REDAKSIONAL
Që kontratat të zbardhen dhe “gjobat” të shmangen
Për rreth një muaj, gjatë gjithë qershorit, kontrollorët e KLSH-së, kanë audituar aktivitetin e kompanisë Albpetrol. Dje KLSH-ja ka kallëzuar penalisht në prokurori drejtorin e Albpetrol duke e bërë përgjegjës për fshehjen e kontratave dhe dokumenteve pasuese me koncensionarët e naftës. Duket se KLSH-ja jo vetëm ka bërë kallëzimin penal, por ka bërë dhe informim publik për këtë veprim të saj, duke sfiduar publikisht, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm: KLSH dyshon se Albpetrol po pengon kontrollet e KLSH për të mbuluar abuzimet që ka bërë.
Ka dy opsione e gjithë kjo histori. Ose Albpetroli, ka bërë abuzime të paligjshme në marrëdhënien e saj me korporatat koncensionare të naftës, pra ka vjedhur, e për pasojë kërkon të fshehë gjurmët. Këtë e bën duke përdorur si artificë obligimin e saj kontraktual me korporatat private që e detyrojnë për të mos ‘dorëzuar” dokumentet pa lejen e korporatave.
Ose është opsioni i dytë, Albpetroli dhe drejtori i saj janë krejt në rregull me detyrën, nuk kanë vjedhur hiç, por besojnë vërtetë se duke ekspozuar për KLSH-në këto kontrata koncensionare, mund të kenë probleme me koncensionarët për shkak se kanë thyer parimin e konfidencialitetit me to.
Nuk ka asnjë diskutim se është në interesin publik që këto kontrata jo vetëm të jenë objekt i kontrolleve të KLSH-së por objekt i cilitdo institucion ligjzbatues shqiptar, që paguhet nga shqiptarët për të identifikuar të gjitha abuzimet potenciale që mund të kryhen nga zyrtarët shtetërorë.
Nga ana tjetër ky kallëzim i KLSH-së, do të jetë një provë edhe për të. Në Shqipëri, shumë institucione ligjzbatuese, përfshirë dhe KLSH-në, kanë ditur të veprojnë edhe ‘symbyllur’në raste kur u ka interesuar por edhe vigjilente në raste të tjera. Pra ka dhe KLSH-ja problematikën e vetë në këtë histori, pasi shpesh në këtë vend, kontrollet, auditivet, apo hetimet, nuk bëhen për të zbardhur të vërtetat, por përdoren për të rritur stekën e presionit dhe për të përfituar dhe kontrollori diçka nga abuzimi që mund të ketë konstatuar. Pra shpesh institucionet ligjzbatuese në Shqipëri veprojnë si gjobëvënëse, ta falin shkeljen që ke bërë, nëse u jep pjesën.
Pa paragjykuar askënd në këtë histori, tashmë konflikti është evident dhe ka plasur. Ndaj dhe KLSH-ja do bënte mirë që t’i shkonte deri në fund qëndrimit të saj. Në këtë mënyrë mësohet qartë e vërteta mbi atë që ka ndodhur, kontratat të zbardhen, auditi të kryhet dhe ‘gjobat informale’ të shmangen. Në të kundërt, do shmanget zbardhja e situatës, do na mbetet dyshimi se diçka mund të ketë ndodhur në Albpetrol, por nuk do kemi kurrëfarë dyshimi se KLSH-ja është tërhequr vetëm pasi ka rritur stekën e ‘gjobës’ nëpërmjet kallëzimit penal.
