Kur eksponentë të lartë të PD-së, apo opinionistë që e përkrahin atë, pyeten rreth efektit që do të kenë AK-ja dhe FRD-ja në elektoratin e djathtë, përgjigjigjet janë rëndom nënvlerësuese, për të mos thënë përçmuese. Në fakt, përgjigjet e tyre të kujtojnë përgjigjen famëkeqe të Fatos Nanos në vitin 2005, kur u pyet rreth LSI-së. “LSI-ja s’është veçse një pikë uji në oqeanin e pamatë socialist,” tha ai para zgjedhjeve të 2005-ës. Por, siç dihet, LSI-ja rezultoi një “pikë uji” 8.4-përqindëshe, e cila e la “oqeanin socialist” vetëm me 41.3% të votës popullore dhe e dërgoi Nanon në pension të parakohshëm…
Dhe nga sondazhi i parë kombëtar i gazetës DITA (http://www.respublica.al/artikuj/2013/03/07/sondazhi-kombeta… ), duket se edhe AK-ja e FRD-ja do të jenë dy pika goxha të mëdha uji në oqeanin aktual demokrat. Në qoftë se zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, ato do të merrnin përkatësisht 8.0% dhe 5.4% të votave, ndërkohë që PD-ja dhe partitë e tjera të djathta do të merrnin sot gjithsej vetëm rreth 34%, nga 47% që regjistruan në vitin 2009. Nga ana tjetër, PS-ja dhe partitë e tjera të majta janë në nivelin 41% – pra, shumë më afër nivelit 45% që arritën në vitin 2009. Dhe shpërndarja e votuesve të pavendosur (6.1%), sido që të bëhet sot, pak e ndryshon këtë panoramë elektorale.
Kuptohet që deri në ditën e zgjedhjeve, ose më saktë deri në ditën e përfundimit të numërimit, shumë ujë do të rrjedhë, por sidoqoftë, një analizë logjike mund të bëhet që sot rreth gjasave që FRD-ja dhe AK-ja të arrijnë një sukses të ngjashëm me atë që arriti LSI-ja në 2005-ën e rotacionit të fundit të pushtetit.
Së pari, perceptimi i korrupsionit, sipas shifrave që publikon Transparency International, është i ngjashëm sot me 2005-ën. Së dyti, ka një zhgënjim të elektoratit të djathtë tradicional në lidhje me kompensimin finanaciar të pronave dhe viteve të burgut politik. Së treti, ka një nivel të lartë papunësie, sidomos në brezin e ri. Së katërti, ka një rënie të përgjithshme të fuqisë blerëse të popullsisë, sidomos vitin e fundit (volumi i tregtisë me pakicë ra mesatarisht 9.4% gjatë vitit 2012, krahasuar me 2009-ën). Së pesti, ka një lodhje të elektoratit të vakët me ndëjtjen 8 vjet në pushtet të të njëjtave fytyra. Dhe së fundi, një pjesë e rreth 100 mijë emigrantëve të kthyer në Shqipëri në dy vitet e fundit mund të votojnë për dy partitë e reja, sidomos për AK-në, e cila ka punuar fort me emigracionin.
Të gjithë këta faktorë mund të bëjën që, siç sondazhi i DITA-s na lë të kuptojmë, një pjesë e e mirë e elektoratit tradicional të djathtë dhe rinor të kanalizohet drejt dy partive të reja, ashtu siç u kanalizua elektorati i tradicional i majtë dhe rinor te LSI-ja në 2009-ën, kur ishte një parti e re.
Por duhet të kujtojmë se LSI-së iu vodhën jo pak vota në 2005-ën, kur nuk kishte përfaqësuesit e saj në komisionet zgjedhore – nga disa pak kuti që u hapën në një komision hetimor parlamentar atëherë, rezultoi se shumë vota të LSI-së dhe LZHK-së ishin numëruar përkatësisht si të PS-së dhe PD-së. Dhe AK-ja e FRD-ja mund të pësojnë të njëjtin fat në 23 qershor…
Për t’i dalë kësaj të keqeje përpara, duket se këto parti po mundohen që të bëjnë aleanca zyrtare ose jo zyrtare parazgjedhore, në mënyrë që të kenë njerzit e tyre si vëzhgues dhe/ose komisionerë. Në qoftë se ato do t’ia arrijnë këtij qëllimi, mbetet të shihet nëse do të jenë në gjendje ta përkthejnë përkrahjen që rezulton nga sondazhi i DITA-s, në vota të numëruara e të certifikuara për to.
po perqindjet nuk kane ndonje rendesi perfundimtare: a mund te na llogaritesh se deputete do te marre AK dhe FRD.
Logjika e Zaloshnjës mund të rezultojë afër të vërtetës. Në këto votime, publiku votues që kërkon vërtetë ndryshimin e madh e të shumë pritur, duhet të jetë larg joshjeve, mashtrimeve dhe mentalitetit fisnor në shërbim të Sali Berishës. Marifetet e tij për ti sjellë rezultatet në favor të tij, do të vazhdojnë me këmbënguljen e atij që kapet pas kallamit për të shpëtuar nga mbytja. Por, vemendja e votuesve duhet të shmangi një herë e mirë patericën më të fëlliqur që mbajti në këmbë për katër vjet regjimin më të urryer të këtyre 22 viteve, regjimin anti shqiptar të Sali Berishës. Dhe kjo patericë ka një emër Ilir M.Lehsi. Aleanca Kuq e Zi dhe FRD, përbëjnë një shpresë më shumë se ndryshimi i shumë kërkuar, do të bëhet realitet. Kërkohet kosolidim i Frontit Opozitar, veçanërisht treshja: AK+PS+FRD, duhet e do të jenë fitueset dhe shpresa për ndryshim.