Rishikohet buxheti, gjithçka në ulje

anazapta

Dje është zyrtarizuar akti i ri normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit 2015. Ndryshimet në të vërtetë janë të pritshme, pasi çdo fund korriku pas një parashikimi pritshmërish, mbledhje apo jo të ardhurash, realizime apo jo shpenzimesh, rishikohen treguesit buxhetorë. Akti normativ i firmosur nga kryeministri në ditët e fundit të korrikut ka ulur të gjithë parashikimet, por duke lënë të pandryshuar deficitin buxhetor. Vetëm dy ditë më parë treguesit fiskalë të mbledhur në buxhetin e shtetit ishin larg nga parashikimi i bërë në fillim të vitit. Kjo mbetet një nga arsyet kryesore që ka çuar në rishikimin e buxhetit për vitin 2015, duke çuar në shkurtim shpenzimesh për një sërë institucionesh, duke dëshmuar kështu që ekonomia jonë mbetet e brishtë.

Financimi i deficitit

Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është 58 227 milionë lekë. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja totale për financimin e deficitit prej 51 727 milionë lekësh nuk ndryshon. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Të ardhurat nga privatizimi që mund të krijohen gjatë vitit 2015 mbi shumën e vendosur në këtë ligj përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale.

Ndarja e re territoriale, si ndahen fondet për pushtetin vendor

Një arsye e rishikimit të buxhetit nëpërmjet aktit normativ është dhe ndarja e re territoriale, me. Sipas aktit, transfertat e pakushtëzuara që buxheti qendror ia transferon pushtetit vendor përfshijnë fondet për përballimin e veprimtarive dhe të funksioneve që përcaktohen në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të ndahet në muaj dhe tremujorë. Për rastet e nevojshme për zbatimin e reformës territoriale, Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme. Bashkitë, që kanë deri në 20 000 banorë, përdorin deri në 40 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Bashkitë, që kanë 20 001 – 50 000 banorë, përdorin deri në 30 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Bashkitë, që kanë mbi 50 001 banorë, përdorin deri në 10 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Këshillat e qarqeve përdorin deri në 15 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ. Shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore për ndërmarrjet e rrugëve të këshillave të qarqeve duhet të jenë deri në 40 për qind të buxhetit vjetor të këtyre ndërmarrjeve. Po kështu akti normativ saktëson dhe sanksionet në rastin kur shoqëritë aksionare të ujësjellës-kanalizimeve dhe njësitë e qeverisjes vendore për sistemin e pompimit rezultojnë debitore për furnizimin me energji elektrike ndaj kompanisë së shpërndarjes. Sipas tij deri në fund të tremujorit të tretë, transferta e pakushtëzuar e njësive të qeverisjes vendore e tremujorit të katërt bllokohet dhe përdoret për shlyerjen e këtyre detyrimeve.

 

Parashikimi

Të ardhurat 398 210 milionë lekë;

Shpenzimet 456 437 milionë lekë;

Deficiti 58 227 milionë lekë.

 

Ndryshimi

Të ardhurat 314 958 milionë lekë;

Shpenzimet 373 185 milionë lekë;

Deficiti 58 227 milionë lekë.

 

Të ardhurat e buxhetit të shtetit

Grantet 12 000 milionë lekë;

Të ardhurat tatimore 272 358 milionë lekë;

Të ardhurat jotatimore 30 600 milionë lekë.