***
NAFTË DHE SEKRETE
Nga Habjon Hasani
Kontrolli i Lartë i Shtetit, njoftoi dje se ka kallëzuar penalisht drejtorin e kompanisë Albpetrol, Endri Puka, për shkak se ky i fundit e ka privuar KLSH-në për të siguruar dokumente gjatë kontrolleve. Objekti i kontrolleve të KLSH-së duket se prek një nga çështjet më delikate të kompanisë ALbpetrol, kontratat koncensionare që kjo kompani ka lidhur me shoqëritë private të shfrytëzimit të vendburimeve naftëmbajtëse shqiptare(Bankers Petroleum, Stream Oil, Visoka etj). Gjatë muajit Qershor KLSH ka kryer kontrolle në Albpetrol, por kur ka kërkuar kontratat dhe anekset e kontratave me këto kompani Albpetrol ka refuzuar t’ia ofrojë menjëherë pasi ka detyrimin kontraktual që të marrë lejen e kompanive përpara se të ofrojë këto të dhëna për “palët e treta”. Pas këtij refuzimi, KLSH ka paditur penalisht drejtorin e Albpetrol, Endri Puka. Kaq është fabula institucionale, por historia në thelb është tregues i zhvillimeve të rëndësishme në një nga sektorët strategjikë të vendit dhe risjell në vëmendje një nga problemet më serioze në këtë sektor: Paprekshmërinë e korporatave që shfrytëzojnë naftën shqiptare.
Çfarë është ajo që fshihet?
Marrëveshjet koncensionare që ka bërë shteti ynë me disa korporata naftë-nxjerrëse, ku më kryesoret janë ato me Bankers Petroleum dhe Stream Oil, parashikojnë që këto kontrata dhe anekset e tyre të specifikimeve teknike, të mbeten konfidenciale dhe të mos ekspozohen prej palës shtetërore. DITA, disponon kontratën mes shtetit shqiptar dhe kompanisë Bankers Petroleum dhe në këtë marrëveshje ka një nen të posaçëm që specifikon rastet se kur kjo kontratë mund të ofrohet nga pala shtetërore. Por problemi në këtë rast ëhstë fakti se KLSH-ja është gjithashtu një organ shtetëror dhe jo një “palë e tretë” e zakonshme.Kushtetuta i garanton këtij institucioni kontroll të plotë mbi çdo aktivitet dhe marrëveshje të lidhura nga institucionet shtetërore shqiptare. Nga ana tjetër është problem fakti se ‘garantimi i konfidencialitetit’ të këtyre kontratave është ratifikuar me vendim qeverie dhe me votim në Kuvendin e Shqipërisë ndaj dhe këtu problemi komplikohet. Kompanitë e shfrytëzimit të naftës, me vendim qeverie dhe parlamenti kanë marrë favorin nga shteti që termat e kontratave të tyre të mbeten sekrete dhe të mos jepen pa dhënë dhe korporatat më parë dritën jeshile. Madje jo vetëm kontratat por edhe veprimet e tjera të shtetit me këto kompani që bazohen mbi këtë kontratë nuk parashikohen të jepen. Në kuptimin e interesit publik të shqiptarëve, ky është një favor i pashembullt që u bëhet këtyre korporatave dhe një legjitimim i pozicionit të tyre jo vetëm si shfrytëzues të pasurive nëntokësore por edhe si korporata që nuk i nënshtrohen kontrolleve shtetërore.
Pra situata është e tillë, Kontrolli i Shtetit, duhet të presë përgjigje pozitive nga një koncensionar privat për të audituar një kompani shtetërore si Albpetrol. (?!) Bazuar në obligimet që i rrjedhin nga kontratat me korporatat, Albpetrol ka refuzuar kërkesën e KLSH-së dhe kjo e fundit ka kallëzuar penalisht drejtorin e Albpetrol, por duket se vetë drejtori i Albpetrolit Endri Puka, ka kërkuar garanci më lart për të blinduar qëndrimin që do mbante.
***
Shkresa mbështetëse e AKBN…
Më datën 25 Qershor, ndërsa kontrollorët e KLSH-së ishin nëpër zyrat e Albpetrolit, drejtori i këtij të fundit i drejtohet AKBN-së duke i kërkuar mendim se si duhej të vepronte me kontratat konfidenciale që i’a kërkonte KLSH-ja. Më datën 3 korrik, AKBN-ja i kthen përgjigje Albpetrolit, duke i sugjeruar se bazuar në marrëveshjet koncensionare këto dokumente nuk duhej t’i jepeshin KLSH-së. AKBN-ja është një agjenci e cila ndonëse nuk menaxhon kompaninë Albpetrol, ka tagër ligjor për ta kontrolluar atë dhe aktivitetin e saj. Kjo shkresë e drejtorit të AKBN-së ku jepej mendimi se Albpetrol nuk duhet të bënte publike kontratat dhe anekset, i është dërguar për dijeni dhe ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri më datën 3 korrik. Një ditë më vonë, më 4 korrik, KLSH-ja rezulton se ka kallëzuar penalisht drejtorin e Albpetrolit për pengim të punës audituese dhe fshehje të dokumentacionit.
***
Albpetrol, 22 milionë dollarë abuzime në vitin 2012
Në ka një strukturë publike fitimprurëse në shtetin tonë, me të cilën qeveria e kaluar ka abuzuar në mënyrën më groteske, kjo është ndërmarrja shtetërore AlbPetrol. Gjatë auditimit të veprimtarisë së saj për vitin 2012, dëmi ekonomik si pasojë e mosarkëtimit të vlerës së furnizimit me naftë dhe gaz kompanive private llogaritet në 2,2 miliardë lekë të reja, ose 15.5 milionë euro. Vetëm kompania ARMO i ka Albpetrol rreth 5.4 miliardë lekë të reja borxh për furnizime të papaguara, ose 38 milionë euro. Marrëveshjet që shoqëria “Albpetrol” Sh.a. ka lidhur me kompanitë e huaja për prodhimin dhe zhvillimin e hidrokarbureve në vendburimet ekzistuese nuk janë zbatuar kurrë si duhet. KLSH për vitin 2012 ka gjetur një dëm ekonomik shumë të lartë, që kompanitë e huaja që operojnë në bazë të marrëveshjeve të hidrokarbureve i kanë shoqërisë shtetërore. Albpetrol më datën 16.09.2011, ka lidhur marrëveshje me kompaninë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, për të zbritur nga nafta e prodhuar, sasinë e holluesit të përdorur, në tejkalim të kompetencave të saj. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka sjellë pasojat e mëposhtme në dëm të Shtetit Shqiptar.
Kontratat
Kompania nuk i ka dorëzuar shoqërisë “Albpetrol” Sha sasinë prej 11,955.50 ton naftë bruto me vlerë 6,1 milionë dollarë; si dhe ka ndikuar në faktorin R duke e ulur ndjeshëm atë, vlera e të cilit ka lidhje direkt me përfitimet e Shtetit Shqiptar, pasi, kur R≥1, fitimi ndahet 50% për “Bankers” dhe 50% për Shtetin Shqiptar. Albpetrol nuk ka dorëzuar të gjitha asetet, sipas marrëveshjeve të nënshkruara me kompanitë e huaja, pasi: kompanisë “Stream Oil&Gas, Ltd” nuk i është bërë dorëzimi i vendburimit Ballsh-Hekal, magjistralet Delvinë-Ballsh, Gorisht-Klos-Usojë, rrjeti i grumbullimit të gazit në vendburimin Cakran-Mollaj, si dhe rrjetet e furnizimit; Kompanisë “Sherëood International Petroleum Ltd” nuk i është bërë dorëzimi i vendburimit e puseve të Fermës, pasi shoqëria “Albpetrol” Sh.a ka qenë në proces privatizimi dhe asetet e padorëzuara kompanive janë futur në bazën e të dhënave të përgatitur nga shoqëria konsulente. Për kompaninë “Trans Oil Group”, Plani i Zhvillimit është miratuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN-ja), në kundërshtim me procedurat që parashikohen në Marrëveshjen Hidrokarbure. Nga Albpetrol Sha nuk janë zbatuar procedurat ligjore në fushën e pagave dhe shpërblimeve, inventarizimin e pasurisë, dhënien me qira të objekteve, si dhe dhënien e ndihmës ekonomike, si pasojë e të cilave për vitin 2012 është krijuar një dëm ekonomik në vlerën 448 milionë lekë, ose 3.2 milione euro. Gjendja debitore dhe kreditore e kësaj shoqërie në fund të vitit 2012 ka rezultuar me shifra të mëdha. Gjendja debitore (borxhet e AlbPetrol) është në vlerën 14,8 miliardë lekë, ose 100 milionë euro. Kurse ajo kreditore (Çfare i kanë borxh Albpetrol dhe në më të shumtën s’kanë ndër mend t’ia kthejnë) është në vlerën 7,8 miliarde lekë, ose 57 milione euro. Duke ju referuar të ardhurave dhe shpenzimeve, gjendja debitore përfaqëson gati dyfishin e të ardhurave mesatare vjetore te AlbPetrol, ndërsa gjendja kreditore është 1.3 herë më e lartë se niveli i shpenzimeve.
***
Njoftimi i plotë i KLSH për kallëzimin penal
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 528/1 prot, datë 28.05.2014 inicioi auditimin e radhës në shoqërinë Albpetrol sh.a. Patos, me objekt “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”, i cili përfshinte periudhën 01.08.2013 – 30.06.2014 të veprimtarisë së kësaj shoqërie.Në zbatim të pikave të programit të auditimit si dhe dispozitave përkatëse ligjore të Ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, KLSH i ka kërkuar në mënyrë të ripërsëritur administratorit të Albpetrol sh.a. vënien në dispozicion të grupit të autorizuar të auditimit, të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për kryerjen e këtij auditimi.
Në kundërshtim flagrant me detyrimet e tij ligjore si subjekt i auditimit, administratori i Albpetrol sh.a. refuzoi në mënyrë të vazhdueshme për mëse 1 muaj, vënien në dispozicion të grupit të auditimit, të marrëveshjeve të hidrokarbureve që Albpetrol sh.a. kishte nënshkruar me subjektet private, me justifikimin e ruajtjes së konfidencialitetit të këtyre marrëveshjeve.
Veprimet e mësipërme të administratorit të Albpetrol sh.a. përveçse të kryera në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar edhe pengimin serioz të kryerjes së këtij auditimi nga ana e KLSH-së, në përpjekje për të shmangur nga objekti i auditimit çështje të caktuara të veprimtarisë së tij si administrator i kësaj shoqërie.
Në kërkesat e vazhdueshme të KLSH-së për vënien në dispozicion të këtij dokumentacioni, KLSH i ka bërë të ditur administratorit të shoqërisë Albpetrol sh.a. që konfidencialiteti i këtij dokumentacioni përsa i përket subjekteve private me të cilat Albpetrol sh.a. ka lidhur marrëveshjet e hidrokarbureve nuk vihet asnjëherë në rrezik si pasojë e këtij auditimi, pasi KLSH në asnjë rast nuk ka kërkuar informacion mbi veprimtarinë e subjekteve private dhe marrëveshjet, projektet, plan-bizneset apo resurset e tyre, pasi ato nuk janë objekt i auditimit të KLSH-së, por veprimtaria e Albpetrol sh.a.
Si rrjedhojë e hasjes së këtyre pengesave të qëllimshme, KLSH, në kushtet kur këto veprime kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit, kanë sjellë si pasojë dështimin e disa prej pikave të programit të auditimit duke mbajtur në errësirë të plotë kontratat e lidhura ndërmjet Albpetrol sh.a. dhe kompanive private, vendosi të depozitojë pranë organit të Prokurorisë Fier, në datën 03.07.2014, kallëzimin përkatës penal ndaj administratorit të Albpetrol sh.a. për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal.
KLSH, thekson që kjo është hera e parë në historinë e këtyre 24 viteve të demokracisë apo edhe gjatë kohës së monizmit, pavarësisht formave dhe fazave të organizimit në të cilat ka kaluar Albpetrol sh.a. që administratori i kësaj shoqërie vendos të pengojë një institucion kushtetues si KLSH, organi më i lartë i kontrollit ekonomiko – financiar në vend (neni 162 i Kushtetutës) dhe audituesit e këtij institucioni në kryerjen e detyrës së tyre ligjore. Ky mbetet një rast unikal, ku vetë shtetit i cili zotëron 100% të aksioneve të një shoqërie i mohohet e drejta e aksesit dhe kontrollit mbi dokumentacionin dhe veprimtarinë e kësaj shoqërie dhe çka është më absurdja nga vetë administratorët e saj.
Shqetësimi kryesor i KLSH-së në lidhje me këto vonesa të qëllimshme, mbetet mospërfundimi në kohë i këtij auditimi apo më keq akoma mospërfundimi i tij, gjë që do të ndikojë në raportin e përvitshëm të KLSH-së mbi buxhetin faktik të shtetit, i cili i dërgohet Kuvendit në muajin Shtator, si dhe fakti që këto vonesa mund të krijojnë premisa për tjetërsimin, transformimin apo falsifikimin që mund ti bëhet dokumentacionit të shoqërisë Albpetrol sh.a. që deri më sot nuk i është vënë në dispozicion KLSH-së.

Hajdute dolen dhe keta te rinjte?!
Ore jeni ne vete apo nuk jam mire une?Kush eshte pale e trete,kontrolli i larte I shtetit shqipar?C’po na degjojne veshet!Sa shume jane verbuar hajdutet sa kontrollin e larte te shtetit e quajne pale te trete!
Ou?! Po tja kerkojne Koços se ai e ka djale per shpirt Endrin. Vetem duhet qe z. Leskaj te gjeje nje menyre qe te kete brenda zotin, mqs Kocua eshte bere besimtar i madh.
nuk mund te kete kontrata te paminotueshme: nuk ndodh askund dhe nuk ka pse te ndohe ketu! Nafta eshte sektori me abuziv dhe jo sot
Lexon dhe te duket sikur keta te KLSH jane analfabete,te paafte,duket sikur nuk i ka ecur “presioni”…,duket sikur nuk jemi nje shtet,sikur naftenxjerresit jane mbi shtetin…Keshtu do vazhdoje,apo do “kthehet haka te i zoti”.Pastaj,administratori,ose eshte UFO,ose duhet hequr kryekeleshistin…Kuptohet qe ka probleme te bartura,por mire eshte te jete dhe Albpetrol-i ne ndryshimin e pritshem.
Po Koqua a mund te na ndihmoje ta zgjidhim kete lemsh????? Amen
Albptroli si shoqeri eshte nje Bashkesi ekonomike e naftes e cila ka pergjegjesi dhe detyrim per punonjes e saj qe t`u pergjigjet me te njejtin standart dhe jo nje pjese ti trajtoje me VKM dhe nje pjese tjeter ti hedh ne rruge me ” Pushim kolektiv ” duke hapur nje problematike te thelle e te keqe social – ekonomike per keta te dytet , pale se cfare behet me detyrimet e paleve ne Marreveshjet Hidrokarbure ?!!!
Albpetrolit i duhen Inxhinierat qe me paturpesine me te madhe dhe me papergjegjshmeri i hodhi ne ruge pa asnje kacidhe dhe nuk i duhen gangsterat!
Kush do te punoje ne 12 zonat e reja te naftes ; koncesionaret apo SHQIPTARET ?!!!
Kush do te investoje per naften Specialistat e naftes dhe Inxhinierat apo Gazetaret qe kane mberthyer Drejtorite e Shoqerise Albpetrol sh,a ?!!! Faleminderit !