Kur shpirti tregtar i rigjetur dhe kaosi ligjor e policor ishin si tenxherja për kapakun në fillim të viteve 90-të, thuhej rëndom se vetëm me çamçakiza dhe ilaçe ja vlen të bësh tregti: Me një çantë mall bën një dorë të mirë lekësh. Sigurisht, “substancat e tjera” ishin ende në hapat e para dhe prandaj, të panjohura. Për çamçakizat nuk e di, por tregu i ilaçeve sot e kësaj dite është parajsë e fatlumëve që kanë arritur të hyjnë dhe të zenë një vend. Mirëpo këto dy vitet e fundit pritej diçka tjetër, të paktën një hap drejt rregullimit e sistemimit të tregut, në funksion si të cilësisë së ilaçeve, ashtu dhe kontrollit të çmimeve në favor të popullatës.
Nëse dikush do thotë sot që kjo “diçka” ka lëvizur, nuk do gënjente. Fakti është që ndryshe nga më parë, në farmacinë e spitalit nuk bie miu e thyen hundët, por gjen rregullisht ilaçe dhe këtë e dëshmojnë pacientët. Por skandale si ky i fundit, ku një skemë dhe një rreth i tërë njerëzish të fushës është stisur e kopsitur për të bërë sikur shesin ilaçe, dhe t’i fusin paratë në xhep, dëshmojnë edhe një herë se shëndetësia është një fushë kur kjo qeveri është ende larg realizimit të premtimeve.
Le të mos fshihemi pas gishtit. Në atë kohë deputeti Halim Kosova, e akuzonte në Kuvend ministrin e Shëndetësisë Beqaj se në treg ka ilaçe false, se drejtues të strukturës së gjerë të institucioneve shendëtësore në vend kanë konflikte interesi dhe akuzohen për abuzime, se tregu është në dorë të pak njerëzve të preferuar të ministrit etj. Kosova ka bërë edhe akuza të tjera në fakt (sikur ministri u ka thënë farmacive: Ilaçet mbajini, mua më jepni paratë), por Beqaj iu kundërpërgjigj se me Kosovën do shihej në gjyq, si me një shpifës të rëndomtë.
Sot dr.Kosova ka vetëm gjyqin e votës së 21 qershorit përballë, nga i cili duket ashiqare që nuk do ndahet mirë. Ndërsa skandali me tetë të arrestuar, mes tyre një drejtor të Fondit të Sigurimit, dhe akuza të tjera që kushedi në ç’sirtarë ndodhen (prandaj dhe nuk mund të paragjykojmë) janë në anën e ministrisë dhe ministrit. Dhe DITA e ka treguar në jo pak raste se peshorja e akuzave dhe dyshimeve mbi ministrin Beqaj, meriton një vëmendje të shtuar edhe nga mediat.
Ndërkaq, në fushën e ilaçeve që duket se po shërojnë vetëm ata që i shesin, ka edhe zhvillime politike. Mbi ish drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, prej kohësh rëndonin akuza abuzimesh me detyrën. Por dorëheqja (apo shkarkimi) i tij së fundi, duket se nuk u bë për të luftuar korrupsionin, por për kozmetikë politike. Dhe kujt iu dha ky post, i cili për ata që e njohin funksionimin e kësi strukturave, e dinë se ç’peshë ka? Mjeshtrit të zyrave e departamenteve të heshtura e pareshumë të kësaj natyre, Shpëtim Idrizit të PDIU-së. Ditë më të mira paskëtaj vijnë.
Ndërsa mazhoranca po lufton për dekriminalizimin, antikorrupsionin etj, dhe pacientët shqiptarë luftojnë me çmimet dhe cilësinë e barnave, me ata që abuzojnë në këtë sektor kaq nevralgjik, ka punë drejtësia, aq sa mundet. Ndërsa popullit i mjafton rikujtesa e një shprehjeje domethënëse që lidh paratë me ilaçet…