 

Tatimi mbi të ardhurat dhe dividentin, 22% më pak

Tatimi mbi të ardhurat personale është një e taksë që nuk po fut dot të ardhura në buxhet. Në fund të 6-mujorit të ardhurat nga tatim shënuan 4.3 për qind më pak se në 2013 ose 5 milionë dollarë më pak. Krahasuar me vitin 2014 rritja ishte 2.6 për qind, por mosrealizimi me planin e periudhës së vitit shënon më shumë se, 3.8 miliardë lekë ose 22.6 për qind më pak se, programimi. Kalimi nga tatimi i thjeshtuar në tatimin progresiv në fillim të vitit 2014 me qëllim rritjen e të ardhurave në periudhën afatmesme, po jep efektin e kundërt. Gjatë vitit që shkoi për shkak të kësaj politike të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar ranë me gati 8 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm, pasi punonjësit me paga të ulëta u çliruan nga tatimi, ndërsa pritej që këtë vit të ardhurat të përmirësoheshin pasi tatimi mbi dividentin dhe të ardhurat e tjera përveç pagës, u rrit nga 10 në 15 për qind. Po kështu pas miratimit të çmimeve referencë për qiranë, tatimet kanë filluar kontrolle mbi bizneset për pagimin e këtij detyrimi. Një arsye që ka ndikuar negativisht në mbledhjen e këtij zëri, sipas ekspertëve është ulja e normave të interesit  të depozitave, të cilat kanë zbritur në nivele rekord historike minimale, rreth 0.5-1.5% për depozitat me afat maturimi 1 vjeçar.

 

13.4 miliardë lekë më pak të ardhura, 2/3 nga doganat

Fundi i gjashtëmujorit ka rezultuar negativ për tatimet dhe doganat. Të dhënat e Ministrisë së Financave, flasin se të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuara, në këtë mosrealizim 68% është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë). Doganat mblodhën 12.2% më pak se, plani me 9,1 miliardë lekë të munguara. Sipas të dhënave të detajuara mësohet se, mosrealizimi më i madh erdhi nga renta minerare, me gati 30% më pak se, parashikimi dhe 52% më pak se fakti i 2014-ës. Arsyet e dhëna më parë nga Ministria e Financave lidhen me rënien e çmimeve të naftës dhe metaleve në tregjet ndërkombëtare, në bazë të cilave vilet renta. Për pasojë çmimet e ulëta sjellin më pak rentë. Gjithashtu të ardhurat nga doganat shënuan dobësi të theksuar në arkëtimin e akcizës, në raport me planin, duke grumbulluar 24 për qind më pak se plani ose 5.6 miliardë lek në vlerë neto më pak se plani edhe pse akciza vijoi të rritet përgjatë vitit 2015, si për cigaren me 20 lekë për paketë si për naftën 12 lekë për litër. Në vlerë absolute të ardhurat nga akciza në doganë u rritën me 1 miliard lekë ose 7%. Rënie pësoi edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që sipas ekspertëve të financave ka ardhur nga ulja e importeve të energjisë. Por ky kontribut në rënie është zëvendësuar nga fakti se, CEZ dhe KESH kanë paguar më shumë TVSH nga tatimet e brendshme duke e tejkaluar hendekun e krijuar nga mungesa e TVSH në doganë. Nga ana tjetër, ulja e importeve të energjisë është kompensuar nga më shumë prodhim vendas, teksa konsumi nuk vlerësohet të jetë ulur. Ndërsa tatimet, duket se, janë më mirë krahasuar me vitin e kaluar, duke pësuar rritje 8 për qind me faktin e 2014, por për shkak të rritjes së tatimit mbi dividendin në 15 për qind dhe rritjes së akcizës, ministria e Financave programoi një plan më të lartë të cilin tatimet këtë gjashtëmujor nuk e kanë realizuar me 7.3% ose 4.3 miliardë lekë më pak.

 

FMN nuk nënshkruan marrëveshjen: Përmirësoni treguesit fiskalë

Mosrealizimi i të ardhurave dhe vuajtja që po kalon ekonomia jonë, u pranua dhe pak ditë më parë në një intervistë nga përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Jens Reinke, i cili shpjegoi dhe arsyet se përse nuk u nënshkrua marrëveshja e radhës me qeverinë tonë.

“Gjatë këtij viti të ardhurat kanë rënë në mënyrë thelbësore nga pritshmëritë dhe plani. Në këtë pikë, për të kompletuar nënshkrimin e marrëveshjes ne diskutuam me qeverinë për masat në krahun e taksave, të cilat do të mbyllnin gropën. Por qeveria vendosi të punojë njëherë në drejtim të administrimit përpara se të angazhohet në diskutime për politika të reja taksash, çka në gjykimin tim është një rrugë e përshtatshme, por edhe fisnike për të lëvizur përpara”, u shpreh ai pak ditë më parë. Sipas tij disa faktorë të mosrealizimit të të ardhurave janë të jashtëm. “Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, nënvizon Reinke. Këto janë arsyet që e kanë lënë marrëveshjen pezull të paktën deri në tetor, duke cilësuar se “Qeveria mund të shohë për kursime, të shkurtojë shpenzime të panevojshme. Por, nëse këto nuk do të mjaftojnë, atëherë do të duhen masa në krahun e taksave. Por i takon qeverisë të vendosë se cilën nga këto instrumente do të zgjedhë, nëse do të dojë të ulë shpenzimet apo të rrisë taksat”.

 

Redaksional

Ekonomia ngel për në vjeshtë

 

Vera e nxehtë do të harrohet së shpejti. Sepse vjeshta që vjen pritet të jetë edhe më e nxehtë. Të paktën po t’u besojmë paralajmërimeve të qeverisë, se sapo të mbarojë sezoni i pushimeve do të fillojë një aksion i madh kundër ilegalitetit në biznes, fenomenit të dy regjistrave, mospërdorimit të kasës fiskale etj. Në rrugën e mundimshme drejt legalitetit, kjo mazhorancë i ka marrë sektorët me rradhë, duke nisur nga bimët narkotike, tek qarkullimi rrugor, tek energjia e vjedhur dhe e papaguar, paralelisht me legalizimin e shtëpive të paligjshme; tashmë dhe me ujin e pijshëm dhe sidomos, me taksat dhe tatimet.

Të gjitha këto janë rrugët e duhura që prej shumë e shumë vitesh, nëse do të zbatoheshin (duke e ndërprerë njëherësh fenomenin anti-ligj), do ta kishin futur vendin me kohë në rrugën e modernizimit dhe ekonomisë së ligjshme, prej nga rrjedhin të gjithë përfitimet e tjera që të ofron një shtet i konsoliduar. Po ndodhin tani, dhe gjithsesi janë për t’u përshëndetur. Por…

Ka disa pikëpyetje. Nga do fillohet? Nga biznesi i bukës së gojës, nga ai i madhi, në të gjitha njëherësh? Nevoja për të ardhura në arkën e shtetit është urgjente, dhe kjo është një vjeshtë e nxehtë pikërisht pse provimi në të cilin qeveria ka ngelur deri tani, është tejet serioz. Mungesat prej 135 milionë Usd në tatime e dogana, kanë provokuar frenimin e FMN-së në lëvrimin e këstit të rradhës. Dhe situata është kjo: Fondi Monetar do të presë deri në vjeshtë për të parë nëse dimë të grumbullojmë para në arkën e shtetit, për të na… dhënë para të tjera.

Por nuk është kaq e thjeshtë. Ose më saktë, është ndoshta vërtet e thjeshtë të shtrëngosh darën e regjimit fiskal, nëse njëherësh do mbyllësh të tjera vende pune dhe do thellosh hendekun e varfërisë. Por rruga e drejtë është ajo e vështira: Të krijosh mundësi punësimi e prosperiteti, në mënyrë që taksat të paguhen në rregull dhe shtetasit të jetojnë me dinjitet.

Dhe për shembull, dhjetra milionë dollarët që nuk janë realizuar nga doganat, nuk shtrydhen dot duke shtrënguar kafenetë e lagjeve. Ndërsa dukuria e çuditshme e rritjes së konsumit (sipas Instat) ndërsa të ardhurat nga taksat bien, e kërkon aksionin gjetiu, jo tek konsumatorët.

Gjithsesi, qortimet e kësaj vjeshte duket se do të jenë kyçe për këtë qeveri….

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *