Nga Mira Kazhani*
Nuk kam patur fatin të shkoj në Suedi por më kanë treguar se është një vend ku në mëngjes mund të shohësh… drerin tej dritares. Si gazetare është një vend për të cilin nuk me ka thënë goja një herë një lajm tragjik, një skandal politik. Më duket si një përrallë ajo që kam dëgjuar rreth Suedisë dhe ajo ç’ka konstatoj. Sa futesh në ambasadën suedeze atmosfera është e jeshiltë. Tek dera që mezi hapet (për shkak të sigurisë) shfaqet një grua e ëmbël. Një vit më parë më qëlloi të shkoj në ambasadën franceze dhe në ato dy orë nuk më zuri syri as buzëqeshjen më të vogël. Këtu ka shumë miqësi në ajër. Gruaja që më pret quhet Merita, dhe duket se ka shumë vite që punon në ambasadë. Ambasadori Patrik më pret në zyrë me një pamje të dashur. Zyra e tij nuk xixëllon nga dekoratat apo llukset por ka një thjeshtësi të arreduar me ngjyra e prakticitet. Kur i thashë që rubrikën LUNCH tashmë e botoj në DITA ai më thotë: “Uauuu, DITA, very strong one” (Uauuu DITA, shumë e fortë)
I tregoj për Suedinë dhe ai më sheh prapë me aprovim.
– “Po ne jemi një vend që e duam natyrën. Suedezët janë të lidhur shumë me çdo gjë të natyrës. Ne udhëtojmë shumë.
– Ndoshta për këtë shkak nuk futeni në konflikte? E pyes unë duke qeshur.
“Nuk e di, po me siguri duhet të jetë diçka mes të dyjave. Mes natyrës dhe ADN-së. Suedia ka 200 vjet që nuk është përfshirë në një luftë. Ishim të privilegjuarit e Luftës së Dytë Botërore. Qëndruam neutral dhe nuk patëm asnjë dëm. Ne jemi dashnorë të të drejtave të njeriut dhe të natyrës.
– Po si është e mundur që nuk dëgjoj për krime, skandale?
– Ah, jo mos ekzagjerojmë. Edhe atje ka probleme por sigurisht jo shumë. Mendoj që shtetin e bëjnë qytetarët, shpirti i shoqërisë është ai që përcakton fatin e një kombi. Suedezet janë njerëz punëtorë dhe që e duan shumë fqinjin, natyrën dhe rregullat.
-Po ne shqiptarët?
-Pa dyshim që po. Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të mirë. Kam një lidhje të fortë me Ballkanin. Para se të vija me mision në Tiranë, kam qenë në Shkup dhe më herë në Sarajevë. E dua popullin e Ballkanit.
– Edhe pse ne nuk e duam njëri-tjetrin?
-Nuk është e vërtetë që nuk e doni njëri-tjetrin. Jeni pak impulsive por kurrsesi nuk do thosha që ballkanasit nuk duhen mes tyre.
-Po gjithë ato luftëra, konflikte. Kush na i bëri?
-Është një histori e gjatë. Nuk dua unë të bëj historinë sot. Po ja psh, Shqipëria është shembull i fqinjësisë së mirë. Nuk keni probleme fetare. Ju keni vetëm një problem ende të fortë, klimën e polarizuar politike.
-Pse e kemi të tillë?
-Duhet të pyesni ata, jo mua. Por mendoj se pas statusit disa gjëra do të zbuten. Shqipëria e meriton statusin dhe ne gjithmonë kemi thënë PO.
-Mendoni se statusin duhet ta ndajnë si një trofe të përbashkët të dy qeveritë? A ishte i mundur edhe gjatë kohës së Berishës?
-Si të të përgjigjem për këtë pyetje? Nuk e di. Duhen dy për një tango. Dhe mendoj se ende ka nevojë për bashkëpunim.
A ju pëlqen Edi Rama?
-Më pëlqen. Është një lider impresiv. Por unë pëlqej edhe shumë shqiptar të zakonshëm siç mund të pëlqej Edi Ramën.
Ai përgjigjet shkurt dhe të jem e sinqertë, ja qaj hallin. Duhet të jetë e vështirë të jesh diplomat sepse është një punë që të kërkon të thuash aq sa duhet. Një profesion që më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë të kyç lirinë. Ja tregoj edhe ambasadorit Patrik dhe ai më shkel syrin dhe thotë se sigurisht kemi disa rregulla. Po që të jetosh mirë dhe safe (sigurt) bën mirë që disa gjëra të bukura t’i kyçësh se vetëm ashtu jetojnë gjatë. I tregoj një shprehje të huaj që në shqip do të thotë: “lumturia jetohet vetëm kur e mban të fshehtë.”
Edhe ai duket nga ata njerëz që lumturinë e mban të fshehtë. Ambasadori Patrik është beqar. Familja e tij jeton në Suedi dhe tregon se ata kanë ardhur shpesh në Tiranë. Tirana i pëlqen shumë edhe pse nuk ka ajrin e pastër të qytetit të tij, por ai nuk duket të jetë i shqetësuar nga ajri sesa nga demokracia.
– “Ju duhet të përpiqeni të gjithë për demokracinë. Ajo është një shtëpi që nuk mbaron kurrë. Gjithmonë ka një lule për të shtuar, një tullë diku, një dërrasë të kalbur për ta ndryshuar. Keni probleme me drejtësinë e cila duhet të ruaj vendin nga rreziku i krimit”.
Biseda shkon tek zgjedhjet në Europë dhe këtu ai bëhet më pak i qeshur.
-“Jemi të shqetësuar për ekstremizmat që po shfaqen. Ka shumë arsye që pse ndodh kjo. Europa e ka marr shumë seriozisht këtë kërcënim. Ksenofobia po kërkon një Europë tjetër, por Europa nuk mund të përjetoj metamorfozë.
-Europianët u lodhën së qëni europianë më duket? E pyes unë si më konstatim.
-Nuk janë lodhur por janë mërzitur me krizën ekonomike. Me disa gabime të politikanëve. Nuk ka fajin ai që voton por mënyra sesi ke qeverisur. Europianët e dinë mirë se çfarë është e drejtë e tyre dhe nuk ta falin këtë. Mendoj që Europa do e gjej forcën për të shpëtuar nga nuancat ksenofobe.
-Aq më tepër që jemi nisur edhe ne tani? Ose më saktë po nisemi.
-Po vërtet. Po niseni dhe të gjithë duhet ta ndihmoni atë anije.
E pyes nëse ka mësuar shqip. Dhe më përgjigjet në gjuhën shqipë:- Pak fare.
Gjuhën shqipe e kam mësuar me hope. Nuk jam gjithmonë sistematik. Gramatika është shumë e vështirë por tingulli i shqipes është ndër më të bukurit. Gjuha shqipe është si një melodi. Nuk e keni idenë sa muzikë të bukur keni ndërsa flisni.
-Sikur t’i ndërronim dhe fjalët , i them unë.
Tani që e mendoj, nuk e dija që gjuha jonë kishte muzikë brenda. Por më shumë nga gjithçka më mbeti si çekan mbi kujtesë një frazë e ambasadorit Patrik për lumturinë: unë jam i lumtur sepse e gjej atë, aty ku ndodhem. Dua gjërat që mund t’i kem. Ndoshta për këtë arsye nuk më mungon asgjë.
*Rubrika LUNCH e autores, çdo të shtunë, në DITA

Gazeta DiTA eshte gazeta qe ben kopertinat me te mira dhe me intriguese nga te gjitha gazetat e tjera shqiptare! Kjo eshte e verteta! Urime DITA, le te pelcasin nga inati te gjithe ata qe s’e duan te verteten, qe eshte vetem nje. Kjo eshte dhe arsyeja qe disa televizione nuk e lancojne ne mengjes! Sa me teper ta fshehin te verteten, aq me shume nder i bejne, duke mos e kuptuar se e reklamojne pa dashje…! Mjeranet e pasur nga pasurite e vena padrejtesisht, por te varfer nga shpirti si toka djerre!