Nga Alqi Koçiko
Çdo “revolucion” ka epokën e vet romantike. Fjalën e vura në thonjëza sepse në rastin shqiptar, ndryshimi i sistemeve nga diktatura komuniste në sistemin pluripartiak nuk ishte tamam përmbysje.
Në Partinë Demokratike, epoka romantike ka mbaruar me kohë e me vakt. Ashtu si çdo revolucion, PD-ja nisi t’i hajë bijtë e vet shumë shpejt, dhe vazhdimisht. Që në kohët e para të aktivitetit politik, asaj iu shkëputën individë dhe parti të reja, ca me debate mbledhjesh, ca me sherre e dajak, e ca të tjerë mblodhën plaçkat e u larguan nga vendi, të kërcënuar seriozisht me tërësinë fizike të tyre dhe të familjes. Si përplasje të fundit në strukturat partiake e qeverisëse, mbahen mend debatet e Dashamir Shehit lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme në vitin 1997 dhe masat që duhen marrë, pastaj pothuajse linçimi i Genc Pollos dy vjet më vonë në Konventën Kombëtare të PD-së. Pollo, Shehi, Ndoka, Xhaferri etj, u larguan dhe PD-ja e kryetarit ra në qetësi: Në parti kishin mbetur qëndrestarët, ata që edhe 50 vetë të ishin, dilnin e protestonin kundër qeverisë Nano për çfarë do gjëje u vinte në mendje, derisa u arrit pakti për presidentin Moisiu më 2001-in.
Rikthimi i shumicës së plangprishësve në prag të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, ishte e kundërta e mënyrës sesi ikën: Kokulur, të qetë, të bindur se “gabimet e rinisë” s’ja vlente të përmendeshin, sepse përpara tani shtrihet misioni i vështirë i qeverisjes. Të rikthyerit gjetën edhe një të sapoardhur, Lulzim Bashën. E nuhatën që rioshi ishte i destinuar për diçka speciale nga shefi Berisha, por nuk bënë zë. Rëndësi kishte që do të “qeverisnin” së bashku. Dhe për tetë vjet, 2005-2013, gjithçka funksionoi vaj. A mund të quhet debat në PD nëse Jozefina Topalli nuk ndihet mirë me Bashën afër, apo nëse Ridvan Bode sikletoset për financat sa herë kryeministri i kërkon të bëjë cirkun e rradhës me paratë?
Prandaj debatet e fundit dhe ngritja e zërit të shumë eksponentëve demokratë kundër bojkotit parlamentar që kryetari i ri (misioni special ishte realizuar ndërkaq) Basha deklaroi se do vazhdonte, nën hyqmin e deputetit të thjeshtë Sali Berisha, mund të quhen me plot gojën risi për jetën partiake të selisë blu. Nisën si mërmërima, por kur panë që Berisha-Basha e kishin seriozisht dhe me mendjen top se bojkoti do të vazhdojë, debatuan dhe kërkuan llogari. Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Mesila Doda, Igli Cara, Roland Keta etj, të hënën e 1 shtatorit, pas dyerve të mbyllura protestuan me zë të plotë: Si ka mundësi që ata e mësojnë vendimin e vazhdimit të bojkotit nga mediat? Paralelizmin më të hidhur e bëri Astrit Patozi: “Si mund të bojkotojmë sot, kur ne kemi shkuar në Kuvend edhe kur vranë Azem Hajdarin?” Ndërsa një thumb të drejtpërdrejtë lëshoi Topalli: “Ne duhet të jemi zëri i qytetarëve, por nuk jemi në lartësinë e duhur. Se nuk kemi lidershipin e duhur!” Edhe i ekuilibruari Ridvan Bode, një ditë më pas në TCH do ta vërtiste frazën me shumë zor, për të mos u shprehur troç kundër Berishës dhe Bashës, duke nënvizuar sidoqoftë nevojën e opozitës për të qenë në Kuvend. Ka edhe emra të tjerë që janë deklaruar me zë, por ka akoma më shumë deputetë demokratë që shprehen vetëm privatisht (kuptohet, shumë më ashpër nga sa do flisnin në një mbledhje) se me këtë rrugë, partia ka marrë udhën e rrudhjes dhe shkërmoqjes.
Atëherë çfarë po ndodh në garnizonin e SHQUP-it, me këto dalje surprizuese nga rreshti? Si shpjegohet ky rebelim? Dhe a do të reflektojnë dy udhëheqjet, realja dhe ajo imagjinare e PD-së ndaj kësaj “greve”?
Berisha në kohë të tjera, mund t’i kishte përjashtuar apo “ngrirë” pa shumë ceremoni ngatërrestarët. Çështja është se kohët kanë ndryshuar. Duke iu afruar mbylljes së të dyja cikleve të tij, si atij politik edhe biologjik, demokratët duket se kanë kuptuar se nuk mund të ecin përjetësisht qorrazi pas Berishës. Aq më pak, pas klonit të tij të telekomanduar, që të vetmen arsye madhore që u jep deputetëve të partisë së tij, ka merakun se “Rama do shfryjë kundër nesh mllefet e tij në parlament, ndaj nuk mund të shkojmë”. Tek e fundit, edhe vetë Basha e di se këto janë artifica qesharake, për më tepër që ua thotë disa veteranëve të politikës që haheshin nen për nen e gërmë për gërmë me socialistët në Kuvend, kur ai ende studionte në Holandë.
Është në fakt, protesta e atyre të cilët duan që PD-ja, ndryshe nga Berisha, të ketë të ardhme në skenën kryesore të politikës shqiptare, dhe që kjo e ardhme të mos jetë kaq e largët sa duket tani. Megjithë të qenit të ndërgjegjshëm se karrierën e tyre politike në një parti si SHQUP-i e kanë nga Berisha, ata e dinë se nuk mund të ecin symbyllur deri në fund të humnerës. Ndaj ata nuk mund të jenë dakord me këtë katandisje. Sepse sa më poshtë të bjerë partia, aq më e pamundur do të jetë një ringritje pa Berishën.
Dikush që flet pa arra në gojë, është Dashamir Shehi. Ndoshta pse u riafrua me PD-në, jo si një prej shumë gurëve të shahut që sa hap e mbyll sytë vihen anash tavolinës së lojës. Por edhe ata që, kush më pak e kush më shumë, kanë punuar dhe e ndjejnë dhimbjen e PD-së, nuk mund të heshtin më. Ndaj dhe Berisha nuk lëshoi anatema atë 1 shtator. Jo, gëlltiti gjuhën brenda dhe i ftoi sërish rebelët “t’i sqarojë” edhe një herë. Afërmendsh, askush nuk është ndriçuar për të kuptuar më në fund thellësinë e urtësisë berishiane. Ai ose duhet të urdhërojë Bashën të rikthejë në Kuvend “djemtë dhe vajzat”, ose… djajtë e dalë nga shishja e SHQUP-it, nuk kthehen më aq kollaj si dikur.

Ndjehem i trishtuar kur shikoj se e gjithe lufta per te rrezuar dhe denuar kupolen kriminale te PD eshte katandisur ne kete fjale kryq se a do kete rebelim gazmor te Shqup-i apo jo
Prisja qe pas 23 qershorit 2013 kupola kriminale e PD ;
1-Berishi
2-Basha
3-Bode
4-Imami
5-Rruli
te ishte sot prapa hekurave dhe fansat e tyre ti dergonin ne biruce cigare dhe coca-cola.
Prisja qe Kodheli te mbante fjalen per te nxjerre nga Shqup-i kete bande kriminale por e ndegjuat cfare tha Mimi ne kuvend para ca muajsh duke ju drejtuar mender Saliut:::::
…….Zoti Sali nuk ta harroj qe ma sherove baben qe u semur nga zemra,dhe nuk kam cfare te bej se po te mos kishte ndodhur do ta tregoja une qejfin..
E ndegjuat Ramen kur u ul te karrikja e k/m ne shtatorin e kaluar qe tha se nuk do njohe dhe do cfuqizonte gjithe vendimet e 3 muajve te fundit te Saliqenit ?
Absolutisht PS dhe Edi Rama nuk kane bere as 1% te detyrimit qe kane nga votuesit e 23 qershorit sepse ajo date nuk ishte rrotacjon poltik por nje revolucjon me vote per rrezimin dhe denimin e bandes se berishajve qe sot po tallin lesht me kete teater:””Do futemi apo nuk futemi ne paralament””
Viktime e kesaj loje eshte dhe Alqi Kocikoja jone….i cili duhet ti kerkoje llogari dyshes Rama Meta qe po bejne nje tolerim kriminal ,krimineleve te PD dhe jo te na perrallise me rebelime te garnizoni sepse ato po bejne gallate me ne …sepse ne vend te ishin lidhur me pranga
kane vene Dash Thuthuqin te beje rolin e Mon Kukaleshit si dikur Qazim Mulletit
O Alqi…ato po bejne gallate dhe ti e quan rrebelim ?