Shënim redaksional
“Nuk ka ç’i bëj, e kam nipin e gruas”, thoshte një kapo i biznesit të muzikës për një anëtar krejt të paaftë e gafaxhi të grupit, në filmin e njohur humoristik me John Travoltën, “Be cool”. Edhe pse Bujar Nishani të jep në pamje të parë një përshtypje fizike “cool”, për arsye që dihen, ai dje në tryezën e drejtësisë shpërtheu në një formë të atillë zemërate për mospërfshirjen e PD-së në reformën e drejtësisë, saqë juristët dhe ekspertët e sektorit të drejtësisë në Partinë Demokratike duhet të fillojnë të shqetësohen seriozisht se mos mbeten pa punë.
Ne natyrisht, nuk kemi ç’i bëjmë, e kemi president. As PD-së nuk kemi ç’i bëjmë, sepse e kemi parti kryesore të opozitës, e cila ka marrë ftesë të përsëritura për angazhim dhe bashkëpunim në reformën e drejtësisë, por e thotë gati haptaz se këtë reformë dëshiron ta bëjë ajo dhe mazhoranca të ketë ndonjë rol dekorativ. Siç tha deputeti Halimi, “duam barazi dhe bashkëdrejtim”. Kështu kanë ardhur punët që defekti më i madh dhe kritikat më të forta ndaj kësaj qeverisjeje, i bëhen për sistemin e kalbur të drejtësisë, fijet e të cilit në fakt i ka në dorë opozita. Dhe përmes presidentit.
Disa numra më parë, DITA kishte për material kopertine analizimin e një procesverbali mbledhjeje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Aty u pa qartë sesi i bën shumica vendimmarrëse me presidentin në krye, mbledhjet e KLD-së, majës së sistemit tonë të drejtësisë. Kulisa, paaftësi, anti-profesionalizëm dhe makiavelizëm bashkë, një qebaptore kadinjsh ku anashkalohej hapur funksioni i nënkryetarit të KLD-së dhe gjithë kujdesi ishte tek emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve, thënë ndryshe sektori ku ndahen paratë. Kishte rol protagonisti në atë mbledhje (si në shumë mbledhje të tjera, ta merr mendja) anëtari i KLD-së Gjin Gjoni, tashmë simboli publik i kësaj drejtësie.
Gjithsesi, Nishani e dha dje shfaqjen e vet, duke gjetur rastin e bukur të pranisë ndërkombëtare për të shpalosur “shqetësimet e tij presidenciale”. Pengmarrësi “cool” i sistemit të drejtësisë, ministri që punësonte njerëz me miratimin e seksioneve të PD-së dhe mblidhte vota në këmbim të mallrave të shportës, sot i dërguar special i Berishës në presidencë si ombrellë e gjykatësve të korruptuar mund të thotë gjithçka. Nuk kemi ç’i bëjmë, e kemi president.
Në emër të Partisë
Nga Viktor Malaj
Kur u lejua pluralizmi politik në Shqipëri, pjesa më e kulturuar e popullsisë, me të drejtë, besonte se aty e mbrapa zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit do të ishin rezultat i mendimeve, ideve dhe rrugëzgjidhjeve të cilat do të konkurronin lirisht dhe publikisht për të mirën e popullit. Një konkurrim i tillë, jo vetëm do t’i jepte popullit mundësinë e zgjedhjes së lirë por, çfarë është më e rëndësishme, do të mundësonte zhvillimin më të shpejtë të vendit. Shpejt u vu re se konkurrimi i mendimeve u zëvendësua nga zhurmat pa mendim; ballafaqimi i ideve ia la vendin batareve rrugaçërore të sulmeve gojore, fyerjeve, shpifjeve dhe kërcënimeve; alternativat për zhvillimin e ardhshëm të vendit u morën peng nga etiketimet denigruese rreth të shkuarës së individëve dhe rrethit të tyre familjar, miqësor e shoqëror. Një sjellje e tillë “qytetare” dhe politike e ka sjellë vendin në një situatë të tillë ku partitë politike ngjajnë më shumë me banda që përleshen për zona influence sesa me grupime social-politike që përpiqen të marrin pushtetin për të vënë në jetë idetë e tyre për përparim shoqëror e kombëtar. Dhe, rezultatet janë qartazi të dhimbshme.
