Enigma plakë e dosjeve

anazapta

Enigma e dosjeve, të hapen apo të mos hapen, është bërë tashmë si një zonjë plakë, e cila herë pas here peshon ngjarjet që kanë ndodhur duke i luajtur syrin pushtetit, dhe herë të tjera, zgërdhihet duke qenë me kokën në supin e opozitës. Kjo nuk ka ndodhur vetëm sot, kjo është një lojë e hapur menjëherë pas vendosjes së pluralizmit, dhe janë thënë shumë mendime, pro e kundër, sa që nuk besoj të jenë dhënë për një enigmë tjetër. Të gjithë ata që kanë qenë në pushtet e kanë përdorur enigmën e dosjeve si një shuplakë që mund t’i vërsulet kujtdo që është në anën tjetër të barrikadës, e në të njëjtën kohë, oligarkë të politikës, sidomos Berisha, e ka përdorur atë edhe në shërbimin e tij të brendshëm, për të bërë zap ata që mund të rebeloheshin.

Në fakt, fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri i vuri në lojën e politikës shumë nga të cilët kishin pas vetes një qerre me mëkate, dhe, për të tërhequr atë do të duhej një mbështetje e fuqishme, të cilën mund ta jepte vetëm opozita e asaj kohe, në gjirin e së cilës mund të fshiheshe shumë lehtë. Socialistët, duke e ndjerë rrëshqitjen nga pushteti, e disa prej tyre kërkonin të shpëtonin në vitin 1991 sa më shpejt kur nuk kishin asgjë në dorë, meqenëse kishin qenë në pushtet prej një kohë të gjatë, e për më tepër edhe në zgjedhjet e marsit 1991 ishin ende parti fituese, bënë kujdesin që në mesin e tyre të kishte fare pak, në mos fare, ish bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, sidomos prej atyre që kishin pasur aktivitet të rëndësishëm. Farsa politike që bëri më pas Berisha me një të ashtuquajtur Komision, nuk ishte asgjë tjetër, veçse shprehje e trishtimit të tij, kur befas, si president, vuri re se sa shumë kishin depërtuar në partinë e tij, ndonjëri nga të cilët ishte titullar i lartë qeverisës.

Partia Demokratike nuk e kishte luksin deri në mesin e vitit 1992 të kishte njohuri për dosjet. Asaj iu afruan edhe figura të mbështjella me enigmë, ndonjëri nga të cilët do të bëhej më pas figurë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, megjithëse kishte qenë dy herë i përfshirë në rrjetet e shërbimeve sekrete, në fillim nga UDB-ja e, më pas, edhe nga Sigurimi i shtetit shqiptar. Berisha do të jetë ndjerë i habitur se si njëri nga njerëzit e tij të afërt në pushtet për më shumë se 14 vite kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i fshehur pas emrit të dytë “Hutini”, por njerëzit e tij kishin ndërhyrë deri në Gjykatën Kushtetuese për të nxjerrë të larë nga gjynahet një njeri që për gjithë këto vite kishte bërë qindra denoncime e kishte provokuar dhjetëra njerëz të pafajshëm.

Se deri ku kishin hyrë njerëzit me dosje në opozitën e asaj kohe (dhe të tashme) tregon edhe një shënim i avokatit Nafiz Bezhani, të cilin po e sjell më poshtë:

“Komisionit i erdhën kërkesa të shumta nga parti të krahut të djathtë për të kontrolluar figurën e anëtarëve të kryesisë së tyre. ….U verifikua kërkesa e parë, por u vendos të mos jepej asnjë përgjigje, për shkak se, nga të shtatë anëtarët e kryesisë, tre rezultuan bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Dhe nga këta, dy ishin të persekutuar politikë”.

Kryetari i një partie tjetër të djathtë kishte deklaruar me mburrje se kishte kaluar kufirin e Shqipërisë më se dhjetë herë për llogari të UDB-së, për të rrëzuar komunizmin. Ndoshta është shembull i largët, por duhet të jetë ende në kujtesën e njerëzve shkëputja e një fraksioni nga Partia Demokratike, me pretendimet e tyre kundër udhëheqjes së Partisë. Grupi fraksionist kërkonte verifikimin e figurës së Sali Berishës dhe të Pjetër Arbnorit, duke këmbëngulur se, i pari mund të ishte edhe bashkëpunëtor i UDB-së. Por, për të hapur dosjet e një partie rivale, fillimisht duheshin parë dosjet e tyre. Nga nëntë fraksionistët, dy nga ata që bënin më shumë zhurmë, kishin qenë prej shumë viteve bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, me dosje të mëdha. Njëri do të njihej si “Sqepari”, ndërsa tjetri si “Trëndafili”. Një tjetër personalitet i lartë politik i kohës do të njihej si “Pashtriku”, i cili, megjithëse nga një familje e persekutuar, kishte preferuar t’i shërbente Sigurimit të Shtetit.

Shembujt që solla më lart nuk do të jenë të vetmit. Sipas një statistike të kohës, Sigurimi i Shtetit ka pasur rreth 1 mijë e 400 punonjës, ndërsa bashkëpunëtorët ndër vite kanë qenë rreth 400 mijë vetë. Është një shifër e frikshme, por jo të gjithë kanë qenë aktivë. Disa prej tyre janë nënshtruar pas torturave, disa të tjerë pas një shantazhi ose një premtimi për një të drejtë studimi, një vend pune; ka nga ata që pranuan të bëhen pjesë e Sigurimit të Shtetit sepse ishin zënë në një vepër tjetër penale; por ka edhe nga ata që u bënë me dëshirën për karrierizëm, nga shpirti i keq, nga bindja se të jesh syri e veshi i regjimit është privilegj. Shpesh herë, pikërisht këto të fundit, kanë qenë më të egër, më të dhunshëm dhe më provokues se sa vetë punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Megjithëse edhe mes tyre, sadizmi, si një mjet i detyrimit, ka qenë i pranishëm.

Unë nuk jam ndër ato që mendoj se të gjithë ata që kanë punuar në sistemin e punëve të brendshme kanë qenë agresivë, të dhunshëm, përbindësha. Si kudo, edhe mes tyre, në jo pak raste, ka pasur figura që i kanë qëndruar kohës. Ende në qytetin e Shkodrës ka njerëz që kujtojnë për të mirë ish shefin e Degës së Punëve të Brendshme, çamin Hilmi Seiti, apo shkodranin Reshat Gjyli. Por këto janë përjashtime nga rasti.

Dosjet duhen hapur, ata nuk duhet të jenë më mollë sherri, dhune psikike dhe provë force mes dy partive politike, pasi ata nuk i përkasin vetëm atyre. Në dosje është pjesë e rëndësishme e jetës së një populli, i cili i ka bartur mbi vete tallazet e atyre që u bënë pjesë e dosjeve. Loja e partive politike me dosjet, të hapen apo të mos hapen, duhet të ketë një fund. Secili duhet të dijë pr fatin e tij, megjithëse do të jetë e vështirë.

Personalisht kam pasur rastin që në vitin 1991 të lexoj vetëm një dosje, e cila kishte të bënte me një njeri të afërt me mua. Kureshtjes për të ditur nuk i shpëton askush, e po ashtu as tundimit për të ditur një të vërtetë. Ishte dosja e parë dhe e fundit që kam pasur nëpër duar dhe shpesh herë mendoj se ende më djegin gishtërinjtë tek shfletoja ata faqe të zverdhura, tek shihja shkronjat që po veleshin nga koha, dhe mendoja për ata që i kishin shkruar, tinëzisht e pabesisht. Disa kishin qenë shokë të të ndjerit, disa ndjekës të tij, por kishte pasur edhe të tjerë që nuk kishin pranuar të deklaronin asgjë negative. Mes gjithë asaj tymnaje më mbetën në mend emrat e Thoma Litit, një sarandiot që kishte jetuar në veriun e Shqipërisë dhe që kishte ruajtur dinjitetin e tij, dhe më pas, një çift nga Lezha, Rrok e Albina Kodheli, miq të afërt të të ndjerit, të cilët pasi nuk kishin pranuar të bënin asnjë kompromis, do të kishin një pasojë të hidhur jete.

Këto ishin të paktë, por edhe emrat e atyre që qëndruan në një kohë të vështirë, është mirë të dihen dhe të ketë mirënjohjen ndaj asaj që sollën.

Mendimi im vetjak është që dosjet duhen hapur. Për disa arsye, disa nga të cilat kanë të bëjnë me politikën, e disa të tjera me jetën njerëzore. Dosjet e njerëzve të politikës, të medias, të strukturave të gjyqësorit, të administratës së lartë, të shërbimeve speciale, të mbrojtjes, ku ende disa gjëra janë tabu, ata duhen hapur. Nuk mund të besoj se një njeri, i cili për shumë vite resht, me vullnetin e tij apo i thyer nga presioni, është ende i aftë të bëjë ndershmërisht një punë të paqme dhe të mos thyhet. Unë do u thoja atyre që kanë qenë pjesë e kësaj loje jo të ndershme se, koha juaj shkoi; është mirë të mos jeni pjesë e së tashmes, por duhet të zbardhet ajo që është e rëndësishme nga e djeshmja juaj. Katarsisi i politikës është themelori, ashtu si edhe i strukturave të larta të shtetit. Unë mund të besoj se një njeri i dosjeve tashmë ndjen pendimin e tij, e njeh këtë realitet, ndoshta e shijon edhe më shumë se sa të tjerët, por nuk mund të jetë pjesë ndërtuese e saj.

Dosjet duhen hapur edhe për arsyen e saj njerëzore. Droja se pas tyre mund të ndodhin akte të rënda hakmarrje, ose, edhe më keq se kaq, mund të fillojnë hasmëri të shumta, nuk është e natyrshme. Shumica e atyre që janë dënuar e dinë ndoshta më mirë se sa dosjet e mangëta të sotme, se kush i ka dënuar në të djeshmen. Gjyqi, ndoshta i fundit politik, në qytetin e Shkodrës, kundër Rustem Tabakut e Enver Bicakanit, të dënuar me vdekje nga një gjyq i drejtuar nga Rustem Gjata, ishte mes të tjerave, qesharak, edhe për vetë denoncuesit e tyre. Provokues të shumtë ishin futur mes atyre njerëzve, disa nga të cilët krejtësisht të pashkolluar, kishin luajtur me vuajtjen dhe mundimin e tyre, punën e rëndë në një kaldajë, dhe nga ana tjetër me një mendim që kishin shfaqur dy ushtarakë, për të shkuar tek marrja e dy jetëve.

Dosjet që kanë krijuar probleme të mëdha politike duhen hapur të parat. Dhe bartësit e tyre, të paktën për ata që i bartën pasojat, duhen të jenë të njohura. Për të shkuar më tej: për të mos lënë mjegullën e denigrimit të jetë mbi kokat e njerëzve. Për shumëçka nuk jam i një mendjeje me zonjën Topalli, ish shefen e parlamentit, por dua të besoj se fakti që drejtori i famshëm i Institutit të Misrit e Orizit, shkencëtari Hysen Laçej, ishte një njeri i skeduar, nuk ka të bëjë me informacionet që thonë se janë dërguar prej saj si “Dizenjatorja”. Mëria politike nuk ka të bëjë me të vërtetat, dhe nëse kjo ndodh, atëherë do të thotë se njëri nga fiset më të tabanshëm në Shkodër, Çobajt, paskan humbur shumë nga vetja. Personalisht, nuk e besoj, nuk dua ta besoj.

Nëse do të ishte në dorën time, dosjet e para që do të hapja do të ishin pikërisht ato që janë krijuar nga informacionet e dhëna nga ish komunistët dhe punonjësit e sferave të larta. Pse e them këtë? Sepse në Shqipëri ka pasur një ligj, i cili e ndalonte pjesëmarrjen e komunistëve si informatorë të Sigurimit të Shtetit, duke shkuar nga deviza se, partia e kontrollon atë dhe jo Sigurimi të kontrollojë partinë. Përjashtimet nga ky rregull, janë bërë në shumë raste nga devotshmëria e paprinciptë e këtyre njerëzve, të cilët, për vetë pozitën e tyre dhe statusin, kanë qenë më të rrezikshëm, sepse ishin edhe më të besuar. Të njëjtën gjë do të kisha bërë me informacionet e dërguara nga sekretarët e partisë, që nga dikasteret e deri tek fakultetet, sepse shpesh herë nga informacionet e tyre kanë filluar proçese të rëndësishme. Për të vazhduar me dëshmitarët e rremë, të sajuar vrimave. Në gjyqet kundër Frederik Rreshpjes, poetit të shquar migjenian, dëshmitarët më të shumtë do të ishin nga ata që kishin pirë kafe me të, që e kishin vizituar, që e kishin provokuar. Dhe kështu, shumë vite të begata të jetës së poetit, mbetën në shkretëtirë.

Dhe një fund për veten:

Jeta është treguar bujare me mua. Sikur një minutë të vetme të kisha qenë hallkë e këtyre strukturave, do e kisha thënë ndershmërisht, do të isha tërhequr në jetën time vetjake, dhe publicistika do të kishte qenë e largët për mua. E solla këtë mbyllje, sepse, në fund të fundit, unë i respektoj ata njerëz, qofshin edhe publicistë apo të politikës, që ndershmërisht, tepër hapur e pa bujë, e kanë pranuar faktin se në një moment të jetës së tyre janë thyer, kanë ulur kokën, por kanë gjetur forcën për të marrë veten, që jeta e tyre të mos jetë pjesë e jetës së prishur të dikujt tjetër.

Vetëm të marrët dhe të vdekurit nuk ndryshojnë, më thoshte një natë në Gjenevë miku im i vyer, Adem Demaçi. Të gjallët ndryshojnë. Mund të besohet në ndryshimin e tyre, nëse ata janë vetë pjesë e këtij ndryshimi, dhe kjo fillon nga sinqeriteti i njohjes së një faji që kanë bërë, ndoshta edhe të ngushtuar nga rrethanat e jetës.

Share This Article
2 Comments
  • E lexova me vemendje shkrimin tuaj me sa shoh kini informacion te bollshem dhe natyrisht sillni dhe fakte Kjo tregon se kini mundur te bisedoni me njerez kompetente qe kane njohuri dhe qe kane punuar ne ato sektore. Une gjithmon i mbahem parimit se i vetmi ligj qe mund ti sherbeje vendit eshte ai Gjerman duke pasur parasysh qe te pastrohet politka shqiptare Nje miku im thoshte qe kur te behet nje ligj mos te vihet fotoja e askujt perpara ose emri i dikujt Sepse duke bere kete do te gabojme. Me sa di une ne kohen qe u nda sigurimi nga policia numri i pergjitshem i punonjsve te sigurmit ishte afersisht 1000 veta ne gjithe shqiperine dhe ky numer qendroi pak a shume edhe ne SHISH per shume kohe flasim ne demokraci Nuk e di tani se sa eshte numri i tyre por edhe i bp se edhe tani ka te tille. Kur flisni per bp nuk eshte mire qe te flisni per emra sepse kjo nuk i ben nder askujt pavaresishit nga mundesia qe kini pasur per te mesuar dicka. Edhe berja publike e dy dosjeve nga ana e Fevziut perben shkelje pavaresisht se ky njeri eshte bere si puna e Saliut qe nuk e theret dot njeri ne prokurori. shpresoj qe kjo situate e filluar te kapercehet sa me lehte dhe te pastrohet vendi nga njerez te inkriminuar qe drejtojne jeten e vendit si dhe nga gazetare te tille.

  • Kjo nuk behet me eksperta sepse hapjen e dosjeve e pengon vullneti politik sepse shumica e deputeteve kane qene dhe jane me dosje te sigurimit te shtetit ;pra kush ti hape dosjet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *