A do rritet çmimi i energjisë elektrike? Ndërkohë që FMN e sugjeron, a është kjo e vetmja alternativë? Si duhet vepruar për të menaxhuar situatën katastrofike të trashëguar edhe në këtë sektor nga një ish-qeveri e dëshmuar si kriminale në trajtimin e financave publike?
ERE po kryen një studim
Deri me tani nuk ka asnjë deklarate të qeverisë së re të pas 23 qershorit se do të rritet çmimi i energjisë elektrike. Ministri i linjës, Damian Gjiknuri është shprehur se duhet parë skema në tërësi dhe se ERE si autoriteti përgjegjës është duke kryer një studim për të dalë me një propozim konkret.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, gjatë një interviste televizive u shpreh disa ditë më parë se është ngritur një grup pune, i cili po bën analizën për tarifat e reja. Ajo që është e sigurtë sipas Petrit Ahmetit, është se energjia nuk do të paguhet më me fasha, por do të ketë një çmim unik pas muajit qershor të këtij viti. Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri paguhet me fasha, pra nën 300 kilovat orë çmimi është 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë fashë çdo kilovat orë më tepër paguhet me 13.5. Ajo që mbetet për t’u parë është se sa do t’i peshojë xhepave të qytetarëve ky vendim? Në së paku dy raste, Gjiknuri ka deklaruar se në çdo opsion do të mbrohet dhe do të jetë prioritet shtresa në nevojë e popullsisë. Duke konstatuar se modeli i tregut aktual ka dështuar, ministri është deklaruar prej së paku një muaji për hapjen (liberalizimin) e tregut që përbën një ndër reformat më thelbësore që pritet të kryhen.
Hapat e parë të Qeverisë
Qeveria ka konkretizuar tanimë hapat e para të strategjisë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike për institucionet publike duke marrë masa që mos të ketë borxh të ri përmes udhëzimit të MF për ta kaluar pagesën e faturave të energjisë si prioritare.
Janë miratuar në qeveri amendimet e Kodit Penal për ashpërsimin e ndëshkimit në rastet e vjedhjes së energjisë. “Nuk ka lidhje me debitorët por me hajdutët e energjisë – tha dje në një reagim për DITA, Dardan Malaj, këshilltar i ministrit të Energjetikës dhe shtoi: “Po përgatitet një paketë masash që kanë të bëjnë me ofrimin e një kategorie shërbimesh publike në mënyrë të kushtëzuar me pagesën e energjisë, të cilat janë:
1- Është lajmëruar rishikimi i skemës së çmimit me të cilin HEC-et e vogla ja shesin energjinë KESH-it për të shmangur gropën financiare.
2 – Po negociohet me çekët e CEZ-it për të zgjidhur konfliktin e trashëguar nga qeveria e mëparshme lidhur me kompaninë e shpërndarjes së energjisë. Pёrmes njё vendimi qeverie, qё nё muajt e parё të qeverisë u ngrit njё grup negociator pёr tё zgjidhur konfliktin e trashëguar nga qeverisja e kaluar me çekёt e CEZ-it, pa shkuar nё arbitrazh. Negociatat janё nё vazhdim e sipёr.
Arkëtimet dhe Humbjet
Po si është situata e Arkëtimeve dhe Humbjeve? Shifrat zyrtare janë optimiste: Për muajin Nëntor 2013 arkëtimet u përmirësuan me 3.6% krahasuar me një vit më parë duke arritur në vlerën e 3 miliardë lekëve. Për muajin Dhjetor 2013 arkëtimet u rritën me 19.9% më shumë se një vit më parë ose mbi 3.8 miliard lekë. Në Janar 2014 niveli i arkëtimeve arriti në 45% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më pare, në një vlerë monetare prej gati 3.9 miliardë lekësh. Në Shkurt 2014 u shënua një përmirësim me 18.1% të arkëtimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ose 3.8 miliardë lekë në total.
Sa i takon Humbjeve shifrat zyrtare raportojnë një reduktim për muajin shkurt me gati 6%. Më saktë, nga 48% që ka qenë shkurti i vitit 2013 në 42.1% në fund të shkurtit 2014.
Dje, në një dalje për mediat, përfaqësuesit e CEZ -Shpërndarje deklaruan se kanë arkëtuar për muajin mars 4 miliardë lekë të reja duke shënuar nivelin më të lartë të arritur nga kjo kompani. “U bëjmë sërish apel abonentëve me debi të akumuluara, që të vijnë sa më parë në sportelet tona, për shlyerjen e faturave, në të kundërt kompania do të veprojë në përputhje me ligjin, duke denoncuar dhe penalizuar çdo rast”, theksoi drejtori për Kujdesin ndaj Klientit, Arben Pregja në deklaratën e djeshme për shtyp.
Ashpërsimi nё Kodin Penal
Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për ndërhyrje në Kodin Penal, saktësisht në nenin 137 që flet për Vjedhjen e Energjisë elektrike ose impulseve telefonike.
Riformulimi i nenit përcakton se vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësave me qëllim përfitimi, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, më shumë se njëherë ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
S’ke paguar dritat? S’ka shёrbime publike
Ministria e Energjisё dhe Industrisë ёshtё nё fazёn e hartimit tё njё pakete qё e kushtёzon pagimin e energjisё elektrike me disa shёrbime publike. Po diskutohet vendosja e kёrkesёs pёr shlyerje te detyrimeve të energjisë para regjistrimit të mjeteve të motorizuara, transferimit te pasurisë se paluajtshme dhe të ripërtëritjes vjetore të licencave të automjeteve.
Gjithashtu pjesё e diskutimit ёshtё edhe sanksionimi se asnjё subjekt nuk do tё mund tё pёrfshihet nё tendera publike, ankande, koncesione pa provuar se ёshtё nё rregull me pagesёn e detyrimeve tё energjisё elektrike.
Detyrimet e institucioneve shtetërore
Qeveria ka miratuar pjesën e strategjisё që ka të bëjë me shlyerjen e detyrimeve të përzgjedhura të sektorit publik në sektorin e energjisë. Kjo strategji përcakton rrugën që do të ndiqet nga Qeveria Shqiptare për të shlyer detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo-buxhetore të faturave ndaj kompanive të sektorit publik të energjisë, duke përfshirë një mekanizëm të shlyerjes me kompensim të detyrimeve te prapambetura të sektorit publik.
Zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie për eliminimin e detyrimeve të prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo-buxhetore, (pjesërisht nëpërmjet shlyerjes së detyrimeve të prapambetura dhe ndërmarrjen e masave për të parandaluar rritjen e mëtejshme në të ardhmen të tyre) pritet të jetë një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të rivendosur qëndrueshmërinë e sektorit të energjisë, zvogëlimin e riskut fiskal dhe ndërtimin e një baze për zhvillim.
“Strategjia parashikonte që brenda muajit mars të kryhej identifikimi, verifikimi dhe konfirmimi i faturave me institucione të veçanta buxhetore dhe institucione që subvencionohen nga buxheti. Ndërkaq, brenda muajit prill parashikohet të kryhej shuarja e detyrimeve ndërmjet palëve të përfshira në marrëveshjen për shuarjen me kompensim, vendim që u mor ditët e fundit dhe ju në DITA e kishit botuar dje – tha për gazetën Malaj, këshilltari i ministrit Gjiknuri.
Jo rastësisht, nё kuadёr tё parandalimit tё krijimit tё borxheve tё reja nga institucionet publike ndaj sektorit tё shpёrndarjes, me udhёzim tё Ministrit tё Financave ёshtё vendosur qё pagesa e energjisё nga institucionet shtetёrore tё vijё nё rradhё menjёherё pas pagesёs sё rrogave dhe sigurimeve shoqёrore e shёndetёsore.
Hapja e Tregut. Si?
Hapja e tregut, fillimisht për konsumatorët komercial të lidhur në 35 dhe 20 kV, si një nga iniciativat kryesore që do ndërmarrë qeveria, përveç plotësimit të detyrimeve të vendosura nga Direktiva, është një hap që do të ndihmonte drejtpërdrejtë këto investime. Hapja e tregut duhet parë me përparësi jo vetëm në tregun rajonal, por edhe atë të brendshëm. Kështu p.sh bizneset nëpërmjet furnizuesve të kualifikuar mund të përdorin energjinë e këtyre burimeve më me leverdi, mbasi eliminohen fee-te e transmetimit dhe vlerat e kapaciteteve, që jo vetëm rrisin kostot, por mund të bëhen problem edhe për sigurinë e furnizimit. Pra, këta konsumatorë nuk do të furnizohen me tarifa të rregulluara të miratuara nga ERE, por do të operojnë në treg për furnizimin e tyre me energji elektrike nga furnizuesit e kualifikuar dhe tregtarët e licencuar të energjisë elektrike.
Shtimi i kapaciteteve të interkoneksioneve rrit mundësinë për të marrë pjesë në tregun rajonal. Me përfundimin e linjës me Kosovën si dhe duke mbështetur iniciativat për interkoneksionin me Maqedoninë, dhe në mënyrë të veçantë përpjekjet për ndërtimn e interkoneksionit DC me Italinë, do të krijohen mundësi të mëdha për prodhuesit e vegjël, që do të kishin mundësi të eksportonin energji në një treg me atraktiv, mbasi çmimet e energjisë atje janë nga më të lartat në Europë, gjithashtu edhe mbështetja si energji e rinovushme është më atraktive. Gjithashtu, shtimi i kapaciteteve të interkoneksionit do të krijojë mundësi shtesë për të gjithë prodhuesit për të luajtur në tregun rajonal më me efektivitet.
Objektivi kryesor i reformës do të jetë krijimi i një tregu kompetitiv në interes të konsumatorëve. Ky treg është një treg i përbërë nga disa hallka, si rezultat i specifikave që ka. Në mënyrë të veçantë gjenerimi dhe furnizimi duhet të shkojnë drejt liberalizimit.
PER HEC-et e VOGLA QЁ SHESIN ENERGJINЁ TEK KESH-i
Ministri në 24 Mars 2014 me prodhuesit e vegjël të energjisë: “Jo të gjithë prodhuesit janë të njëjtë, jo të gjithë prodhuesit kanë kosto të njëjtë të energjisë dhe modeli se si është ndërtuar në Shqipëri, në lidhje me çmimet për energjinë për HEC-et private, mendoj që duhet riparë”.
Çmimi i energjisë, 3 prill 2014, Ministri nё Parlament:
Kuptohet, shqiptarët janë të shqetësuar për çmimin e energjisë siç edhe ne jemi të shqetësuar. U themi atyre se familjet nuk do të preken dhe çdo lloj skeme që do të bëhet, patjetër që do të mbrojë familjet.
18 mars 2014, Ministri nё Vizion Plus:
“Do të shikojmë të gjitha mekanizmat e nevojshme se çfarë mundësie ka që shtresat e varfra të mos preken nga luhatjet e çmimit të energjisë, apo çdo lloj reforme që lidhet me të”.
Çmimet sipas Raportit të ERE-s
Ka një raport të vitit 2012 të Entit rregullator të Energjisë. Nё faqen 88 dhe 89 janё tabelat e çmimeve tё energjisё respektivisht pёr konsumatorёt jofamiljarё dhe ata familjarё. Kur flitet pёr konsumatorёt familjarё, Shqipёria ka çmimin mё tё ulёt se Maqedonia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Lituania, Kroacia, Turqia, Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Rumania. Ndёrkaq, Shqipёria çmimin pёr familjarёt e ka mё tё shtrenjtё se Serbia, Kosova dhe Ukraina.
Replika PD-CEZ për një punonjës të Task Forcë
PD akuzoi dje se në Task Forcë të CEZ në Tiranë është vendosur një ish- i dënuar për shpërdorim detyre. Zëdhënësja deklaroi se Idajet Buzi është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës në vitin 2009 dhe me pas vendimi është lënë në fuqi pas 2 vjetësh nga Apeli. ”Në një prej posteve më të rëndësishme të kësaj ndërmarrjeje në Tiranë, është vendosur Idajet Buzi, një ish-i dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Durrësit, për shpërdorim detyre. Buzi i dënuar për shkak se, kur ishte përgjegjës turni në doganën e Durrësit, nuk i vilte subjekteve detyrimet tatimore, tanimë është emëruar në krye të task forcës së CEZ-it në kryeqytet “, tha zëdhënësja.
CEZ ka reaguar po dje për këtë deklaratë. “Pas verifikimeve të kryera për punonjësin Idajet Buzi informojme opinionin publik se deklaratat e PD janë krejtësisht të pavërteta. CEZ Shpërndarje i bën thirrje opozitës të mbështesë aksionin e nisur për të ndalur vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të rritur arkëtimet. Kompania ka trashëguar borxhe dhe humbje të jashtëzakonshme për vite me radhë, – thuhet në reagim.
CEZ: Dy opsione për konfliktin me Shqipërinë
Grupi çek i energjisë, CEZ po merr në konsideratë investime të ardhshme në Gjermani, Poloni dhe Sllovaki, tha Tomas Pleskac, një anëtar bordi dhe kreu i departamentit të huaj në CEZ, në një takim me mediat për të festuar 10-vjetorin e hyrjes së grupit në tregjet e huaja. Ndërsa procesi i arbitrazhit vazhdon në Shqipëri, Pleskac tha për mediat çeke se ‘’CEZ po zhvillon njëkohësisht bisedime me autoritetet shqiptare, për të gjetur një skemë kompensimi, në mënyrë që të shmanget vazhdimi i procesit të arbitrazhit. Të dyja opsionet janë të hapura’’.
Grupi CEZ bleu operatorin e Sistem Shpërndarjes së energjisë nga qeveria shqiptare në vitin 2008. Në janar 2013, shteti shqiptar i hoqi licencën, duke e marrë kompaninë në administrim, ndërsa pronësia vazhdon të mbetet e çekëve.
Vendim shume i drejte nga ana e qeverise, sepse ne cdo “vend normal” shtetasi duhet te paguaje detyrimet ndaj shtetit