Zgjedhjet brenda partisë, PD e përçarë mes njerëzve të Bashës dhe kundërshtarëve

anazapta

Elton Koka

Situatat e krijuara në disa prej degëve të Partisë Demokratike në rrethe, ku nuk kanë munguar kërcënimet, fyerjet apo përplasjet fizike, duket se kanë detyruar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, që të paralajmërojë tolerancë zero për cilindo që përçan apo tenton të përçajë këtë parti. Reagimi i Bashës vjen pas përplasjeve të ndodhura në degët e PD në Durrës, Shkodër, Pogradec, Librazhd, Lushnjë, Korçë, ku proceset zgjedhore janë shoqëruar me debate të ashpra. Menjëherë pas nisjes së procesit të zgjedhjeve të brendshme në PD, ish-deputetë dhe deputetë aktualë nisën punën në zona e tyre të influencës, megjithëse një udhëzim i kreut demokrat kishte parashikuar koordinatorët që do të monitoronin këto procese. Përplasjet mes të deleguarve zyrtarë dhe të vetë angazhuarve janë pasqyruar në përzgjedhjen e kandidatëve, delegatëve dhe deri në manipulimin e listës së anëtarëve me të drejtë vote, sikundër u akuzua në rastin e Korçës. Referuar situatës së krijuar, kur të paktën në një rast si Pogradeci kreut demokrat Basha iu desh të ndërhynte për të lejuar kandidimin në këtë degë të fituesit, i cili pengohej nga të deleguarit e qendrës për të hyrë në garë, nga qyteti i Gjirokastrës ku ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Basha u shpreh se nuk do t’i pritet rruga askujt për të kandiduar, ndërsa ka apeluar që anëtarësia e kësaj partie të përdorë votën me përgjegjësi.

 

Apeli i Bashës

Basha ka vlerësuar procesin e anëtarësimeve të reja në Partinë Demokratike dhe ofrimin e të rinjve në këtë parti, ndërsa u shpreh se debatet dhe diskutimi i lirë janë vlera për këtë parti. “Tolerancë dhe mirëkuptim zero ndaj atyre që do të tentojnë të përçajnë Partinë Demokratike, apo ndaj gjithçkaje që synon një gjë të tillë”, ishte paralajmërimi i bërë nga Basha. Kryetari i Partisë Demokratike, ka kërkuar nga anëtarësia e forcës politike që drejton, ta përdorë me përgjegjësi votën e saj, me të cilën do të ndërmerren vendimet më të rëndësishme. Basha kërkoi reflektim të dyfishtë në zgjedhjen e drejtuesve të rinj nga njëra anë, në vlerësimin e vlerës dhe meritës, dhe nga tjetër në kundërvënien e vlerave të PD përballë antivlerave të promovuara nga mazhoranca. “Drejtuesit e rinj të PD-së duhet të nisin hartimin e alternativës së demokratëve”, tha Basha, ndërsa është ndalur në situatën ekonomike, sociale dhe të sigurisë që po kalon vendi. Ai shtoi se papunësia ka arritur shifra alarmante, ndërsa papërgjegjshmëria e qeveritarëve ka arritur kulmin.

 

 

 Kreu i PD Gjirokastër zgjidhet nipi i Dasho Alikos

Roland Bejko është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike, dega Gjirokastër, pas votimeve që u zhvilluan dje. Bejko ka fituar me një diferencë të vogël votash ndaj kandidatit tjetër Shemshi Lamaj. Roland Bejko ka garuar për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, nën logon e Partisë Republikane. Aktualisht ai punon si pedagog në një universitet privat. Ndër të tjera Bejko, i cili ka qenë kryetar i PD-së Gjirokastër edhe në vitin 1997, është dhe nipi i kreut të Komunës Lazarat, Dasho Aliko. Në Kuvendin e PD-së në Gjirokastër, dje ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili paralajmëroi tolerancë zero ndaj atyre që do tentojnë të përçajnë Partinë Demokratike.

 

Konflikt në PD-në e Pogradecit mes Fahri Balliut dhe ish-deputetit Eris Hoxha

Fahri Balliu, i deleguari i kreut të PD për zgjedhjet në Pogradec, ka pasur një përplasje të ashpër deri në tentativë për konflikt fizik me ish-deputetin Eris Hoxha dy ditë më parë, siç raporton radio “City Fm”. Ai ka hequr nga gara një nga kandidatët, Renato Preza, i cili mbështetej nga ish-deputeti Eris Hoxha, një nga njerëzit më të afërt të Bashës. “Këtu vendos unë”, deklaroi Balliu, pasi u lexuan emrat e kandidatëve, nga ku kishte hequr emrin e Renato Prezës. Kjo ka sjellë reagim të ashpër nga salla. Kandidati Preza këmbënguli për kandidim tek kreu i PD, Lulzim Basha, i cili duke e parë statutor kandidimin, i premtoi një garë të hapur. Nga votimi i delegatëve Renato Preza u rendit i pari dhe në balotazh fiton garën, ndërsa kandidati i Balliut, Arjan Mançellari doli i katërti.

 

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *