Shkëlqimi dhe rënia e demokracisë së brendshme në PD. Trajektorja në rënie e Berishës. Pse filloi të degjenerojë partia dhe lideri i saj. Episode dhe komente për një histori 25 vjeçare. Pse akuzat e Izet Haxhisë e kanë vendin në organet përkatëse dhe jo në media. Bisedë me ish-kryetarin e KLSH-së, dikur fans dhe mbështetës, e më vonë kritik i Berishës.
Bisedoi Xhevdet Shehu
-Zoti Blerim, një bashkëbisedim me ju është interesant, ndërkohë që PD duket se ka një krizë identiteti. Si një nga bashkëthemeluesit e asaj partie, çfarë mendoni se e ka çuar në këtë gjendje PD-në? Ju kini qenë ndër ithtarët më fanatikë të Berishës në fillim. Pse dhe si u shndërruat në një nga kritizerët më të rreptë të tij?
Pyetja është me vend, sepse nga një mbështetës të kthehesh në një kundërshtar të vendosur, duhet të ketë ndodhur diçka e madhe. Kjo kthesë e imja nuk u bë brenda ditës e as brenda disa viteve.
Rënia e PD-së në 1997 më ka dhembur shumë jo vetëm mua, por të gjithë atyre demokratëve që e donin dhe besonin tek demokracia e tek Berisha.
Për mendimin tim, rënia e PD-së filloi me humbjen e referendumit në Nëntor 1994 për Kushtetutën. Qeveria e drejtuar nga i nderuari Aleksandër Meksi në vitet 1992-1996 ka punuar shumë mirë dhe Berisha ka mbështetur fuqimisht Kontrollin e Shtetit, që unë e drejtoja në atë kohë, në luftën kundër korrupsionit duke zëvendësuar ministra për shkelje financiare, duke hequr nga detyra tre ministra për çështjen e drurit të arrës, që unë i denoncova në prokurori, por që nuk iu hoq imuniteti në parlament, sepse i mbështeti PS dhe procesi u mbyll.
Në këtë çështje, më vjen keq vetëm për Rexhep Ukën, një njeri i mrekullueshëm dhe ministër i shkëlqyer, por që ra viktimë e të tjerëve. Denoncimi erdhi nga SHIK-u dhe unë kreva kontrollin. Ky problem është trajtuar gjerësisht në librin tim “Deformimi i Partisë Demokratike”. U shkarkua nga detyra ministri i Ndërtimit Ilir Manushi për punimet jo të mira në rrugën Durrës – Rrogozhinë nga një firmë greke. Largimet e ministrave nuk bëheshin as nga Berisha e as nga Meksi, por nga diskutimi në Kryesi të PD-së e miratimi nga Këshilli Kombëtar e grupi parlamentar i PD-së. Pra demokracia e brendshme në PD vazhdonte.
-Deri në cilin moment?
Fillimi i një hileje që na u bë nga Berisha, por që ne nuk e kuptuam, ishte në Kuvendin e dytë të PD-së, kur ai propozoi që Kryetari i Partisë të kishte mandat të pakufizuar në statut, sepse, tha ai, “ne nuk mund të lëmë një djalë si Eduard Selami vetëm dy herë kryetar partie”. Ne të gjithë u ngritëm në këmbë me duartrokitje se do të shpëtonim partinë me Eduard Selamin si kryetar të përhershëm. Ishte një gabim i madh i joni sepse i vumë një lak në fyt demokracisë së brendshme të partisë nga i cili filloi kalvari i rënies së demokracisë së brendshme të partisë me përjetësimin e kryetarit.
Kur ai të ikte nga president, sigurisht që do të kërkonte vendin e kryetarit, siç dhe e mori. Qëndroi në këtë post de fakto me ndërprerje deri në 1997-ën, e nga ajo periudhë 1991 deri në 2013 ishte kryetar de jure, por vazhdon të jetë kryetar de fakto edhe sot. Këtë duhet t’ia dijë për nder budallallëkut tonë në atë kongres që mbështetëm propozimin e tij hileqar. Kjo vazhdon edhe në parti të tjera në vendin tonë. Këtu fillon dhe e keqja e Shqipërisë. Me kryetar të përjetshëm, nuk ka më demokraci në parti, por as në shtet sepse ligjin e bën njëshi.
Besimi im tek Berisha filloi të lëkundej kur priti në zyrë antishqiptarin Nikolas Gejxh, kur u mundua të ruante postin e tij të kryetarit duke vënë konkurrent të ndjerin Pjetër Arbnorin, më vonë zotin Uran Butka, por që nuk i la hapësirë për të bërë fushatë si të barabartë me Berishën, kur u pajtua me Fatos Nanon për të cilin nuk kish lënë gjë pa thënë, kur filloi të marrë vendime duke anashkaluar forumet e partisë për kandidimin e deputetëve, emrat e të cilëve neve anëtarët e Këshillit Kombëtar i dëgjonim jo në mbledhjen tonë, ku duhej të diskutoheshin e miratoheshin sipas Statutit, por i dëgjonim në televizor kur Berisha i shpallte ata publikisht.
Kjo praktikë filloi pas viteve 1997 e në vazhdim. Kur zgjidheshin sekretarët e PD-së në Këshillin Kombëtar, kandidaturat nuk diskutoheshin më parë në forumet përkatëse, por propozoheshin direkt nga Berisha duke vënë dy kandidatura, një të fortë, që Berisha donte të votohej, dhe një të dobët, që nuk mund të votohej nga këshilli kombëtar.
Pra dilnin sekretarë ato kandidatura që kish paracaktuar Berisha. Në një mbledhje të Këshillit Kombëtar zoti Bislim Ahmetaj i tha kur nuk u zgjodh:- Zoti Kryetar, nëse më vë mua me rojën e derës si kandidatura për sekretar, sigurisht që do të fitoj unë. E gjithë salla qeshi e bashkë me ne edhe Berisha. Ndryshimet statutore që bëheshin para kongreseve të partisë, liheshin për në fund të mbledhjeve disa orëshe, kur njerëzit ishin të lodhur e të uritur.
Zoti Omer Stringa më thoshte: – O Blerim, shih çfarë bën kodoshi (Berisha), na paraqet ndryshimet statutore atëherë kur ne jemi bërë telef dhe e kemi mendjen të shkojmë në shtëpi, duke votuar çfarë i do qejfi atij. Me këtë metodë ai rriti kompetencat e kryetarit (pra të vetvetes) dhe ulte kompetencat e kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar i cili mblidhej 4 herë në vit. Ai bëri që ky këshill të mblidhej vetëm kur e caktonte kryetari.
Ka patur vazhdimisht reagime e kritika të forta nga këshilli kombëtar ku spikatnin kritikat e zotërinjve Uran Butka, Pjetër Arbnori, Tomorr Malasi e deri sa një pjese e deputetëve u larguan nga partia në 1997-ën si rasti 14 deputetëve në 1997-ën, si rasti i largimit të Genc Pollos, më herët Eduard Selami në 1995-ën që u shkarkua në PD. Personalisht kam debatuar me Berishën dhe në këshillin kombëtar mbajta një fjalim mjaft kritik të cilin e botova në gazetën ALBANIA në 7 Gusht 2002. Kritizerët humbën postet e tyre në kryesi e këshillin kombëtar me vota të manipuluara në kongreset e partisë.
PD sigurisht që është në krizë identiteti sepse nga parti demokratike u kthye në parti të njëshit ku kryetarët e bashkive, deputetët, ministrat, drejtorët e drejtorive qendrore në shtet emëroheshin e monitoroheshin direkt nga Berisha edhe nën ndikimin e klanit të tij të afërt në parti. Partia u mbyll, seksionet nuk funksionin se nuk i pyeste njeri, kryetarët e degëve caktoheshin paraprakisht nga Berisha e klani i tij, anëtarët e këshillit kombëtar po ashtu, dhe kryesia totalisht nga Berisha.
Kritizerët quheshin ngatërrestarë dhe tek tuk edhe agjentë të PS apo të Sigurimit. Kështu u quajtën nocionistët e vitit 1992 Arben Imami me shokë, më pas Genc Pollo, Genc Ruli, Artan Hoxha etj., por pasi ata ulën kokën, u bënë deputetë e ministra, pra nuk kishin qenë agjentë të Sigurimit e të PS, por kritizerë të papranueshëm, që pasi bënë autokritikë para Berishës se do të qëndronin urtë, u futën në radhët e udhëheqësve e propaganduesve të partisë.
Kontribuesit, militantët që punonin ditë natë për partinë dhe përlesheshin për votat e shkonin derë më derë për të çuar njerëzit në votime, kur fitohej pushteti ngeleshin pa punë, pa bukë dhe pa mbijetesë, merrnin rrugët e emigracionit.
Shumë prej tyre ishin me shkollë të lartë, me grada shkencore dhe specialistë të mirë në fushat e tyre. Pas aleancës me LSI në zgjedhjet e 2013, hendeku midis anëtarëve të PD me udhëheqjen u zmadhua shumë sepse vendet e punës u zunë nga LSI duke hequr PD-istët. Flas për vende pune që kishin njerëz të shkolluar e profesionistë.
Nuk është e drejtë që vendet e punës të zihen nga njerëzit e partisë në pushtet, por kjo rruge u ndoq dhe vazhdon të ndiqet nga partitë. Njerëzit dridhen kur humbet partia e tyre se do ta gjejnë veten në mes të katër rrugëve. Kjo është temë tjetër, prandaj nuk po zgjatem. Aleanca e PD me LSI i dha një mandat të dytë PD-së, por humbi besimin tek PD si një forcë politike e djathtë, jo vetëm tek anëtarët e saj të partisë, por edhe tek simpatizantët.
Me këto veprime, sigurisht që PD filloi të humbasë identitetin e saj, nuk merrej vesh çfarë partie ishte, çfarë ajo përfaqësonte, kush i merrte vendimet, një njeri me një grup të vogël që i kishin hipur në kurriz anëtarëve të thjeshtë të partisë, apo vetë partia që përbëhej nga militantët, seksionet, degët dhe këshilli kombëtar që u kthye në inekzistent.
-Po zgjidhjet e brendshme të fundit?
Kjo praktikë aspak demokratike krijoi premisat që kryetari i ri të paracaktohej nga Berisha, kur ai dha ”dorëheqjen”. U caktuan dy kandidatura, por i ndjeri Olldashi nuk ishte paracaktuar të zgjidhej, prandaj dhe humbi. Në PD funksionon ”telefoni i prishur” i cili kalon fjalët magjike nga veshi në vesh se filani është i preferuari i Berishës, dhe votimi është i ditur që do të jetë në favor të favoritit të tij.
Edhe kjo është një premisë që thelloi humbjen e identitetit të PD e cila e ka zgjedhur Berishën me votë të drejtë në një ndeshje të drejte në 1991. Më pas komisioni zgjedhor caktohej nga Berisha dhe votohej formalisht në Këshillin Kombëtar. Ai komision kishte në dorë emrat që nuk duhej të fitonin për në këshillin kombëtar, njëri prej të cilëve isha dhe unë në vitin 2009.
Nuk më ngeli hatri pse nuk më kandidoi për deputet në 2009, kisha fituar 4 mandate dhe duheshin vënë njerëz të rinj, por që s’isha më anëtar i Këshillit Kombëtar më dhembi shumë se isha i sigurt që do të zgjidhesha. Si unë nuk fituan as të tjerë si Uran Butka, Omer Stringa, Natasha Shehu, Margarita Qirko, Antoneta Malaj, Luan Skuqi etje. me kontribute e eksperiencë të madhe në punët e partisë.
Këshilli Kombëtar, në fakt ishte një organ inekzistent, por kisha qejf, për kontributet që kisha dhënë, të isha në këtë këshill. Kontributet e njerëzve kurrë nuk duhen hedhur poshtë se i vihet shqelmi partisë. Këto qenë disa nga shkaqet qenësore që e zbehën forcën e partisë e cila nuk kishte motiv për të fituar zgjedhjet e 2015, shto këtu dhe dobësitë në qeverisje e pandëshkueshmërinë e të korruptuarve.
-A mund të bëhet realisht Lulzim Basha një lider i opozitës shqiptare?
Basha nuk mund të bëhet lider real i opozitës përderisa ka nëpër këmbë Berishën. Berisha e emëroi dhe ai e komandon. Kushdo që do të ishte në pozicionin e Bashës, do të kishte të njëjtin fat. Këtu nuk flitet për fatin e Bashës, po për të ardhmen e PD e cila ka nevojë për një lider që merr vendime, jo sipas mësimeve të Berishës, por sipas vendimeve të kryesisë, e cila nuk dihet se ku është dhe si i zbaton detyrimet e saj statutore. Berisha në parlament nuk flet si deputet, por si zot i PD-së, kaq mjafton.
-Lloji i qeverisjes së PD-së dhe Berishës në gjysmën e parë të viteve 90, ka përcaktuar shtratin në të cilin ka ecur Shqipëria këto 25 vjet, dhe ju keni qenë pjesë e rëndësishme e institucioneve. A ndjeni pendesë për veprime, sjellje e gjëra që mund të ishin bërë ndryshe në ato vite…
Të jemi të ndershëm. Sistemi komunist në Shqipëri duhej të binte. Jam krenar që kam marrë pjesë në rrëzimin e atij sistemi dhe që kam kontribuuar në vendosjen e ligjeve demokratike që e ndanë Shqipërinë nga praktikat e sistemit kooperativist, diktatura, lufta e klasave, dhunimi i të drejtave themelore të njeriut, ekonominë e kontrolluar nga shteti, kurset e kontrolluara të këmbimit, avokatinë dhe ndërtimin e një shteti ligjor të së drejtës.
Ligjet i bëri qeveria demokratike me në krye Aleksandër Meksin dhe ndikimin e Sali Berishës. Ishin ligje, që me ndihmën e partnerëve tanë strategjike si BE dhe SHBA etj, e futën vendin tonë në rrugën e ekonomisë së tregut të lirë. Mos harrojmë se e gjetëm Shqipërinë të shkatërruar ekonomikisht, mungonin lëndët e para dhe pjesët e këmbimit për të mbajtur në punë ndërmarrjet, arkën e kishim bosh që të rimëkëmbnim ekonominë, mungonte vaji, sapuni dhe rrezikoheshim të ngeleshim pa bukë.
Me përpjekje të mëdha dhe me ndihmën e partnerëve tanë filluam të përmirësonim ekonominë nëpërmjet privatizimit dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjeve rentabël deri sa edhe ato të privatizoheshin. U krijua një model i mirë i qeverisjes vendore e qendrore, korrupsioni ishte minimal. Po punonim për një kushtetutë moderne, por humbja e numrave në parlament me ikjen e Pashkos, Imamit, Kalakullës, Baletës etj. e çoi popullin në referendum të cilin e humbëm.
Këtu filloi rënia e reputacionit të PD, megjithatë u bënë shumë përpjekje që të ringriheshim, por plaga që morëm ishte e thellë. Në zgjedhjet e 1996 thuhet se votat u manipuluan, edhe mundet përderisa PS u tërhoq nga procesi i votimit, për mendimin tim me të padrejtë. SHBA kërkoi të rivotohej në 40 zona. Sugjerimi i miqve tanë amerikanë duhej marrë në konsideratë për të përsëritur votimet në 40 zona. Berisha vendosi të bëheshin vetëm në 17 zona. Ky ishte gabim. Berisha donte të ruante patjetër një fitore të thelle që të siguronte 84 vota për t’u rizgjedhur President. Nuk kishte asnjë arsye tjetër që të mos merrej në konsideratë sugjerimi amerikan.
Modeli që krijoi PD deri në 1994 duhej vazhduar pa ambicien presidenciale të Berishës, sepse sado mirë të punosh, pushteti të konsumon. Çfarë të keqe do të kishte që Presidenti të ishte socialist me një qeveri demokratike me 75-76 deputetë? Asgjë, përveçse mirë sepse do të balancoheshin pushtetet të cilat ishin të gjitha në dorë të PD-së. Po të me pyesje mua dhe shokët e mi në atë kohë, kurrë nuk do të pranonim të kishim një president socialist, prandaj Berisha e dinte që kish mbështetjen tonë anti demokratike. Nëse ne nuk kishim përgatitjen e duhur politike që të ruanim balancën e pushteteve, këtë duhej ta bënte Berisha, që dinte më shumë se ne.
Ne kishim nevojë për trajnime politike e juridike se si ndërtohet shteti demokratik e si duhet të jetë ai. Teorikisht e dinim, por nuk e besonim. Vetëm nga praktika mësuam se balancimi i pushteteve është paqe, drejtësi dhe rend. Dëshira për pushtet e Berishës dhe padija jonë na morën në qafe, jo pse humbëm pushtetin, por sepse këtë rrugë vazhdoi dhe PS, më pas PD dhe Shqipëria u bë lëmsh, pa përmendur këtu ligjin 7501 për tokën që u bë aq problematik.
Ju pyesni a jam penduar për veprimet e mia. Nuk jam penduar që kam qenë pjesë e PD-së, por jam penduar për disa diskutime e mbështetje që i kam bërë Berishës duke e përkrahur atë dhe idetë e tij me besim të plotë se po veproj në të mirë të vendit. Se ku kam gabuar i kam shtjelluar në librin tim.
Ky model tashmë nuk është vetëm i një partie, por i të gjitha forcave politike që kanë ose ruajnë nën rrogoz kryetarë të përjetshëm, që duan të gjitha pushtetet për t’u bërë mbretër të pa kurorëzuar. Ky nuk është vetëm fenomeni Berisha, por një fenomen shqiptar që filloi me Zogun, vazhdoi me Enver Hoxhën, u pasua nga Sali Berisha, Fatos Nano e po vazhdon me Edi Ramën.
-Po, në librin tuaj për historinë dhe zhvillimet në PD, jeni tejet kritik…
Duhet të lexoni librin tim, jo vetëm ju, por të gjithë ata që merren me politikë, që të mos përsërisin gabimet e mija e të shokëve të mi. Kurrë mos besoni tek një njeri, por vetëm tek fryma kolegjiale dhe tek pushtetet e balancuara të cilat krijojnë gjykata e drejtësi të ndershme.
-Në intervistat që Izet Haxhia në ka bërë në gazetën DITA jep një sërë faktesh tronditëse në lidhje me Berishën. A mund të përbëjnë ato objekt hetimi nga ana e Prokurorisë?
Me këtë rast po i kthej përgjigje dhe zotit Izet Haxhia. Faktet e tij janë tepër të rënda dhe nuk mund të anashkalohen vetëm me një libër. Unë vërtetë jam kritik ndaj Berishës, por kurrë nuk kam thënë se ai është kriminel, sepse nuk di asnjë rast të tille nga 1990 deri në 2009 që kam qenë në PD.
Por meqë Izeti thotë se ka fakte, duhet t’i çojë patjetër në prokurori, libri i tij që do të dalë është denoncues, por jo dënues. Për faje të rënda heton prokuroria dhe vendos gjykata. Sa i përket ish-kunatit tim, unë kurrë nuk jam marrë me punët e tij e të firmës së tij. Nëse ai i ka dhënë 2.5 milion dollarë njerëzve që përmend Izeti, duhet bërë denoncim në prokurori. Për problemet e tjera të denoncimeve të mia në KLSH, i lutem Izetit të lexojë librin tim sepse aty janë shtjelluar gjerësisht.
-Por nga ana tjetër ju thoni se Izet Haxhia i ekzagjeron disa gjëra. Si mund ta argumentoni këtë?
Nuk mund të argumentoj pse janë të ekzagjeruara akuzat e Izet Haxhisë sepse unë nuk i di punët e nëndheshme të Berishës, por duke qenë kaq të rënda, më janë dukur të ekzagjeruara, por kjo nuk do të thotë se është kështu siç them unë. Dhashë vetëm një dyshim, asgjë më shumë, por e përsëris që akuzat e Izetit duhen çuar në prokurori.
-Ju kini qenë kryetar i KLSH-së, i pari pas përmbysjes së diktaturës. A besoni se akuzat për korrupsion që flitet për familjen Berisha në mënyrë të veçantë, por edhe për pushtetarë të tjerë të majtë e të djathtë, janë të vërteta?
Si ish-kryetar i KLSH nuk mund të flas me hamendje, por vetëm mbi bazën e fakteve, të cilat duhen vërtetuar jo nga fjalët që thuren poshtë e përpjetë për familjen e personin Berisha. Të dyshosh nuk do të thotë se është e vërtetë. Gjithçka flitet për korrupsionin e Berishës duhet vërtetuar me dokumente, dhe kush thotë se ka dokumente dhe nuk i çon në prokurori, sigurisht që gënjen. Unë di që nga 1996-97, Berisha ka dalë si një njeri që bënte një jetë të thjeshtë.
Nëse sot mund të ketë pasuri, ka një inspektoriat të deklarimit të pasurisë, jo vetëm për personin në fjalë, por edhe për familjen e tij. Të vihet në pune ky institucion që të ballafaqojë deklaratat e familjes Berisha me pasurinë që disponojnë, nëse ka diferenca të pa deklaruara, t’i drejtohen prokurorisë. Kjo duhet bërë për të gjithë ata politikanë që nuk kanë biznese, por janë të pasur. Ky kontroll duhet të funksionojë njëlloj për të gjithë.
-A besoni se reforma aktuale në drejtësi do ta zgjidhë problemin e padrejtësisë e korrupsionit në këtë vend?
Nuk besoj tek reforma në drejtësi po nuk u pastrua politika nga të korruptuarit, po nuk u zgjidh problemi i kufizimit të mandateve të kryetarëve të partisë, po nuk u zgjidh sistemi zgjedhor që sot ka bërë të plotfuqishëm kryetarët e partive, po nuk u vendos përfundimisht balancimi i pushteteve, që asnjëra palë të mos ketë edhe qeverinë edhe drejtësinë, edhe presidentin. Pa u vendosur ky balancim, reforma në drejtësi do të jetë zero. /DITA/


Mban ere te keqe ky ma.kar.
E cuditeshme: gjithe kohen eshte m.. i njome,nuk thahet kurre se i humbet era.
Sela
zoti nazIst SS era mut te vjen ty nga koka e deti ne kembe se nuk jep asnje argument per sa ka shkruar z.Cela.Nese do te shash shko e meru me njerez te kategorise tende e jo me intelektuale e burra shteti si z.Blerim Cela.