Shtrembëruesit e thelbit dhe qëllimit të luftës politike i gjen sot në të gjithë krahët politikë, por Ati themelues i banditizmit politik në Shqipëri është Sali Berisha. Duke ardhur nga një e kaluar pseudokomuniste ai u shfaq si antikomunisti më i egër dhe më i paskrupullt, pikërisht atëherë kur kjo gjë ishte më pak e nevojshme, pasi sistemi ishte tërhequr “me marifet” në arkivat historike sepse e kishte kuptuar se mbijetesa e tij, në kushtet dhe rrethanat e krijuara, ishte sa e pamundur aq edhe e panevojshme. Shfaqja e tij politike, duke qenë hipokrite do të ishte medoemos edhe e rreme dhe, rrjedhimisht, shterpë si mushka që nuk mund të lind pasardhës, ngaqë nuk është as kalë dhe as gomar. Kështu, hibrid do të rezultonte edhe personaliteti politik i Sali Berishës, si pjellë e marrëveshjes kapitalisto -pseudokomuniste.
Në këto kushte dhe nën kujdesin dhe shembullin e tij u krijua një “elitë” politike pa ide, pa din e iman. Kjo kategori politikanësh përbëhet nga individë me intelekt mesatar apo nën mesatar, me moral të kalbur, të paskrupuj, llafazanë të pandreqshëm, baltëhedhës të përhershëm, lehtësisht të korruptueshëm dhe manipulueshëm, të paaftë për punë të mira dhe ushtarë të dalluar në kacafytjet e padenja dhe dëmprurëse. Duke përdorur një etiketim të Fatos Nanos, kjo është kategoria politike e Paloqerisë.
Karakteristika dominuese e Paloqeve është gatishmëria dhe zelli i tyre i vazhdueshëm për të përbaltur kundërshtarin politik. Shpifja ua përtërin pareshtur gazmendin, duke i bërë të pandalshëm në ndotjen e mjedisit politik e shoqëror. Nëpërmjet fyerjeve, trillimeve, shpifjeve, etiketimeve dhe kërcënimeve ata synojnë ta zhvlerësojnë kundërshtarin politik në pamundësi për ta mundur me intelekt, pra me ide dhe veprimtari qeverisëse. Ata shfaqen tërësisht të papërgjegjshëm për ato që thonë dhe akuzat që bëjnë, megjithëse një fjalë e vjetër shqiptare thotë se “Fjala është më e rëndë se plumbi”. Për ta ka rëndësi që në popull të krijohet bindja, siç për fat të keq është krijuar, se “të gjithë njëlloj janë” dhe, në këtë klimë dihet mirë se përfiton ai që është vërtetë i padenjë dhe i paskrupullt.
Në këto raste dëmi më i madh i bëhet popullit sepse hutohet, demoralizohet dhe i hiqet mundësia të dallojë të mirin nga i ligu, të vlefshmin nga i dëmshmi, njeriun e vërtetë nga horri gjysmë i maskuar. Në rrethana të tilla, në një shoqëri të pjekur dhe të përgjegjshme, duhej të ishte detyrimi moral dhe ligjor i organeve të drejtësisë që të ndanin shapin nga sheqeri, d.m.th. t’i jepnin secilit hakun; të dënonin të korruptuarin, shpifësin, përbaltësin dhe të zhdëmtonin atë që e pëson, qoftë ai president a kryeministër apo roje banke a shitës domatesh.
Mirëpo, në një shoqëri moralisht të përdhosur dhe politikisht në degradim, Paloqet kanë menduar dhe punuar edhe për këto ditë. Për ta bërë veten të pandëshkueshëm kanë punuar sistematikisht dhe ia kanë dalë të krijojnë një sistem drejtësie po aq të pamoralshëm dhe të korruptuar saç janë edhe vetë. Sistemi i ngritur prej tyre jo vetëm ua ka bërë jetën të padurueshme shqiptarëve, por e ka ndarë realisht thellë shoqërinë shqiptare në dy grupime. Njëri grupim përbëhet nga shumica dërmuese e popullit, e cila ose nuk e gjen kurrë të drejtën e saj ose i duhet ta blejë atë, ndërsa një pakicë që zotëron pushtetet politike dhe ekonomike i përdor organet e drejtësisë për të fituar çfarë nuk i takon dhe për të siguruar paprekshmërinë për të gjitha veprat e tyre kriminale dhe antipopullore.
Gjendja ka degraduar në atë shkallë saqë “drejtësia” shqiptare tregohet konsekuente në dënimin e një qytetari të thjeshtë që mund të përvetësojë 250 euro, por shpall të pafajshëm ose e pushon ndjekjen penale për pushtetarë që kanë shpërdoruar 250 milion euro; ndjek penalisht dhe ndëshkon qytetarin e zakonshëm për një plagosje, por shpall të pafajshëm pasanikë apo pushtetarë që shkaktojnë me dhjetëra viktima; arreston dhe dënon individë që kapen me një armë pa leje, por as që e fillon çështjen penale për pushtetarë që kanë urdhëruar hapjen e depove ushtarake dhe shpërndarjen e armëve civilëve; procedon dhe dënon individë që me moskallëzimet apo kallëzimet e rreme dëmtojnë punën e organeve të drejtësisë, por nuk denjon të procedojë penalisht pushtetarë që e deklarojnë vetë se kanë urdhëruar pengimin e zbatimit të procedurave penale në raste krimesh të rënda; arreston dhe dënon qytetarë që mund të kenë prishur rendin publik, por nuk iu thotë “plaç” politikanëve që kanë nxitur, organizuar dhe udhëhequr sulmet e armatosura ndaj institucioneve kryesore të shtetit.
Marrëveshja e heshtur midis Paloqerisë dhe sistemit të korruptuar dhe antipopullor të drejtësisë është e tillë që prokurorët dhe gjyqtarët pa moral bëhen pasanikë duke e përdorur venddhënien e drejtësisë si sallë ankandesh komerciale, ndërsa paloqet sillen e bëjnë çfarë duan me pushtetin. Asnjëra palë nuk ndëshkohet sepse e mbrojnë njëra-tjetrën. Po ra njëra, bije edhe tjetra, por deri sa të ndodhi kjo populli do vazhdojë ta pësojë.
Dy rastet e fundit që po trajtohen në Gjykatën e Lartë, ku kryeministri aktual ka paditur për shpifje dhe fyerje dy përfaqësues eminentë të Paloqerisë, janë shumë domethënëse. Të paditurit, dy ndër figurat me më pak integritet moral të politikës shqiptare, kishin shpallur disa herë publikisht se kryeministri shqiptar ishte i lidhur me krimin. Megjithëse ata janë krimi vetë, në kuptimin që janë pjesë e një kupole politike që ka kryer me dhjetëra krime përgjatë shumë viteve, madje njëri prej tyre i dënuar dikur për shpërdorim detyre si gjyqtar, pritej që në sallat e gjyqit të sillnin provat që vërtetonin akuzat e bëra. Në këtë mënyrë shqiptarët, duke përfshirë edhe votuesit e qeverisë aktuale, do ta përçmonin drejtuesin e saj, kryeministrin. Deputetët e paditur jo vetëm nuk i paraqitën prova gjykatës, por nuk u paraqitën as vetë në sallat e gjyqit. Mesazhi ishte i qartë. Na kujtuan atë që na e kanë treguar shumë herë, se janë të paprekshëm, se qëndrojnë mbi gjykatat dhe mbi shtetin. Avokatët e tyre u spërdrodhën në proceset gjyqësore, herë duke thënë se do të sillnin provat që inkriminonin kryeministrin, herë duke pretenduar se deklarimet e klientëve të tyre nuk përbënin vepër penale dhe, së fundi, dolën me teorinë se Paloka dhe Ristani, në deklarimet e tyre publike, nuk kishin folur në emrin e vet por “në emër të partisë…”, nuk kishin shpifur “ndaj Edi Ramës, por ndaj kryeministrit”.
Sipas këtij arsyetimi na del se individi politik mund të kryejë çfarëdo lloj vepre penale dhe nuk duhet ndëshkuar sepse e ka bërë në emër të partisë dhe për interes të saj. Sipas këtyre avokatëve dhe ndonjë prokurori të korruptuar prej djajve të politikës, politikani mund të fyejë, shpifë, madje edhe të vrasë në emër të partisë dhe ai nuk ka përgjegjësi ligjore. Lojërat me interpretimet e përmbajtjes së dispozitave ligjore nuk janë një gjë e re dhe e panjohur. Vagabondët në organet e drejtësisë veprojnë sipas interesave të zotave të tyre dhe përfitimeve vetjake. Këta e kanë degraduar përmbajtjen dhe qëllimin e ligjit, e kanë shndërruar atë në kamxhik për një pjesë dhe në erashkë për disa të tjerë. Për ta nuk ka vlerë as parimi kushtetues “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Zotat e tyre korruptues janë përmbi ligje e përmbi Kushtetutë.
Një sjellje e tillë e organeve të drejtësisë ndaj ligjit, përveç cenimit të integritetit moral të individit që ka bërë padinë, cenon dhe dëmton drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë. Shtetasit shqiptarë që kërkojnë një Shqipëri normale dhe një sistem politik shoqërisht të vlefshëm duan të dinë: nëse kryeministri i tyre është vërtetë i lidhur me krimin apo jo, nëse tiradat e pafundme të akuzave të ndërsjella politike dhe ordinere janë të vërteta apo të rreme që synojnë mjegullimin e vetëdijes popullore për t’iu krijuar mundësi ujqërve politikë të livadhisin si të duan, nëse të jesh i lidhur me krimin është e padenjë dhe kriminale apo është diçka e zakonshme dhe e pranueshme, nëse të shpifësh ndaj tjetrit është shoqërisht dhe ligjërisht e dënueshme, apo kur shpifja sjell përfitime me natyrë politike duhet të quhet e padëmshme?
Organet e drejtësisë do të duhej të frenonin histerinë 25 vjeçare të baltosjes së individëve dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit dhe personalitetit të kujtdo qoftë. Dhe kjo gjë bëhet nëpërmjet ndëshkimit të autorëve, qofshin ata djathtas apo majtas, të pasur apo të varfër dhe jo nëpërmjet keqinterpretimit të ligjit. Mund të vijë koha që populli shqiptar të mos mund ta durojë më një gjendje të tillë ku nuk dihet pikënisja dhe kufiri ndarës midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, të drejtës dhe të padrejtës, morales dhe imorales.
Një shoqëri që jeton në një batak si ky yni, ose vdes ose ringrihet. Që të ringrihet duhet të vriten moralisht dhe ligjërisht të gjithë batakçinjtë, gjë që nuk mund të arrihet pa përmbushur premtimin e madh: “Reformë në Drejtësi”. Ky premtim dy vjet më parë solli në pushtet dy partitë që qeverisin, por që deri tani nuk kanë bërë gjë konkretet. Kemi dëgjuar vetëm deklaratat e z.Nasip Naço në emër “të shumicës” dhe kundërdeklaratat e z. Bujar Nishani në emër “të vet”.
E kemi koqekanadari…
Te liqte dhe perendia i ben me shenje.
kapterr,eshte rradha jote tani!