Ç’po ndodh me çështjen CEZ dhe çfarë fshihet pas gjithë kësaj zhurme politike dhe mediatike prej disa kohësh? Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, ish-zëvendësministri i Industrisë dhe Energjetikës, Pajtim Bello, sqaron në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ historinë e fillimit dhe vazhdimit të kësaj afere nga qeveria e Berishës. Pse zoti Bello është kundër hetimit ndërkombëtar për çështjen e borxhit të CEZ dhe cilat aferat ende të pazbardhura…
– Zoti Bello, ju jeni njeriu që kini denoncuar sistematikisht prej vitit 2009 shkeljet e Qeverisë në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Çfarë përfaqëson për ju çështja CEZ?
– Është një fenomen kompleks, që shqiptarëve iu ka sjellë dëm financiar të konsiderueshëm dhe që ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e sistemit elektroenergjitik të vendit. Në këtë kompleksitet gjejmë shumë probleme, shumë ngjyrime, afera të mëdha që nuk janë hetuar fare; të paktën deri tani.
– Ju lutem, futuni në çështjet konkrete. Na bëni të kuptojmë çfarë ka ndodhur?
– Drejt. Le ta fillojmë nga privatizimi i ish-Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike. Privatizimi është fillimi i gjithë katrahurës për të cilën flitet apo polemizohet sot…
– Ju jini kundër privatizimit?!
– Nuk jam kundër privatizimit si proces, por kundër mënyrës, kohës dhe standardeve që u përdorën në këtë proces privatizimi. Më lejoni të kujtoj se unë e kam denoncuar, madje fillimisht i vetëm dhe me kosto personale, privatizimin politik që bëri Qeveria Berisha. Procesi ishte tërësisht politik, aspak profesional dhe të dënuar për të dështuar ashtu si edhe ndodhi pas tre vitesh. Nëse iu kujtohet, Sali Berisha (në atë kohë Kryeministër) doli në një konferencë shtypi me ish Kryeministrin e Çekisë, në atë kohë vend drejtues i BE dhe tundi kartën politike të premtimit për hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE!… Më tej forcërisht u privatizua ish-OSHE sha, pa u përgatitur për t’u shitur, me një ofertë të vetme prej CEZ!… U shit me një çmim qesharak, u bënë ndryshime kapitali e sistemim borxhesh gjatë kohës së negociimit të shitjes (pasi ishte bërë tenderi i përçudnuar!..), u bë një Marrëveshje e ERE me CEZ mbi ecurinë e çmimit për katër vite, e cila çuditërisht u miratua në Parlament, u bënë pazare me çmimin e energjisë elektrike, u mbyllën sytë për të gjitha prapësitë dhe aferat që janë kryer në atë periudhë, përfshi edhe mbledhjen e debitorëve nga kompani të posaçme, deri në momentin kur ata që e sollën CEZ në Shqipëri e përzunë atë me lavdi!… E gjithë kjo nënkupton dëm financiar në përmasa shumë të mëdha, cenim serioz të perspektivës të sektorit të Energjisë Elektrike; probleme këto që u shfaqën haptazi që në vitin 2011 dhe vazhduan të acarohen sidomos në vitin 2012-2013. Dëmi financiar që shkaktuan shoqëritë e mbledhjes së borxhit është shumë herë më e vogël se fatura e atyre çfarë unë kam përmëndur më sipër.
– Ju, zoti Bello, po prezantoni një tablo shumë të ngarkuar. A ka përgjegjës?
– Po. Ka përgjegjësi politike, ligjore dhe financiare dhe pa dyshim edhe persona që janë përgjegjës. Unë e kam drejtuar gishtin mbi Qeverinë Berisha në vitet 2005-2013, mbi të gjithë ata që sot bërtasin më shumë se të tjerët. Është e dhimbshme, po fajtorët e vërtetë kërkojnë viktima, verbërisht anatemojnë Marrëveshjen Shpëtuese të Sektorit të Energjisë Elektrike me qëllimin djallëzor për të mbuluar përgjegjësitë e tyre, përgjegjësi shumë të mëdha dhe të dukshme. Ata ministra së bashku me ish Kryeministrin Berisha duket të jenë shënjestra e përgjegjësisë së munguar, përgjegjësi për të cilën kemi paguar shumë!…

– Po mbledhja e borxheve çfarë përfaqëson? Mund të na thoni diçka mbi këtë aferë?
– E kam denoncuar sapo filloi të zhvillohej një veprimtari e tillë, kur shumëkujt i dukej si lodër.
Së pari, këto nuk janë kompani për mbledhjen e borxheve sepse mbledhja e borxheve në Shqipëri ka qenë dhe është e rregulluar me ligj. Fatura e energjisë elektrike është titull ekzekutiv dhe për mbledhjen e saj kishte kompani përmbarimore, përfshi edhe përmbarimi shtetëror. E pra si mund që ato kompani mbinë si kërpudhat pas shiut dhe në objektin e veprimtarisë së tyre kishin mbledhjen e borxheve që klientët i kishin CEZ, përfshi edhe ata buxhetorë!… Këto kompani u regjistruan në institucionet shtetërore si në Tatime apo QKR, ushtruan veprimtarinë e tyre nën hundën e Qeverisë Berisha dhe askush nuk i pikasi deri sa na foli një avokat!.. E kuptoni çfarë xhonglerësh përfaqësonte Qeveria Berisha?!…
Së dyti, Kompanitë përmbarimore kanë tagër dhe fuqi ligjore për të mbledhur borxhet që debitorët i detyroheshin CEZ. Atëherë ku e gjetën këtë fuqi kompanitë kërpudha që mbinë posaçërisht për të mbledhur borxhet në fjalë?!.. E kuptoni qartë se tagrin dhe fuqinë ligjore ua dha Qeveria Berisha me veprimin dhe mos veprimin e saj!
Së treti, legjislacioni shqiptar ka patur dhe ka nivele të rregulluara për shpërblimin ndaj këtij shërbimi. Atëhere, nga mbinë nivele shpërblimi edhe deri 50%?! Nëse drejtuesve të CEZ iu ishin verbuar sytë, ku ishte Qeveria Berisha dhe vetë ish Kryeministri Berisha që sot harxhon kaq shumë energji për të “shpëtuar” paratë e shqiptarëve nga vjedhja e bërë nën hundën e tij!.. E pra, Ata që krijuan ambientin, nxitën dhe mbështetën këtë vjedhje të turpshme të Buxhetit të shtetit dhe të shqiptarëve, sot ngrenë zërin e shprehin gjoja dhimbjen e tyre!… E dhimbshme dhe e turpshme kjo që po ndodh, por ja që në Shqipëri ndodh edhe kështu: Fajtorët bërtasin kapini fajtorët, madje bërtasin me zë të lartë duke kërcënuar!…
– Kuvendi rrëzoi një iniciativë për hetim ndërkombëtar. Ju çfarë mund të thoni?
– Është shumë e nevojshme që të bëhet një hetim, qysh prej privatizimit të ish OSHE deri sot. Kjo nuk ka pse të diskutohet. Por ky hetim nuk ka përse të jetë ndërkombëtar. Kjo sepse nuk do të jetë kushtetues dhe do të përfundojë si një flluskë sapuni. Por mundësitë janë të plota që këtë hetim ta zhvillojnë institucionet shqiptare. Ajo që unë dua të them është se hetimi duhet të jetë administrativ dhe penal. Nuk ka pse të vish nga Amerika apo Europa të kuptosh se çfarë ka ndodhur, kush ka nxjerrë vendime apo akte normative për të favorizuar aferat, kush ka përfituar, kush janë pasojat etj…?!. Tjetër gjë që dua të them, është se zhurma politike duhet t’i lerë vendin institucioneve dhe specialistëve. Nëse kjo nuk ndodh, unë do ta konsideroja një fatkeqësi të madhe dhe vështirë se gjërat do të zbardhen ndonjëherë.
– Pra, ju thoni se ka ende për të zbuluar?!
– Po. Ka dhe më të rënda se kjo për të cilën po flitet. Shqiptarët ende nuk dinë si u dorëzua pasuria e ish OSHE sha në vitin 2009 prej shtetit në CEZ dhe as se si u mor ajo pasuri në dorëzim prej shtetit në shkurt të vitit 2013!.. Çfarë, sa, si dhe nga kush u dorëzua? Çfarë, sa, si dhe nga kush u morën në dorëzim? Këtyre pyetjeve duhet t’iu jepet përgjigje dhe të bëhet transparencë e plotë para shqiptarëve dhe për çdo paudhësi të vihet gishti mbi përgjegjësit dhe të ndëshkohen ata. Besoj se kjo mund të qetësojë shpirtin e atyre që janë vjedhur e poshtëruar.
Intervistoi Xhevdet Shehu
