dhe as ti as …. [une varet, si dihet…] as te tjere nuk dine se cfare keto sherbime te huaja perendimore apo jo, i kane kerkuar, kane bere apo ne cmenyra u ka sherbyer ai njeri. Dhe pikerisht ARKIVA z. Islami, ka dhe anen tjeter te medaljes, nuk shantazhon vetem njerzit ketu te ne, por edhe te tjere njerez dhe shtete te cilat rrine si memec per kete dreq. Nese ju mendoni se ishte Serbia qe “urdheroi” mos vijimin e ndihmes per grupet kosovare ne 92, kur kishte nje vit qe Alia kishte dhene pikerisht urdher per ti grumbulluar dhe stervitur fshehtas ato, mbase mos e kerkoni te personi per te cilin i atribuoni arkiven, por mund te pyesni te rruga e Elbasanit se mbase ju ndihmojne. Mos valle ate urdher te zoteria i arkives e dhane ata te amerikes ore.
Dhe ne fund, z. Islami,
Nje njeri nuk ka frike nga gjerat e pista qe ka bere, eshte se te “Pastrit” nga Perendimi mund te behen paksa pis, nga ky pisanjosi yne dhe bashkfshatari juaj, nese nje dite do te jete prane fundit.