Kontrata Kadare (ose një dokument që u jep fund spekulimeve)

anazapta

Nga Habjon Hasani

Pak muaj përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit, në zemër të kryeqytetit, nisën me shpejtësi punimet, po ndërtohej një pallat shumëkatësh, fare pranë kullës së njohur si “Sky Tower”. Këto zhvillime krijuan shumë debate, sidomos në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Anëtarët socialistë të këtij Këshilli, pretendonin paligjshmërinë, madje dhe rrezikshmërinë e ngritjes së një kulle të dytë fare ngjitur me kullën ekzistuese të “Sky Tower”.

Por kompania që po e ndërtonte pallatin e ri, i cili shpesh etiketohet dhe si ‘përbindësh”, kishte një avantazh të rëndësishëm: Gjykata e Strasburgut i kishte garantuar të drejtën për të vazhduar me punimet. Kompania ndërtuese e kullës së dytë, kishte ndjekur një itinerar të gjatë gjyqësor, pretendonte anulimin arbitrar dhe të paligjshëm të kësaj leje në vitin 2002. Strasburgu ia njohu të drejtën: ose pallati-përbindësh do ndërtohej, ose shteti shqiptar do i jepte “cash” si dëmshpërblim këtyre ndërtuesve 22 milionë euro. Por, në kullën tjetër, në “Sky Tower” disa dhjetra dyqane dhe apartamente do të “dylloseshin” dhe do të dënoheshin të mos shihnin më dritën e diellit nëse kulla e dytë do të ngrihej, ngjitur me “Sky Tower”. Situata u bë edhe më “pikante” kur u mësua se një ndër banorët që prekej si viktimë e këtyre përplasjeve administrative dhe gjyqësore, ishte vetë Ismail Kadare. Shkrimtari, në asnjë rast nuk ka artikuluar për këtë problem personal të vetin, por në media janë referuar një sërë artikujsh vitin e fundit, që kanë transmetuar shqetësimin e tij mbi atë që po ndodhte.

Pamje të kullës “Sky Tower” ku banon shkrimtari dhe të kullës në ndërtim që ndodhen vetëm 6 metër distancë nga njëra tjetra

Në DITA dhe gjetkë janë raportuar dhe disa komunikime të Kadaresë, me ish-kryeministrin Berisha, ku Kadare i shprehte atij shqetësimin, ndërsa rezultati i bisedave ka qenë shpalosja nga ana e Berishës e pafuqisë së tij për të dalë mbi vendimin e Strasburgut, sikundër pafuqia e shtetit për të paguar dëmin në të holla, 22 milionë euro në këmbim të mosndërtimit nuk janë një shifër e thjeshtë. Për pasojë dita-ditës pallati nisi të ndërtohej, tashmë çdo kalimtar e ka të thjeshtë të shohë dy kullat siameze. Janë aq pranë, sa dritarja e kullës përballë duket si mirazh i dritares tënde.

Por një vit pas këtyre komunikimeve, Berisha-Kadare, një shkrim i Mero Bazes i botuar të dielën si refleksion i një bisede me Kadarenë, ndër të tjera vuri theksin dhe mbi këtë problem personal të shkrimtarit. Baze vinte theksin sidomos tek qëndrimi Berisha-Basha mbi këtë çështje duke nënkuptuar hapur se në fakt Berisha dhe Basha kanë pasur gjithnjë mundësinë të gjenin një zgjidhje që nuk krijonte atë maskaradë me dy kulla “ngjitur-ngjitur” që në fakt krijojnë dhe një realitet të rrezikshëm për jetën e banorëve. Por, duket se mes pronarëve të lejes së ndërtimit të kullës së re, dhe disa ndërtuesve të rinj që u shfaqën më pas si investitorë, mund të gjenden gjurmë që i lidhin me interesat e kupolës së Partisë Demokratike.

Ky është dhe aspekti që implikon Berishën, si një kryeministër që “u fsheh” pas vendimit të Strasburgut, për të arritur në fakt qëllimin e klientelës pranë qerthullit të vet. Ky ishte interpretimi i Bazes, tri ditë më parë, por ishte një interpretim, që ngjalli një reagim të egër, të Kastriot Myftarajt. Në shënimin e këtij të fundit, gjuha ndaj Kadaresë dhe Bazes ishte pak të thuash e ashpër, Myftaraj shkonte shumë larg, duke e paraqitur Kadarenë si një Autoritet Publik të keqpërdorur. Sipas Myftarajt, Kadaresë i ishte falur shtëpia nga pronarët e kullës ku banon, për ta përdorur më pas si mburojë të paligjshmërisë së kullës “Sky Tower”. Duke qenë se edhe shkrimi i Bazes, por edhe ‘replika’ e Myftarajt (pjesërisht) u botuan në DITA, në dy numrat e mëparshëm, sot ofrojmë për lexuesit, një dokument që hedh dritë mbi këtë debat në një mënyrë jo thjesht subjektive, por ligjore.

 

Kontrata e shtëpisë

kadare

Kontrata e lidhur nuk lë vend për komente të mëtejshme. Kadare ka disbursuar shumën menjëherë pas hedhjes së firmës në këtë kontratë. Nëse shikon hapësirën e apartamentit dhe çmimin e shitjes në vitin 2001, kontrata reflekton fiks çmimin e shitjeve të kohës për apartamentet në këtë zonë mondane të Tiranës. Që do të thotë, se ndonëse Kadare përfaqëson një Autoritet të padiskutueshëm për Shqipërinë, në lidhjen e kësaj kontrate, jo vetëm që nuk ka përfituar gjë falas, por as ulje çmimi nuk i është reflektuar në kontratë.

Ekzistenca e kësaj kontrate në thelb i jep fund spekulimeve të rënda që i janë bërë Kadaresë nga Myftaraj, por nga ana tjetër sqaron dhe shumëkënd që nga këto spekulime mund të ketë menduar vërtetë se Kadare i ishte futur ndonjë aventure me “punë ndërtuesish”, apo dhe më keq, po keqpërdorej prej tyre. Por përveç gafës me “dhurimin e shtëpisë”, në shënimin e Myftarajt, regjistrohen dhe pasaktësi të tjera serioze, si në rastin kur ai shprehet se: “Vendimet e Strasburgut janë vetëm sugjeruese dhe jo detyruese”. E kundërta është e vërtetë. Madje është një e vërtetë e njohur mirë nga shqiptarët edhe për shkak të problematikës intensive të Shqipërisë me çështjen e pronave.

Ky është dhe problemi nr.2, shumë serioz i shënimit të Myftarajt mbi Kadarenë dhe ‘pallatin e tij’. Të dyja këto të pavërteta, përveçse demontojnë nga vetë Kastriot Myftaraj edhe atë pjesë të vërtetash që mund të ketë shënimi i tij, nga ana tjetër, janë tregues se me sa lehtësi të papërballueshme mund të përbaltesh në Shqipëri. Nuk mjafton as të jesh Kadare. Makineria e baltës dhe manipulimit nuk njeh kut, nuk njeh cak. E bukura është, që pasi e përbaltin, nisin dhe i kërkojnë llogari se pse jeton në Francë (?!) Të paktën, këtë pyetje mos e shtroni më. Të gjitha përgjigjet, i gjeni në kontratën e këtij apartamenti, kontrata po e shikon sot dritën e Diellit, por apartamenti është i dënuar të mos e shoh më këtë dritë, kulla përballë e ka bërë të pabanueshëm.

* * *

Çfarë imponoi vendimi i Strasburgut për kullën “përbindësh”

pallatiNë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, shpalosen në mënyrë të qartë imponimi që iu bë qeverisë shqiptare për të lejuar ndërtimin e kullës ‘përbindësh” fare ngjitur me kullën ekzistuese “Sky Tower”. Por nga ana tjetër ky vendim shpalos edhe mungesën e këmbënguljes së shtetit shqiptar në këtë gjykatë, si palë e paditur, për të ofruar opsione alternative ndërtimi për kompaninë ankimuese. Duket se në mënyrë të tërthortë, përfaqësuesit e Avokatit të Shtetit Shqiptar në Strasburg, i kanë mbajtur ison pretendimeve të palës që i kishte paditur. E gjithë historia nis në vitin 1998, kur firma “Teknoprojekt” siguron një leje ndërtimi për një ndërtesë 16-të kate në zemër të Bllokut. 4 vite më vonë, Bashkia e Tiranës vendos heqjen e lejes së ndërtimit me argumentin që vendimi për ndërtesën 16-katëshe ishte marrë në mënyrë të jashtëligjshme. Kaq ka mjaftuar që çështja e pallatit të shkojë në të gjitha proceset gjyqësore. Shoqëria ka kundërshtuar pezullimin e lejes së ndërtimit, fakt ky që është bërë në të gjitha hallkat e procesit gjyqësor. Për të siguruar dëmshpërblim për humbjet e shkaktuar, personat e interesuar dhe firma i drejtohet gjykatës së Strasburgut me argumentin ligjor se u është shkelur neni 34 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Ankuesit individualë kërkuan kompensim të drejtë në shumën prej 1,547,037.40 euro (EURO) dhe shoqëria ankuese pretendoi 10,297,947 euro në lidhje me dëmin monetar. Ata paraqitën një raport vlerësimi të ekspertit në të cilin bënë llogaritjet e mësipërme,me supozimin se ndërtimi i godinës gjashtëmbëdhjetë katëshe, në një ngastër toke të ndodhur në një prej zonave më qendrore dhe fitimprurëse të Tiranës, do të kishte përfunduar deri në vitin 2002 dhe se të gjitha apartamentet përkatëse dhe ambientet tregtare ose do të ishin shitur, ose do t’i ishin dhënë me qira palëve të treta në periudhën midis vitit 2002 dhe 2007. Ankuesit individualë kërkuan më tej 270,000 euro dhe shoqëria ankuese, gjithashtu, pretendoi 1,650,000 euro në lidhje me dëmin jomonetar.

Në lidhje me kostot dhe shpenzimet ligjore, ankuesit pretenduan 32,400 euro për kostot dhe shpenzimet e shkaktuara në procedimet e brendshme dhe 16,857 euro për ato të shkaktuara në procedimet para gjykatës”, thuhet në kërkesë. Por përveç parashtrimeve të pretendimeve të  firmës së ndërtimit dhe personave të prekur ajo që bie në sy është fakti se përfaqësuesit e shtetit në Gjykatën e Strasburgut nuk ofrojnë dokumente për fitimin e çështjes, por marrëveshje. Madje, sipas vendimit, propozimi është bërë nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar, gjë e cila është marrë në konsideratë nga trupi gjykues i përbërë nga Lawrence Early sekretar dhe Nikolas Bratza.

 

Oferta e qeverisë

Në vendimin e gjykatës së Strasburgut argumentohet se si firma e ndërtimit ka siguruar rifillimin e punimeve në bllok. “Më 22 nëntor 2010, pas mosarritjes së një marrëveshjeje për zgjidhje miqësore me ankuesit, qeveria informoi  gjykatën se ata propozuan të lëshonin deklaratën e mëposhtme të njëanshme, me synim zgjidhjen e çështjes së kompensimit të drejtë. Qeveria shqiptare garanton vazhdimin e punimeve sipas projektit dhe brenda afatit dyvjeçar për ekzekutimin e lejes së ndërtimit nr. 766, datë 22.2.1998, duke angazhuar të gjitha institucionet shtetërore. Duke iu referuar dëmeve morale, qeveria shqiptare ofron t’i paguajë ankuesve shumën prej 15,000 (pesëmbëdhjetë mijë) eurosh. Duke iu referuar dëmeve morale, Qeveria shqiptare ofron t’i paguajë shoqërisë ankuese “Teknoproject” sh.p.k. ex gratia në total shumën prej 5,000 (pesë mijë) eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Strasburgut. Pikërisht mbi bazën e kësaj marrëveshje gjykata e ka vendosur kompensimin e firmës si dhe rifillimin e punimeve.

Kontrata ligjore e blerjes së  apartamentit nga Ismail  Kadare në vitin 2001 në kullën “Sky Tower

 

fax 1

 

fax 2

Share This Article
3 Comments
  • Hahaha, kush i ha keto ! Lad Kosta ka legalizuar pallatin e vet me Ismail Kadarene. Ja ka falur apartamentin e di gjithe njerezia…

  • Shikoni mos rastesisht raportin e vleresimit te ekspertit qe eshte paraqitue ne gjykaten e Strasburgut e ha hartuar …………………………… Arben Mece

  • Po mire ai pallati ku jetoka I.Kadare, eshte komplet ne rregull me hapsiren mjedisore qe ze ? Nuk ia zeka ky pallat pamjen ndertesave te tjera? Apo meqe eshte shkrimtari i madh ska problem le te jetoje ne pallat monster 18 katsh ne mes te Tiranes. Po lejini me keto pacavure gazetareske duke be gara kush spekullon me shume se i dime si jane be pallatet, kontratat e gjyqet ne ate vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *